Home | Opinion | Kosova përballë shantazheve

Kosova përballë shantazheve

image
Të gjitha vendimet për Kosovën janë marrë nga të huajt dhe nga një grup i vogël vendor, pa e pyetur popullin dhe në dëm të popullit. Asnjë herë nuk është mbajtur Referendum për asnjë çështje që i përket popullit të vendos. 

 

 

 


Faik Smajli

 

 

Është thënë e çka nuk është thënë për Kosovën. Është shkruar e çka nuk është shkruar për Kosovën. Është gënjyer e çka nuk është gënjyer për Kosovën. Por është thënë më pak, është shkruar më pak për të vërtetën e Kosovës. Nuk është bërë mjaftë për të vërtetën, dhe më shumë është manipuluar me të vërtetën, është manipuluar e shantazhuar me të djeshmen, me të sotmen dhe po manipulohet e shantazhohet edhe me të ardhmen. Sot shumë pak gjëra të mira sheh njeriu në ecjen e Kosovës drejt prosperitetit, drejt zhvillimit në kuptimin pozitiv të fjalës, ndërsa sheh shumë gjëra negative që e ngulfasin, e mbysin jetën e saj pothuajse në të gjitha aspektet. Po shkon puna “lamë thiu” do të thoshte babi im i ndjerë.

Ne gjithmonë e kemi gjetur fajtorin tek te huajt, tek fuqitë e mëdha, tek pushtuesit, pse kemi qenë dhe jemi në këtë gjendje jo normale. Paj... na kanë ndarë fuqitë e mëdha për interesat e tyre, na kanë lënë nën pushtim, themi ne! Por dihet fakti se edhe popujt tjerë rreth nesh e më gjerë kanë qenë të vegjël e të pushtuar, por sot janë të lirë, i kanë shtetet e tyre dhe po luajnë me ne. Paj... kemi qenë shumicë muslimane dhe Evropa e krishterë na ka lënë pas dore dhe kanë punuar kundër nesh, themi ne! Po edhe ne shqiptarët të gjithë kemi qenë të krishterë, bile edhe para tyre, deri me ardhjen otomane në Ballkan. Si shpjegohet fakti që vetëm ne u muslimanizuam në masë kaq të madhe dhe i përqafuam tri fe? Edhe popujt tjerë ishin nën Perandorinë Osmane, por dolën nga ajo më të homogjenizuar fetarisht e kombëtarisht, dolën më të fortë se ne!? Pyetje si këto e të ngjashme, nuk dimë t'u japim përgjigjen e duhur. Ndërsa nuk pyesim e nuk debatojmë se ku është gabimi ynë, dhe ta pranojmë faktin se fajin kryesor e kemi ne vet.

Po hajde se po themi se ka qenë ashtu dhe e kaluara ka shkuar si ka shkuar dhe nuk e përmirësojmë dot, por tash kemi mundësi që shumë gjëra t'i bëjmë si duhet, por nuk i bëjmë dot. Ne pranuam këtë lloj gjysmë pavarësie e cila më tepër është një kontratë politike ndërkombëtare me njëmijë të meta. Kësaj pavarësie po i mungojnë shumë shtylla themeltare pa të cilat pavarësia më tepër ka mbetur veç në letër, në një farë mënyre sikur ka mbetur pezull. Kosova jo që nuk është çliruar (është shliruar thotë Albin Kurti) plotësisht nga Serbia, por e ka mbi shpinë edhe sundimtarin tjetër - Brukselin. “Mjer i ligu po i fortë është”, thotë fjala e urtë popullore. Akoma Serbia ka ndikim të fortë në Kosovë, herë drejtpërdrejtë e herë përmes Brukselit që siç po duket më shumë kanë ardhur për interesat e Serbisë sesa të Kosovës.

Dihet se shumë shtete evropiane ishin kundër bombardimit të Serbisë nga NATO, por Amerika e madhe nuk i përfilli dhe nuk patën çare pa u involvuar, por tash sikur ju ka ardhur shansi që në një farë mënyre t'ia lajnë “borxhin” Serbisë për bombardimin, duke punuar për interesat e saj në Kosovë dhe duke e rehabilituar në arenën ndërkombëtare. Ata as luftën e përgjakshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me makinerinë çetnike serbe nuk e quajnë luftë, por si një konflikt. Prandaj bashkësia ndërkombëtare edhe misionet e saj që i dërgoi në Kosovë, si UNMIK e tash edhe EULEX, i dërgoi mbi këtë perceptim (mbi këtë bindje), e që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Paradoks apo jo!?

UNMIK ka dështuar në Kosovë, por ka dështuar vetëm për ne shqiptarët e jo për ata që e dërguan, sepse UNMIK-u e ka kryer misionin sipas interesave të tyre. E njëjta gjë po ndodhë edhe me EULEX-in. EULEX, për ne shqiptarët ka dështuar deri më tani, por nuk do të dështojë për Brukselin. Dallimi këtu është se agjenda e tyre nuk përputhet me agjendën dhe parashikimet tona. Dhe për ta zbatuar ose përmbushur misioni e tyre, ata kanë gjetur hapësirë dhe terren të përshtatshëm në Kosovë që pa probleme ta përmbushin këtë mision. Për aq sa lejojnë ata do të ketë sundim të ligjit e rregull, do të ketë drejtësi, do të ketë demokraci në Kosovë. Gjithçka në Kosovë matet sipas kutit të tyre, sepse elita jonë politike e pa përvojë dhe e prirë për pasuri e pushtet tashmë është shantazhuar e nënshtruar dhe medoemos duhet t'i zbatojnë urdhrat e tyre. Kjo gjë po shihet e pastër si loti.

Unë nuk po them që të injorohen e të biem në konflikt me ndërkombëtarët etj, por kemi mundur që të bëjmë politikë e bashkëpunim reciprok e të sinqertë, të pastër e shumë më frytdhënëse. Ç'është e vërteta, ne kemi lëshuar pe e jemi përkulur e nënshtruar turpshëm, pa pasur nevojë që 11-vjet, e tashmë shumë procese kanë marrë rrugën e tyre e nuk kthehen apo ndryshohen dot.

Demokracia në Kosovë

Në Kosovë kurrë nuk ka pasur dhe akoma nuk ka demokraci. Ai që thotë se në Kosovë ka demokraci, ai gënjen naivisht. Në Kosovë dhe për Kosovën asnjëherë deri më sot nuk është pyetur populli që është sovrani i ligjshëm i saj. Të gjitha vendimet për Kosovën janë marrë nga të huajt dhe nga një grup i vogël vendor, pa e pyetur popullin dhe në dëm të popullit. Asnjë herë nuk është mbajtur Referendum për asnjë çështje që i përket popullit të vendos. Si mund të themi se është vullnet i popullit kjo apo ajo çështje, ose ka qenë vullnet i tij kur kurrë nuk është mbajtur ndonjë Referendum popullor. Referendumi si mjet i parë dhe i domosdoshëm i demokracisë është i ndaluar për popullin e Kosovës. Kush e ka pyetur popullin për Kushtetutën e Kosovës, për Flamurin lara-lara, për Himnin që i ngjanë ceremonialeve mortore, në vend se të këndohet Himni ynë në gjuhen shqipe, ne mbajmë heshtje para atij Himni, etj. etj.!?

Edhe në rastin e vetëm kur i jepet rasti popullit te pyetet, të zgjedh ata që duhet t'u prijnë, prapë nuk përfillet vullneti i tij. Prapë vendoset nga një grup njerëzish të shantazhuar, qoftë komisionerë lokalë, qoftë institucione si KQZ etj, me urdhër nga lartë. Kjo është ditur paraprakisht, është ditur se kush duhet dhe do të fitojë në këto zgjedhje, sikurse që është ditur se kush nuk duhet të fitojë në asnjë mënyrë. Skenari ka qenë i gatshëm se si duhet të shkojnë gjërat. Nuk ka qenë e rëndësishme se si voton populli, por si të zbatohet skenari. Populli ka votuar sa për sy e faqe se kështu e lyp standardi, por vendimi se kush duhet të qeverisë me Kosovën nuk do të merret nga kutitë e votave, por nga skenari paraprak i Quint-it dhe klasës aktuale politike.

Kështu ka ndodhur edhe me zgjedhjet që janë mbajtur në të kaluarën dhe kështu do të ndodhë edhe me shumë zgjedhje në të ardhmen. Në të gjitha zgjedhjet e deritashme që janë mbajtur në Kosovë ka pasur vjedhje e manipulime. Nuk ka faj populli i Drenicës, as i Dukagjinit etj, pse grupe të vogla njerëzish manipulojnë me votën e tyre. Fajin e kanë ata që janë në hierarkinë e lartë shtetërore, ata të cilët populli nuk mund t'i prekë dot, qoftë ndërkombëtarë, qoftë vendorë. Pra, fajin e kanë ata të institucioneve që nuk u vjen fare turp t'i quajnë institucione demokratike e që në fakt as që u vjen era demokraci. Demokracia nuk kalon as afër tyre.

Në këto zgjedhje, sikurse edhe në ato të kaluarat kanë vjedh shumica e partive, kush sa ka mundur, qoftë ato shqiptare, qoftë ato të minoriteteve. Ata që nuk kanë vjedhur ose nuk kanë mundur ta mbrojnë votën e tyre janë ndarë keq me zgjedhjet. Vetëvendosja është vjedhur e është shantazhuar më së shumti nga këto zgjedhje! Kjo ka qenë e paraparë në skenar dhe dihet pse. Por nuk i kuptoj disa parti tjera si: LDK, AAK, AKR etj. të cilat vet kanë vjedhur e tash po ankohen për vjedhje e manipulime. Sikur të mos kishin vjedhur edhe ato ngapak, do të ishin ndarë edhe më keq.

Dëmi është i madh dhe i pa riparueshëm për demokracinë dhe proceset e vështira që e presin Kosovën e cila po degradon në shumë aspekte. Nesër do ta kemi një Kuvend jo legjitim ose gjysmë legjitim e si rrjedhojë edhe një qeveri që nuk përputhet me vullnetin e popullit, dhe të gjitha pasojat prapë do t'i vuajë populli. Mos të harrojmë se kësaj klime politike e shoqërore aspak demokratike, i kontribuojnë me të madhe “pismileti” që nuk janë pak në numër.

Fenomeni Marty

Ne si duket nuk e kemi kuptuar ose e kemi kuptuar fare pak thënien e vërtetë filozofike se “Uji fle, armiku nuk fle”, sepse nuk i kemi bërë do gjëra që është dashur t'i bëjmë me kohë. Ne është dashur që me kohë ta denoncojmë e ta hedhim në gjyq Carla Del Ponten, e po ashtu edhe këtë farë Dick Marty-n dhe t'i shpallim armiq të popullit shqiptar. Këta armiq të përbetuar të shqiptarëve janë vënë në shërbim të Serbisë gjenocidale dhe po na e sjellin diellin mbi kokë. Serbia kriminale është e njohur për propagandën e saj të sofistikuar për përhapjen e gënjeshtrave në shërbim të hegjemonizmit të saj, veçanërisht kundër shqiptarëve. Nuk ka thënë kot çetniku Dobrica Qosiq se gënjeshtra bën pjesë në artin serb, ose është vet arti serb. Me moton: “Gënje sa më shumë dhe mundësisht sa më bindshëm, se në fund do të mbetet diçka si e vërtetë”, fatkeqësisht po gjen përkrahje edhe nga disa kanale diplomatike ndërkombëtare që janë kundër Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Qysh tash ka njerëz që e besojnë këtë gënjeshtër të fëlliqur. Bile ka edhe shqiptarë që e besojnë këtë gënjeshtër dhe mundohen të përfitojnë nga ajo.

Ne qoftë se nuk reagojmë vendosmërisht dhe nuk kërkojmë me ngulm që kjo histori të zbardhet dhe ta marrë vesh e gjithë bota se ishte vetëm një gënjeshtër, atëherë kjo gënjeshtër mund të merret nga shumë njerëz si e vërtetë dhe dëmi i shkaktuar do të ishte kolosal. UDB-a serbe nuk e ka fare të vështirë të bashkëpunojë me udbashë shqiptarë që dëshmi të rrejshme t'i deponojë si fakte. Udbashë shqiptarë ke ende në Kosovë që për një grusht para e besa edhe pa para të tradhtojnë çdo gjë, të shesin çdo gjë. Bashkëpunëtorë të UDB-së ka edhe në postet e rëndësishme partiake e shtetërore të Kosovës.

Ne edhe Trbunalin e Hages e gjyqet brenda Kosovës i kemi ndihmuar në “dëshmitë e krimit” të shqiptarëve, kryesisht të atyre që kanë qenë direkt të kyçur në luftën çlirimtare. A ju kujtohet ai farë Komisioni që u pat caktuar nga LDK, e të cilin e udhëhiqte Eqrem Kryeziu. Mos harroni se ka shqiptarë që janë akuzuar e dënuar edhe në bazë të dëshmive të mbledhura nga ata njerëz. Në Kosovë e Shqipëri ka plot si Nazim Bllaca, bile edhe më të zi, që janë në gjendje dhe të gatshëm që për pak para t'i shërbejnë edhe djallit. Të gjitha këto ngjarje po ndodhin për shkak të bisedimeve me Serbinë që na i kanë caktuar prapë pa na pyetur, pra skenari duhet të zbatohet deri në fund. Është kjo trysnia dhe shantazhi i radhës që po i bëhet Kosovës me qëllim që ta dobësojnë e shantazhojë sa më shumë që të jetë e mundur përballë palës serbe. Populli po e din shkakun e të gjitha këtyre ndodhive, por nuk po i merr vesh pasojat e sakta që do t'i vijnë nga ky skenar. Pasojat e vërteta i dinë vetëm skenaristët ndërsa ne do t'i mësojmë plotësisht në shfaqjen premier të tyre, ose edhe pas saj.

Si përfundim

Po bëhet një “xhurulldi” e madhe, një pështjellim i madh në këtë moment, por edhe kjo gënjeshtër do të kalojë e do të dështojë sikurse shumë tentime tjera. Do të vijë koha që edhe zgjedhjet do t'i bëjmë si duhet, të lira e demokratike. Vetëm një gjë do të mbetet gjithmonë aktuale dhe duhet t'i bëjmë sytë katër, e kjo është Serbia. Pak rëndësi ka nëse ajo e pranon Kosovën shtet të pavarur ose jo. Shqiptarët duhet ta dinë se Serbinë në të gjitha kohërat e kanë armikun më të rrezikshëm dhe kurrë nuk duhet të presin se mund t'ju vjen diçka e mire nga Serbia. Serbia do ta ulë bishtin vetëm atëherë kur ne do të jemi në gjendje t'ia tregojmë dhëmbët dhe ta përlajmë në çdo moment. Nuk do të jetë e gjatë as ajo kohë kur ne shqiptarët do t'i rrimë karshi edhe Serbisë dhe të tjerëve përreth, e ajo kohë do të jetë koha e Shqipërisë tamam Shqipëri, e që është shpëtimi ynë. Por për ta arritur këtë populli im i dashur, duhet që së pari ta çlirosh atdheun nga të huajt dhe nga shqiptarët. Unë nuk kam dyshim, se përkundër vështirësive e shantazheve që do të kesh, do t'ia arrish. Zoti të bekoftë!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00