Home | Opinion | Komunistokapitalizmi

Komunistokapitalizmi

image
Çmimet e referencës me pronën, fantazi e komunistokapitalizmit qeverisës. 

 

 

 

Faik Islami

 

Një prej problemeve më të mprehta të krejt periudhës nën sitemin e ri, ka qenë e do të mbetet edhe për shumë kohë problemi i pronësisë mbi tokën.Zgjidhja e problemeve të pronësisë u nis keq, u zbatua shume keq dhe vazhdon të trajtohet keq e me keq. Cilido ligj apo nen i aprovuar dhe cilido prej tyre kur është tentuar për përmiresime ligjore, nuk mund të pohojmë se ka rregulluar punën me pronësinë mbi tokën. Flasim për tokën sepse rregullimet, për të gjitha pronat e tjera pothuajse janë tashmë te pamundura. E ka marrë ferra uratën. Mirëpo edhe kthimi i tokës, kullotës, pyllit, pronarit, jo që nuk rregullohet, por po komplikohet. Biles sikur ka filluar të flitet më shumë për kompensime se sa për shpejtimin e kthimit të pronave. Kur dihet mirë që fatura e kompensimit, për nga vlera e madhe dhe ritmet e derisotme do të dojë gati një shekull. U pa që më shpejt u bëka ligjërimi i atyre që rrëmbyen toka se atyre që u është rrëmbyer. E keqja mbetet dominante mbi të mirën.
Dhe nuk mjaftojnë hallet e shumta të zvarritjes së kthimit, të mbivendosjeve e shpërdorimeve, të djegieve të dokumenteve hipotekare dhe falsifikimeve te tyre, por sapo pronarët mund të shpresonin se mund arrinin diçka, ja behu taksa e sheshtë e cila bllokoi cilëndo shpresë, për të parë brezi i vuajtur ndonjë fije hajri. Taksa e sheshtë është kthyer në element bllokues të mundësisë, për treg kapitali të tokës, kullotave dhe pyjeve. Në se mund të bëhej fjalë për ndërtesat e shitblera dhe të regjistruara, nuk është e njëjta gjë për ato të regjistruara në fillimet e kthesës. Problemet që po sjell kjo masë me fuqi pasvepruese është nga më djallëzoret të ndërmarra ndonjë herë.

-Pse taksa e sheshtë është element real bllokues

Është bllokues sepse nuk gjen zbatim. Ndërsa ka dalë ligji për tu zbatuar prej një janarit të këtij viti,nëpër Z.R.P.P lujtëshme është bërë mal kapica e kontratave që nuk zbatohen. Të gjitha masat që do të zbërthenin zbatueshmërinë e saktë të saj akoma edhe sot nuk kanë dalë. Ajo është vendosur në mënyrë të pastudiuar, pa u konsultuar me të gjitha grupet e interesit, nuk bazohet në logjikën e tregut, është jashtë kushteve reale të rajoneve, nuk bazohet në parametra shkencorë, por vetëm në mundësi perspektive. Ka për logjikë zbatimin, për derdhje shumash, pa saktësuar më parë se si qysh dhe në cilin kriter bazohet. Kjo është kthyer në dukurinë e masës me efekte të tmerrshme shkatërruese mbi tregun e tokës. Për zbatimin e saj ka dy tre muaj që dalin Udhëzime të cilët ndryshojnë si pa gjë të keqe edhe brenda një muaji nga dalja e të parit. Dhe më keq akoma bazohet të çmime të vëna apriori apo si thirren në çmime të referencës. Ky është një gabim i pafalshëm me efekte të dëmshme afatgjata mbi të ardhmen ekonomike të vendit.
Le të marrim një shembull konkret. Së pari kategorizimi i tokës i bërë prej hartuesve të udhëzimeve të tilla, qoftë për kompensim, qoftë për rastin e shitjeve është term jo i plotë dhe i gabuar. Dhe këtë duhet ta bëjnë specialistët e fushës dhe jo juristët apo ekonomistët. Termi tokë nuk mund të përdoret njësoj si në Radhimë, dhe në Divjakë apo ne Qerret, në Pish-Poro etj, me atë terren që është në Karaburun, në Limjon apo Lëkurës –Sarandë. Ndërsa të parat janë tokë,të tjerat janë gurë në mbi 98 për qind, janë shkëmb.
Nuk mund të jenë kërkesat të njëjta për investime si tek të parat dhe tek të dytat. Pra kur rrekemi të përcaktojmë vlera apo çmime ( nuk kanë fare logjike nxjerrjet e çmimeve për kompensime) që nuk dihet kur do të mundësohen me tregun real të zonës. Janë dy gjëra krejt të ndryshme si në qëllime ashtu edhe në kohëzbatimi. E si mundemi të kemi po këto çmime, kur shpenzimet për blerjet do të duhet të jenë atraktive në kohën më të shkurtër ? Shitjen e pasurisë së paluajtshme e bën hallexhiu. Të marrim një hallexhi në Sarandë i cili nga halli që ka do të shesë pesë dynym tokë kullotë që i është kthyer. E ka regjistruar pa çmim. Sot tregu atje është me 20-25 euro metri katror. Me çmimin e referencës që udhëzon shteti( edhe pse akoma janë në studime e sipër, udhëzimi rekomandon të merret nga Z.R.P.P çmimi i zonës më të afërt) për tu taksuar me 10 për qind i duhet ti japi shtetit 30 euro sipas referencave…! Ka mundësi të realizohet kjo shitje? Kurrë. Ka mundësi të zgjidhi hallin hallexhiu edhe pse e ka një pasuri si mundësi? JO! Pse? Se e pengon shteti. Dhe të mos harrojmë kjo bëhet vetëm për zonën bregdetare sepse në zonat e tjera askujt nuk i shkon ndërmend të shesë apo të blejë tokë. Zonat që do të duhej ti stimulonim i mbingarkojmë me gjithfarë detyrimesh.

Me që shteti përcakton çmim le të jetë ai blerësi

Në këto kushte fshatari i shkretë ka vetëm një mundësi: T’i drejtohet shtetit dhe t’i thotë: Shteti im, ma blej t’i këtë pasuri, me gjysmën e këtij çmimi reference që ke udhëzuar dhe më lër rehat të zgjidh hallin ! Po shteti nuk e blen. Dhe blerës tjetër në këto kushte nuk do të gjendet, atëherë tregu mbeti i bllokuar. E kështu kjo taksë dhe kulisat për vjeljen e saj janë të papërtypura mirë, nuk do gjejë zbatim. Duket që kjo taksë, me çmimet e referencës që ka nxjerrë e po nxjerr për ditë shteti, synon të mbushë arkën e vet me garuzhden boshe. Do bllokojë dhe nuk do të ndikojë në të mirën e qytetarëve dhe të fshatarëve.
Mundet të mendohet se kjo masë do të rrisë çmimet e tokave dhe do ketë blerës potencialë. Pra do të mbushi edhe arkën e shtetit. Nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Makari të vinë, por ku i kemi kushte e tjera neve për ata investitorët e padukshëm që presim. I kemi net ë gjitha si rrugë, ujë, drita etj që të na zilepsin aq shumë sa të bien vdekur, për të ardhur me vrap në skërkat tona për të blerë me këto farë çmime referencash ?.Ja u kemi ofruar tokën e shtetit me një euro dhe asnjeri nuk na ka thënë: Mirësejugjetëm! Ndaj, logjika e vënies së çmimeve të referencave nga shteti për tokat, ku shteti realisht bëhet shitësi i pasurisë së tjetrit, pa asnjë logjikë tregu, është masa më frenuese e gjithë këtyre viteve. Si e tillë, ajo vetëm do të bllokojë dhe nuk do ti japë gjë arkës së shtetit. Ekonominë e fshatarit që e ka atë pasuri nuk do ta ndryshojnë. Kot që e mori atë tokë. Se ka dëgjuar kush për ndonjë masë lehtësuese të biznesit , për ndonjë stimulim në ecjen dhe zhvillimin e zonave potenciale veçse taksa, taksa, tatime, ligje për gjoba, ligj për falimentime dhe sekuestrime…! Ky është roli i shtetit në kapitalizëm? Ku është e mira, dobiprurësja, ndihma dhe lehtësia, ku është njerzillëku ? Po dominon sofistikimi i ndëshkimit, masat shtrënguese, ndrydhja, e keqja.

Kapitalizëm permanent apo komunistokapitalizëm

Një tjetër dukuri që shkel hapur të drejtën e tjetrit mbi pasurinë është llgjika e udhëzimeve, të lëshuara për zbatim si ai Nr.5, apo i ndryshuari më pas me Nr.9.datë 26 .02.2008. Ky i fundit ecën edhe më larg. I jep Hipotekës(Z.R.P.P-ve) e noterëve, të drejtën e vendosjes së çmimeve shtetërore me referenca! Pra pronarit i duhet vetëm të firmosë, se çmimin ja vë regjistruesi dhe noteri. Ja ka vënë shteti i tij! Shteti kështu bëhet planifikues dhe drejtues i çmimeve te tregut….! Kjo është më absurdja që mund të pjellë logjika djallëzore, e paaftë ose e papunë. Në të gjithë botën kapitaliste, është kërkesa dhe oferta që sjell çmimet e shitblerjeve dhe jo shteti, duke udhëzuar magazinierët, apo noterët. Hipoteka nuk është veçse magazinë në të cilën qytetari ka magazinuar një pronë dhe që i paguan asaj magazine një detyrim. Taksat kanë tjetër autoritet me ligj. Kurrsesi në botën kapitaliste nuk mund të gjendet një zyrë regjistrimi pasurie, me autoritet të vendosë çmim shitjeje të pronës së tjetrit. Këtu nuk ka logjikë tregu, por logjikë bllokimi të tregut.
Në se ai që shet dhe ai që blen abuzojnë me vlerën e tregut, gjatë hartimit të kontratës së shitblerjes, në zonën përkatëse ahere agjentët e veçantë të taksave-tatimeve(mundet të kemi agjentë të veçantë të kontrollit të çmimeve të pasurive të paluajtshme) ndërhyjnë duke i rivendosur në parametra të tregut në zonën përkatëse. Mundet edhe me ligj duke u vënë sanksione, për veprimet abuzive. Por, hallexhiu nuk mund të dënohet me çmim të paravendosur prej magazinierit(Zyrës së Regjistrimit të Pasurive) apo noterit, i cili, me ligj ka detyrimin te noterizojë një akt kontraktues mes shitësit dhe blerësit, por jo të vërë çmim. Ta lëmë more të marrë frymë i varfri që e ka një pasuri pa për ta taksuar aty e kemi! Dhe asgjë më shumë. Përse do të duhej të behej kontrata mes shitësit dhe blerësit, tek noteri, kur çmimi që është thelbi i kontratës u vendoska prej hipotekës? Me absurditetet nuk mund të ecë ekonomia në kapitalizëm. Nuk ka dy rrugë për në kapitalizëm. O kapitalizëm real me ligje tregu, o komunokapitalizëm Kinez, me planifikim e drejtim të centralizuar prej shtetit. Ky joni, të paktën në këtë rast, nuk po gjendet në asnjërin prej këtyre dy shinave. Është kapitalizëm allashqiptar.

-Pse heshtin ekonomistët-

Kur kemi një sjellje të tillë nga shteti, me këto ligje skandaloze, si është e mundur të heshtet më së pari nga ekonomistët! Dy janë arsyet. E para ekonomistët tanë duhet të kenë një arësye shumë të fortë deri sa heshtin para veprimeve kaq të dëmshme dhe me pasoja afatgjata. Po bëjnë të njëjtin gabim si atëherë kur heshtën, për efektin shkatërrues të piramidave. Emrat e ekonomistëve më të mirë të dy krahëve, figurojnë të gjithë kreditorë tek piramidat. Ky fakt ka folur qartë se kush janë ekonomistët tanë. Së dyti, shkolla e lartë e ekonomisë, mund të merret me shumë gjëra, por deri sa ajo hesht para ndërmarrjeve të tilla dhe ja u lë juristëve të firmosin udhëzues, për efekte ekonomike të kësaj përmase, ahere kjo shkollë është krejt jashtë loje.
Së treti, neve na mungon forumi qytetar, në të cilin mund dhe duheshin rrahur nisma të tilla, që nuk janë më punë e një qeverie të vetme, por e të ardhmes, e mentalitetit për sistemin, ligjet e tij dhe të drejtën qytetare mbi pronësinë. Do të ishte një nga objektivat më madhore të një opozite të mbarë dhe të fortë, për ta bërë problem të gjithë qytetarëve kur atyre u merren nëpër këmbë kaq lehtazi të drejtat kushtetuese, mbi pronën dhe veprimtarinë e lirë me të. Si mund të luhet me të drejtën kushtetuese të tjetrit, për të shitur lirshëm pronën e tij, por i bëhet “davaxhi” shteti i tij. ? Si mundet të “debatohet me qytetarët”, prej opozitës kur ligjërohen me udhëzues, me shkelje kaq flagrante të drejtave qytetare.! Opozita jonë konstatuese, duket se ka lënë të flasë vetëm Erioni ! Të jenë kaq të angazhuar me të tjera detyra “ekonomistët e mëdhenj” të saj…?

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00