Parlamentet dhe “Njëshat”
Shkaku kryesor, para së gjithash duhet parë tek “ustai” kryesor, Parlamenti, i cili nuk është aspak në pozitat që duhet të jetë, se atij i ka zënë “frymën” njëshi”.
Nga Pandeli Bardhi
Dje, në diktaturë, quhej “Kuvendi Popullor”, sot në demokraci, quhet Parlament. Kjo, vetëm në formë, mbasi në përmbajtje, asgjë nuk ka ndryshuar. Dje, në diktaturë, “Popullor”, vetëm emërtimin e kishte të tillë, mbasi asnjëherë ai nuk i shërbeu popullit, por vetëm “njëshit”, diktatorit. Atë ç’ka thoshte ai, e vendoste Kuvendi, e vendoste Partia. Parulla “Ç’thotë partia, bën populli, ç’don populli, bën Partia, ishin përralla. Në kohën e sotme, në demokraci, ndryshimi nuk është vetëm emërtimi, nga Kuvendi Popullor në Parlament, por ka edhe një ndryshim tjetër. Ai i djeshmi nuk kishte opozitë, kurse ky i sotmi ka. Edhe ky ndryshim,. më tepër në formë, kurse në përmbajtje, nuk ka asnjë dallim esencial. Është e njëjta gjë, si të mos kesh opozitë, edhe të kesh një opozitë formale... “Mallkimet” tona nuk paskan të sosur. Paskemi qenë të mallkuar për të vuajtur dhe ky “mallkim”, vjen pikërisht, nga ai që quhet “Tempulli i Demokracisë”, një emërtim ky, po aq formal, sa edhe ai i “Kuvendit Popullor”. Themi formal, mbasi, Parlamenti i sotëm, “multifunksional” me çfarë nuk është marrë, me gjithçka është marrë, vetëm me ato, ç’ka shqetësojnë qytetarët, shumicën dërrmuese të popullit, nuk është marrë. Kemi dëgjuar sharje e ofendime nga më të ndryshmet, saqë do t’ja kishin zili edhe adoleshentët e periferive. Kemi dëgjuar akuza e kundërakuza, nga më të padëgjuarat. Kemi parë grushta e shqelma saqë edhe karateistët do t’ja kishin zili. Premtimi i bërë disa kohë më parë nga kryeministri, se do të rikthente estradën e Shtetit, u bë realitet, me emërtimin e ri Parlamenti. Në mungesë të estradës, Parlamenti i sotëm i plotëson të gjitha kushtet dhe ia kalon shumë herë estradave të dikurshme. Parlamenti i sotëm të bën edhe të qeshësh, edhe të qash. “Aktorët” e sotëm të Parlamentit, të veshur me petkun e përfaqësuesit të popullit, me gojën e, “njëshit” të mazhorancës, kur erdhën në pushtet, premtuan shumë. Ata premtuan se do të nxjerrin mijëra familje nga varfëria ekstreme, se do të rritnin mirëqenien e popullit, do të punësonin qindra mijëra të papunë, se do të shkurtonin shpenzimet buxhetore, duke i dhënë përparësi atyre publike etj., etj. Fliste “Njëshi” dhe të tjerët duartrokisnin, e premtonin se do të punonin me tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, se do të... se do të...
Sot, nga lartësitë e mëse 5 vjet e gjysmë, jo vetëm që nuk ka përmirësim, por mund të themi se gjendja është përkeqësuar edhe më keq. Askush deri më sot, nuk ka dhënë ndonjë statistikë të saktë, se sa është numri i familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme dhe cili është niveli i minimumit jetik. Ç’thotë njëri, nuk thotë tjetri. E vërteta, akoma edhe sot nuk dihet. Premtimet butaforike nuk kanë të sosur. “Ne kemi rritjen më të madhe ekonomike në Planet”, thotë “Njëshi” dhe të gjithë të tjerët, i mbajnë ison. “Viti 2010 ka qenë viti më i shkëlqyer për ekonominë tonë, e cila jo vetëm nuk njeh krizë, por ajo ecën me hapa të shpejtë”, i thotë “njëshi” këto dhe të tjerët, përfaqësuesit e popullit, mbas tij i “argumentojnë” dhe i bëjnë “bindëse”. Edhe ai me minimumin e viteve të shkollës, pyet: Kur ne paskemi këtë rritje të madhe ekonomike dhe nuk njohim krizë, si është e mundur që varfëria është shtuar, se shpenzimet janë shumë herë më të mëdha se të ardhurat dhe niveli i jetesës është në rënie? A është e mjaftueshme,të çirresh ditë e natë se kemi shtuar rrogat e pensionet dhe pakënaqësitë sa vijnë e rriten? A mund ti mbulojnë “thërrimet” e shtesave të pensioneve, rritjen e përditshme katastrofike të çmimeve? Është e njëjta gjë si ajo e “bumit” turistik, ku megjithëse, u dyfishua numri i turistëve në krahasim me vitin e kaluar, të ardhurat nga turizmi ishin sa gjysma e atyre të vitit të kaluar.
Na jepet e drejta të themi se turistët që kanë hyrë në vendin tonë, e kanë marrë bukën me vehte dhe e kanë shijuar pranë plazheve tona të mbushura me plehra dhe ujra të zeza, dhe ja kanë mbathur me vrap, për ta “shqitur” me ujë, në vendin e tyre, ushqimin e shijshëm! Nëqoftëse ekonomia jonë njeh vetëm rritje dhe nuk njeh krizë, si është e mundur që këtë vit nuk iu dha as buxhetorëve e as pensionistëve të mjerë, asnjë qindarkë shpërblim, që edhe ata të gëzojnë sadopak fëmijët, nipërit e mbesat e tyre? “Gabimin” e vitit të kaluar, nuk e përsëriti këtë vit, Ritvan Bode, ku shpërblimi që ju dha pensionistëve, (një shpërblim qesharak) krijoi të vetmin deficit në buxhetin e shtetit! Sa të rrojmë do të dëgjojmë paradokse të tilla! Të gjitha këto fije të çojnë tek burimi i tyre, tek “Tempulli i demokracisë”. Me gjithçka aktorët e “Tempullit” janë marrë, vetëm me këto probleme, që janë jetike, jo. Njerëzit kanë halle, kanë shqetësime nga më të ndryshmet. Nuk bëhet fjalë për “salltanete”, por për ato të mbijetesës. Për ujë, për drita e për rrugë. Paradokset vazhdojnë në pafundësi kur mendon se vetëm për ti bërë propagandë liberalizimit të vizave, shpërdorohen me miliona lekë, nga taksat e popullit fukara. Një arritje sado e madhe, pushton gjithçka, mijëra të tjera, që janë jetike për qytetarët, nuk vlejnë asgjë. Mirë çmimet e artikujve të përditshëm, që rriten nga dita në ditë, po rritja e energjisë dhe e ujit që natyra mëmë na ka dhënë pa kursim, a justifikohen? Dhe ja ku na del një “mëndjelli” i CEZ-it dhe na “mbush mendjen” se të ndershmit do të paguajnë edhe atë energji që vidhet! E përkthyer në shqip, kjo do të thotë se të ndershmit do të paguajnë edhe për hajdutët. E përderisa ne nuk kemi shtet, kjo do të ndodhi dhe këtë na i thonë edhe të huajt!
Askujt të mos i shkojë ndërmend, se fajtorë për gjendjen e krijuar janë vetëm “aktorët” e mazhorancës. Bashkëfajtorë janë edhe opozita, e cila çdo gjë e shikon me syze të errëta. Kanë më se një vit e gjysmë, që ata merren me hapjen e kutive, e me gjithçka tjetër por vetëm me ato ç’ka preokupojnë qytetarët jo. A e kanë justifikuar ata, qenien e tyre si përfaqësues i popullit? Aspak! Ata, edhe mund të kenë të drejtë në kërkesat e tyre, por rrugët dhe format që kanë zgjedhur, nuk janë aspak efikase. Ato më tepër bëhen për “shou”, se sa për të realizuar qëllimin. Kundërshtari i tyre, që tashmë ja njeh mirë “armët” dhe “efikasitetin” e tyre, nuk do t’ia dijë fare dhe qëndron i pashkujdesur në kolltukun qeveritar! Është kjo arsyeja që “njëshi” i mazhorancës, ulet “këmbëkryq”në Parlament dhe merret me gjithçka e me këdo, me ato që duhet të merret, ai nuk merret!. Ai merret edhe me fyerje, edhe me sharje, edhe çfarë vesh kryetari i opozitës, edhe me humor, edhe me batuta. Unë, statistika nuk kam mbajtur, por shumicën e kohës, në diskutimet që bëhen në Parlament, rreth 30 për qind të kohës, e harxhon Kryeministri, duke treguar gjëegjëza apo përralla, gjë që nuk ndodh në ndonjë Parlament tjetër! Edhe kjo nuk është ndonjë e keqe e madhe, por ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është se ato ç’ka thotë ai, ato janë edhe “detyra” për Parlamentin. Të gjithë “ushtarët” në rresht diskutojnë se si ti bëjnë realitet detyrat e “komandantit”! Flasin e ç’nuk flasin. Diskutohet problemi madhor, ai i projekt buxhetit për vitin 2011 dhe dëgjon vetëm sharje e fyerje për ata, që i venë “gurë” nën rrota, opozitës. Kështu e do puna, kështu flet edhe “njëshi”. Nuk flitet se si ta përmirësojmë këtë buxhet, në interes të qytetarëve, por vetëm sharje “plangprishësve” opozitarë! Shumicën e kohës, “Njëshi” e harxhon duke i dhënë “mësime” opozitës, se si ajo duhet të veprojë e duhet të sillet! Edhe “ushtarët” e tij, për tu bërë sa më të besueshëm përpara “komandantit”, mundohen shumë, duke lexuar e shfletuar që nga dijetarët e lashtësisë greke e deri tek Daj Ceni, dhe këto i ekspozojnë edhe në parlament për të treguar nivelin e njohurive, në përsosjen e formave të sharjeve për opozitën, por vetëm me ato ç’ka preokupojnë hallexhinjtë, nuk merren!
Gjithçka “Njëshi” e ka përqendruar në dorën e tij, sipas parimit “shteti jam unë”! Prandaj edhe qytetarët e thjeshtë, çdo gjë, edhe për drejtësinë, edhe për ekonominë, edhe për shëndetësinë, etj., e presin vetëm nga ai! “Ngërçet” dhe krizat kanë qenë kurdoherë bashkudhëtare. Asnjë ligj i rëndësishëm nuk miratohet, as për organet e drejtësisë, as për gjykatën administrative, as për SHISH-in etj., etj. Të gjitha këto nuk kanë rëndësi përpara atyre se si të përsosen më tej format dhe metodat e mashtrimit e të manipulimit! Dikujt i intereson kjo gjendje. Akuza e kundërakuza nga më të çuditshmet thuhen, por ato, edhe sikur të jenë të vërteta, mbyllen shumë shpejt, si të pavërteta. Askush, nga ata që e kanë për detyrë, organet e drejtësisë, nuk i ka vërtetuar, nëse këto janë të vërteta apo jo. Prandaj fol sa të duash, edhe të drejtë mund të kesh, por shpejt ato mbyllen si të pavërteta. Prandaj dhe korrupsioni “fle” i qetë. Edhe ai i ka dhënë “tolerancën zero” ndëshkimit të pushtetarëve e zyrtarëve! Krimi i organizuar mund edhe të jetë ulur, por ai i “veçuar”, ti themi është rritur, është rritur edhe ai i vetëflijimit, për arsye ekonomike apo për shkaqe të tjera, por këto as që zihen në gojë fare! Shkaku kryesor, para së gjithash duhet parë tek “ustai” kryesor, Parlamenti, i cili nuk është aspak në pozitat që duhet të jetë, se atij i ka zënë “frymën” njëshi”. Prandaj dhe “tenxheres” PD, që dikur i “rridhte” ujë tani po i “rrjedhin” edhe ato pak “peri(premti)me që kishte brenda! “Kapaku” LSI është shumë pak, për të mos thënë aspak, për ti “mbuluar” këto të “krisura”. Njerëzit presin zgjidhje. Ata duan të jetojnë ashtu si kolegët e tyre evropianë, sepse i kanë të gjitha mundësitë dhe kushtet. Ata duan qeverisje e mirëqenie për të gjithë, e jo për një pakicë, që mundohen të mbajnë karrigen me çdo kusht, e me çdo çmim. Ka ardhur koha që Parlamenti të lerë mënjanë shfaqjet e tij komiko-teatrale dhe të kthejë sytë nga hallet e njerëzve, nga ata që vuajnë për bukën e gojës, nga ata që nuk kanë një kasolle ku të futin kokën. Shqiptarët, janë të tillë njerëz, që kur me të vërtetë nuk ka, “shtrëngojnë rripin”. Por ata nuk mund të lejojnë padrejtësitë, ku një pjesë jetojnë në bollëk, e shumica edhe për bukën e fëmijëve të tyre, i mban sytë nga shteti, e më keq akoma, flijohen në kasollet e ftohta, nga mungesa e shtetit!




del.icio.us
Digg

Post your comment