Liderët Banditë të Tranzicionit
Përkundrazi! Ajo që i mungon atij është pushteti i mirëfilltë dhe lavdia!
Nga Artan Mullaj
Furia shkatërruese e ambicjes së vjetër të ish-liderit socialist, ngjan me një dallgë oqeani të trazuar. Fatos Nano është rrikthyer në perceptimin e njerëzve me zhurmën shkumëzuese mbartin ndodhitë absurde: “unë jam këtu, dhe do të jem këtu deri në finalen e vështirë të sfidës së fundit”.
Në perëndim, në vetmi, në mohim, tani ish-lideri i spikatur të kujton ujkun e zhgënjyer që i është rikthyer gjahut të vet, pushtetit; i ngopur dhe i pangopur njëherësh si dikur, ai që vetë e kish shpërfillur e braktisur kohë më parë, tani i është rikthyer ambicieve dhe surprizave të reja sërish, me një uri të paparë. Dëshira e papërmbajtshme për t‘u bërë President nuk është më thjesht një nevojë biologjike dhe nuk është vetëm energjia e instinkteve të origjinës që e shtyjnë zotin Nanon të synojë të jetë përsëri i rëndësishëm siç ka qenë. Kjo është e kuptueshme. Në fund të fundit, Nano nuk ka nevojë për para, për costume, për foristrada, për sedër bajraktari, për sfida konkurrencash ekonomike, sepse këto gjëra ai i ka, e mesa duket do t‘i ketë përgjithnjë. Përkundrazi! Ajo që i mungon atij është pushteti i mirëfilltë dhe lavdia! Ai është një pushtetar i lindur dhe tiparëzohet me një dinamikë shpirtërore që ashtu si vullkanet, nuk mund të qëndrojë në heshtje shumë gjatë. Ashtu sikundër tigri tjetër i politikës dhe i mashtrimeve të mëdha, Sali Berisha, edhe ai ka vetëdijen e pastër të udhëheqësit autokrat, sipas së cilës ai është përjetësisht i domosdoshëm në arenën monopol të të sjellurit vërdallë. Ndaj edhe mungesa e gjatë në pushtet i ka prishur shpesh ekuilibrat dhe qetësinë. Njëlloj si Sali Berisha, që është shumë i sigurtë për emblemën kombëtare që përfaqëson, kryetari historik i socialistëve është gjithashtu hormonisht i përkëdhelur me bindjen se jo Saliu, jo Meta dhe sidomos jo Edi Rama, por ai, dhe vetëm ai, është politikani absolut e i pakonkurrueshëm në Shqipëri.
Prandaj, i ndodhur sot përkrah ish kundërshtarëve më të egër të karierës së tij, Berishës dhe Metës, rastësisht, ose jo rastësisht, lideri klasik i socialistëve është kthyer si dhëndër nga vjeshta e tij, me gjethe të verdha të rëna, ashtu si rrikthehen dallgët e mëdha, për të matur mllefin e tyre. Edhe shofer, edhe dhëndër i ri, edhe pjesë e vullnetit kolektiv të bashkimit liderik përballë Ramës, duke dalë hapur ose fshehur kundër atij, për një llogjikë interferimi, ai nuk e fsheh gjithashtu edhe protestën instiktive ndaj zotit vetë, që ende nuk ka vënë dorë në ëndrën e tij për t’u ulur në kolltulun e rëndë të Bamir Topit.
Nga ana tjetër, martesa e dhëndrit fodull me nusen e ndruajtur të LSI, ndërsa vetë ajo është gjithashtu nuse e dyfishtë ( edhe e demokratëve), vërteton edhe diçka tjetër veç urtësisë së kësaj të fundit. Në këtë kohë të vështirë për karierë, Ilir Meta, që nuk i ka qejf kundërshtitë, i lirë dhe i lehtë, ka hapur këmbët e një mundësie të re, për të shpëtuar karierën e tij në të ardhmen. Kariera e ardhshme e kryetarit të LSI, është një perceptim po aq i brishtë sa është edhe frika, se hipokrizia e tij për integrimin e vendit nuk mund të ketë shumë histori. Frika e tij e karierës, nga njëra anë dhe babëzia biologjike e Nanos për t’u bërë president, nga ana tjetër, janë dy fuqitë e mëdha të lidhjes sentimentale pas sherreve të vjetra, kur të dy qenë këndezë në kotecin me shumë pula të PS.
Surpriza kolektive e këtij realiteti vjen për shkak se dhëndri tropojan nuk ka pikë xhelozie për dashurinë e re të nuses së vjetër.(një vit nusërim në politikë nuk është pak). Si dhëndër në fuqi, Berisha nënqesh me nusërinë e re të Ilir Metës, jo vetëm sepse dhëndëri i ri Fatos Nano është ortak i vjetër me të në planet e shkatërimit, por sepse ai i ka qejf orgji të tilla, mjegullnaja të tilla, pazare të tilla, nëm edhe mer, jap edhe marr me dy duart dhe me dy emrat e tjerë të politikës së mjerë të tranzicionit.
Sot është një kohë e mirë për të bërë supozime… Kryetari trupngjeshur i LSI-së, (nusja), nganjëherë duket sikur i ka të dukshme në fytyrën e mallëngjyer njollat e dyshimeve për vendimin e marë para një viti për të qeverisur bashkë me Berishën. Sepse, pavarësisht sigurisë së paqënë dhe ndershmërisë së paqënë, që edhe ky shpalos ne ekrane bashkë me të tijtë, një vit e ca pas koalicionit me demokratët, ai dhe të tijtë nuk e dinë dhe nuk mund ta dinë,( ashtu si nuk mund ta dinin as atëhere kur i thane “po” koalicionit), se çdo të ndodhë këtej e tutje me forcën e tij politike. Ka një kurreshtje publike sot për aksionet reale të LSI-së në tregun publik. A ekziston më realisht kjo forcë politike? Takimet dhe fjalimet demagogjike të kryetarit të saj, nëpër salla që mbushen me njerëz të detyruar të administratës, në shpirtrat e të cilëve sundon frika e humbjes së punës, në rast mospjesëmarjeje, vështirë të japin një përgjigjje që do fshinte pëshpëritjet se lëvizja socialiste është ç’integruar.
Sot më shumë se kurrë, frika se nga një forcë politike, LSi s’është veçse një mbetje e brishtë mblesërie, është reale. Mbas një viti e ca, kjo nuk thuhet, por ndihet, dhe kryetari I LSI-së, i cili në fakt dhe për fat të keq nuk spikat për intelekt të veçantë, ka prapëseprapë aq përvojë të dobishme në politikë sa tu besojë instikteve të tij, që me siguri i kanë tundur në vesh këmbanat e gabimit fatal të dasmës së gabuar një vit më parë.
Mbase është koha për një dasëm të re, mes treshes së vjetër…
Kush nuk do ta mendonte se një kthesë e papritur e Ilir Metës drejt origjinës së majtë mund të dukej normale dhe dëshmi e një shkathtësie politike të bërë me vonesë, e cila do ti shërbente vendit shumë më tepër se hipokrizia e integrimit, me të cilin ai lufton përditë për të justifikuar tradhëtinë e dikurshme. Një kthesë e tillë do të ishte e mirëvlerësuar si ndjesë, në këtë kohë të mbushur me ftesa për vendime të mëdha. Por, duket mjaft e vështirë të kalojë në mëndjen e kryetarit të Lsi-së ideja për një divorc të mundimshëm, për sa kohë Edi Rama është në krye të kauzës së opozitës për zgjedhje të ndershme në vend. Dhe duket e pamundur, për sa kohë që Berisha është dhe qëndron në krye të qeverisë vetëm falë tij. Kjo dhuratë për kryeministrin, është i vetmi pushtet real i LSI-së, dhe ministri i energjitikës sot, për këtë shkak, është i varur dhe i mpleksur në merakun se humbja e këtij pushteti do të sillte rënim të plotë për atë. Dhe duket aq më shumë i pamundur, tani që koalicioni i tre liderëve të politikës së tranzicionit, është në një front llogjik dhe në një betejë me rrezikun e përbashkët, dhe armikun e, që quhet Edi Rama.
Nëse para një viti ai ishte një patericë për Berishën, sot Berisha dhe Nano nuk janë thjesht dy aleatë të Metës, por janë një shpresë, nëse nuk do të jenë një ngushëllim për atë.
Në fakt, jo vetëm gjykimi i së ardhmes, jo vetëm inercia sentimentale e burrërisë së Ilir Metës, për të mbajtur premtimin dhënë Berishës dhe jo vetëm babëzia e tij historike për pasuri dhe pushtet, njëlloj si e Nanos, janë arsyet që përjashtojnë divorcin fatal. Përveç këtyre, dhe sidomos përveç ringritjes shqetësuese të Edi Ramës, ka edhe një arsye të qartë se pse ai duket se do vazhdojë të qëndrojë në llogoren e pistë të Berishës. Kjo arsye nuk është vetëm rënia e sigurtë e aksioneve të tij në mbetjen e LSI-së, çka do të thotë se kryetari i saj nuk e ka më çdo gjë në kontroll brenda partisë së tij si një herë e një kohë. Kjo arsye duket se është Fatos Nano. Si zgjedhje gabim të së shkuarës, të tre i kanë duart në të njëjtin brumë, në përpjekje për të gatuar mallkimin e radhës për këtë vend, ndërkohë që lista e gjatë e problemeve të mëdha të qytetarëve shqiptarë është vepra e tyre.




del.icio.us
Digg

Post your comment