Home | Opinion | Kushedi ç'erë do të fryjë në të ardhmen

Kushedi ç'erë do të fryjë në të ardhmen

image
"Jemi të kërcënuar gjithherë, atëherë, ç'na qënkërka kjo forcë përtej gjykimit tonë, që na i dhuron dhe na i rrezikon njëherësh të gjitha joshjet e epokave tona?..."

 

 

 

 

Nga Artan Mullaj


 
Ndërgjegjia e popujve bombardohet jo rrallë me rreziqe të supozuara që në shumicën e rasteve s'janë veç skenare,  supozime dhe hamendësime vipash, studjuesish dhe mëndjesh tё shquara. Mbipopullimi i planetit, sëmundjet e frikshme, sida dhe viruset vdekjeprurëse, luftërat, propabiliteti i përplasjeve të mundshme kozmike me kometat apo astereoidet, shkëmbinjtë e frikshëm të hapësirës, provokimet e fuqive bërthamore, ngrohja globale, shterimi i naftës, çmendimi propobal i Putineve, lufta e ftohtë, Ufot, ushqimet me hormone, shkurt vetë fundi i Botës, të gjitha këto, bashkë me dilemat e mëdha të krerëve dhe mëndjeve të shquara, që shoqërojnë vendimet e tyre, zëvendësojnë dhe helmojnë sot ushqimin shpirtëror të njeriut, duke e planetizuar, dhunuar, shpërfytyruar dhe robotizuar atë..

Hallet e botës sot, më shumë se të tilla, në fakt janë dilema apo paqartësi për pasojat e ardhshme të aventurave që të mëdhënjtë dhe të fuqishmit e njerëzimit shkaktojnë me vendime shpesh të dyshimta. Në skenën botërore të ndodhive, këtyre dilemave të politikes së ditës u shtohet edhe nje dozë terrori shkencor, që nderet me shpejtësi në planet, për rreziqet dhe fatalitetet e kohës sonë, duke e bërë edhe më të brishtë jetën njerëzore në tërësi. Madje, më shumë se politika, ngaqë është më e sinqertë se ajo, dhe më e besueshme, shkenca e botës është shndruar në një përbindësh psikologjik, ndërsa gërvisht edhe vetëdijen e atyre më skeptikëve, me lajme të hidhura që hidhen në tregun mediatik shpesh jo aq me prestigjiozitet, por me një furi të paparë.

  Atëherë, në një metaforë kalimthi, me këtë terror të instaluar, duket sikur më të fuqishmit dhe më të mençurit në këtë botë duan të na thonë:
"Jemi të kërcënuar gjithherë, atëherë, ç'na qënkërka kjo forcë përtej gjykimit tonë, që na i dhuron dhe na i rrezikon njëherësh të gjitha joshjet e epokave tona? A s'duhet pranuar e besuar që njerëzimin deri tani e ka shtyrë përpara një dinamikë misterioze, që buron jo nga shpirti i tij dhe s'është gjithashtu vullneti i instiktit? Ç'na polli neve mes gjithësisë, mes kësaj vetmie të tmerrshme e të kërcënuar, dhe ç'gjë, ç'fuqi, ç'vullnet pra na rrotulloi miliona vjet rreth një ylli me një qëllim të errët e të rëndomtë të cilit i mungon shkakësia? A s'jemi ne këtu hapi i fundit i zhvillimit? A s'kemi kësisoj të drejtën mbyllëse të lexojmë fletën e fundit të shkruar me një gjuhë të çuditshme? Çdo të jetë pas nesh, pas përpjekjeve dhe pas tmerrit tonë? Kush mund ta thotë!   Ndoshta një fuqi tjetër krijuese pas shkatёrrimit, si një ndëshkim, do të na pluhurosë të gjithëve. Misioni ynë me sa duket është dëshmia. Vetëdija e rruajtur e përfundimit. Kemi mbëritur buzë një gremine të mendimit njerëzor. Përposh, yllësia është indiferente, e kotë, e panevojshme dhe e padurueshme. C'na mbetet? Durimi? Aspak. Shpresimi. Njehësimi. Njeriu është këtu, përballë këtyre provave fatale, që të durojë jo fundin e llahtarshëm përpara, por të durojë lodhjen e pritjes dhe lodhjen e shpresës…"

Ky shkulm zhvillimi pёrzier me frikё në të vërtetë ka një kaotizëm instiktiv; nё tё zbulohet qartazi se pasojat e këtyre dilemave dhe paqartësive në kokat e liderëve si edhe kjo masë terrori shkencor ka një koeficient të lartë inflacioni. Në fakt, shpesh, përkundrazi, vërtetohet se rreziqet asnjëherë nuk janë aq të mëdha sa parashikohen e thuhen nga mendjet e mëdha.
  Irani, Al Kaida, sëmundjet (jo aq të shpeshta sa të jenë dhe të rrezikshme), ngrohja globale, kometat, tё gjitha kёto ndodh qё rezultojnë jo aq kërcënuese sa thuhet nё tё vёrtetё. Ka edhe zёra se akujt janë zëvendësuar në polet e tokës sërish, kometat rrallojnë, lufta e ftohtë shfaqet edhe si farsë, naftë ka edhe për shumë vjet, Ufot nuk janë dhe aq armiqësorë, etj, etj, etj.  Për optimistët kërcënimet e mëdha s’janë veç fantazi të mëdha, dhe për të tjerët, fetarët dhe frikacakët, ndërsa tmerri i jetës përpara është diçka që duhet pranuar, kërcënimet janë puna e zotit…

Krahasuar ndërkaq, megjithë ingranimin dhe dëshirën e verbër për integrim, shqiptarët funksjonojnë krenarisht, tradicionalisht, por edhe barbarisht ndryshe, sipas ligjësive të tjera. Kёto janё kodikё që shpesh sfidojnë pjesёn tjetёr tё botёs dhe nuk mund të shpjegohen. Si rrallëkund në planet, ne jemi qytetarë që të paktën nuk jemi ndëshkuar me mungesën e kurajos për të sfiduar gjithçka tё rrezikshme. Në Shqipëri nuk kanë rëndësi edhe vlerë trazirat dhe shqetësimet planetare, as terrori shkencor i shpërndarë si mjegull mbi tokë. Ndryshe nga të tjerët, ne konstatojmë në liri të plotë se nuk na plas edhe aq për rreziqet e botës, as për krizën ekonomike, as për reformat e Obamës, as pёr rritjen e Kinёs dhe as për kërcënimët kozmike që publikojnë shkencëtarët e Nasa-s. Ne jemi kaq të imunizuar, sa kemi një liri të kristaltë në vlerësimin shpërfillës të gjërave, ndërsa me veprimet tona, me mënyrën si funksionojmë, ju themi të tjerëve: "Do vijë fundi i gjithçkaje, fundi i botës? Për ne Bota e prishur ka qënë në çdo kohë. Tani veç në u rregulloftë. Por edhe kjo s'ka si të ndodhë!"
Me këto fraza ka gjasa të kemi filozofuar kalimthi funksionimin e tranzicionit tonë përgjithësisht! E thënë ndryshe, e supozuar ndryshe, kundra rrymës, si një mekanizëm vidhëliruar, sjellja jonë tregon vulgarisht se deri në ç'masë janë tjetërsuar e kondesuar nocionet dhe vlerat e ekzistencës. Në jetën e shqiptarëve, (ku si askund tjetër nuk janë të nevojshëm psikologët), terrori shkencor dhe pushteti i planetarizimit të njerëzimit që përmendëm më sipër, këtu prezantohet si njё derivat i shpёrfillur dhe pa ndikime:

Sepse, qënia shqiptare është viktimizuar prej vitesh nga një fuqi tjetër shkatëruese.
  Kjo është fuqia e zezё, e keqe, tokësore e pushtetit dhe e politikës së tranzicionit të kobshëm. Ky ёshtё terrori shtetëror! Politika e keqe dhe menaxhimi i keq! Terrori që buron nga përdorimi i keq i pushtetit! Terrori i shtetit privat! Terrori që buron nga mohimi i të drejtave elementare. Terrori që buron nga drejtësia e munguar; nga mungesa e aftësisë civile për të kontrolluar institucionet e ligjësive që rregullojnë jetën në komunitet; nga braktisja e dëshirës kolektive për të shpresuar!
Në Shqipëri ka një përplasje të shpresës me fatalitetin, me  humbjen e ardhshme, me humbjen e ardhshme te tmershme të shpresës! Në jetën e shqiptarëve, terrori shtetëror që fuqizohet edhe më nga varfëria psikologjike e njerëzve me ndërgjegjie të vrarë, shtyp e paralizon gjithcka.


  Në mënyrë vicioze, ky terror rigjenerohet edhe njëherë, edhe më shumë, edhe më shpesh nga ambjemtimi i rrezikshëm me të gjitha mungesat me rradhë. Nën këtë presion, më shumë se të zemëruar, si në kampet e përqëndrimit, shqiptarët janë pesimistë. Ata kanë zënë kallo dhe kanë rrënë në rutinë, nga durimi i gjatë dhe nga shtypja e gjatë. Këtë e vërteton indiferentizmi kombëtar për drejtёsinё e munguar. E vërteton paqja qytetare me fatalitetin, pajtimi me të, nënshtrimi. Ata janë njerëz që vidhen përditë, qё shpërdorohen përditë, që janë të papunë, që aksidentohen përditë nёpёr rrugё, që shokohen e poshtërohen për ditë, brenda kufijve dhe jashtë.. aq sa për ata kërcënimet e kërcënimeve janë bërë një gjë e zakonshme.. Njeriut shqiptar i janë shuar instiktet e vetëmbrojtjes ndaj këtij terrori, në këtë përballje të gjatë me babëzinë e pushtetarëve të kёqinj. Kushedi ç'erë do të fryjë në të ardhmen për ta…

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00