Home | Opinion | Standardi jetësor dhe kriza

Standardi jetësor dhe kriza

image
Fakti që bashkatdhetarët tanë me punë të përkohshme jashtë vendit kanë ndërtuar objekte banimi të stilit modern, ndërkaq nuk është tregues i standardit jetësor të këtyre vendbanimeve.

 

 


Femi Arifi

 


Është krijuar përshtypja se Rajoni i Strugës është një ndër rajonet me standard jetësor më pak të rrezikuar në kushtet, kur flitet për një standard të ulët jetësor në të gjithë vendin. Dhe në të vërtetë kjo përshtypje është krijuar për faktin që një pjesë e mirë e qytetarëve të Strugës me dekada të tëra jetojnë dhe punojnë përkohësisht jashtë vendit në vendet perëndimore, si në Zvicër, Austri, Gjermani, shtetet skandinave , pastaj në SHBA, Kanada, Australi e gjetkë, gjë që ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të këtij rajoni, sepse të gjithë këta qytetarë një pjesë të mirë të kursimeve të tyre e kanë sjellë në vendlindje.

Mirëpo, kohëve të fundit kjo praktikë, pra praktika e sjelljes së fitimeve në vendlindje nga bashkatdhetarët tanë paksa ka ndryshuar, gjë që ka ndikuar edhe në uljen e standardit jetësor të familjeve strugan. Kjo dukuri është determinuar nga disa faktorë, ndër të cilat kryesor është ai që bashkatdhetarët tanë me punë të përkohshme jashtë vendit, në pjesën dërmuese tanimë në vendet ku punojnë dhe qëndrojnë përkohësisht nuk po qëndrojnë vetëm, por me vete marrin edhe familjen më të ngushtë të tyre.


Në këso kushtesh, ata edhe për shkak të ndryshimit të statusit të qëndrimit të tyre në këto vende, nuk mund më të kursejnë aq sa kursenin kur ishin vetëm vetëm atje dhe fitimin e sillnin në vendin e tyre, duke iu siguruar ekzistencën familjeve të tyre. Për më tepër marrja e familjeve të tyre në mërgim ka ndikuar që harxhimet e tyre të shtohen dukshëm dhe për pasojë mundësia për t’i ndihmuar anëtarët e familjeve të tyre në vendlindje ka rënë në minimum.

Ndaj në Rajonin e Strugës mund të shohësh shtëpi tejet moderne , qoftë brenda në qytet, apo edhe nëpër vendbanime rurale, por një pjesë e mirë e tyre janë pa të zotët e tyre. Në vendbanimet ( rurale)shqiptare të rajonit të Strugës gati çdo e treta shtëpi është pa banorët e saj.

Fakti që bashkatdhetarët tanë me punë të përkohshme jashtë vendit kanë ndërtuar objekte banimi të stilit modern, ndërkaq nuk është tregues i standardit jetësor të këtyre vendbanimeve. Rënia e standardit jetësor është evidente sidomos tek ato familje të cilët nuk kanë asnjë të punësuar dhe nuk kanë asnjë familjar që u punon jashtë vendit, por me probleme ekonomike gjithsesi ballafaqohen edhe familjet që kanë të punësuar, por që nuk mund t’i plotësojnë as kushtet elementare për jetese, për shkak të lartësisë së të ardhurave që marrin.

Në situatë të vështirë gjithashtu ndodhen edhe ato qytetarë të cilët, për pasojë të mos gjetjes së ndonjë pune, kanë hapur biznese të vogla për të siguruar ekzistencën e familjes së tyre. Ato thonë se biznesi i tyre po ballafaqohet me probleme të shumta për shkak të mungesës së fuqisë blerëse dhe gjithë kjo për shkak të krizës ekonomike që po mbretëron. Në pjesën dërmuese këto biznese presin që ndonjë fitim të realizojnë pikërisht në sezonin kur bashkatdhetarët tanë me punë të përkohshme jashtë vendit vijnë në vendlindje për të pushuar.

Të përballur me këtë situatë qytetarët që vuajnë pasojat e kësaj krize ekonomike, po përpiqen të gjejnë rrugë të ndryshme për t’u larguar nga vendi. Mirëpo edhe rrugët që ta bëjnë këtë kohëve të fundit janë gjithnjë e më të ngushta. Ndërkohë që në horizont nuk po shihet as një dritë shprese se gjërat mund të përmirësohen në këtë drejtim. Kjo për faktin se edhe për rreth 15 vjet tranzicion asgjë nuk ka lëvizur në drejtim të hapjeve të vendeve të reja të punës.

Në këtë rajon , ku në të kaluarën jo shumë të largët kishte disa gjigantë ekonomik, që grumbullonin në punë disa mijëra punëtorë, janë humbur shpresat se do të mund të ringjallet ndonjëra prej tyre. Nga ana tjetër deri më tani kanë munguar investimet sipërmarrëse që do të mund të siguronin punë dhe ekzistencë për një numër më të madh të punëtorëve.

Në këso kushtesh, qytetarëve të Strugës , ashtu si dhe të gjithë vendit nuk ju mbetet tjetër, pos të bëjnë luftë, secili si mundet, për të siguruar ekzistencën e familjeve të tyre. Një pjesë e mirë e tyre gjithnjë e më shumë po e kuptojnë se në shoqëritë moderne, mënyra e jetesës së tyre dhe fitimit varet ekskluzivisht nga individi. Këtë gjë mbase do të duhet ta kuptojnë të gjithë, sepse rrugëdalje tjetër zor se mund t’u sigurojë dikush.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00