Home | Opinion | Kriza e kontrollueshme

Kriza e kontrollueshme

image
Detyrimi i Sejdiut që të japë dorëheqje nga njëri nga postet mund të shkaktojë një tërmet në skenën politike dhe destabilizim serioz të formulës aktuale të qeverisjes të koalicionit të madh.

 

 

 

 

Shkelzen Maliqi

 

Burime nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës kanë konfirmuar - ky ende nuk është lajm zyrtar – se Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu ka bërë “shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës”, duke e mbajtur edhe postin e dytë, atë të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si bazë e vendimit është marrë Neni 88 i Kushtetutës, ku decidivisht thuhet: “Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik. Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.

Që nga aprovimi i Kushtetutës, nga Fatmir Sejdiu dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës është kërkuar që ta shqyrtojnë kushtetutshmërinë e rezervimit nga ana e tij edhe të mandatit të Kryetarit të Partisë, me një formulë gati ashiqare mashtruese, pasi posti i dytë i Sejdiut në parti ishte shpallur - i ngrirë. Por, kjo vërejtje nuk është marrë seriozisht derisa një e treta e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk e ka parashtruar këtë çështje para Gjykatës Kushtetuese, dhe tash është gati e sigurt se e kemi një verdikt sqarues të e instancës e cila duhet ta mbrojë kushtetutshmërinë në vend.

Nuk dua të hyj në analizën e shkaqeve pse ndodhi kjo që ndodhi, por vetëm po e rikujtoj opinionin se formula e ngrirjes së postit partiak nuk është shfrytëzuar për herë të parë. Ajo ishte shpikur për ish-Presidentin e Kosovës, të ndjerin Ibrahim Rugova, dhe atëbotë kjo formulë konsiderohej si një gjetje pragmatike në suazat e Kushtetutës së mëhershme të përkohshme të Kosovës, në një periudhë kur Kosova para vetes kishte sfida të mëdha me fillimin e negociatave. Autoriteti i pakontestueshëm i Rugovës në partinë më të madhe asokohe, konsiderohej si një gjë që nuk bën të prekej dhe të krijohej një lloj jostabiliteti i parakohshëm. Fatmir Sejdiu dhe Kryesia e LDK'së, pas krizës së kësaj partie që solli deri te çarja e madhe, sërish u kujtuan për këtë formulë të ngrirjes formale, në mënyrë që në parti të mbetej një autoritet si Sejdiu, për të ndalur erozionin e mëtejmë që kërcënonte me një katastrofë edhe më të madhe për LDK'në.

Por, tani që kaluan më shumë se dy vjet nga shpallja e Kushtetutës, Kryetari Sejdiu dhe LDK'ja nuk mund ta kenë më privilegjin e shkeljes së ligjit për shkak se kjo parti edhe më tej mbetet peng i vonesës së demokratizimit të brendshëm. Nëse LDK'je e ka pasur aq të rëndësishme dhe të domosdoshme që në krye të partisë ta mbajë një autoritet të “ngrirë” si Sejdiu, i cili nuk hiqte dorë nga posti i Kryetarit, kjo thjesht është bërë dëshmi e një nënçmimi të vetë partisë e cila nuk ka mundur të gjejë edhe një lider tjetër të formatit që do të bëhej o Kryetar i Partisë, o i Kosovës, në vend të “pazëvendësueshmit” Sejdiu.

Në fund të fundit, është treguar se Sejdiu nuk ka qenë vetëm shpëtues, por edhe bllokues i zgjidhjes. Ai personalisht nuk gjeti forcën - që nga shkarkimi dhe largimi i Blerim Kuçit nga LDK’ja, kur ky kishte propozuar një formulë demokratike të ndarjes së dy posteve - që një lider tjetër ta merrte partinë, nëse atij i kishte parapëlqyer me çdo kusht mbajtja e postit të njeriut të parë të Kosovës.

Pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me gjasë, nuk do ta prekin vetëm LDK’në, e cila do të mund të ketë edhe dobi nga zhbllokimi i situatës. Detyrimi i Sejdiut që të japë dorëheqje nga njëri nga postet mund të shkaktojë një tërmet në skenën politike dhe destabilizim serioz të formulës aktuale të qeverisjes të koalicionit të madh. Aktualisht, nuk mund të parashihet kahja e proceseve, sepse janë të mundshëm skenarë të ndryshëm - disa ndoshta edhe nuk do të kanë pasoja dramatike, por të tjerët gjithsesi do të çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Nuk e di sa do të mund të jetë i dobishëm në këtë moment një numërim i shpejtë i këtyre opsioneve të mundshme, sepse vlerësimi parashikues nuk duhet të niset nga dëshirat dhe llogaritjet e kësaj apo asaj partie, ose këtij apo atij grupi politik. Një analizë e këtillë e faktorëve në lojë do të nxirrte vërtet kombinime të ndryshme. P.sh., një variant është që Sejdiu do të heqë dorë nga LDK’ja, të cilën do ta marrë Isa Mustafa; kjo do ta bënte LDK’në më agresive dhe më të përgatitur për zgjedhje, qoftë të parakohshme, qoftë në afatin e rregullt.

Por, mund të ndodhë që Sejdiu të detyrohet ta lëshojë postin e Kryetarit të Kosovës dhe ta shkrijë atë të Kryetarit të Partisë; atëherë LDK’ja do të duhej të delegonte një lider tjetër në instancën më të lartë të koalicionit. “Kënd?”, është pyetja një milion dollarëshe. Një skenar tjetër më i ashpër do të ishte nëse deputetët që kanë kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas një verdikti të ashpër, siç thuhet, të “shkeljes së rëndë të Kushtetutës”, do të mund të kërkonin shkarkimin e Sejdiut. Nëse në Kuvend do të votohej shkarkimi me 2/3 e votave, ky do të ishte sërish një dështim i rëndë i vetë koalicionit në pushtet dhe një goditje e rëndë për autoritetin e Sejdiut që të mbetet udhëheqës i partisë. Kundërshtarët e tij do të shtronin pyetjen nëse për të ardhmen iu duhet një dështak si Sejdiu për sfidën që e pret LDK’në në zgjedhje.

Një nënvariant i këtij varianti do të ishte nëse për shkarkim nuk do të siguroheshin 2/3 e votave në Kuvend, por do të ishte një mosbesim i shprehur që i afrohet këtij numri, dhe ku edhe një pjesë e deputetëve të PDK’së dhe LDK’së do të shprehin mosbesimin. Po kështu, nuk është i pamundshëm as skenari që krizën e qeverisjes dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme ta kërkojë Hashim Thaçi - për dy arsye. E para, sepse konsideron se ky është moment i volitshëm, pasi vlerëson se ende është në përparësi dhe llogarit se PDK’ja do të dalë partia më e madhe dhe do të fitojë një mandat të ri 4-vjeçar për veti. E dyta, ngase një krizë e tillë do ta prolongonte fillimin e dialogut në Serbi, dhe ai sërish llogarit se është më mirë që dialogu të fillojë pas zgjedhjeve dhe jo tani, sepse do të kishte ndikim negativ në popullaritetin e tij nëse do të detyrohej të bënte kompromise të reja.

Por, të gjithë këta skenarë mund të dalin si spekulime nëse nuk maten me peshoren që do ta ketë në dorë faktori kryesor i krizës dhe i zgjidhjeve – ndërkombëtarët - që kanë adresë të qartë: SHBA-të dhe BE-ja. Kjo peshore është ajo e vlerësimit të stabilitetit të opsioneve, se a duhet apo jo që Kosova të futet në krizë qeveritare dhe në zgjedhje të përkohshme, dhe a i duhet apo jo një krizë e re e LDK’së.

Në analizat e Dragodanit dhe zyrave në Uashington e Bruksel, duhet kërkuar çelësin e parashikimeve të një krize të kontrollueshme.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00