Home | Opinion | Kur perëndon, Perëndimi

Kur perëndon, Perëndimi

image
Thesari i Ali Pashës s’është gjë tjetër veçse kushti që Greqia i ka vendosur kandidatëve se kush mund të ketë të drejtën për të bashkëpunuar me grekët në të ardhmen fatlume dhe fatkeqe njëherësh.

 

 

 

    


Nga Arian Rexhepi

 


Shumë kush, përfitoi nga momenti dhe fërkoi duart pak kohë më parë kur pa në media Greqinë dhe popullin e saj tek luante me veten. Të parët qenë analistët që mendojnë se në parashikime nuk gabojnë. Mediat ndërkohë korrën sukses duke shitur gazeta dhe bashkë me produktin skarco të Greqisë dhe të simotrave të saj në Evropën Qendrore, shitën falimentin. Më shumë se gjithkush politika europiane shpejtoi të nxirrte dufin me inatin e ruajtur në shekuj ndaj grekëve që përherë kanë mundur t’ia dalin edhe kur luftën e kanë humbur, por pa humbur moralin e njerëzve pa skrupuj. Mediat më të bujshme jo vetëm të Evropës por edhe të botës u përpoqën ti jepnin dorën e fundit vendit të helenëve. Opinioni botëror u përgatit që grekët nuk e meritojnë të jenë pjesë e kombeve të qytetëruara. Secili shtet u përpoq të bënte llogaritë se kush do të përfitonte me shumë nga situata e krijuar dhe kaosi që përfshiu shoqërinë civile greke shume sensibël ndaj administratës dhe institucioneve të larta. Sjelljet e dhunshme të tyre sollën largimin nga pushteti të qeverisë Nea Demokracia. Në krye të shtetit erdhi një qeveri tjetër, ajo e Pasokut, me politika sociale, e cila në një farë mënyre e stabilizoi gjendjen me vatra të ndezura gati në shuarje të lodhura përtej mundësive të tyre si vatrat e vullkanit. Po kush është Greqia e brezit të sotëm, gati të vdekur siç u pëlqen shpesh ta etiketojnë analistët. Pas luftës në Kosovë, ku ajo i shpëtoi mrekullisht një episodi të ngjashëm si shoqja e saj Serbia, analoge në problematikat e saj me turqit, shqiptarët e Çamërisë dhe bullgarët, u mundua ti fshihej ose më saktë të zgjaste agonin e saj deri në limitet që të cakton fati. Pa harruar problemin maqedonas që akoma po zvarritet, me pasoja për të ardhmen, u arrit në përfundimin se grekët dhe bashkë me ta edhe krenaria e tyre e personifikuar me Akropolin po jetonte përtej agonisë, vdekjen klinike. Ajo që ndodhi para një viti i drithëroi shumë institucionet e shtetit dhe në të njëjtën kohë edhe shoqërinë pas rënies në recension të tyre. Më shumë se gjithkush të interesuar ishim ne shqiptarët që kemi gati 1/3 e popullsisë dhe dashur pa dashur, fati ynë i mirë ose i keq, tani për tani është i lidhur me fatin e grekëve. Por grekët janë të zotë dhe përherë gjejnë zgjidhje për momentin pa harruar pazaret. Të identifikuar me fenë, ata janë shumë të fuqishëm dhe lobojnë bukur sa herë që interesat u preken, ata janë nacionalistë të thekur. Si fanatikë në fe dhe idhtarë të Dhiatës moderne shpejtojnë të bëjnë aleanca qoftë edhe me djallin.

Si mjeshtra në këtë lojë, ata e sjellin vendin e tyre në qendër të vëmendjes së opinionit botëror me një profesionalizëm që shumë kush zili do e kishte dhe arrijnë që humbjet mos ti zënë në gojë, por të rendisin fitoret, ndonëse fitore s’quhen. Pas lëçitjes që Evropa i bëri Greqisë, ajo s’do të rrinte duarkryq, por do të punonte edhe natën. Duke ditur mirë rolin e saj në Evropë, potencialin ekonomik dhe politik, projektojnë të ardhmen mbi bazën e së shkuarës, krenarinë helene. Pas 20 vjet pritje në dyert e Evropës për anëtarësim të saj nga frika e dyfishtë pas grushtit të shtetit 1967-1974, frika dhe ankthi i një pushtimi të mundshëm nga armiku i përjetshëm Turqia, nxitoi të hynte brenda Evropës. Në një farë mënyre i shpëtoi një pushtimi të mundshëm nga Turqia, por ra në një grackë tjetër, atë të Evropës së fortë me ekonominë jo solide. Grekët janë mësuar të rrojnë me të kaluarën e tyre duke i dhënë leksione botës. Po sot që ky sistem ka marrë fund dhe bota po përpiqet të gjejë një sistem tjetër, vihet në pikëpyetje ekzistenca e tyre. Aq më tepër që grekëve u ra pozita monopol në Ballkan dhe përkundrejt sjelljes së tyre të gabuar kryesisht ndaj Shqipërisë që duhej të ndalnin luftën e vjetër e kthyen në një formë të re me trajta moderne. Me hyrjen në Bashkimin Evropian fillon edhe rrënimi i Greqisë moderne dhe klasike nga bëmat mitike. Duke shfrytëzuar pozicionin gjeografik si vend mesdhetar me një bregdet për tu pasur zili, ajo do të hyjë në marrëveshje pa paragjykime ngjyrash apo racash. Krenaria e tyre është e ligjshme, kur me kulturën që kishin tonin i dhanë një bote të shkuar. Por deri këtu, sot një kulturë tjetër ka filluar të lulëzojë dhe e ka mbyllur në sirtar kulturën e vjetër. Greqia në çdo situatë ka ditur të dalë në breg pa u lagur. Në një material të botuar para disa kohësh në një të përditshme shqiptare kam theksuar se a do të mund të bëjë Evropa pa Greqinë, ku e krahasoj me Thembrën e Akilit. Duke rivlerësuar veten dhe duke ngjallë krenarinë e vdekur ajo iu përvesh punës, me moton e kthyer në forcë të dhimbjes së zgjatur.

Vendi më problematik përsa i takon të drejtave të njeriut. Vendi me simpatik përsa i takon performancës që shfaq herë pas here si vend atraktiv dhe me resurse të shumta. Vendi më problematik përsa i takon respektimit të pakicave etnike. Vendi më ideal përsa i takon pozitës tejet të favorshme si vend strategjik për qëllime ushtarake. Vendi më problematik përsa i takon pakënaqësive në rritje të popullsisë vendase. Vendi më cinik që përherë identifikohen me dijen të zbritur nga Akropoli. Vendi më i begatë përsa i takon lirshmërisë së biznesit. Vendi me problematik përsa i takon varfërisë ekstreme të zhytur mes luksit. Vendi më problematik përsa i takon pakënaqësive në rritje. Vendi më me fat përsa i takon shmangies së tatimit dhe evazionit fiskal. Vendi më problematik përsa i takon zhvatjes së parave në raport me vendet e tjera. Vendi më i favorshëm përsa i takon të ardhurave për frymë të popullsisë. Vendi më problematik përsa i takon gënjeshtrës dhe mashtrimit. Vendi më problematik përsa i takon shpalosjes së ortodoksisë botërore. Vendi më fantastik i lidhjes së aleancave të reja dhe të vjetra. Vendi më ekspresiv persa i takon mburrjes mediokre. Vendi më demokratik përsa i takon demokracisë botërore. Vendi më cinik përsa i takon filozofisë së vjetër që akoma e ruajnë si monopol të tyre. Vendi më problematik përsa i takon shthurjes morale. Vendi më i gjallë përsa i takon nacionalizmit arkaik. Vendi më problematik përsa i takon ecjes përpara. Vendi me ekspansion në raport me fqinjët. Vendi më ideal për të fshehur krimet. Vendi më tinzar që qan edhe kur qeshet. Vendi më atraktiv për ndeshje gladiatorësh. Vendi më mburravec përsa i takon trurit të zbrazur. Vendi më narrativ me histori mitesh. Vendi më ideal përsa i takon masivisht lotëve të rrejshëm. Vendi më i lakuar përsa i takon shpirtrave të trazuar. Vendi më melankolik përsa i takon kulturës së folkut. Vendi më problematik përsa i takon hajdutërisë pa shembull. Vendi më ideal përsa i takon ngjalljes së shpirtrave nga Olimpi. Vendi më problematik përsa i takon homogjenitetit të kombit. Vendi më fatlum përsa i takon prapaskenave historike. Vendi më problematik përsa i takon paturpësisë së shpirtit. Kjo është Greqia që iu deshën 20 vjet për t’u pranuar në Evropë me të drejta të barabarta deri në limit e shtrënguar nga zori.

Edhe 20 vjet të tjera ju deshën Evropës për ta larguar nga vetja si vendi më problematik që veç shqetësimeve dhe konflikteve kurrë nuk i pa hajrin. Si vend me një zhvillim të ulët industrial, Greqia shumë shpejt do të merrte fonde si asnjë vend tjetër. Duke patur një shtet të dobët që siguron të ardhura kryesisht prej turizmit, ajo do të merrte fonde me një strategji të veten, pasurimi pa limit i individit dhe zvarritja pa fund e shtetit për të vjelë fonde nga një Evropë e pasur. Fondet që Evropa i ka dhënë Greqisë për të mëkëmbur vendin e tyre në kuadër të ndihmës, kanë shkuar në xhepat e klasës politike me tendera dhe donacione të shumta. Para një viti, e shtrënguar nga komuniteti ndërkombëtar, Greqia deklaroi falimentin. Një gjë që pritej prej kohësh dhe prapë e çuditshme dukej. Evropa gaboi kur nxitoi të shpallte divorc me vendin e Helenëve. Greqia, e famshme me Kalin e Trojës ka hyrë në histori dhe nuk ka për të dalë kurrë me një Evropë me thinja. Thënia e famshme e Odiseut se vdiq trimëria por jo dinakëria greke, i habiti edhe më skeptikët. Ç’ndodhi?! Ndodhi ajo që s’do ta dëshironte asnjë prej evropianëve. Greqia u dëbua nga Evropa në mënyrën më poshtëruese ndonëse e meritonte dhe bëri marrëveshje me gjigandin aziatik Kinën që po pret me kohë të bëhet superfuqi e vetme. Para këtij fakti, Perëndimi, perëndoi dhe nuk i erdhi turp që atë që pështyu u përpoq ta lëpinte nga zori kur ndjeu rrezikun. Greqia asnjëherë nuk ka qenë e saj dhe mjerisht as sot nuk e ka të vetën. Kjo lëvizje bëri që “burrat” më të zotë të Evropës të mblidheshin për të diskutuar edhe një herë qëndrimin e tyre ndaj vendit më problematik që njerëzimi ka njohur. Vizita zyrtare e presidentit kinez në Greqi para disa kohësh dhe servilizmi i treguar i të zotit të shtëpisë para opinionit ndërkombëtar dukej se qe sheshit një lojë që vetëm ajo e luan bukur.

Me Kalin e Trojës, Evropa u gjunjëzua para këtij fakti. Madje aq shqetësuese është lëvizja diplomatike e saj, sa shteti më i fuqishëm i kohës, Izraeli ndërmori një vizitë zyrtare për të normalizuar gjendjen. Kancelaritë evropiane janë vënë në siklet pas kësaj çoroditje, me pasoja për të ardhmen e ekonomisë së tyre. Evropës dhe ca më shumë Izraelit nuk do ti pëlqente aspak një korridor mallrash ardhur nga lindja e largët drejt një Evrope që nuk ka më ç’të japi. Kjo do të fundoste përgjithnjë ekonominë shumë të zhvilluar të agrobiznesit të izraelit si vend i parë eksportues dhe partnerëve të tyre mikpritës të perëndimit të plakur në anën tjetër të globit. Në lojë janë futur shumë aktorë. Qasja e Izraelit me Greqinë në kuadër të mbrojtjes së vendit me stërvitje të përbashkëta është shumë e çuditshme për nga qëllimi, por jo e papritur. Kjo do ti jepte mundësi Izraelit të kontrollonte eksportin e mallrave kineze drejt Evropës së uritur. Papritur Greqia kujtohet dhe ngre alibinë e një thesari të moçëm, por jo të besueshëm siç duan ta paraqesin intrigat. Thesari i Ali Pashës s’është gjë tjetër veçse kushti që Greqia i ka vendosur kandidatëve se kush mund të ketë të drejtën për të bashkëpunuar me grekët në të ardhmen fatlume dhe fatkeqe njëherësh. Në krahun tjetër Kina, si perandori e botës nënshkruan marrëveshje me çmime konkurruese. Rusia, si aleat i përhershëm dhe ultraortodokse po luan shumë qetë ndaj një Greqie dashamirëse sa herë që e do puna. Përballë ka një Evropë që nuk bën gjë tjetër veç se ngjall konflikte me gabime fatale. Ndaj një Greqie dinake, gjunjëzohet perëndimi i plakur. Greqia vetë është thesar dhe veten e ka nxjerrë në ankand për një shitje të kripur, si nuse e plakur. Kundrejt thesarit me ar, që pritet të gjendet, është një thesar me borxhe dhe një thesar me fat,që nuk dihet kush do ta marri. Greqia nuk ka rrugë tjetër, veçse të vazhdojë lojën. Fundi, me fat apo me borxhe, është thesari i pritshëm që pritet nga nëntoka.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00