Home | Opinion | Për thesarin e Ali Pashës çirren politikanët...

Për thesarin e Ali Pashës çirren politikanët...

image
...po për Thesarin e vjedhur të Shtetit pse heshtet?  

 

 

 

 

Nga Pirro Prifti

 

Historitë me thesare dalin në përgjithësi kur ka kriza ekonomike-financiare. Kriza greke që ka dëmtuar rëndë reputacionin e Greqisë ka sjellë dhe shpresa nga më të çuditshmet për të rimarrë veten . Në këtë rast doli përsëri historia e vjetër dhe legjendare e thesarit të gjakatarit Ali Pasha Tepelena, me shpresën se gjetja e këtij thesari përrallor do të shpëtoka ekonominë greke njëlloj si luftrat pa kuptim të pashait pervers të cilat sollën në mënyrë paradoksalë çlirimin e Greqisë nga sundimi turk disa vite më vonë. U hap edhe njëherë historia 200 vjeçare e thesarit të Ali Pasha Tepelenës, dhe njëri nga politikanët tanë menjëherë përmend se ... “nëse gjendet të shpërblehet por ti jepet Bashkisë së Tepelenës”. Se ku e gjeti këtë ide ai e di por ajo që dihet me siguri është se Ali Pasha Tepelena i ashtuquajturi gjakatari e që i kishte kënaqur të gjitha veset e mëkatet e njeriut në këtë botë e tani është në Ferr, ka sunduar mbi Shqipërinë e jugut- Toskëri, Labëri, Kaoni, Epir –dhe pasuria e vënë nga ai me hajdutllëqe, vrasje, shpronësime, pushtime, pabesia, - në fakt duhet të ndahet midis dy shteteve: Greqisë dhe Shqipërisë e jo vetëm për bashkinë e Tepelenës.


Në fakt nuk i dihet.
Thesari mund të jetë fshehur diku edhe në Kalanë e Tepelenës, apo në ndonjë nga mijra varret e hapura nga gjakatari tepelenas. Historia e thesarit legjendar të Ali Pashait është e vjetër dhe kërkimet e grekut-australian Vangelis Dimas (Vangjel Dhima, që sigurisht do të jetë ndonjë shqiptar minoritar) në fshatin Vassiliki sigurisht do të përfundojnë pa sukses sepse si hajdut shqiptar që ishte Ali Pashai nuk mund ta ketë fshehur larg vendbanimit të tij thesarin e aq më tepër larg tokave të sunduara prej tij. Ndoshta ka sukses. Më i njohur nga thesari i Ali Pashë Tepelenës është Diamanti “Spoon maker”, një diamant 16 gr - 86 karatësh në formë dardhe, i rrethuar nga një rradhë e dyfishtë prej 49 diamantesh të tjerë që gjendet në Muzeumin e Pallatit Top-kapi dhe quhet krenaria e tij. Mendohet se është i tij sepse 49 brilantet janë dhuruar nga Ali Pasha për ti rritur vlerën këtij diamanti, kurse vetë diamanti është marrë nga Ali Pashë Tepelena në betejën e Nikopolit me 1798 në qytetin e Prevezës. Përsa i përket thesarit prej 40 tonësh ar të tij ende nuk ka ndonjë gjurmë të tij megjithë përpjekjet 200 vjeçare të kërkuesve të ndryshëm të thesarit të cilët e kanë kërkuar qoftë në Janinë, qoftë, në Shqipërinë e sotme, qoftë dhe tani në Vassiliki të Trikallas. Sigurisht leja nga qeveria greke është me “pashë” për këtë kërkim, sepse në këtë mënyrë qeveria greke mendon që të lehtësojë sadopak borxhin e rëndë që ka prej rreth 300 bilion euro një borxh që e ka fundosur ekonominë greke.

Po kështu megjithë përpjekjet heroike të qeverisë shqiptare që të pengojnë rrëshqitjen drejt një krize totale në Shqipëri, fati e ka ndihmuar Shqipërinë sepse dihet që ajo ka edhe rreth 40% të GDP aktuale si një rezervë paraje informale që flenë jashtë sistemit bankar shqiptar, diku në xhepa, dyshekë, jastëkë. Gjithashtu dhe paratë e emigracionit ndihmojnë në lehtësimin e krizës e cila duket tek niveli i një papunësie relativisht të lartë, por dhe në tregues të tjerë të cilët ekonomistët përpiqen ti maskojnë apo ti ekspozojnë sipas rastit. Unë do ta ktheja ndryshe historinë e këtij thesari legjendar ku politikanët shqiptarë interesohen për ta gjetur sigurisht por, problemi me thesarin tonë të shtetit ende nuk ka ndonjë të dhënë se ku kanë shkuar pjesë të thesarit të shteti shqiptar të krijuar që më 1912. Sipas arkivave, ky thesar është prekur nga qeveri të ndryshme shqiptare sidomos pas viteve 1920 (gazeta Albania, “Floriri shqiptar, si është përdorur thesari shtetëror nga qeveritë ndër vite”). Sipas Profesor Calmes i Lidhjes së Kombeve më 1922, deklaroi se thesari e Shtetit Shqiptar përbëhet nga 320 ton ar (çfarë rastësie- njëlloj sa thesari i Ali Pashait). Zogu kur u arratis, mori më shumë se 112 kg ar me pretendimin se mori rrogën  e 12 muajve?! Gjatë qeverisë komuniste humbën rreth 280 ton ar dhe askush nuk hapi gjyq pas rënies së diktaturës për këtë problem por akuzuan në mënyrë qesharake ish-byroistët për kafe e për gjëra të vogla?!

Qeveria komuniste e Enver Hoxhës deklaroi se kjo sasi u vodh nga gjermanët por asnjë konfirmim nuk ka në arkiva dhe asnjë interes nga shteti i sotëm shqiptar nuk vërehet për këtë qëllim. Dihet që gjatë viteve 1992-1993 thesari i shtetit lëvizi nga xhunglat e Skraparit për në Krrabë, por nuk dihet nëse u prek apo jo. Vjedhja më e bujshme u deklarua në vitin 2000 gjatë qeverisjes së majtë.Lideri demokrat Sali Berisha në Parlamentin e vitit 2000 përmendi këtë fakt dhe foli me shumë ashpërsi për këtë vjedhje. Sipas gazetës “Albania” në shkrimin e botuar nga Ervin Koçi thuhet: “Në Kuvend lideri demokrat Sali Berisha akuzoi hapur qeverinë për vjedhjen e thesarit të shtetit. Berisha kërkoi dorëheqjen e kryeministrit të asaj kohe, Ilir Meta, dhe të guvernatorit të atëhershëm të Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. Ish-kryeministri Ilir Meta, pas akuzave të njëpasnjëshme të opozitës, kërkoi që të evidentohet gjendja e thesarit. Rezultoi se vlera e arit që mungonte në thesar ishte e barasvlershme me 2 milionë e 800 mijë dollarë. Ish-kryeministri Ilir Meta deklaroi se që nga viti 1997 nuk ishte kontrolluar gjendja fizike e thesarit dhe deri atëherë askush nuk kishte pse të dyshonte se thesari ishte grabitur. Meta shprehej se “nuk e kuptonte se nga e dinte Partia Demokratike që thesari ishte prekur apo grabitur?”. Sipas ish-kryeministrit Meta, ky thesar ishte cenuar në kohë të ndryshme dhe në të njëjtën mënyrë, dhe ka filluar shumë përpara vitit 2000. Meta tha se të dhënat të çojnë në vitin 1997. Pas zbulimit të shumës së vjedhjes hapet dosja “Thesari”. Prokuroria ushtarake nis hetime mbi autorët e vjedhjes së thesarit të Kërrabës. Akuzohen pesë banorë të fshatit Kërrabë. Tuneli i fshatit Kërrabë, ku në vitin 2000 ndodhej thesari, sot ruhet ditë-natë nga forcat e Gardës. Pranë këtij reparti ushtarak nuk mund të futet askush pa lejen e Ministrisë së Brendshme. Enigma e vjedhjes së thesarit në vitin 2000 vazhdon të mbetet e tillë edhe pas 6 vjetësh. Nuk ka asnjë përgjegjës për grabitjen e thesarit, që ruhet në tunelin e Kërrabës, dyert hermetike të të cilit mund të hapeshin vetëm nëpërmjet një kodi të veçantë’’.
Me sa duket vjedhja do të jetë bërë në vitin 1997-1998, dhe më vonë duhet të jetë pasuar me vjedhje të vazhdueshme. Fajtorët e vërtetë as u gjetën dhe as nuk u akuzuan ndonjë herë përveç disa fshatarëve të cilët u gjetën fajtorë me të drejtë sepse kishin disa monedha ari. Po kush e hapi tunelin? Kush janë rojet e tunelit? Kush janë përgjegjësit e rojeve të tunelit? Një mundësi e mirë e qeverisë së sotme shqiptare është edhe kjo e fundit: të gjenden vjedhësit e thesarit shqiptar në mënyrë që të gjenden paratë e nevojshme për të shmangur krizën që po afron në Shqipëri. Greqia nuk e ka gabim; i ka hyrë punës për gjetjen e thesarit 200 vjeçar të Ali Tepelenës. Edhe Shqipëria të shkojë në gjurmët e grekëve: të gjejnë thesarin e vjedhur 10 vjeçar shqiptar.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
4.50