Home | Opinion | Analiza e Librit “Unë Ramiz Alia Dëshmoj për Historinë” (I)

Analiza e Librit “Unë Ramiz Alia Dëshmoj për Historinë” (I)

image
“Më ngjan se kjo ka qenë ide e Mehmet Shehut… ndërtimi i bunkerëve nisi pas ndërhyrjes së Traktatit të Varshavës në çekosllovaki”. “Personalisht kam pasur kritika për këtë çështje… pra në vitin 1985, kam ndalur të ndërtohen bunkerë prap”. 

 

 

 

 

 

Nga Pjerin Thomai

 

 

Këtë libër të Ramizit, po e marr në dorë tani që jemi janar 1998, pak me vonesë, por siç thotë populli, më mirë vonë se kurrë. Ndonëse kanë kaluar plot ngjarje tronditëse për këtë popull të vuajtur, kjo s’do të thotë se Ramizi del i larë apo qëndron më lart se paraardhësit e tij. Si karakter apo si natyrë, Ramizi dihet që ka qenë më i butë se E.Hoxha e S.Berisha, por kjo s’do të thotë se s’ka qenë demagog. Megjithatë le të analizojmë librin e tij. Mbasi flet për krijimin e PKSH, mbi çetat e para mbi Ballin, Legalitetin etj. Ramizi na njeh mbi një protokoll i quajtur Dalmaco-Këlcyra, pra midis italianëve e ballistëve, që u bë shkak për një armiqësi midis partizanëve e ballistëve, ku ka patur dhe konflikt të armatosur, por jo frontale siç thotë Ramizi, ku nuk e pranon luftën civile. E ç’rëndësi ka të pranosh ose jo një epitet klasik, ku shqiptarët janë vrarë me njëri-tjetrin. Në libër përmendet se nacionalistët e shihnin bashkimin e vendit nga faktori i jashtëm. Për bashkimin e trojeve tona nga italianët e gjermanët Ramizi thotë:
“Ai bashkim u përgjigjej interesave të fashizmit dhe jo popullit shqiptar, i cili i tëri vuante nga mungesa e lirisë, nga skllavëria fashiste”.
Për hir të vërtetës, z.Ramis duhet ta pranoni se ai bashkim ishte tërësisht në favor të kombit tonë. Dhe sa për lirinë e shprehjes apo skllavërisë, mos bëni krahasime. E dimë lirinë që ekzistonte në kohën e E.Hoxhës, ku haje burgun për një fjalë goje e skllavërimi, ku duhej të punoje gjithë ditën për 1 kg mish. Ajo lufta e (II) dihet tashmë pse filloi. Për të prishur traktatet poshtëruese ndaj Gjermanisë e Italisë, si dhe për të prishur statukuonë, pra hegjemonizimin e Anglisë, Francës, Amerikës e Rusisë ndaj vendeve të tjera. Fajin e kemi vet ne z.Ramiz, se nuk e kemi vlerësuar kurrë se çdo të thotë të jesh i bashkuar në trojet e tuaja. Shqiptarët (një pjesë) fatkeqësisht, vrapojnë më shpejt mbas lavdisë, përfitimeve, të mirave materiale, aventurierizmit politik, e për çudi kjo kategori njerzish marrin frenat e këtij kombi të sfilitur deri në palcë.
Pyetjes se a ka patur Miladini apo udhëheqja jugosllave dorë në prishjen e marrëveshjes së Mukjes, Ramizi thotë:
 “Nuk besoj…” 
Ku thotë që ka pasur vështirësi komunikimi, të cilin e argumenton me vajtjen e Vasil Shantos tek shtabi jugosllav në Mal të Zi, për tre muaj. Pyetjes se a ka pasur lidhje radiograma midis Miladinit e Shtabit Jugosllav. Ramizi i përgjigjet se nuk di gjë a ka ekzistuar kjo lidhje, por pranon se Tempoja kishte lidhje me Shtabin Jugosllav. Edhe sikur të besojmë Ramizin se jugosllavët s’kanë patur gisht në prishjen e marrëveshjes së Mukjes, (gjë që mund të jetë vërtetë), na lind mendimi se shqiptarët për çështje pushteti, lavdie e përfitimeve i nxjerrin sytë njëri tjetrit. Na çudit fakti se në çështjen e Mukjes, Ramiz Alia e kampi i tij duhet të akuzojnë jugosllavët, për të shfajsuar veten për atë prishje. Për çudi krahu tjetër (një pjesë nacionalistësh) akuzojnë jugosllavët për atë prishje. Si duket faji për këtë prishje duhet të ketë qenë E.Hoxha, megjithse nxënësit e tij s’dinë ta shfajsojnë. Më poshtë shohim se Ramizi e pranon, por jo si gabim apo faj.
“Marrëveshjen e ka prishur pala jonë… Balli fitoi shumë me Mukjen…”.
Xhelozia shprehet qartë këtu, për të mos thënë cmira. Pyetjes se a është e vërtetë që Mustafa Gjinishi (nëshkrues i Mukjes) është vrarë nga komunistët, Ramizi përgjigjet:
“Këtë nuk e di. Në bazë të shkrimeve të E.Hoxhës në librin “Rreziku ango-amerikan, dyshohej se Mustafa Gjinishi ka qenë i lidhur me anglezët”.


Këtu duhet sqaruar një gjë, se çdo njeri që bisedonte me të huaj, pra që dinte anglisht, frëngjisht apo gjermanisht, dyshohej dhe kur dyshohej mbas pak (ose më vonë) i vihej nofka agjent i kësaj pale ose asaj pale. Mendja shqiptare fatkeqësisht nxjerr në pah më shpejt fiksimin se argumentin. Për vrasjen “enigmatike” ndaj Gjinishit, Ramizi e mbyll:
“Me siguri që këtu ka pikpyetje”.
Jo z.Ramiz, këtu s’ka pikpyetje. Balli s’ish kurr i interesuar të vriste Gjinishin. Ngelet që atë ta ketë vrarë pala që prishi marrëveshjen, pra shokët tuaj që e prishën marrëveshjen. Pak rëndësi ka dora vrastare, përgjegjësia bie mbi komandën tuaj ose komandantin E.Hoxha, siç quhej ai.
“Po të pranoheshin pikpamje të tilla që gjermanët nuk duheshin ngacmuar kjo do të na vinte në kampin e të mundurve. Po ç’ndodhi me të mundurit… A nuk humbi territore Japonia… A nuk u nda Gjermania…”
E vërtetë z.Ramiz që 3 shtetet e boshtit humbën, por vendet asnjanëse nuk humbën aspak. Marrim Turqinë, që disa e akuzuan dhe si aleate e Gjermanisë, nuk humbi. Mund të thotë ndonjëri se Turqia u lidh me Amerikën, plus lidhjet e saj me Francën e Anglinë që i kish pasur. Pse su lidhëm dhe ne me Francën, Anglinë e Amerikën? Në mos vëllazërore, të paktën partneriteti. Pastaj vendet fituese, si Anglia, Rusia, Amerika e Franca a nuk kanë qenë kolonizatore e vendeve të pazhvilluara, si para lufte ashtu dhe mbas lufte. Mund të thoni ju ose ndonjëri (me të drejtë) se krahas shfrytëzimit të burimeve natyrore, krahut të lirë të punës, pra kolonizimit, ai vend nga i prapambetur fillon e zhvillohet. Kjo është e drejtë. Mirpo lind pyetja: Në këtë botë të kapitalit, ku përplasen interesat e fuqive të industrializuara, ne shqiptarët ç’kemi që i ngacmojmë e më keq akoma dhe i luftojmë? Edhe mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare, asnjë vend nuk mund të quhet fajtor kur atë e drejton gabim (një fuqi më e madhe, qoftë edhe me qeveri (njerëz) vendas. Pra Shqipëria ose më saktë shqiptarët sikur asnjë pushkë të mos hidhnin kundër italianëve ose gjermanëve, nuk u binte asnjë faj. Përkundrazi do kishim një përfitim industrial, ndoshta jo shumë të zhvilluar si ata vetë. Edhe mbi të drejtën hyjnore, arma konsiderohet vegël e djallit. Ramizi më 90-91-92 u bëri thirrje Italisë, Gjermanisë etj. Të investojnë në vendin tonë. Ç’kuptim ka atëhere lufta që ata bënë kundër Italisë Gjermanisë. Në këtë botë të padrejtë, të krijuar nga vet bota e kapitalit, ku tigrat përplasen me njëri-tjetrin, ne shqiptarët në vend që të shohim si të bashkohemi (si troje), të përfitojmë sa të mundim nga padrejtësitë që na janë bërë (si konferenca e Londrës), bëjmë të kundërtën, shtypim njëri-tjetrin, luftojmë atë që s’na ngacmon, e vrasim atë që na jep të drejtë.


“Shqipëria s’përmendet fare në Jaltë:.
Ramizi na hedh dritë mbi një konfederatë ballkanike që ka bërë që Shqipëria të mos përmendej në Jaltë. Flitet dhe për Nako Spiron, që ka kundërshtur disa projekte në favorin e Jugosllavisë. E çudishme është se njerzit e ndershëm si ka pranuar nomenklatura e asaj kohe. Për “komplotin” e Beratit, Ramizi na tregon për kritikat e Koçi Xoxes kundër E.Hoxhës. E futa në thojza fjalën “komplot” se udhëheqsit shqiptar e shohin kritikën si komplot. Shohin kudo rrezik për veten e tyre, për pozitën e tyre, nuk shohin problemin që ngrihet. “… por lojën kryesore e luante Velimir Stojniqi i delegacionit Jugosllav pranë udhëheqjes komuniste të Shqipërisë”. Na del përsëri në skenë të deleguarit jugosllavë. Na lind pyetja, mos vallë jugosllavët dinë shumë pisllëqe të udhëheqësve shqiptarë, apo kanë qënë dhe ata në pisllëqe? Për kapitullin e divizioneve shqiptare në Sanxhak e Kosovë e tek kapitulli për vrasjen e Miladin Popoviçit, ka një pyetje interesante:
“A keni pasur në kohën kur ishit në Kosovë takime me shqiptarët? Ta zëmë, te ne thuhet se kosovarët u kanë tërhequr vërejtjen partizanëve të Shqipërisë se nuk u duhet zënë besë serbëve”.
Ramizi në vend t’i përgjigjet pyetjes, rrëshqet, siç ka rrëshqitur gjithë jetën e tij.
“Po ka pasur edhe këtu në Shqipëri që kanë thënë: “Mos i zini besë shjaut”. Po ju përmend vjerrin tim, Aleksandër Xhuvanin. Pra ky ishte një mendim i formuar tek njerëz të ndryshëm”.
Këtu nxjerr kokë lavdia që mban erë shfajsim, të cilën udhëheqsit shqiptarë e kanë shumë për zemër. Për çështjen se si mbeti Kosova nën Jugosllavi, Ramizi na përmend se janë bërë bisedime midis Hoxhës e Titos, por Tito i paska thënë se reaksioni serb do të jetë i madh. Mundësinë e marrjes me luftë, Ramizi e përjashton si athere edhe sot. Jo z.Ramiz, duke qenë se të gjithë kosovarët kanë dashur të bashkohen me shtetin amë (Shqipërinë), nuk kish forcë ti ndalte e ti mundëte, por duhej mbështetje me armë e njerëz nga Shqipëria, të cilën Shqipëria nguroi t’ia jepte. E për këtë faji bie mbi Shqipërinë. Shumë kosovarë që vinin tek partizanët shqiptarë për ndihmë nga keqtrajtimi nga serbët, Ramizi thotë se i mirrnin e i fusnim në çetat tona kundër nazifashistëve. Edhe në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë, Ramizi e mohon luftën apo ndërhyrjen ushtarake. Ai thotë se ngelen mjetet e dialogut, pra bisedimet. Jo z.Ramiz dhe viti 1992-1993 e ndoshta 1994 ishin vite që kosova mund ti bashkohej Shqipërisë, sepse Serbia po merrej me Kroacinë e Bosnjë-Hercegovinën. Megjithatë, duke parë se Shqipëria ngeli më mbrapa se Kosova, më mirë që s’u fillua ndonjë luftë, si dje dhe sot, se jo vetëm do fillohej një armiqësi si palestinezët me çifutët, por Kosova do bëhej si Shqipëria (e shkatërruar) dhe s’ishte ndonjë çudi të fillonte një urrejtje midis kosovarve e shqiptarëve që dhe tani ekziston tek disa, apo në formë sporadike. Kosovës sot i duhet të formojë shtetin e vet që është një punë shumë e vështirë, por që do t’i japi prosperitet e zhvillim më të madh. Në kapitullin prishja me anglezët dhe amerikanët, njihemi me çështjen e minës në kanalin e Korfuzit. Kjo çështje do që të njihesh me dokumenta të asaj kohe, e që të flasësh saktësisht. Ndoshta aty kanë pasur dorë jugosllavët ose anglezët, të njohur tashmë për prapaskena e vrasje të kolonëve. Në lidhje me amerikanët ndoshta duhet të ndalesh e të studjohen me kujdes materialet e asaj kohe. Nuk është çështja vetëm tek “Unra” e disa “agjentë” që qeveria shqiptare i përcaktonte aforfe, në mënyrë jo faktike. Duhet parë dhe ndikimi që kanë pasur shërbimi sekret jugosllav në vendin tonë. Në kapitullin për zbarkimin e grupeve balliste dhe spiunin Kim Filbi, Ramizi na flet për hedhjen e grupeve të ndryshme në Shqipëri dhe kapjen e tyre. Flitet për lojën midis sigurimit dhe CIA-s amerikane, ku CIA dërgonte armë, veshje, radio sepse kujtonte se gjëndja ishte me sot, me nesër. Është e vërtetë që kontigjente idiotësh kanë pasë punuar në CIA, por kjo e ka shpjegimin tek gjëndja kaotike e disi diktatoriale që ekzistonte në amerikë midisa viteve 50-60, që quhet dhe periudha më e errët në historinë amerikane, nga vet populli e historianët amerikane. E në atë kohë në organet e specializuara për pislliqe futeshin ata që hiqeshin si patriot ose skizofrenët, që dyshonin tek çdo njeri që dëgjonte muzikë ruse, lexonte romane ruse, mbështeste me gjysëm zëri politikën ruse, fliste për socializmat etj.etj.
Në kapitullin “Shqipëria mbetet në Lindje”, shohim një analizë të qartë të Ramizit. Mbas 45 faqesh shohim që Ramizi bën një analizë për të qënë. Mbas 203 kapitujsh që s’kanë ndonjë gjë interesante, vijmë tek kapitulli “Konferenca e Tiranës: Dy ditët kritike të Enver Hoxhës”. Ramizi thotë për këtë çështje”
“Pra këta mendonin se duhen bërë disa veprime në Shqipëri në frymën e Kongresit XX. Këtu synohej edhe kritika ndaj udhëheqjes së athershme, e cila sipas tyre, duhej të ishte më tolerante dhe më e hapur. Por, në këtë konferencë mplekset dhe faktori i jashtëm, që ishte faktori jugosllav… Por, duhet të themi subjektivisht se Jugosllavia, edhe më parë, edhe më vonë për mendimin tim edhe sot, ka gisht në veprimet që zhvillohen në Shqipëri. Si, sa, në ç’mënyrë, unë nuk jam në gjendje të them”.
Këtu shohim që Ramizi kthehet në origjinë. Pra nuk e pranon evolimin. Edhe thotë se: ata kërkonin të kritikonin udhëheqjen që të ishte më e hapur, gjë që do të të thotë një demokratizim i mëtejshëm i asaj partie, edhe shton më tej se në atë konferencë (e ngjarje të tjera) kishin gisht jugosllavët. Athere duhet të pranojmë se jugosllavët paskan dashur demokratizimin e PPSH. Këtë shërbim jugosllavëve (pohim) Ramizi ia bën padashur apo vet me dëshirë, sepse unë e shumë të tjerë kemi menduar se Jugosllavët i kanë prishur punë Shqipërisë. Mendja diabolike e Ramizit, si duket s’di se ç’të thotë gjersa në fund thotë: “Si, sa, në ç’mënyrë, unë nuk jam në gjendje ta them”.
“Në ditën e parë (të Konferencës) kishte shumë pyetje sugjestive në të cilat shfaqeshin dhe mendime kritike. U krijua një atmosferë tepër e rëndë”.
Në vend që Ramizi të thotë: u krijua një atmosferë demokratike, sepse u bënë pyetje e kritika të guximshme, thotë “tepër e rëndë”. Dhe thuaj pastaj që të shpresojmë se a ka kuptuar gjë Ramizi nga ai sistem. Me siguri që jo, se bythët i ka mbajtur ngrohtë. Në artikujt mbi prishjen me rusët Ramizi thotë:
“Qëndrimi arrogant i specialistëve sovjetik, ndërhyrja e tyre në punët tona të brendëshme, ndihmat e pakta që na jepeshin, pastaj bisedimet e Hrushovit me Titon, llogaritjet e tij me grekët…”
Ndihmën ruse për industri, për kapjen e diversantëve, për shkollat etj. Ramizi me Enverin e dashkan, ndërsa ndërhyrjen e tyre kundrejtë ideologjisë apo kultit të individit, se dashkan. Ç’emër t’i vëmë kësaj? Duke qenë se Shqipëria, nuk i kishte mirë punët me Jugosllavinë e Greqinë, pa përmendur perëndimin, kurrsesi nuk duhet t’i kishte prerë marrëdhëniet me Rusinë. Por duket se Enveri kishte ndjerë rrezikun e fronit të tij. Aq më tepër që Tito dhe Venizello kishin bërë takime me Hrushovin. Në lidhje me kapitullin mbi marrëdhëniet me Kinën, Ramizi e pranon ndihmën e madhe që ka dhënë Kina, e sidomos në fushën ushtarake. Ndikimi që ka pasur dhe “revolucioni kulturor” në vendin tonë.
“Ka një paradoks këtu. Ne si udhëheqësi, nuk përkrahim konceptet e “revolucionit kulturor” kinez. Nuk përkrahim sektorizimin, punën e citateve të Maos, qëndrimin në kulturë ndaj klasikëve të qytetërimit etj. Dmth ne nuk ishim dakort, por paradoksi në fakt është se, megjithqë nuk ishim dakort, në një mënyrë apo tjetër, ne i morëm këto koncepte, ose u frymëzuam nga masat e “revolucionit kulturor”. Për shembull edhe ne i hoqëm gradat e ushtrisë”.
Ramizi thotë se ka një paradoks këtu, ndërkohë që nuk jep një përgjigje të saktë. Harron që ngrihet vetvetiu pyetja: pse ky paradoks. Si duket harron të japi shpjegime të sakta, se dhjetra-qindra njerëz janë arrestuar pikërisht për atë “paradoks”, ndërsa vet ata – udhëheqësia – kanë jetuar si krajla. Sa për citatet e Maos i kujtojm z.Ramiz, se nuk i vjen as te thoi i këmbës Maos. E këtë gjë e provoi koha, ku Kina lidhi marrëdhënie me botën perëndimore qysh më 1970. Ku Mao, nuk vrau shokët e tij, siç bëri Enveri. Edhe nga ana teorike, pra nga shkrimet, Mao qëndron më lart se Ramizi me Enverin. Në pyetjet mbi heqjen e fesë Ramizi thotë se një revolucionarizim që përfshiu vendin, bëri që të kapte dhe anët fetare, si penguese në disa gjera. Organizata e rinisë së Durrësit i kishte bërë një letër KQ që të mbylleshin institucionet fetare. Kjo letër, sipas Ramizit i kishte rënë në dorë atij.
“Unë e kam mbajtur atë letër në zyrën time tre ditë”.
Por insistimi i Rita Markos, që në atë kohë ishte sekretar i parë i Durrësit bëri që letra të shkonte tek Enver Hoxha. Nga kjo gjë këtu shohim se Ramizi paska qenë kundër. Kjo ishte një gjë e mirë, kur nuk nxitohesh, pra kur i merr gjërat me arsye. Dhe për çështjen e biblioketës së kishës katolike në Shkodër, që Ramizi është interesuar për ta shpëtuar (nga çmenduria kolektive), duhet përgëzuar. Pyetjes, pse arrestohet shkrimtari Kapllan Resuli, i cili ka qenë i përndjekur dhe në Jugosllavi, Ramizi thotë:
“Nuk e di shkakun… Por di që Kapllan Resuli nuk është arrestuar për motive letrare… motimi për arrestimin e tij është gjetur në dyshimin se ka qenë njeri i UDB, i dërguar në Shqipëri”.
Sipas Ramizit për çdo njeri që dyshohet, duhet të arrestohet. Pyetjes se a është e mundur të verifikohet dyshimi se K.Resuli ishte spiun i UDB, Ramizi thotë:
“Nuk jam në dijeni për proçesin kundër tij. E di që para se ta lirojnë ky më bëri një letër plot revoltë, në të cilën thoshte se është serb”.
Nga ky fakt, në vend që Ramizi të kuptojë zhgënjimin që pëson një shqiptar i Kosovës, i cili torturohet e poshtërohet nga ata që ai i kujton vëllezërit, mendon (Ramizi) se Kapllani duhet të jetë serb. Të mos harrojmë se plot kosovarë që kanë kërkuar ndihmë tek shteti amë, janë arrestuar si agjent të UDB (jugosllave), ndërkohë që s’mund të kenë qenë të tillë. Në kapitullin mbi ndërtimin e bunkerëve, Ramizi thotë se:


“Më ngjan se kjo ka qenë ide e Mehmet Shehut… ndërtimi i bunkerëve nisi pas ndërhyrjes së Traktatit të Varshavës në çekosllovaki”. “Personalisht kam pasur kritika për këtë çështje… pra në vitin 1985, kam ndalur të ndërtohen bunkerë prap”.
Me atë inisiativë që u bënë bunkerët, z.Ramiz, pse nuk bëtë dhe apartamente të reja për strehim? Ju z.Ramiz, thoni se e ndaluat ndërtimin e mëtejshëm të bunkerëve, sepse ajo do vazhdonte akoma, e kur e ndaluat pse nuk vendoset që ato sasi hekuri, çimento që ishin planifikuar për bunkerë t’i kalonit për apartamente.
Në “Likuidimi i Beqir Ballukut”, sipas Ramizit mësojmë se ai (B.B.) kishte një koncept tjetër nga Këshilli i Mbrojtjes, për mbrojtjen e atdheut, nga ndonjë sulm i jashtëm. Beqir Balluku, sipas Ramizit, thoshte se në rast agresioni, ushtria duhej të tërhiqej në male, e t’i përshtateshim luftës partizane. Mirpo ne lexuesit, dimë nga shkrimtari i oborrit të E.Hoxhës se Beqirin e mori në qafë koncepti i lojrave ushtarake, rrethimi i një komiteti partie nga ushtria. Në artikullin më poshtë, mësojmë se në takimin Çu En Laj – Beqir Balluku, kinezi i kisht propozuar aleancën Jugosllavi-Rumani-Shqipëri, kundër ndonjë ekspansioni të mundëshëm të sovjetikëve. Vjen vetvetiu pyetja; mosvallë kjo është themra e Akilit për eliminimin e Ministrit të Mbrojtjes z.Beqir Balluku? Ideja e luftës partizane (jo frontale) dhe lojrat ushtarake mos vallë kanë qenë vetëm fasadë, për të mbuluar fillimin e kontradiktave shqiptaro-kineze. Pra sigurimi i shtetit ose njerzit e Hoxhës me një gurë kanë vrarë dy zogj. Kanë hequr ministrin e Mbrojtjes me teza ordinere jashtë vëmëndjes së tezës kineze, (gjë për të cilën dhe populli mund të mos jetë informuar në atë kohë) dhe kanë ruajtur në brendësi ndonjë kontradiktë që mund të plaste ndërmjet PPSH e PKK, pra sa për sy e faqe e kanë ruajtur marrëdhëniet e mira. Në kapitullin mbi masakrat e Mehmet Shehut (numri 2 i Shqipërisë) Ramizi i përgjigjet pyetjeve mbi masakrat që ka bërë Shehu në kohën e luftës së II. Afër barit të thatë digjet dhe i njomi, thotë Ramizi, i cili nuk e quan të nevojshme të kërkojë ndjesë, përkundrazi justifikohet dhe me një krahasim politiko-kriminal-indiferent.
“Mu kujtua këto ditë një thënie e Bushit. Kur vajti vjet në Japoni, i parashtruan Bushit kërkesën që ky t’u kërkonte ndjesë japonezëve për hedhjen e dy kombave atomike të cilat vranë gati 200.000 japonezë të pafajshëm, Bushi refuzoi këtë duke thënë se vërtet u vranë njerëz të pafajshëm, por në këtë mënyrë u shpejtua mbarimi i Luftës së dytë Botërore”
Me këtë cinizëm të Bushit, si vegël e ndyrë e CIA, (pra ka qënë spiun, e dokumentuar) përgjigjet dhe ciniku i butë Ramizi. I kujtojmë z.Ramiz e njëkohësisht dhe spiunit Bush, se bombat atomike nuk u hodhën për shpejtimin e mbarimit të luftës, se trupat japoneze e gjermane ishin tërhequr e fundi i luftës ishte çështje ditësh, porse ato u hodhën për shantazh, për të treguar se ne e zotërojmë tashmë armën që Gjermania nuk mundi ta realizonte. Mbas kapitullit të spastrimit të “liberalëve”…. Vjen kapitulli mbi Kadarenë, ku Ramizi i përgjigjet pyetjes:
“A ka qenë ky (Kadare) ndonjëherë në rrezik të arrestohet?”
“Për mendimin tim, kurrë nuk ka qenë i rrezikuar nga arrestimi. Kadare për të gjitha ato që shkruan, duket një çikë i sëmurë.Ky vuan se dikush e persekuton, e ndjek. … Në fakt, mund të ketë pasur njerëz në organet e Sigurimit të cilët nuk e kanë në qejf si thuhet. Por Kadare gëzonte përkrahjen e instancave më lartë të partisë. Ja, edhe kur iku, bëri atë letër në të cilën midis të tjerash shkroi se ka frikën e arrestit! Jo more jo, çfarë arresti! Kush mund ta arrestonte Kadarenë pa më pyetur mua?”
Besoj dhe se për kaq sa tha Ramizi për shkrimtarin e oborrit, s’ka nevojë për koment. Për kapitujt e liberalizmit të marrëdhënieve Shqipëri – Kosovë, Ramizi flet për shkëmbime të ndryshme kulturore që u konsoliduan sidomos në vitet 78-81, të cilat u ndërprenë mbas ngjarjeve të 1981 në Kosovë, ku rinia kosovare doli në demostrata me parullat “Kosova Republikë”. Më poshtë Ramizi pohon se udheheqja Shqiptare u gjend e pa pritur nga demostrata të tilla. Kjo mund të jetë e vërtetë, që udheheqja shqiptare mund të mos ketë gisht në ngjarjet në Kosovë, aq më tepër që Enveri s’donte telashe. Ramizi hedh dyshimin se në ato ngjarje kanë pasur gisht serbët. I bëjmë një pyetje Ramizit; a e përjashtoni ju mundësinë e dorës së CIA amerikane, të cilat gjithmonë kanë krijuar vatra lufte për të vazhduar shitja e armatimit. Ose në rastin konkret për të parë dhe armatimin kinez me të cilën ishte furnizuar Shqipëria, apo për ti bërë telef dy vendet Shqipërinë e Jugosllavinë. Pse të mos dyshojmë se ato demostrata mund të jenë provokuar nga CIA për të futur në konflikt Shqipërinë (armatimin kinez) me Jugosllavinë (armatimin amerikan + rus). Ramizi bën gabim kur mendon se nga ato demostrata përfituan serbët. Kjo tregon se është (ka qenë) politikan i kalibrit të dobët, që i merr gjërat kallëp, ose fsheh diçka, nuk na tregon të vërtetën. Për vetëvrasjen e Mehmet Shehut (ish nr.2), Ramizi na flet shumë pak mbi këtë çështje. Nuk përmënd se në atë mbledhje ai ka debatuar më shumë me Mehmetin, siç flitej në atë kohë. Është interesant fakti se oficeri personal i Mehmetit i telefonon Ramizit në mëngjes ku i njofton vetëvrasjen e kryeministrit, ndërsa Ramizi e pyet:
“Unë e pyeta se a i ka dëftuar dikujt tjetër. Më tha se ka lajmëruar ministrin e brëndëshëm për vetëvrasjen e tij.”
Pse ky shqetësim i Ramizit se mos ka qënë i pari telefonues tek ai. Megjithatë le të mos dyshojmë tek Ramizi, se në fund të fundit edhe sikur vrasje të ketë qënë, siç dalin të dhënat e fundit, Mehmeti qe një diktator dhe arrogant, siç e përshkruan jo vetëm Ramizi, por dhe të tjerë që kanë punuar me të. Në kapitullin “M.Shehu-spiun i Inteligente Service”, shohim se E.Hoxha i paska dhënë R.Alisë ca kartela në gjuhë anglisht ku: “…shihej qartë që M.Shehu ishte rekrutuar si agjent i Inteligent Service qysh në kampin e përqëndrimit në Francë, pas Luftës së Spanjës.”


“Siç më shpjegoi Enveri, këto dokumente efektivisht ishin dorëzuar në një ambasadë tonë, më duket në Vjenë, në vitn 1964, nga një njeri i cili kishte thënë se ka edhe dokumente të tjerë, nëse ishim të gatshëm t’i paguajmë diçka.”
Më poshtë shohim se personi i dokumentave paska qënë një kosovar marksist-leninist. Vetvetiu të lind pyetja edhe paska qënë idealist, pra m-l dhe shqiptar që do të ndihmojë Shqipërinë, dhe paska kërkuar para për të tjera dokumenta, që merret me mend që s’i ka sjellur, sepse loja aq ka qënë, sa për t’i futur në grindje udhëheqësit shqiptarë. Edhe sikur të jetë e vërtetë rekrutimi nga ana e anglezëve, duhen parë kushtet ku e si është bërë, e mbi ç’bazë. Mos ndoshta ka qënë i shtrënguar apo dëshirë për të ndihmuar antifashistët. Vetë fakti që Ramizi këmbëngul në këtë çështje, se më 1987 një i panjohur kishte dorëzuar një letër në ambasadën tonë në Amerikën Latine, ku konfirmohej se dokumentat e 1964 ishin të vërteta, lë të dyshosh se këtu ka diçka të pavërtetë.
Në kapitujt “Ramiz Alia për Enver Hoxhën” s’ka ndonjë gjë interesante.
“Enver Hoxha ka pasur të mira dhe të këqija.” “Unë jam dakord me ju, që as në kohën e Enverit nuk do të duhej të ishte ashtu. Por realiteti ishte i tillë. Të mirat dhe të këqijat i merr numri një.”
Ramizi pranon se më 1988 ka marrë 20 milion DM, ku 10 ishin falas e 10 milion në formë kredie. Të mos harrojmë se më 1990, Ramizi ka mohuar faktin se Shqipëria ka borxhe. Të jetë gënjeshtar. Mbi këtë çështj kemi folur dhe në artikuj të tjerë, të pabotuar. Vijmë tek pjesa e II e librit (intevistë) të R.Alisë, me titullin
“ Në kërkim të demokracisë”.
Le të shpresojmë se nuk do të ketë ndonjë spërdredhje në ç’ka do të thotë më poshtë, siç është spërdredhur në kërkim të demokracisë.
“Në këtë kohë, pas një goditje të rëndë në zemër, që nuk ishte e para vdiq E.Hoxha. Ai ishte i vetmi person që mund të ndërmerte një nismë energjike për t’i flakur pengesat e vargonjt e ligjit, pa u quajtur tradhtar… Sidoqoftë, ai vdiq, duke lënë në mjedisin shqiptar frikën e revizionimit, dyshimin e tradhtisë apo të devijacionit, nëse lëvizej nga e kaluara…”
Kjo quhet bumerang z.Ramiz që vet ju (udhëheqsit) i krijuat.
“Në këto kushte, për mua që në fillim ka qënë e qartë se rruga që na priste përpara ishte rruga e ndryshimeve… Këto ndryshime, ndërkaq duhej të ishin tepër të kujdesëshme, shpesh edhe disi të kursyera, për të respektuar sentimentet e kohës. Duhej siguruar një kompromis i domosdoshëm çdo ndryshim mund të nxitej vetëm në emër të vazhdimësisë…”
“Është thënë se Shqipëria është treguar e ndrojtur ndaj ndryshimeve. Në të vërtetë ajo ka qënë e prirur drejt ndryshimeve, por e rezervuar në ritmin e tyre, për shkak të kompleksit të tradhtisë, një vepër nga më të ultat për traditën morale shqiptare. Kjo ka qënë kontradikta kryesore përcaktuese për fatin e ngjarjeve që erdhën…”
Po a s’ishin “doktrinat” tuaja z.Ramiz, që bllokuat vetvehten. A se krijuat vet këtë bumerang, që ju lidhi duar e këmbë e që atë kontradiktë që përmendni. Pikërisht, mosdija juaj personale dhe e shokëve tuaj bëri atë që s’dinit të gjenit rrugë zgjidhje në kohën e duhur. Më poshte shohim se sa pak e ka njohur presidenti i athershëm ose nr.1 i vendit, popullin e tij.
“Nuk duhet harruar që në atë kohë, si në udhëheqje, por veçanërisht në masat e Partisë e të popullit, kërkohej në mënyrë të njëzëshme vazhdimësia. Dhe kjo shpesh reduktohej deri në anën formale. Në atë kohë njerzit shkonin deri atje, sa të numuronin se sa herë dhe në ç’kontekst e përmendja emrin e Enver Hoxhës në fjalimet e mia”.
E kujt i plaste prapanica për këto budallallëqe që thoni sh.Ramiz. Popullit jo se jo. Ndoshta një grupi të vogël aty në bllok ose rrethinat e tij, po. Kjo tregon se sa pak e ka njohur popullin e tij udhëheqsi R.Alia. Më poshtë, shohim se Ramizi flet për idetë e tij reformatore, Për konservatorizmin që ishte pengesë për idetë e reja. Flet në përgjithësi, e jo konkretisht. Ç’ka bizeduar me Nexhmie Hoxhën, e sigurimin, apo byroistë të tjerë. Pse nuk thotë diçka. Në këtë libër shohim se A.Kisinger paska deklaruar se:
“për të shkatërruar imperatorinë sovjetike është punuar mbi 4 dekada e se tani kapitalizmi po i merr frytet”.
I themi Ramizit e këtij Kisingerit se për rrëzimin e socializmit shtetëror, kanë ndihmuar faktorë të tjerë e jo e ashtuquajtura luftë e Amerikës kundër BS, gjë që më tepër ia ka zgjatur jetën sistemit të BS e forcuar njëkohësisht, se sa e ka goditur, apo rrëzuar atë sistem.
“Po kështu zv.sekretari i shtetit i SHBA. L.Igëllberger, në një takim që pati me studentët e universitetit të Tiranës në qershor të këtij viti tha se: ndihmë nga ana jonë (SHBA) duhet konsideruar edhe ajo çka bëmë ne për shpërbërjen e BS, prej së clës përfituat edhe ju për të shkatërruar komunizmin”.
Ti atribosh vetes apo shtetit tënd, gjëra që ndodhin për shkaqe jashtë teje, duhet të jesh shumë i sëmurë. Që çmenduria të marri qytetarinë e nderuar, kjo mund të ndodhi vetëm tek diplomatët amerikanë, të cilët shprehin budallallëqe të tilla, që një njeriu normal do ti vinte zor ti shprehte. Kjo tregon se sa pak e njeh Ramizi socializmin shtetëror e llojet e tjera të socializmit. Ramizi përmend diversionin propagandistik e me njerëz (diversantë), por nuk e kupton se këto nuk ndikojnë në rrëzimin e sistemit se sa e mobilizojnë atë sistem. Janë të tjera faktorët që rrëzojnë socializmin shtetëror, të cilat i kemi shpjeguar në artikujt e mëparshëm (të pabotuar). I kujtojmë z.Kisinger, z.Igëllberger e Ramos tonë, se një drejtor i CIA-s ka deklaruar se:
“jemi gjindur të papërgatitur nga rënia e sistemit socialist të BS në atë mënyrë të menjëhershme, e se s’kishim të dhëna të mjaftueshme se ç’bëhej në Kremlin”.
Pra kush gënjen në katë rast. Ne populli e dimë në këtë rast, por a mendon kështu Ramizi. Derbederi jonë (Ramua) mund të thotë se dy shtetarët e rëndësishëm të SHBA nuk gënjejnë. E ne i themi: vërtet ata nuk gënjejnë, ata besojnë megjith mend tek çmenduritë e tyre, tek broçkullat e tyre, pikërisht se janë të çmendur.
“ishim mësuar të punonim me rregulla të tilla që i quanim si norma të paprekshme”.
Ndërsa ishin vitet e fundit të shekullit 20, Ramizi e shokët e tij mendonin si në fillim të shekullit te I. Si duket ata e barazonin ideologjinë me fatet e Atdheut, e fatin e Atdheut me fatin e tyre. Kjo i mundonte si duket ata. Populli le të duronte, bëhej fjalë për fatin e byroistëve. Prandaj dhe Ramizi (dashur pa dashur) ka shtruar pyetjen:
“Duke iu referuar kushteve të kohës, çështja shtrohej: A duhej lejuar që reformat e tranzicionit t’i mbeteshin spontanitetit? A mund dhe a ishte e justifikuar t’u besoheshin ato njerzve e forcave që do të nxirrte situata?”
Ramizin e byroistët e tjerë i paska zënë frika se mos në reformat e tranzicionit do të dilnin njerëz nga populli, njerëz që do t’i nxirrte situata. Të mjerët Ramiriztë, s’kanë dashur që reformat e transzicionit t’i mbeteshin spontanitetit, pra t’u dilte kontrolli jashtë duarve, prandaj kanë dashur ta drejtojnë në interes të tyre e jo të popullit e të Shqipërisë. Vetëm me këto dy rreshta, Ramizi hedh poshte gjithë ato ç’ka ka dashur të thotë gjoja si reformator. Edhe një herë nxjerr kokë mediokriteti që ka karakterizuar këtë njeri që pati fatin (e mirë e të keq) të jetë në krye të Shqipërisë në momentet e kthesës. Këto dy rreshta e të tjera që ka thënë (e vepruar) Ramizi, vërtetojnë fjalët e mia të thëna tek “Vizione të qarta” 1995 (e pa botuar akoma), se ai e grupi i tij, bënë një tërheqje të programuar e se në krye të partive e situatave vendosën njerzit e tyre, se pikërisht në reformat që kishin ndërmend të bënin (të shtyrë nga trysnia e jashtme dhe e brendëshme), nuk kishin besim tek njerzit apo forcat që do të nxirrte situata.
Në fund të këtij kapitulli “Në kërkim të demokracisë”, Ramizi flet se i ka munguar ndihma e shokëve byroistë apo të KQ, por që nuk e kanë kundërshtuar për vendimet që ka marrë. Tamam gjuha tipike e R.Alisë, jo po konservatorizmi, jo po dëshira, jo po pasiviteti, jo po mungesa e eksperiencave, etj.etj, ku Ramizi e nxjerr veten si reformator, e ku është përpjekur mjaft për demokraci. Nuk e kuptojmë se kujt ia shet këto dokrra, ndoshta vetvehtes. I kujtojmë Ramizit, a nuk ishe ti që s’lejove formimin e organizatës së të drejtave të njeriut (janar – prill 1990), ku arrestove dy pjestarë, nismëtarin dhe vëllain e tij (artikullshkruesi). A nuk ishe ti që s’ke dashur të formohet organizata për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve? (maj-90). Ju z.Ramiz mund të hiqeni si engjëll, kur vet ju në mos djall, jeni udhëhequr nga djajtë e keni bashkëpunuar me ta. Ekzistojnë plot dëshmitarë të gjallë, disidentë të tjerë që kanë dashur të bëjnë diçka për popullin apo për demokracinë, por që s’janë lejuar nga ju, pikërisht se s’besonit tek njerzit që do nxirrte situata. E shumta që mund t’ju lehtësojë juve është se keni qënë njeri i butë në krahasim me Enverin, por në fund të fundit ju ngeleni një feudal i atij sistemi.
Vijmë tek kapitulli “Përtëritja e partisë” ku përshkruhet dhe fjala e R.Alisë më 31 maj 1991, ku s’ka ndonjë gjë interesante. Në kapitullin që flet mbi bisedimet me Perez De Kuelarin në maj 1990, Ramizi thotë se gjatë gjysmës së parë të vitit 1990, filluam të vepronim më me vendosmëri për reformën politike, ekonomike e shoqërore, ku përmend dhënien e pashaportave, anullimin e ligjit për agjitacion e propagandë, ndryshimi i ligjit për arratisje etj. I kujtojmë z.Ramiz se pikërisht kur ju “thelluat” reformat, filluan dhe shtërngimet e klasës në fuqi, filluan masat represive ndaj popullatës, u thelluan mashtrimet e shtetit shqiptar ndaj popullit të vet shqiptar. Me Ramizin, bashkohem në pikën kur thotë se reformat duhet bërë dalëngadalë. Por që të ndodhë kjo z.Ramiz, ju duhet të kishit filluar me kohë, të kishit lejuar disa shoqata shoqërore, ekonomike, në fillim që më vonë të vinte gradualisht formimi i shoqatave a grupeve politike. Por ju nuk i lejuat as më 1985 as më 86, as më 87, as më 88, as më 89 dhe as më 1990 kam parasysh 6 mujorin e parë të 90.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00