Home | Opinion | Lartësia e të nënshtruarve

Lartësia e të nënshtruarve

image
Si do që të jetë, edhe nëntë vite pas nënshkrimit të saj, elitat politike maqedonase, Marrëveshjen e Ohrit e lexojnë si dokument i cili e përcakton të "parin" dhe të "dytin" në shtet.

 

 


Kim Mehmeti

 

Kaluan nëntë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit. Në fillim, ajo ishte shpresë e madhe për shqiptarët e këtushëm dhe arsyetim se konflikti i 2001 rezultoi me një të arrirë historike për ta. Nga ana tjetër, për palën maqedonase, ajo ishte dhe mbeti simbol i një humbjeje të pafalshme të tyre përballë shqiptarëve. E përjetuar krejt ndryshe nga dy etnitetet numerikisht më të mëdha të Maqedonisë, ajo mbeti peng i dy synimeve me qëllime të kundërta: orvatjes shqiptare që ajo të realizohet sa më shpejtë dhe në afatet e caktuara, dhe asaj maqedonase që me çdo kusht të pengohet realizimi i saj. Diku në mes të këtyre dy orvatjeve, dhe e humbur diku në përkthimin e saj, mbeti e vërteta se kjo Marrëveshje nuk duhej të shënonte as fitoren e shqiptarëve, as humbjen e maqedonasve, por të stabilizonte shtetin e katandisur rrugës së vetëshkatërrimit. Dhe sot, nëntë vite pas nënshkrimit të saj, kjo Marrëveshje nuk është asgjë më shumë se një dokument i vdekur, të cilin partitë shqiptare e përdorin për të punësuar partizanët e vet partiak kur vijnë në pushtet, e pushtetarët maqedonas e ndërmendin vetëm përpara të huajve, atëherë kur duan të dëshmojnë besnikërinë e tyre ndaj konceptit shumetnik të Maqedonisë.

Me çka, kjo Marrëveshje gjithnjë e më shumë ngjan si e imponuar nga faktori ndërkombëtarë, e jo si diçka e nevojshme për ardhmërinë e Maqedonisë, si diçka që u mundëson politikanëve të këtushëm shqiptarë e maqedonas, të maskohen kur duan të tregohen se janë të përmasave evropiane, e të cilët, në të vërtetë harrojnë se, e përdorur gjatë kohë, maska një ditë shkrihet dhe bëhet fytyrë. Gjë që ndodhi edhe me Marrëveshjen e Ohrit, e cila u bë fytyrë njohëse e Maqedonisë, por ky shtet kurrë nuk u bë pasqyrim i saj. Me çka pra, ky shtet edhe një herë dëshmoi se nuk ka kapacitet as vullnet politik t’i realizojë as marrëveshjet që i kanë nënshkruar politikanët e këtushëm, e le më ato me dimension ndërkombëtar. Apo, u dha edhe një dëshmi atyre që shumë më herët kanë thënë se, Maqedonia është shtet i dënuar të kalbet nga brenda dhe se nga ky fat, atë mund ta shpëtojnë vetëm ata që dinë t’i bashkojnë konceptet e kundërta për të ardhmen e saj të dy etnive numerikisht më të mëdha. Pra, mosrealizimi i kësaj marrëveshjeje është edhe një dëshmi për ata që para kohe paralajmërojnë atë që mund t’i ndodh këtij shteti, edhe atë duke e ditur se të vërtetat e thëna para kohe, politikanëve u tingëllojnë si gënjeshtra, sepse shumica e tyre, të verbëruar nga privilegjet që kanë, nuk shohin atë që me të vërtet është duke ndodhur, por atë që dëshirojnë të ndodh.

Si do që të jetë, edhe nëntë vite pas nënshkrimit të saj, elitat politike maqedonase, Marrëveshjen e Ohrit e lexojnë si dokument i cili e përcakton të "parin" dhe të "dytin" në shtet. Përballë tyre qëndrojnë politikanët shqiptarë, të cilët këtë Marrëveshje e mbajnë për dokument që të gjithë grupet etnike të Maqedonisë i vendosë në të njëjtin rrafsh, por në ndërkohë, duke pranuar rolin e të "dytit", apo të vasalit. Me çka pushtetarët shqiptarë treguan se nuk e kishin mësuar as leksionin më elementarë të politikëbërjes: se kur pranon pozitën e të "dytit" në shtet, atëherë je i dënuar të ecësh rrugës së pritjes dhe bulevardeve ku shprehet revolta, e që të dyja këto udhë, të çojnë drejtë pranimit të kompromiseve të parallogaritura nga i "pari". Ja shembuj konkret për këtë: Gruevski botoi dhe promovoi "Enciklopedinë" me elemente shovene antishqiptare, që pastaj shqiptarët të protestojnë e të vrapojnë pas tij për të arritur kompromis për ndreqjen e gabimeve; Gruevski promovoi dhe filloi realizimin e projektit "Shkupi 20014", që pastaj Ali Ahmeti të pret ai ta pranojë në kabinetin e tij, që ta bind se në sheshin e Shkupit duhet të ketë edhe ndonjë përmendore nga e kaluara shqiptare. Dhe kuptohet, edhe Gruevski edhe Ali Ahmeti thirren në Marrëveshjen e Ohrit, duke e shndërruar atë në dokument nga i cili shqiptarët e Maqedonisë mbase kanë filluar edhe të turpërohen, sepse asgjë si kjo Marrëveshje nuk e shpalos paaftësinë e tyre politike t’u dalin zotë gjërave që janë fituar edhe me gjak.

Se si duket Maqedonia e pas Marrëveshjes së Ohrit dhe se ajo dallon nga vetvetja e para konfliktit të vitit 2001, më së miri dëshmon pozita e partive shqiptare në koalicionet qeverisëse ku ato mbetën në rrafshin e atij që ka "20 për qind të drejta", në pozitat e të renditurit si "i dyti" në orkestrën që drejton shtetin, në pozitën e vasalit që pret mëshirën e sunduesi për t’i dhënë diçka sa për ta arsyetuar vasalitetin e vet. E në ndërkohë, duhet thënë hapur se kjo Marrëveshje nuk u realizua jo shkaku i aftësive të mëdha të palës maqedonase për ta penguar realizimin e saj, sa shkaku i paaftësisë marramendëse të politikanëve shqiptarë për t’i bindur kolegët e tyre maqedonas se kjo Marrëveshje s’ka pse u duhet shqiptarëve, nëse këtë Marrëveshje ata e vlerësojnë si të dëmshme për Maqedoninë.

Si do që të jetë, kaluan nëntë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e shqiptarët e Maqedonisë ende debatojnë se kush është fajtorë pse me shumëçka mbetën aty ku ishin përpara konfliktit të 2001. Ditën kur do botohet ky tekst, BDI-ja e Ali Ahmetit do e ketë kremtuar përvjetorin e nëntë të sajë. Ndoshta BDI-ja është e vetmja parti që me ngulmë e shënon ditëlindjet e një "fëmije" i cili mbase ishte i abortuar, dhe duke mbetur pa "inkubatorin" ndërkombëtarëve, ai vdiq para se këtë ta kuptonin pushtetarët shqiptarë. Ku ta dish, ndoshta sivjet, të mbledhurit në sallën e hotelit "Aleksandër Palas" të Shkupit, duke dëgjuar fjalimin solemn të Ali Ahmetit, e kanë kuptuar sa të pakuptimta janë kremtet që madhërojnë dështimet tona, sa të pahijshme janë kremtet kur ndjehesh kundërshtar i vetvetes, kur bëhesh se nuk e dinë se politikanë më i mirë është ai që sundon edhe mbrapsht – si për shembull Gruevski, por që arrin të bëjë vepra të mira për popullin e vet, se sa ai që sundon njerëzishëm, por është i paaftë të realizojë atë që ia ka premtuar popullit. Apo, ku ta dish, mbase problemi nuk qëndron gjithaq te politikanët shqiptarë, sa te paaftësia kolektive e shqiptarëve të këtushëm për ta kuptuar të vërtetën se popuj të suksesshëm janë ata të cilëve u prijnë individ që ndjehen më lartë se të tjerët dhe nuk i përkulen askujt, por njëkohësisht mbeten të nënshtruarit e përhershëm të popullit të vet.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0