Arinjtë Polarë të Qarkullimit
Duke hyrё në Shqipёri, kufiri që ndan dhimbshёm parajsën ekologjike tё vendit tё huaj me mallkimin e gjelbёr qё ndjen sapo shkel nё tokёn shqiptare...
Nga Artan Mullaj
Prezantimi gjeografik i Shqipërisë nuk është as më shumë e as më pak se një peisazh i trishtë, me pyje tё shkatёruara, me massive plehrash në çdo kilometër dhe me fytyra të ngrira nga mungesa e brishtësisë në komunikim. Njё vizitori tё huaj, që kalon në kufirin shqiptar, nganjёherё mund t’i nevojitet tё shtrёngojё fort vidhat e durimit pёr tё pёrballuar burokracinё poshtëruese nё personalitetin e tij: ai do të filtrohet nga doganierë “historikë” dhe policë shpesh mediokër, pa përvojë dhe pa autoritet. Në hyrje, në kufi, pёr njё gjallёrim tё kёtij perceptimi, plehrat, makina të parkuara keq, zyra sigurimesh e qebatore, ngjitur njёra me tjetrën, janë të afta njëlloj sa luginat e dëshpëruara prej fshirjes sё pyjeve, të stisin një dëshpërim njerëzor tek çdo visitor. Pejsazhi kufitar ngjan si i prerë me thikë. Turistit do t’i duhet tё elektrizojё vetёdijen qё t’i bëjё ballë përshtypjes shokuese se ndryshimi ёshtё tёrёsor. Duke hyrё në Shqipёri, kufiri që ndan dhimbshёm parajsën ekologjike tё vendit tё huaj me mallkimin e gjelbёr qё ndjen sapo shkel nё tokёn shqiptare, ku sundon pisllёku, shёrbimi i vrazhdё i autoriteteve, gjeografia e thatё, natyra e sakatuar dhe mizerja, ёshtё i dukshёm.
Udhëtimi në rrugën kombëtare të Shqipërisë, që është një rrugë e re dhe e mirëmbajtur vetëm në statistika, i afrojnё vizitorit imazhe nga fshatra kufitarë mesjetarë me vrazhdёsi feudale, ndërsa edhe klima, edhe atmosfera, edhe pështjellimi i jetёs në ambjente, tё gjitha vijnё erё varfёri, megjithëse makina lluksoze me shoferë gladiatorë fishkëllejnë rrotat e tyre nё tё gjitha drejtimet.
Në këto peisazhe, pemët anësore janë prerë prej kohësh, plehrat shoqërojnë udhëtarët komfortësisht, ndërsa postoblloqet e policëve rrugorë, si një stres, por jo si një përjashtim, janë aty, në këmbë, në çdo kohë, në çdo km.
Njё vizitor perëndimor që hyn nga dogana e Kapshticës apo nga çdo doganë historimadhe e vendit, dhe udhëton drejt kryeqytetit, mbase e ka të pamundur të shpjegojë jo vetёm maskaradën ekologjike dhe masivët e plehrave në këtë vend, (ku njerёzit ende nuk e kanё kuptuar ç’gjë ёshtё e mirё pёr fёmijёt e tyre), por edhe mёnyrёn se si funksionojnё nё detyrw policat qё pёrfaqёsojnё shërbimin rrugor shteteror. Vizitori do tё pёrballet me kundrallogjikёn e detyrёs sё tyre: Nje pjesё e mirё e policëve rrugorë, thjesht, qartë, shkoqur, natyrshëm, por edhe paturpsisht, vjedhin e abuzojnë në rrugë, pa vetёpёrmbajtje.
Shumё nga kёta policë janë barkmëdhenj ose mëndjemëdhenj dhe postobllokojnë nëpër rrugët shqiptare, në hyrje dhe në dalje të çdo qyteti, duke ecur me koketësinë e grave me barrё, ndërsa tunden me harqe të rrezikshme për shtyllën kurizore, për të rrezatuar egёr pushtetin e detyrës rrugore, që iu është ngarkuar.
Udhёtarёt, tё cilёt përballen shpesh me naivitetin dhe me egoizmin e tyre provincial, nuk e kanё tё vёshtirё të kuptojnё se si është ndërtuar ekuacioni korruptiv i abuzimit me paratë publike. Në këta shpirtra zë fill modeli i abuzimit, që i amplifikuar, zbatohet mё me finesё në rangjet e larta, në ministrira, nё institucione, në tendera, në marifete vjedhjesh të mëdha. Ky modelim është shpërdorimi brutal i pushtetit të madh e të vogël, ndërsa, babëzia e të vegjëlve për përfitime është aq më e madhe sa më e vogël është mundësia e tyre. E thënë shkoqur, jo pak nёnpunёs nё teren tё policisë sonë rrugore, dje me 2000 lekshat, sot me 5000 lekshat që ju rrёmbejnё shoferёve me dashamirësi hajdutësh, i kërcënojnë viktimat e rrugës (shkelësat, por edhe të tjerët), duke u shpjeguar se krahasuar me gjobat e ligjshme ndaj shkeljeve të bëra të cilat shkojnë në llogari të shtetit, dhuratat nën dorë për xhepat e tyre janë dyfish ose trefish më të ulëta.
Nё vijim të analizës së këtij abuzimi rutinë, megjithëse edhe vetë i mbajnë iso këtij realiteti, shumë njerëz me të drejtë mendojnë se etika e komunikimit dhe sidomos etika profesionale e policisё , kushtëzohet sa nga mungesa e vetëdijes se kapelet në kokat e pushtetarëve rrugorë qëndrojnë për shkak të “rëndesës” së taksapaguesve, aq edhe nga babëzia tradicionale e militantёve për të përfituar maksimalisht nga abuzimet.
Lёkundin trupat pa muskuj dhe ecin ngadalë, me një autoritet pushteti të neveritshëm, që burron nga terrori spontan i pesëmijë lekshave që ata grumbullojnë përditë me shumicë nga qytetarёt e thjeshtë. Edhe pse të grabisin në dritën e diellit, të vështrojnë shpërfillshëm, me sy naïvё, me fytyra të lyrosura nga gostitë dhe pijet shpërblyese, pushtetarë të vërtetë, skënderbenj dhe bajramcurёr të gjithë, pa përjashtim.
Gjithsesi janë fytyra e shtetit, fytyra e rebeluar e një pushteti të mlleftë, menaxhimi i tij, autoriteti i shpifur dhe kultura ekzekutive në teren. Këta njerëz janë stres psikologjik në çdo km, po aq sa janë shkelës tё dinjitetit civil, duke u shndruar në një emocion të zi, për të gjithë, për shumicën.
Kush ka jetuar e udhëtuar në Evropë, por edhe në Ballkan, krahasuar me ta, e di se policisë sonë rrugore i mungon jo vetëm ndershmëria, ndjeshmëria dhe autoriteti professional, që të tjerët e kanë moton e detyrёs publike qё bёjnё. Diferenca është kaq e shqartër dhe kaq zhgënjyese, sa qetësisht gjithkush mund të supozojë se në Shqipëri, rruajtësit e ligjit nё rrugё janë shndruar në hajdutë ordinerë xhepash njerëzish të varfër, të mërzitur nga shteti i tyre. Kjo mërzi dora - dorës po shndrohet në një urrejtje civile, që rritet aq më shumë sa shtohen postoblloqet në rrugë.
Por nuk është vetëm babëzia dhe vetëm mediokriteti. Kjo pjesë e konsiderueshme e njësive të Policisë Rrugore, që ka çmerritur edhe pёrshtypjet e tё huajve dhe tё emigrantёve tanё, është vetё shkelëse e kodit ndërkombëtar rrugor. Policat rrugore tundin tabelat ndaluese për të provokuar shoferat që afrohen në postobllok, dhe shpesh, jashtë çdo rregulli, i ndalojnë ata në metrin e fundit. Duke sfiduar gjithashtu rregulloren, fshihen nëpër kthesa, për të kapur sa më shumë fajtorë, sepse shkelësit e rregullave janë në proporcion me 5-mijë lekshat e mbledhura nё xhepat e tyre.
Këta arinj polarë të pushtetit rrugor mbi qytetarët e thjeshtë, kanë sakaq anën e errët të "hënës së tyre". Fodullëku i këtyre njerëzve shndrohet sakaq në një servilizëm të mjerë, për një polarizim të rrezikshëm, pasi pafuqia dhe nënshtrimi ndaj shefave të tyre shndrohet aq më shumë në egerërsi hakmarëse për të tjerët, rrugëtarët e thjeshtë. Dhe shefat e tyre janë natyrisht oficerët institucinalë apo njerëz me imunitet politik, apo mediatik, të cilëve ju tremben aq më shumë sa më shumë kartmonedha kanë futur padrejtësisht në xhepat e tyre. Por shefat e shefave të rrugës mund të jenë edhe kriminelët e lirë që qarkullojnë me foristrada, tё cilat askush nuk guxon t’i ndalojё, pasi me ndihmёn e shtetit, policia rrugore është një çështje e fshirë nga lista e problemeve tё tyre.
Me pak fjalё, policia rrugore ёshtё përfaqësuesja e parë e autoritetit të shtetit shqiptar, fytyra e rrudhur e pushtetit ekzekutiv në Shqipëri. Sepse, pa metaforë, pa anësim, pa ndjeshmëri, pa tendencë e natyrisht pa ndjeshmëri dhe pështjellim surreal, mund të supozohet që një pjesë e mirë e këtij shërbimi tё shёmtuar, është shëmbëllimi i pastër dhe i derivuar i shtetit tek ne.




del.icio.us
Digg

Post your comment