Home | Opinion | Vendet e Ballkanit, ende me probleme

Vendet e Ballkanit, ende me probleme

image
Dimensioni i ri i integrimit ballkanik, të cilit i duhet të ecë larg ndarjeve ideologjike dhe nacionaliste, është boshti bazë i integrimit më të gjerë rajonal.

 

 

 


Nga Sadedin Çeliku

 


Ballkani është një mozaik popujsh që dallojnë ndërmjet tyre nga origjina etnike, besimi fetar, gjuha e kultura. Këto dallime kanë shërbyer shpesh si burime konfliktesh të cilat kanë prapavijë historinë e vjetër. Duke mbajtur parasysh se në Ballkan ndasitë janë komplekse,
është e qartë se nevojitet një shqyrtim i ndarë për çdo faktor. Nëse dikush shikon hartën etnike të Europës, atij i bie në sy mospërputhja e mprehtë midis shteteve perëndimore dhe lindore. Karakteristikë dalluese e vendeve të Ballkanit është se ata janë pritëse të minoriteteve të mëdha etnike të përqendruara kryesisht në kufijtë me shtetet fqinjë nga ku edhe këto minoritete kanë ardhur. Pra Ballkani është vendi ku bashkëjetojnë rreth 20 popuj, të cilët flasin gjuhë të shumta dhe përcaktojnë të tre besimet fetare, katolicizmin, ortodoksizmin dhe myslimanizmin. Ballkani është një rajon gjeopolitik dhe kulturor i Europës Juglindore, e cila ka një sipërfaqe prej 550 mijë km2 dhe një popullsi prej 55 milionë banorë. Historikisht Ballkani ka qenë njëri nga rajonet më të trazuara në kontinentin tonë. Luftrat ballkanike dhe lufta e parë botërore që pasoi këto luftra i dhanë fund kësaj paqeje që ekzistonte në këtë gadishull.

Pas viteve 1990 dhe më pas, Ballkani u bë përsëri skenë e trazirave dhe e konflikteve. Vetëm në dekadën e fundit në Ballkan ka dominuar një paqe e stabilitet, e cila nuk është e konsoliduar ende. Duket qartë se faktorët e rinj politikë, tendencat dhe shpërbërjet në ish Jugosllavi bënë që disa gurë të caktuar në histori të shkojnë në vendin e tyre. Në veçanti vendet si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova që zënë vend në Ballkanin Perëndimor, kanë kaluar përmes disa proceseve shumë të rëndësishme ndryshimi që nga shpërbërja e Jugosllavisë dy dekada më parë. Këto procese u realizuan në fillim me orientimin nga lufta drejt paqes dhe më vonë nga sistemet autoritare drejt demokracisë pluraliste dhe tregut të lirë.
Por nacionalizmi ekstrem në rritje, ndarjet etnike, infrastruktura e dobët e ekonomive të këtyre vendeve dhe mungesa e bashkëpunimit rajonal bënë që këto procese të përparojnë mjaft ngadalë. Nuk ka dyshim se aktorët kryesorë politikë në Europë nuk kanë munguar në përpjekjet e tyre për vendosjen e stabilitetit në Ballkan. Me riorganizimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve rajonale, si dhe rritjen e bashkëpunimit jashtë kufijve ka kontribuar edhe paketa e stabilitetit për Ballkanin. Por kishte ende shumë gjëra që duheshin bërë në çështjet e tregtisë, energjisë, sigurisë dhe politikat e emigracionit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka ndikuar seriozisht në zhvillimet në Ballkan e më gjerë. Kosova mund dhe duhet të pranohet si faktor i rëndësishëm në stabilitetin rajonal. Faktori politik europian dhe në veçanti ai amerikan parashikojnë dhe për këtë po punojnë që Kosova të bëhet shembull i paqes dhe i pajtimit dhe jo i luftës dhe konflikteve duke kontribuar në këtë mënyrë për sigurinë e të gjithë botës në përgjithësi dhe të Evropës në veçanti.

Shpresojmë që opinioni botëror pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vlerësojë realisht ngjarjet dhe situatën në Kosovën e re. Shqipëria në politikat e saj adaptoi një pozicion që ishte vazhdimi dhe thellimi logjik i politikës së saj të re. Qeveritë shqiptare ishin nga të parat që e vuri vetën në rradhët e koalicionet antiterrorist. Vendi ynë ka treguar gatishmërinë dhe aftësinë për të luftuar terrorizmin dhe për këtë gjë është munduar. Për shkak të padrejtësive historike, shqiptarët kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol kyç në rajon. Këtë gjë po bëjnë dhe kosovarët edhe pse më shumë probleme që nuk varen vetëm nga ata. Unë besoj se të qeverisësh në mënyrë demokratike do të thotë të përballosh sfidat, të cilat janë ndryshimi i mentalitetit të politikave qeverisëse. Shoqëria civile, media dhe intelektualët kanë një rol të pazëvendësueshëm në farkëtimin e shoqërive multikulturore dhe të hapura. Vetëm përqafimi i modelit të demokracive multietnike do ti japë formën së ardhmes së Ballkanit. Nëse kjo nuk arrihet, integrimi mbetet i rrezikuar.

Europa Juglindore po përjeton një realitet të ri politik dhe ekonomik. Të gjithë qeveritë e rajonit janë zgjedhur përmes votës së lirë. Të gjithë vendet kërkojnë anëtarësimin në strukturat euroatlantike dhe në Bashkimin Europian. Sigurisht që kjo është një fitore e papërfunduar dhe jo shumë e sigurtë. Kjo për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të politikave ekonomike dhe politike. Dimensioni i ri i integrimit ballkanik, të cilit i duhet të ecë larg ndarjeve ideologjike dhe nacionaliste, është boshti bazë i integrimit më të gjerë rajonal. Ne nuk na duhet të rishpikim politika por ti përqafojmë me guxim modele të provuara nga ku duhet të zgjedhim ato më efektivet. Me shpresën për një të ardhme më të mirë ekonomike, Ballkani ju drejtua ekonomisë së tregut dhe hapjes ndaj botës, por sot që kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga ajo kohë, bilanci tregon se disa vende e kanë bërë këtë më mirë së të tjërët.
Sipas shifrave të Bankës Botërore, shqiptarët janë ata që gjatë kësaj periudhe janë pasuruar me ngadalë se gjithë vendet fqinjë.Edhe pse Shqipëria ka patur rritjen ekonomike më të lartë në rajon gjatë këtyre 15 viteve, paradoksalisht fuqia blerëse e shqiptarëve është rritur me ngadalë se ajo e fqinjëve të tyre dhe shpjegimi qëndron tek rritja e çmimeve e cila gërryen të ardhurat e qytetarëve.

Një nga arsyet e tjera është indiferenca e shtetit dhe mungesa e ndërhyrjes së qeverisë përballë anarkisë që ka përfshirë rritja e çmimeve për artikujt kryesorë të konsumit të përditshëm. Sigurisht që Ballkani ende ka probleme të pazgjidhura, të cilat nuk kanë pak peshë në politikat e zhvillimit të këtyre vendeve. Bie fjala, Shqipëria ka problem konsolidimin e demokracisë në tërësi. Zgjedhjet nuk bëhen të lira e të ndershme për shkak të interesave që ofron pushteti. Zgjedhjet e fundit të vitit 2009 dhe më parë e kanë dëshmuar këtë gjë. Problem ka dhe në ekonomi, ku shpesh prioritetet e zhvillimit bëhen çështje dëshirash se sa nevoja për zhvillim publik. Në Malin e Zi, shpesh akuzohen për kontrabandë e korrupsion, qeveria. Pak më parë Kryeministri i vendit Gjukanoviç dha dorëheqjen nga posti që mbante. Ish kryeministri kroat vazhdon të jetë në gjendje arresti për shkak të akuzave për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Në Maqedoni, kryeministri i vendit, Nikola Gruevski vegjeton në situatë krize. Ende ky vend nuk ka zgjidhur çështjen e emrit të shtetit çka është bërë pengesë serioze për integrimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian. Por ka dhe probleme të tjera etnike si botimet enciklopedike, regjistrimi i popullsisë, marrëveshje e Ohrit etj., ku opozita e ish Presidentit kërkon zgjedhje të parakohshme për nxjerrjen e vendit nga kriza. Edhe shteti më i ri në Ballkan nuk është pa gjë. Kosova është nën akuza për korrupsion. Bashkimi Europian në zgjedhjet e fundit të 12 dhjetorit 2010 ka kërkuar një qeveri me emra të rinj dhe ka kërkuar zgjedhje të reja brenda këtij viti duke u bërë palë me opozitën e Isa Mustafës. Nuk janë në të njëjtin mendim amerikanët, të cilët shfaqen më të kujdesshëm në këtë çështje.

Ndërkaq, Kosovës i duhet ta njohin si shtet edhe mjaft vende që ende s’e kanë bërë një gjë të tillë mbasi ky problem bëhet pengesë serioze për integrimin dhe zgjidhjen e mjaft problemeve ekonomike në vend. Greqia me qeverinë e re po përballet gjithnjë e më tepër me protestat popullore ku spikasin kundërshtitë ndaj reformave të shtrënguara të kryeministrit Papandreu. Bullgaria dhe Rumania edhe pse anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian, ende nuk janë në zonën shengen dhe kritikohen për korrupsion nga Gjermania dhe Franca. Në mënyrë të veçantë kritikat për korrupsion për Ballkanin vijnë nga strukturat e Bashkimit Europian, të cilët janë të pakënaqur me luftën ndaj këtij fenomeni. Shqipëria po bëhet gati dy vjet që kritikohet për shkak të krizës politike që lidhet me zgjedhjet e fundit dhe deformimin e votës. Mungesa e vullnetit politik, e cila vihet re dhe ka theks interesash private për qeveritarët, mungesa e bashkëpunimit me opozitën dhe koalicioni i gjymtuar i mazhorancës kanë bërë që integrimi i vendit të ngelet çështje letrash dhe reformat të mos bëhen në përputhje me kërkesat. Tashmë me plasjen e skandalit të fundit me videon filmike të shfaqur nga emisioni “Fiks Fare” u vërtetua njëherësh kritikat e vazhdueshme të faktorëve ndërkombëtarë për korrupsion dhe mungesa e vullnetit për ta luftuar atë si fenomen. Të gjitha këto probleme e bëjnë Ballkanin një rajon jo të qetë dhe jo fort të besueshëm. Ndofta ky është dhe problem kryesor përse kërkohen ndryshime qeverish, ndryshim emrash, rotacion pushtetesh dhe politika dhe strategji të reja që shoqërohen me efektivitet. Sigurisht që situata në vendin tonë kërkon ndërhyrje të shpejtë, vendime të matura dhe në interes të popullit. E që të zgjidhen problemet e akumuluara duhen zgjedhje të parakohshme dhe ndryshim të raportit të forcave. Dhe nëse është kështu, duhen bërë për ti siguruar Ballkanit paqe, stabilitet dhe mirëkuptim. Janë pikërisht këto që ofrojnë zhvillim ekonomik në këto vende.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00