Home | Opinion | Aleancë në strategji

Aleancë në strategji

image
Situata në Ballkan do të jetë pjesë e asaj që NATO do të bëjë në samitin e Lisbonës. 

 

 

 


 
Fatos Hakorja

 

NATO do të vendosë në Lisbonë atë çka ajo do të jetë në dekadën e ardhshme. Me 19 të këtij muaji do të vendoset mbi çështje të vjetra e projekte të reja; ç’do të bëhet me Afganistanin dhe terrorizmin, Rusinë apo pasurimin e uraniumit. Por edhe si do të jetë Aleanca në kohën kur anëtarëve të saj u kërcënohen rreziqe të reja e kur bota përballet me sfida të paparashikueshme. E kjo do të kërkojë edhe ndryshimin e disa neneve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, të nënshkruar në Washington D.C më 4 prill të vitit 1949 nga shumë më pak anëtarë se sa NATO numëron sot, e kur bota as që kishte dijeni për internetin apo satelitët. Sepse do të jetë një “Aleancë e re për një shekull të ri”, siç e ka quajtur Ambasadori i përhershëm i Misionit Amerikan në NATO, Ivo Daalder, në një shkrim të botuar në “The Rusi Journal”.

Krimi kibernetik është futur papritur në agjendën e prioriteteve, si nevojë për t’u përballur dhe për t’u mbrojtur nga sulmet e shpeshta të piratëve që kanë në shënjestër rrjetet qeveritare apo ato të sigurisë së vendeve të ndryshme të Aleancës. 1 mijë prej tyre i drejtohen çdo muaj Britanisë së Madhe nga piratë e terroristë të mundshëm, siç bëri të ditur pak muaj më parë Këshilli Kombëtar për Sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar. Por tashmë, sulmet nga interneti konsiderohen si kërcënimi më potencial edhe për Aleancën e krijuar për t’u bërë fillimisht ballë kërcënimeve të mundshme të tankeve me çelik rus e katiushkave staliniste.

Udhëheqësit e 28 vendeve anëtare të NATO’s do të diskutojnë gjithashtu edhe për kërcënimin e dikurshëm, Rusinë, këtij vendi që Aleanca i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, pavarësisht se superfuqia e shekullit të shkuar, ndonëse e copëtuar në vitin ’91, nuk e ka harruar vesin e vjetër për t’i treguar muskujt perëndimit edhe në mileniumin e ri, si në gushtin e vitit 2008 në Gjeorgji.

Rusia është pjesë e Partneriteti për Paqe, një projekt i NATO’s për të bashkëpunuar me vendet joanëtare. Por gjithashtu, Rusia dhe NATO sot diskutojnë edhe në Këshillin NATO – Rusi, një organizëm ku 28 liderët e vendet anëtare dhe ai i Kremlinit arrijnë marrëveshje vetëm me mirëkuptim, pa votë.

Në Lisbonë, pritet që Rusia të ftohet nga NATO për të bashkëpunuar në sistemin e mbrojtjes raketore, të parashikuar për t’u ngritur në Poloni e Rumani. Do të ftohet, nëse do të pranojë të bëhet pjesë e këtij sistemi që ka për qëllim të mbrohet nga “kërcënime të qarta”, siç i ka quajtur Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen. Një prej tyre është dukshëm i qartë edhe mbi retë siberiane. Koreja e Veriut po zhvillon prej kohësh sistemin e lëshimit të raketave balistike.

Vetë pozita gjeografike e detyron në njëfarë mënyre Rusinë të jetë pjesë e kundërpërgjigjes së NATO’s për t’iu mbrojtur këtij kërcënimi. Në çdo rast, çdo raketë e lëshuar nga komunistët e largët të lindjes, do të kalonte mbi territorin rus. E çdo kundërsulm i NATO’s do ta përfshinte sërish Rusinë. Ndaj sot më shumë se kurrë edhe Moska duket më e qartë që NATO nuk është kërcënimi i saj, se ajo që u është mësuar në bankat e shkollave bashkëmoshatarëve të dikurshëm të Vladimir Putinit që NATO ishte rreziku i BRSS’së, sot mund të jetë partnerja e sigurisë së fëmijëve të tyre. Sepse as Moska nuk është më kërcënim për perëndimin. Sepse, shkëmbimi i informacioneve mes tyre do t’i shërbejë vetëm sigurisë globale në kohën kur kërcënimet janë në rritje.

Do të flitet dhe do të kërkohet një NATO e reformuar, e aftë për të reaguar në shpejtësi në çdo rast krize e çdo zonë konflikti ku ajo do të përfshihet. Do të diskutohet për kapacitete të shfrytëzueshme dhe eliminim të tepricave, me qëllim reduktimin e kostove; për satelitë e shërbime sekrete, për piratët në ujërat somaleze e bashkëpunimin me superfuqinë e re aziatike, Kinën.

Pra Lisbona do të flasë për çështje me rëndësi globale. Me shumë gjasë edhe do të vendoset, sepse Lisbona është vendi i traktateve të mëdha të këtij shekulli. Më 13 dhjetor të vitit 2007 ajo vendosi edhe për të ardhmen e Europës së Bashkuar.
Por NATO nuk do të harrojë Ballkanin, ndonëse do të ulet në një tryezë afro 3 mijë kilometra larg tij. Nuk do të harrojë punën e pambaruar të saj në këtë rajon; Kosovën, Bosnje Hercegovinën apo aleancën e munguar të Maqedonisë.

Situata në Ballkan do të jetë pjesë e asaj që NATO do të bëjë në samitin e Lisbonës.
“Nuk do të jetë çështja kryesore, por do të jetë çështje e rëndësishme, sepse NATO ka qenë dhe vazhdon të jetë në Ballkan, me një numër të madh trupash”, siç u shpreh në Bruksel përpara gazetarëve të ftuar nga 9 vende të ndryshme të Europës dhe Rusia, në selinë e NATO’s, Ambasadori i misionit amerikan në Aleancë, Ivo Daalder.

Një siguri që shqetësimet e këtij rajoni do të reflektohen nga të gjitha vendet anëtare të NATO’s, sepse, siç theksoi Ambasadori Daalder, “për situatën, disa vende anëtare, përfshirë edhe Shqipërinë, janë thellësisht të interesuara”.

Në kufirin europian të Atlantikut do të shkohet të hënën e 19 nëntorit për të bërë më shumë për sigurinë. Pritet më shumë edhe nga Rusia, sepse rusët dhe perëndimorët e vitit 2010 do të flasin gjuhën e Konceptit të Ri Strategjik të NATO’s, një reformë në strukturë e ide që do t’u japë mundësi partnerëve të rinj të dy botëve, dikur thellësisht të ndryshme, të provohen në fushën që njohin më mirë, atë të mbrojtjes, dhe të dinë më tepër për njëri-tjetrin. Sepse, dija e paktë është e rrezikshme!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0