Home | Opinion | Rubrika "Koha dhe Intelektuali"

Rubrika "Koha dhe Intelektuali"

image
Po. “Tërmeti” jonë i kushtëzuar nga “Tërmeti” europianolindor, do të lëkundëte të gjitha ata konservator, që vetquheshin “shtylla” dhe “drita” e shtetit tonë, pa të cilën kombi s’ecte dot. 


     

 

 

Pjerin Thomai

 


Shkas për të hedhur në letër mendimet e mia, u bë jo vetëm shkrimet e fundit në gazetat tona të intelektualëve të ndryshëm, por edhe psikologjia jonë, e cila po çlirohet nga paragjykimet dhe mentalitetet e vjetra, të trashëguara këto nga tradita dhe praktika të vjera, që ndonëse i kanë shërbyer atij zhvillimi fillestar, më vonë ato (praktikat e vjetra) jo vetëm që s’do të ishin paraprirse e zhvillimit të kombit tonë, por do të bëheshin penguese, një mur, ku në faqet e tij do të zhvilloheshin vetëm myqe, barishtra dhe pislliqe që do ti servireshin popullit si mrekullira dhe arritje të socializmit. Ndonëse dhe më përpara ka pasur mendime të guximshme për hapjen e një dritareje, ato janë mbytur nën pretekstin ( jo parimin) se çdo gjë e jona është e pastër, e lartë e papërlyer nga bojrat e kapitalit, paçka se ajo e jona dal nga dal do të zhvillonte një reaksion, një reaksion që do të zhvillohesh me ndihmën e instancave të larta, pa ndihmën e masave të puntorve, sepse ndihma nga poshtë do të thoshte eleminimin e vet strukturës atje lart, heqjen e monopolitizimit të punëve mendore e materiale. Çdo gjë duhej të zgjidhej nga lart, kontrolli i mendimeve do të mirte një përsosmëri të paparë falë këtij reaksioni, të zhvilluar nga marrëdhëniet shtetërore, të cilët burokratët që shumzoheshin nga dita në ditë, nga muaji në muaj, nga viti në vit, kishin gjetur një qoshe të ngrohtë, për t’u kënaqur me veset e tyre, me egoizmin e tyre, me unin e tyre të trashëguar nga marrëdhëniet e vjetra (relacionet) e marrëdhëniet e reja shtetërore të cilët i mbanin dhe i konsolidonin nga viti në vit. Ndërsa për marrëdhëniet shoqërore, marrëdhëniet me të vërtetë komuniste, për të cilën Marksi luftoi e punoi, as që flitej, apo flitej fare pak. Përkundrazi, konsolidimin e marrëdhënieve shtetërore, pra çdo gjë nga lart e shihnin si socializëm. Nën këtë psikologji që nga dita në ditë legalizohej, filloi një farë nënshtrimi mendor i bazës ndaj atyre me poste partiake apo shtetërore. Për çdo gjë që thoshin lart, ishte e mirë apo e keqe, e dobishme apo e padobishme, do të ngrihej dora vetvetiu për aprovim. Do sulmohej çdo gjë e huaj, çdo gjë borgjeze dhe çdo gjë komuniste, nën pretekstin e ruajtjes apo të mbrojtjes së patriotizmit socialist, këtij patriotizmi që s’kish asgjë të përbashkët me shoqërinë komuniste që duhej të ndërtonim, që më tepër ky patriotizëm i ngjante një kombtarizimi të sëmurë.


Mirpo do të vinte pak nga pak – s’po e quajmë dita, por – koha, se njerzit, po e kuptonin dhe e ndienin se kishin nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë, më real, ndërmjet njëri-tjetrit, se koha e të menduarit dhe të vepruarit në mënyrë metafizike duhej t’ja linte vendin mënyrës dialektike të të menduari e të vepruari, në çdo sferë të jetës sonë. Po jo, “Metafizicienët mendojnë e veprojnë vetëm sot për sot, e jo për të ardhmen” thotë Marksi. Dhe vërtet në çdo sferë u panë “arritjet” u ndërtuan me qindra e mijra apartamente pa sistem, me dhoma të vogla, për strehim, por jo për të jetuar, u ndërtuan me dhjetra rrugë, aq të ngushta sa do t’i zinin frymën jo vetëm makinave por dhe njerzve, u ndërtuan me dhjetra fabrika e uzina që më tepër do të nxirrnin tym sesa rentabilitet. Do e ngrenin zërin plot njerëz, kush në formë të mjergulluar e të trembur, kush në formë shkencore, por që metafizicienët do ta quanin me përmbajtje antishkencore, kush në formë parimore, që metafizicienët të cilët s’ndaheshin dot nga lavdia e tyre e rreme, do e quanin jo parimore. Dhe e lavdishmja “vijë e masave”, “pjesmarrja e plotë e masave në qeverisjen e vendit”, do të ngrihej aq lart sa do të bëhej e pakapshme e paprekshme nga baza poshtë. Le të mbusheshin pankartat me fjalët “vijë e masave”, “demokracia buron nga populli, i përket atij e ushtrohet prej tij” e tjera, për t’i mbajtur nëpër duar punëtorët, që tu bëjnë hije burokratëve në vapë, të cilët nga punët e shumta që kanë duhet të prehen nën hijen e këtyre fjalëve, që shkruhen edhe në shtyp e fletushkat zyrtare, ku vetëm jehona e prapashtesave ngelet, e cila si muzikë orientale, i përkëdhel këta mediokër, që vegjetojnë me vite në postet e tyre, këta pengues të së resë, këta që ndonëse faktori i brendshëm nuk i luajti dot nga vendi, për shkak të reaksionit që u zhvillua nga marrëdhëniet shtetërore, faktori i jashtëm i tronditi. Një “tërmet” i pa parë gjer më sot në historinë e globit tonë, bëri të tronditeshin shumë institucione në vende të ndryshme të botës. Miliona njerëz pyetën veten dhe njëri-tjetrin, ç’u bë kështu, ç’është kjo. Kataklizmoja, kataklizmoja. Fotoreporterët dhe dipllomatët lëviznin si asnjëherë tjetër dhe përhapnin lajmin e kobshëm se marksizmi vdiq, u shua. Dhe në këtë situatë, Partisë s’i ngelej veç të deduktonte dhe të reflektonte menjëherë, paçka se mund të mos pajtoheshin me ndryshimet, pseudokomunistët, të cilët nuk i kalonin caqet e një lokalisti, apo të një patrioti. Se nuk vdiq marksizmi, por surrogatot e atyre lloj socializmash, që ngritën demagogët. E do të vinin menjëherë dy pleniume binjakë, që do të ishin shprehje, deri diku, e interesave të njerzve, dy pleniume që do t’i shkundnin burokratët, njerzit e qosheve të ngrohta, si dhe veset e tyre, psikologjinë e njeriut të pushtetshëm, që i kthen këta metafizicien nga shërbëtor të shoqërisë, në zotër të saj. Do të tronditeshin nga ata njerëz që në qoftëse para shumë vitesh, për shkak të atij zhvillimi të pakët që kishim do ishin revolucionar, zhvillimi i mëvonshëm, zhvillimi i madh i sotëm do t’i nxirrnin detyrimisht reaksionar, paçka se s’do të vlerësoheshin të tillë, mbasi jo vetëm do mbuloheshin me lavditë e së kaluarës, por në vend të tyre do quheshin reaksionar, punëtorët e intelektualët më të nderuar në opinionin shoqëror, të cilët nuk do të pajtoheshin me shumë gjëra, që do të kundërshtonin disa fenomene apo individ antidialektik, me pushtet.
Po. “Tërmeti” jonë i kushtëzuar nga “Tërmeti” europianolindor, do të lëkundëte të gjitha ata konservator, që vetquheshin “shtylla” dhe “drita” e shtetit tonë, pa të cilën kombi s’ecte dot. Proçesi i demokratizimit do të ecte me një shpejtësi, të dëshirueshme për masat dhe të padëshirueshme për ata që digat dhe muret që ngritën, i ngritën jo për të mirën e kombit, por për të mirën e tyre, për privilegjet personale.


Rilexoj edhe një herë gazetat dhe shoh që kërkohet të thuhen gjëra ashtu siç janë, pa zbukurime, të debatohet më shumë e deri diku kjo gjë, po ndihet këto kohët e fundit. Në shumë sfera, po futet mendimi i ri, njerzit po emancipohen. Unë do ta vë theksin në një nga problemet më thelbësore, më kyçe në vendin tonë, e më të ndieshëm për popullin tonë. Në marrëdhëniet ndërmjet njerzve dhe atyre që i quajnë organe të diktaturës së proletariatit, pra raportet që kanë ekzistuar e që ekzistojnë ndërmjet këtyre. Shumë pak është folur për këtë problem e që ekzistojnë ndërmjet këtyre. Shumë pak është folur për këtë problem dhe kjo gjë për shkak të një hije të keqe që ka lënë në popull veprimtaria e tyre. Veprimtari, që në shumë raste, s’kish asgje të përbashkët me botkuptimin ton komunist. Po.
Dihet se çdo shoqëri i ka rregulluar marrëdhëniet e antarve të saj nëpërmjet disa normave, rregullave e ligjeve të ndryshme, shprehje e të cilave janë institucionet dhe organet e ndryshme. Po jo një lloj këto institucione e organe janë shprehje e zbatuese të rregullave e ligjeve në çdo vend. Diku këto institucione e organe janë shprehje e zbatuese të përpikta të rregullave e ligjeve të shoqërisë sonë, diku në një vend tjetër këto organe e institucione janë shprehje dhe zbatuese edhe të dëshirave individuale, pasioneve të ulta, shprehjeve histerike, të individëve të ndryshëm, pjestarë e përfaqësues të këtyre institucioneve e organeve. Atje ku kontrolli nga poshtë-lartë është më i lirë (revolucionar e jo formal) e si pasojë më i madh, këto institucione e organe janë shprehje dhe zbatuese më të përpikta të rregullave e ligjeve ekzistuese se sa në vendet ku kontrolli nga poshtë lart është më i kufizuar, apo nuk ekziston.
Dhe organet, ku kontrolli nga poshtë-lartë nuk ekziston, e për pasojë liria e pasioneve të ulta, e një histerizmi pa fre, e një brutaliteti e arrogance pa masë, janë policia jonë dhe organizma të tjera që përmbledh Ministria e Brendëshme. Le ti vijë hidhur kujdo. Vetëm ai që ka frikë nga e vërteta, gabimet që ndodhin, ia lënë individëve të ndryshëm “të paformuar”, rastësisë, “ideologjisë së huaj”, “prapambetjes kulturore”, duke justifikuar gabimet e të “mëdhenjve”, për kohën që ata jetojnë, e kështu vazhdon e përsëritet historia vit pas viti, dekad mbas dekade, shekull mbas shekulli.
Çdo njeri, ka personalitetin e tij, dinjitetin e tij, origjinalitetin e tij e psikologjinë e tij, e ne s’duhet ta lejojmë që ajo të dhunohet për hir të atij imazhi të gabuar që kemi për qetësinë, për qetësinë e rreme do të thoja për syt e botës, e për të ndenjur sa më rehat metafizicienët në qoshen e tyre zyrtare. Shumë shkrues të kohëve të fundit e vënë theksin e gabimeve të mëparshme tek konceptet e vjetëruara, të trashëguara këto, por unë do të shtoja se është dhe vetë ndarja e punës ajo që i detyron njerzit të mos shohin më tepër se caku i profesionit të tyre. Siç thotë Marksi, që sapo shfaqet ndarja e punës sejcili kap një rreth të caktuar dhe të veçantë veprimtarie, i cili i imponohet dhe do apo s’do një ditë ai kthehet në reaksionar, në pengues të veprimtarisë së lirë të njerzve. Dhe detyrimisht, shfaqen mentalitete “socialiste” (në kuadrin e marrëdhënieve shtetërore), si psh “Këto punë i dinë ata lart”, “ç’më duhet…”, “ky duket që në pamje të jashtme që është maskara”, “udhëheqja s’gabon asnjëherë”, “çju duhet që ngatërroheni me qeverinë, rrini urtë”, “me ujin, me zjarrin dhe me qeverinë mo u ngatërroni”, “të shohim si do e zgjidhin ata lart, ai lart”, “urdhëri nga lart”, në vend që kjo lart e poshtë të afrohen, të mos krijohen hendeqe.


Kufizimet mendore, që vijnë kryesisht nga ndarja e punës, krijojnë premise për një psikologji e mentalitet shumë të gabuar në lidhje me njerzit, mënyrën e jetesës, institucionet shtetërore, raportet ndërmjet njeriut e sendit, individit e shtetit, shoqërisë e individit, prandaj do të duhej të luftonim më shumë për zhdukjen apo shuarjen e ndarjes së punës, si e vetmja mënyrë për të çuar përpara revolucionin komunist. Revolucion që i zhduk hendeqet, muret, digat që i ngritën ata që nën mbrojtjen e patriotizmit socialist, mbronin vetëm interesat e tyre materiale e shpirtërore, ata që nuk e kuptonin se koha i kishte lënë mbrapa, apo që mundoheshin ta frenonin atë.


Kontrolli nga poshtë-lartë, do të ndihmonte për shuarjen e ndarjes së punës. Nuk them se s’është bërë gjë në këtë drejtim, pra për shuarjen e ndarjes së punës. Vetë zhdukja e dallimit ndërmjet fshatit e qytetit, (megjithse është punuar pak), degët e ndryshme që janë afruar me njëri-tjetrin për shkak të nevojave të prodhimit, kthimi i disa mjeteve shtetërore, si psh televizioni apo shtypi, (në disa orë, apo faqe) në mjete shoqërore, ku punëtorë e intelektualë e kanë shfaqur hapur mendimin e tyre për problemet e ndërmarrjes, të prodhimit, të kontratave, të shitblerjes, etj. Zhdukja e dallimit ndërmjet punës fizike e mendore (megjithse është punuar pak), zhdukja e dallimit ndërmjet punës tregtare e prodhuese (apo industriale) (megjithse s’është punuar fare), të gjitha këto janë pjesë përbërëse e zhdukjes së ndarjes së punës, këtij proçesi të gjatë për të mos thënë infinit po të kemi parasysh lindjen e degëve të reja. Po do ta theksoja me forcë të madhe se kontrolli nga poshtë-lartë do të ndihmonte shumë në zhdukjen e ndarjes së punës, do të ndihmonte shumë këtë proces që zhduk dhe privilegjet që kanë disa për të vendosur për çdo gjë. Prandaj do të na interesonte neve, klasës punëtore, që të ushtronim një kontroll të vazhdueshëm jo vetëm në ndërmarrje apo dikastere, por në aparatet kryesore të partisë e qeverisë, e deri në Byronë politike, e ky kontroll të shihej si një formë bashkëpunimi, për të dalë në pah të metat, e për të vënë më në përgjegjësi jo vetëm nëpunësit e ministrive apo komitetrave, por edhe ministrat apo antërët e byrosë. Me të drejtë lind pyetja, para kujt japin llogari ministrat. Mund të thuhet se ata japin llogari para atyre që nga pozita shtetërore janë më lart. Po këta të fundit para kujt japin llogari. Do të ishte në interesin tonë, pra të demokracisë, që antarët e byrosë, ministrat, nëpunësit e aparateve kryesore, të japin llogari për punën e tyre. Format dhe mënyrat e kontrollit janë shumë, por unë do të përmendja një formë. Vetë puna e antarve të byrosë, të pasqyrohej në televizion, kur ata bëjnë ato mbledhjet e tyre, apo kur takohen me njëri-tjetrin, për problemet e shtetit. Ne punëtorët dhe intelektualët duhet ta dimë opinionin apo mentalitetin e tyre në lidhje me fenomenet që ndodhin, me të ardhmen e shoqërisë sonë, si e konceptojnë ata këtë. Duhet të dimë 100 % bisedimet që bëjnë me zyrtarët e lartë të vendeve të huaja. Nuk duhet të ketë probleme të vendit, që të mos ti dijë shoqëria, thotë Marksi. Të gjitha problemet i takojnë masave dhe ato duhet të japin mendimin (kuptohet kush dëshiron) e tyre, për çdo gjë. Nuk ka përse të kufizohet punëtori apo intelektuali vetëm në problemet e rendimentit në punë, kursimit, prodhimeve të reja, racionalizimit, apo në shqyrtimin e një gjinie apo arti, te trajtimet e ndryshme për shkencat apo disiplinat që u përgjigjen këtyre shkencave, ai ka nevojë të marri pjesë gjallërisht, në mënyrë aktive e jo pasive, në qeverisjen e vendit. Dhe qeverisja e vendit nga masat nuk bëhet duke u bërë qeveritar, zyrtar apo funksionar i lartë, nëse mund t’i quajmë kështu, por duke dhënë mendimin tënd për ato probleme që fatkeqësisht janë monopol i një pakice shumë të vogël.


Përpara se të flas edhe për ndonjë problem akut që na shqetëson të gjithë neve, punëtorë e intelektualë, po u bëj një pyetje të gjithve atyre që punojnë në ato degë apo sfera që luftojnë fenomenet negative; Ju që luftoni fenomenet negative pa ndikuar tek kushtet e shoqërisë, punoni vërtetë për shoqërinë?
Kuptohet që kjo pyetje nxjerr në shesh lakuriqsinë e atyre që janë veshur me petkun e patriotizmit e që çirren për socializmin, për ruajtjen e rendit, që s’e kanë për turp të thonë shprehje reksionare si psh “ka bindje, por ka dhe diktaturë”. Komunistët, punojnë vazhdimisht, për ndryshimin e kushteve, sepse me ndryshimin e kushteve, ndryshon edhe vet thelbi i njeriut. Egoizmi, prepotenca, inferioriteti, hajdutlliku, hatërllëqet, e shumë e shumë vese të këqia janë produkte të kushteve të caktuara, e pikërisht ata që e quajnë me të vërtetë veten komunist punojnë për ndryshimin e këtyre kushteve. Del vetvetiu pyetja për të gjithë ata që punojnë kundër fenomeneve negative, pyetje që ata duhet t’ja bëjnë vetes; a punojmë vërtet për shoqërinë ne që luftojmë fenomenet negative, pa ndikuar sado pak në këto kushte që janë baza e lindjeve të fenomeneve negative.


Këta mund të justifikohen se vetëm me atë punë mund të merreshin, me luftimin e fenomeneve negative, ajo punë u ishte caktuar, pra nxjerr krye ndarja e punës. Se nga vinin këto fenomene (s’po them shprehjen; negative, mbasi jo të gjitha fenomenet që luftohen nga organet që përmbledh Ministria e Brendëshme, mund t’i quajme fenomene negative, e kjo është një temë shumë e gjërë) pra shkaqet, arsyet objektive, rrugët e zgjidhjes së tyre, për këtë as që mund të vrisnin mendjen, dhe duan apo s’duan ata, jo një e dy individë, por i gjithë institucioni, pra e gjithë ministria do të kthehej në një mekanizëm reaksionar ku nuk do të kishte një-dy apo dhjetë burokrat apo armiq siç i ka quajtur shtypi apo opinioni zyrtar, por do të kishte dhe një-dy apo dhjetë komunistë që janë paralizuar nga reaksioni. Kur them komunistë, nuk kam parasysh komunistë që kanë tesërën, se qënia si komunist nuk përcaktohet nga një copë letër, por kam parasysh ata që s’kanë frikë nga gabimet, që i pranon ato sado të hidhura të jenë, që mundohen të gjejnë shkaqet, kam parasysh ata që s’bëjnë moral e që punojnë sado pak për shuarjen e ndarjes së punës.
Jo vetëm komunistëve të vërtetë, por edhe rinisë, mbarë popullit tonë, do ti interesonte të kishte ndikimin e vet revolucionar, mbi këto organizma. Mirpo si mund të kemi ne punëtorë e intelektualë, ndikim kur këto organizma kanë dalë si klasë më vete. Po.
Si mund të kërkojmë ne llogari, pse u gjymtua ai njeri, pse u ndërtua ajo rrugë e ngushtë, pse u ndërtua ai pallat pa sistem e me dhoma të vogla, ose u ngrit ajo godinë që xjerr aq tym sa bëhet rrezik për jetën e njerzve, kur të gjitha organizmat shtetërore janë aq të shkëputura, sa jo vetëm s’futesh dot, si në aspektin fizik ashtu edhe mendor, por edhe kur u thua pse kështu apo ashtu, të përgjigjen me shprehje sterotipe; këto i dimë më mirë ne; kështu është vendosur nga lart, s’kanë ç’të duhen këto punë, i dinë më mirë ata dhe gishti ngrihet lart, për të treguar se ata lart do të kujdesen për ju, se olimpin se zë gjumi për ju aty poshtë, prandaj ne shokë punëtorë të punojmë, të punojmë vazhdimisht, s’ka gjë se nuk na i marrin parasysh ankesat, kritikat, mendimet tona, nuk ka gjë se rrihen plot punëtorë nga organet e “diktaturës së proletariatit”, s’ka gjë se ngrenë zërin plot njerëz, rëndësi ka tu ruhet qetësia atyre që mendojnë për ne, që si zë gjumi për…, t’u ruhet jo vetëm qetësia, por edhe thoi i gishtit, paçka se të tjerëve u thyen kockat e gjymtyrët e trupit. Si kërkojmë të mos gjymtohet mendimi, kur vazhdon akoma tradita e psikologjia e vjetër, pra gjymtimi i trupit.


Për ngjarjet e fundit do e them dhe unë mendimin tim, i mirë apo i keq, le të gjykojë masa dhe brezat e ardhshëm. Dëgjohen britma nacionalizmi të pështirë, frazeologji e fryrë e jo argumente shkencore, kundër atyre që hyjnë në ambasadat e huaja. Dihet se dëshira për të parë botën apo edhe për të punuar e jetuar përkohësisht apo përherë, është “sëmundje” e të gjithë njerzve, në mbarë globin tonë. Vetë historia e popujve, që në kohrat e lashta e deri në kohët moderne, është lëvizje popujsh, nga një vend në një vend tjetër për shkaqe dhe arsye të ndryshme. “Sëmundja” për të parë botën, të mos harrojmë, është më e theksuar tek njerzit me pushtet, tek nëpunësit e ministrive e organizmat shtetërore, se sa tek masat e gjëra të popullit, të cilat fatkeqësisht kanë qenë të privuara, me përjashtim të disa individëve që kanë pasur njerëz të tyre jashtë. Me dhënien de juro të pashaportave e daljen jashtë shtetit të të gjithë qytetarëve, qeveria plotësoi dëshirat e hershme të popullit tonë. Mirpo de fakto, dyndja e qindra qytetarve tanë në përfaqësitë diplomatike të akredituara në kryeqytetin tonë. Shkaku. A u mendua për të gjetur shkakun, e detyrimisht për të zhdukur pasojën. Jo s’u mendua. U fol se forca destruktive veprojnë jo në interest ë shtetit tonë, u fol për mos besim ndaj ligjit e organizmave shtetërore, por jo per shkakun e mosbesimit qe kane njerzit ndaj organizmave shteterore. Su fol aspak për anomalitë në dhënien e pashaportave, për avashllëkun në dhënien e pashaportave, në burokratizimin e këtyre veprimeve. Si s’u mendua, nga drejtuesit e shtetit tonë, nga ata që si zë gjumi për ne, masat e gjëra se në kushtet e mbylljes së popullit tonë brenda kufijve të shtetit tonë, dëshira për të parë përtej kufijve tonë, do të ishte edhe është dhjetfishuar, qindfishuar në krahasim me kombet që i kanë pasur kufijtë e hapur, në kuptimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Prandaj kjo duhej të kihej parasysh e të mos mirreshin me pashaportat një numër i kufizuar nëpunësisht, por disa zyra me një numër të mjaftueshëm nëpunësisht për ti plotësuar menjëherë dëshirat dhe interesat e qindra-mijra njerzve. Vetë fakti i shpërndarjes së mijra e mijra flet-anketave për dalje jashtë shtetit, në zyrën e shpërndarjes së flet-anketave, tregon dëshirën (gjer dje të mbyllur) e madhe të popullit tonë për të dalë jashtë shtetit.


 Mos vallë gjer dje populli ynë nuk e ka patur dëshirën për të parë botën me sy. E ka patur, por kur ka diktat të rreptë nga lart, dihet se dëshirat dhe ndjenjat ndrydhen, dhe në vend të tyre shprehen dëshira dhe ndjenja të kundërta me të parat, pra shfaqet vetizolimi, shfaqen mendime të kundërta me vetinteresat dhe të drejtat më elementare. Të mos harrojmë se brezat e ardhshëm do të na dënojnë për hiprokizinë. Ata do t’i studjojnë të gjitha, ndërmjet të cilave dhe shprehit e njerzve, të atyre që drejtojnë e që drejtohen, do gjejnë shkakun e pozicionit që mbajnë, e detyrimisht do ti zhvlersojnë frazeologjitë më të cilat janë veshur sot… Hiqu sa të duash popullor, revolucionar, mbingarkohu sa të duash me fraza revolucionare, hiqu sa të duash komunist, po s’lejove që forcat prodhuese të ndryshojnë (të përsosin) marrëdhëniet në prodhim, ngelesh detyrimisht reaksionar, dallkauk, sharlatan e diktator.
 “Socializmi është në funksion të interesave të njerzve, e jo interesat e njerzve janë në funksion të socializmit” – Marks. E në këtë kontekst lind pyetja jo vetëm për ne por edhe për brezat e ardhshëm, si ka mundësi për shumë vite me rradhë, të izolohen njerzit nga pikpamja gjeografike, në një kohë kur në të gjitha skajet e globit tonë ekziston hapsira e marrëdhënieve ekonomike, pra kur dhe njerzit u përgjigjen shumë mirë ketyre relacioneve (marrëdhënieve në tërësi).
 Shoku Ramiz, me mekanizimin e ri ekonomik, që është një revolucion më vete, do të thoja, na hapi rrugë neve forcave prodhuese, për përmbushjen e interesave tona. Ndonëse kjo gje (mekanizimi i ri ekonomik) u dha si orientim nga lart, gjë që do të ishte më mirë të fillonte vet nga poshtë, mendoj dhe shpresoj se do ta çliroj psikologjinë tonë nga mentaliteti i pritshmërisë së çdo gjëjë nga lart, duke bërë që vetveprimi e inisiativa e lirë të mos ngelen në letër, por të gjejnë zbatim në praktikë, duke çliruar shumë funksione atje lart, duke i çliruar nga punët e shumta metafizicienët e burokratët të cilët do të ishte mirë të jepnin mundin e djersën e tyre këtu poshte, në prodhim. Në mekanizimin e ri ekonomik, ndërmarrjet për problemet e tyre, kontratat brenda e jashtë, shit-blerjet etj. mendoj se s’do të kenë nevojë për shtetin, për organizmat shtetërore të cilat gjer dje loznin një rol kryesor, një rol si pozitiv ashtu dhe negativ. Pra do të shuhen dhe duhet të shuhen shumë funksione shtetërore. Ky është dhe pra qëllimi i socializmit. Vetadministrimi i mjeteve të prodhimit si një nga format e larta të socializmit – Marks, nuk kërkon vetëm përgatitje të lartë të ekonomistëve e specialistëve, siç thonë shumë intelektualë, por si formë e lartë e marrëdhënieve ekonomike, i tërheq apo i revolucionarizon nëse mund ta quajmë kështu edhe ato forca prodhuese që kanë marrëdhënie ekonomike më të prapambetura, e rrjedhimisht edhe këto të fundit do t’i përshtaten marrëdhënieve të reja, duke ndryshuar kushtet në atë masë që edhe kushtet e forcave prodhuese më të përparuara i ndryshon ata. Pra, në këtë rast ndërhyrja e shtetit në marrëdhëniet e reja ekonomike, që duan të përsosin forcat prodhuese të zhvilluara, gjithmonë e në interes të tyre, do të nxirrte në shesh falsitetin e marrëdhënieve të reja (+ rolin e reaksionar të shtetit) e diktatin e pashëmbullt për ta mbuluar këtë falsitet. Prandaj forcave prodhuese, gjithnjë e më tepër do tu interesonte ti përsosnin marrëdhëniet në prodhim, duke i eleminuar ato qe i pengojnë forcat prodhuese në veprimtarinë e tyre, ti përsosin marrëdhëniet sepse vetëm ashtu do ti shuajnë shumë funksione shtetërore, që gjer dje i mirrnin frymën forcave prodhuese të zhvilluara, me rregullat e tyre burokratike.


 Vetveprimi, inisiativa e lirë, si produkte të kushteve të reja, të krijuara nga mekanizmi i ri ekonomik, e që do të marrin formë më të plotë me përsosjen e marrëdhënieve, do të bëjë të mundur që ekonomia jonë të integrohet më shumë me ekonominë e huaj bashkëkohore, si domosdoshmëri, që e kërkojnë jo vetëm ne forcat prodhuese të zhvilluara, por edhe kushtet, kushtet që i ndryshojmë në atë masë që dhe ato na detyrojnë ti përsosim marrëdhëniet, pra në këtë rast edhe proçesin e integrimit.
 Në pleniumin e 11-të, na gëzoi fakti i lejimit të pronës së vogël private, jo vetëm se plotësoi interesat e shumë njerzve, por na mësoi se dhuna e pashëmbullt para shumë vitesh, kundër pronës e marrëdhënieve private më tepër do ti silltë dëm kombit se sa zhvillim. Le ti lëmë pra tre marrëdhëniet ekonomike të zhvillohen në mënyrë të pavarur, pa përdorur dhunën tek njëra e të stimulohet tjetra. Revolucioni nuk parakupton dhunë, siç kanë psikozën disa, por demokraci ku çdo gjë zhvillohet, ecën, transformohet, shuhet, në bazë procesesh të shpejta që quhet revolucion, ashtu siç është proçesi i evolucionit, proçesi i qëndrimit në vend, procesi i kthimit të përkohshëm mbrapa. Prandaj sa më shumë demokraci, aq më lirshëm do zhvillohen ato marrëdhënie që duan forcat prodhuese e do të shuhen vetvetiu ato që s’i duhen më kushteve të përsosura nga forcat prodhuese më të zhvilluara.
 Pra siç e thashë dhe më sipër, ne forcat shoqërore më të zhvilluara, duam që të kemi ndikimin tonë, kontrollin tonë, mbi ato organizma shtetërore, apo mbi ata individë që duan të ndalin apo frenojnë historinë e kombit tonë, që duan të kontrollojnë marrëdhëniet në prodhim, që duan të na paralizojnë neve që jemi forca kryesore në lëvizjen e gjithshkaje, e për këtë ata do marrin në mos dënimin (që është i përkohshëm) ligjor, për shkak të reaksionit të zhvilluar me kohë, do të marrin dënimin shoqëror që është i përjetshëm.


 Duhet ta dinë të gjithë, se historinë e një kombi e bëjnë forcat prodhuese të zhvilluara, e jo ata që vetquheshin “drita” dhe “shtylla” e kombit, që ndonëse historia zyrtare s’i dënoi për shkak se jo vetëm historinë e shkruajtën dhe zbukuruan vetë, por nuk i lejuan forcat prodhuese të zhvilloheshin në atë mënyrë që dhe ato të thonin mendimin e tyre. Nuk i lejuan për qetësinë e rreme, për paqen që nga brenda ishte llum, një llum që u zbulua kur “plasi” demokracia, kur pleniumet e fundit i lejuan forcat prodhuese të thonin dhe ato fjalën e tyre, jo vetëm për problemet e ndërmarrjes, por edhe për gabimet e të parëve, për llumin e zbukuruar.
 Dhunën për mbulimin e kontradiktave s’duhet ta identifikojmë me diktaturën e proletariatit, shtetëzimin s’duhet ta identifikojmë me socializmin (si qëllim i socializmit), kundërrevolucionin që mbajnë e zhvillojnë organizmat shtetërore s’duhet ta identikojmë me revolucionin komunist që zhduk ndarjen e punës. Ndarja e punës zhvillon pashmangmërisht marrëdhëniet klasore. Kënaqësia materiale e shpirtërore, falë këtij, ndarjes së punës, u takon disave, që çirren për socializmin, për konsumin e njëllojt të të gjitha antarëve të shoqërisë, që çirren për partishmëri, që fjalën parti me sjelljet e punën e tyre e bëjnë sinonim të fjalës padrejtësi.
 Po e mbyll këtë shkrim duke u rikujtuar se vetëm duke përsosur marrëdhëniet në prodhim, forcat prodhuese s’do të kenë nevojë për koka drejtuese të ndritura, për zyrtarë, shefa, përgjegjësa që tu tregojnë masave se ku duhet të punojnë, si duhet të punojnë, si ta kalojnë kohën e lirë, jo, ata do të dinë vetë si të veprojnë. Le të mos friksohen ata zyrtar, ata metafizicien nga humbja e privilegjeve, duke u justifikuar se kështu dobësohet shteti. Jo, u them që kështu forcohet roli i klasës punëtore, i forcave prodhuese. Sepse qëllimi i socializmit nuk është që disa të jenë truri dhe të tjerët gjymtyrët, leva të trurit.  

 

 

 (Shkruar me 1990, Qershor-Korrik)

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00