Home | Opinion | Të përjetshmit

Të përjetshmit

image
Gjithsesi, halli i vatanit nuk qëndron vetëm tek uzurpimi i pushtetit nga sharlatanët, të cilët jo në çdo shfaqje janë antiatdhetarë, por ca më tepër nga uzurpimi i shkencës e kulturës...

 

 

 

 

Nga Lirim Deda

 

Çuditërisht nuk janë as zogollianë, as enverianë, por janë askush kurkushi, të cilët duan të mbushin mushkëritë e demokracisë së sotme pluraliste me gjithfarë lloj lëmizhdash të ish kënetave, të nënkuptuara komuniste, por në të vërtetë, të llumishtave me kashtë e me zhukël, në trojet tona të lavdishme, vetëm e vetëm për tu strukur si gjasme një fisnajë e dobishme!

Kur qytetari i sotëm, i ashtuquajturi gjasme demokratik, vetvetiu kujton një emër, a një mbiemër, nga ata të sojit të sojlleshëm të pushtetarëve të përjetshëm, edhe habitet edhe çoroditet. Eh ata të përjetshmit, megjithëse nuk kanë pas pasur as fis e as farë për pushtetarët çuditërisht, janë gati të na dëshmojnë se baballarët e tyre, ca çobanë të ndershëm, ca hamallë të ndershëm, ca lypsarë të përvuajtur, këta, të gjithë sojsorollopi i tyre, me qenë se tashmë ka triumfuar një rend demokratik, meqenëse edhe ata na paskan bindur vetveten se shoqëria njerëzore, brenda përbrenda këtyre trojeve, fatkeqësisht ende të papërcaktuara si trojet pellazgjiko ilire, nëse këto troje do të kenë në krye të tillë sundimtarë. Fatkeqësisht për kombin dhe fatlumturisht për gulçimat e vet atyre, atëherë dhe vetëm atëherë demokracia do të na dëshmonte rendin më të hapur, më të çliruar nga merimangat e burokracisë. Vetvetiu, jo më se kjo do të ishte në shërbim dhe në fitimin e këtyre rrembave të merimangës së zezë, që ia ka pas pirë gjelbërimin popullit ndër mote, por tashmë o ho ho hoo, i gjithë populli, i gjithë kombi do të shkënëllehej në lëndinat e lumturisë, vetëm e vetëm sepse në krye të punëve të shtetit është shkërdhata e përbërë nga dështakë e të ashtuquajturës demokraci. Sa më i lartë ylli shkëlqimtar në horizontet e këtij sistemi, aq më shkërdhatë për natësimin dhe jo dritësimin e këtij vendi. O njerëz, o bagëti e bujqësi e Naim Frashërit, a mos kujtoni se dikujt tjetër, sot më shumë i ka pas dhembur se sa atij për mëvetësinë dhe Rilindjen e Shqipërisë. Po përse vallë edhe bagëtinë e pularinë që na e mohoi. Adil Çarçani dhe Ramiz Alia, dikur në çdo familje lejohej vetëm kokoshi dhe jo pula, vallë përse sot, në demokraci kur vula është atribut i zëdhënësve të qeveritarëve, qoftë nga e Majta, qoftë nga e Djathta ngaqë të tërë krahët e politikës shqiptare, nuk janë asgjë më pak e asgjë më shumë se shushunja, u dashkan të respektohen? Këto janë shushunja përthithëse deri në shterje të mendimit të lirë, të cilin me thënë të drejtën, e lejojnë të gallaptepset, të brambullojë e të dërdëllisë vetëm e vetëm sepse kështu gjarpri mund të lëvrijë dhe në rrembat e gjakut të kombit?!

As nuk ua qajmë dot hallin deputetëve tanë të përjetshëm, që lypsen të shpallen me ushtimë e gjëmim, që ata që nga i pari deri tek i fundit, u ndodhën thjesht rastësisht në krye të forcave të atëkohshme politike, për të mos thënë se djallëzisht uzurpuan ca karrige komuniste, të modifikuara me emërtime djalloste demokratike. Në vetvete askush nga ata kurrsesi nuk do të pranonte demokracinë, nga ajo e vërtetë, duke qenë liri dhe çlirim i vullneteve e mundësive për secilin qytetar, vetvetiu do të ishte kufizim për gllabërimin e pushtetit nga fisnaja e përjetshme e sundimit të një tërësie të sundimit oshëtimëse që gulfon nga shpirti i një populli, i cili pandeh fatkeqësisht se tashmë është jo vetëm gallatarisht i lirë, por edhe i çliruar. Aq më keq për ata që, në sorollopin e tyre , në fshat e në qytet, kanë pas derdhur gjak e kan pas frymuar boritë e heroizmit. Oh ato kohë perënduan, sepse sot, si kurrë mot ata që na patën mësyrë dhe na patën përndyrë vatanin, e për këtë edhe bijtë e bijat e vendit ua patën tredhur me plumba e më heshtën e jataganit vrullshmërinë skllavëruese., teksa tërë historia shumë shekullore e kombit shqiptar dëshmon se nuk pranonte të njihte mbi krye as nenonë, as padronë, as Zogollianët e moderuar të shek XX...të cilët ja ata, sot na shfaqen nëpërmjet "akademikëve" putanorë, të cilët nuk kanë pasur rastin dhe mundësinë jo vetëm të merren me studime historike, por që, oh, teksa ishin studentë të Enver Hoxhës, nuk kanë pasur "mundësi" tu shkruajnë qoftë edhe dy rreshta letër prindërve të tyre, nga që për ata, përbetimi për vijën e PPSH ishte frymëmarrja e ditës.

Gjithsesi, halli i vatanit nuk qëndron vetëm tek uzurpimi i pushtetit nga sharlatanët, të cilët jo në çdo shfaqje janë antiatdhetarë, por ca më tepër nga uzurpimi i shkencës e kulturës nga do individë që, edhe pse janë militantë të besueshëm, çuditërisht me ato q duan të argumentojnë, teksa kurrsesi nuk kanë pas qenë keqbërës, në rrugëtimin e tyre profesionalisht të dështuar, rrahin e vrasin të na bindin se historia lypset të rishkruhet nga e para, me synimin e vetëm që rrospia të na dalë e virgjër, më e pastër se kundërshtarët Totajt e pavdekshëm të Progonatit të cilët, na jep hak o Zot, na paskan qenë antishqiptarë.

Vini re: Ithtarët e shqiptarisë, "akademikët" e shtetit që mohoi e mbylli akademinë e shtetit, të njohur nga të gjithë institucionet shkencore botërore, sot shpallshmërisht e barbarisht, duke mohuar punën voluminoze, dhjetëra vjeçare të titullarëve të kulturës e të shkencës kombëtare në fushën e historisë, të linguistikës, të etnografisë, të gjenealogjisë, të arkeologjisë, të gjuhësisë, pra teksa mohohen korifejt e mendimit shkencor albanologjik, çuditërisht po ngrihen skeletet tru boshe të partiakëve militantë, mbase me synimin për të na dëshmuar se Shqipëria ka pas qenë që në origjinë një mbretëri. Dhe ja pra, na u dashka që pasi të rivlerësojmë kontributet e madhështinë e mbretit Zog, u lypska ti kthehemi atij sistemi, jo thjeshtë për t'ia çelur lëndinën e lavdisë atij, që edhe pse paska bërë të pabërat e Krishtit e të Muhamedit, kur ujqëria imperialiste iu turr për të gllabëritur vatanin, nënën Shqipëri, ai dhe vetëm ai e askush tjetër në historinë shumë shekullore të mëmëdheut , ai e braktisi Sofrën e Skëndërbeut e të Naimit e të Fishtës, vetëm e vetëm sepse gopi i ujdianës shtëpiake kushtonte më shumë se Arbëria!

Urdhëroni studiues modernë, akademikë të shpallur nga që keni paraqitur pranë komisioneve vetëm fletoret e klasave të para të shkollës fillore me bukurshkrim, kur fatkeqësisht të tjerë fëmijë, mbase tejet më të mençur se ju, nuk kishin mundësi të blinin fletore, në kohën e luftës kundër Analfabetizmit. Por oh ju, ju akademikët të vetëshpallur, ju militantë të kallur, ju zabërhanë të kamufluar, teksa i shërbeni agjenturave putana, të huaja, teksa mohoni epokat skëndërbeiane, naimjane, enveriane dhe gjakun e derdhur për liri, si një popull në koalicion me ShBA, Angli e Rusi, ju tashmë të rafinuar, të deformuar gjymtërisht ca më pak se shpirtërisht, meqë ua dhanë çelësat e kulturës e të shkencës shqiptare në dorë, i përdorni ato, por mos harroni se netëve do të ngrihen heronjtë e personazhet e Naimit, Çajupit, të Fishtës, të Ndre Mjedës, siç do të ngrihen fantazmat e Petro Ninit Luarasit e të Papa Kristi Negovanit, të flijuar vetëm për mëmëdhetarinë e shqiptarizëm, që ju pseudodemokratët, të vetëshpallur liridashës, nuk ka se si që veprimtarinë, afro njëzetë vjeçare të dëshmimit tjetër veçse të jeni në shërbimin tw dreqit vet, paçka se sot në përditshmëri na lypse ti themi ujkut dhe vëlla.

Të përjetshmit, ata që kanë pas vetëflijuar vetveten për një truall, fjala vjen, që quhet Arbëri, kurrsesi nuk mund ti përcaktojnë njëri e tjetri shërbëtorë matuf, guak e lapanjos i njërit sistem, apo i tjetrit. Mirë e ka kryetari i vetëshpallur i sotëm i gjasme Akademisë(pastruar nga shkencëtarët dhe pasuruar nga shërbëtorët) por ai të mos harrojë se, pasi shpërfytyroi stendat e Muzeumit Kombëtar, të krijuara me dashuri dhe përunjësi para titujve të luftërave për liri, nga prof.dr. Moikom Zeqo, pasi vendosi në ato stenda, që në vend të heronjve, tërë lepujt e dhelprat, ja po na shpall botërisht se në këto troje, askush deri më sot përpos atij, nuk e paska ditur kontributin e madhërishëm që na paska pas dhënë madhëria e tij Mbreti Zog. Siç po lëvdohen këto studime rrufianiste dhe serviliste, ka gjasme të na dalë se Ahmet Zogu është nipi i Gencit dhe vëllai i Teutës Ilire, bash për këtë edhe trashëgoi titullin mbretëror. Kjo të mos merret për sarkazëm pasi nuk është çudi që dikush neswr, kryeakademik pa asnjë vepër, nesër të shpallet nga "studimet" si pasardhësi më fatlum i Gjorgj Golemit, medemek si zëdhënës i vet Skëndërbeut. Nuk na duhet gjë tjetër veçse të mendojmë mirëfilli për të shpallur një mbretëri të re, një mbretëri demokratike, ku sulltani mirëdihet se cili do të kurorëzohet, ndërsa me siguri, zëdhënësi i tij më besnik, vetëm ai akademiku anonim. Të përjetshëm, të vetëshpallur si këta frymorë në demokraci, janë plaga më e mahisur e kulturës kombëtare, janë guaska që vala i përcjell në breg për të gogësitur zulmën hakërrimtare, janë mbetje që teksa prehen në rërë, teksa shkelen dhe nga putrat e fëmijëve, vetëm shqetësojnë e lëndojnë shpirtrat e bardha të këtij kombi, që nuk pyeti jo më për guaska, por as për flotilje e regata të agresorëve të egër e babarë! Të përjetshëm mbeten vetëm ëndërrimtarët dhe ushtarët shqiptarë. Të përjetshëm mbeten jo deputetët longarë, por qytetarët sado të mjeruar ekonomikisht nga dhunuesit e akaparuesit pushtetarë. E përjetshme mbetet Liria, vampirët si përqas historia, dhe kur ua zijon shpirtin e zijosur.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00