Vetëngrënësit
Përse, përse të jemi vetngrënës, kur mirëdihet se ne jemi pasardhësit e Olimpit, bijtë e Diellit dhe nipërit e Hënës?
Nga Lirim Deda
Thonë e ç'nuk thonë. Por legjendat tash vonë, janë bërë realitet, nga që shqiptarët vijojnë të përtypin trungun e vet.
Nuk është thjesht puna e trojeve, ku prehen kockat e të parëve arbër, është kodoshllëku i lojërave, që duan të tjetërsojnë pragun.
Se pragu, në ballë të shtëpisë, si oda e burrave të pleqësisë, ka pas qenë shënjimi i kufirit të fisit dhe jo i pisit. Por ja që tradita modernizohet, në këtë rrokopujë, dhe vetvetiu toka tjetërsohet, çairin tim me gjithë lëndinat, ti evropiançe m’i rrëmben heshtas, pa bujë!
Përse, përse aty ku me babë e me nënë, me troje, denbabaden ishin e janë gjak shqiptari njëqind fish se sa ata që këmba, fatkeqësisht, s’ua ka zënë dhënë, na dalin trojet na i marrin?
Unë jam kokë, ti je gropë, unë jam top, ti je …, unë jam shkop, ti je lopë dhe kështu shqiptarët dhe sot e këtë ditë, teksa rreken të përqasen me perënditë e lashta, që u takojnë, mbeten bujashka që as ardhacakët e vonshëm nuk i kujtojnë.
Që ne shqiptarët kemi pas qenë vetngrënës, këtë e diçka më mirë babai i babit dhe nëna e nënës. Përndryshe, Shqipëria në Evropë do ish dallëndyshe dhe asnjë parlament i ditëve moderne sado guxonte të na emërtonte vemje.
Historia dhe gjithë enciklopeditë, shkencëtarët e politikanët, s’ia falin mbretit Zog, as sot e këtë ditë që sllavëve jua fali nga një copë vatan.
Eh, ishin motet tridhjetë, eh ishin kohë me reshje e vetëtima dhe Zogu, si zog këngëzonte nën gjethe e degë, se fundja sllavi nuk ish bisha.
Por sot kur Shqipëria po hyn në NATO e në BE, për ne u dashka që mëvetësia të bëhet për ujqërit pre?
Sepse më duhet mua të mbretëroj pa kufi, në ca vise që m’i kanë dhënë hua, për të më njohur si mbret në mbretëri.
Të ishte fundosja vetëm këtu, këtu ku rrënjët ka Arbëria, unë i protestës do isha një hu, që s’do vleja as për kufiret e mia
Po ç’të bëj e ç’të them për rrjedhën e gjakut tim, që i ka kufijtë e pragut në Strugë e Ulqin?
Përse, përse të jemi vetngrënës, kur mirëdihet se ne jemi pasardhësit e Olimpit, bijtë e diellit dhe nipërit e hënës?
Ky popull, i tejngopur me parulla e fjalë, ndjehet tej i lodhur, i çoroditur, nga që të njëqind partitë e kanë përçitur.
Por, oh, fatkeqësisht, që nga vitet nëntëdhjetë, përçorët s’kanë qenë të selitur, por pleq, pleq, pleq.
Pleq jo i duhur kuventarë, kuventarë të një pleqësie të ndershme, por ministra të një atmosfere të potershme.
Dhe na del, që nga mëngjesi në drekë, brigadieri me shtatëvjeçare, profesor doktor i vërtetë, me diplomën fallco.
Hajde e ec o Shqipëri në Evropë, po se po, por edhe në Oqeani, të hyn e del si kodoshi.
O vemi, ku vemi, do jemi, s’do jemi, ne të kulturuarit banorë të Trojës, ne të miratuarit pellazgë të hershëm, ne Ilirët në Evropë më të ndershëm, do jemi a s’do jemi evropianë, kur baballarët tanë mbetën në istikame dhe kur nënat tona Dodonës Antike frymë i dhanë?
Oh, ne jemi thjeshtë vetngrënës, punë e madhe se paskëshim, qenë bij, bija të babës e nënës.
E, ç’na duhet mbreti Zog i parë, eh, ç’na duhet diktatori i II – të, lum ne që kemi mbretin e III-të, që e kuptoi se ne shqiptarët paskëshim pasur me tepricë edhe tokë, edhe det.
Toka shitet me një Euro, deti shitet me një lekë. Oh, po ku paskëshim qenë, kur në ditët tona, një shtet si ne Kina, as nuk e nënkupton vetveten pa Taivanin, që denbabaden ka qenë truall i Mao Ce Dunit?
Shqipëri!
Teksa Skënderbeun ta rrëmbyen, teksa Naimin e Fishtën ta mohuan, teksa Nder Mjedën e Hasan Prishtinën e sulmuan, s’të mbetet tjetër në analet e historisë.
Dhe kush, kush i paguan me gjakun e shqiptarizmës rrufjanët e sotëm të politikës, që ushqejnë me çdo mënyrë e mjet vetngrënien e shqiptarëve, në dheun amë, në Shqipëri, por edhe në Maqedoni në Mal të Zi?
Vetngrënësit janë brenda nesh!
O zot, që asnjë sekondë nuk të kam besuar, të falem vetëm nëse shqiptarët do ti shikoj të bashkuar.
Unë ateisti i pabindur.




del.icio.us
Digg

Post your comment