Pranga në ditën e lirisë !!!
Arrestimi ironikisht bëhet në ditën e lirisë së Kosovës. 11 vjet më parë forcat e NATO-s çlirojnë Kosovën nga dhuna, terrori dhe pushtimi serb , ndërkohë që në Prishtinë dhe kudo festohet...
Gëzim Podgorica
Në fakt kur kam dëgjuar lajmin më është mekur zëri dhe më është marrë fryma. Nuk kam dashur ta besoj se në ditën e lirisë e të çlirimit të Kosovës, arrestohet një nga simbolet e rezistencës paqësore, një nga figurat ekskluzivisht me të pastra , më patriote dhe më të përkushtuara: Albin Kurti ! Nuk kam dashur kurrsesi ta besoj. Por tragjikisht kjo rezultoi e vërtetë. Një e vërtetë shumë e dhimbshme, fyese tejskajshmërisht kur mendon se si mund të abuzohet e mund të përdhoset liria e një simboli të lirisë, pikërisht në ditën kur ajo përkujtohet. Gjasme më 12 qershor është folur për çlirimin e Kosovës, por asnjë nga ata që kanë folur nuk ka guxuar të thotë një fjalë për Albin Kurtin, njeriun që më së paku ka merita më tepër se shumica e atyre që kanë mbushur akademitë përkujtimore, pse jo edhe atyre që kontrabandisht janë ulur në poste ministrore apo karrige të tjera të larta pushteti. E them këtë jo vetëm për atë çfarë i ka kontribuar lirisë së Kosovës Albini, por edhe formimit e performancës së tij të veçantë e drithëruese intelektuale.
E ndjek prej vitesh shtypin me shumë vëmendje, ashtu si edhe komentet e ndryshme. Asnjëherë në jetën time nuk kam parë reagime më të shumta në blogjet e ndryshme më shumë se kësaj radhe. Asnjëherë nuk kam parë kaq shumë shqetësim, solidaritet me të arrestuarin, përkrahje dhe dhembje. Edhe unë jam një nga ata që e kam ndjerë këtë dhembje, ashtu siç kam ndjerë përbuzje dhe neveri të skajshme për të gjithë ata që kanë urdhëruar një arrestim të tillë. Mjerimi në fakt është krejt i tyre dhe assesi i atij mbi të cilin rëndojnë prangat më të paarsyeshme dhe më të padrejta.
Arrestimi ironikisht bëhet në ditën e lirisë së Kosovës. 11 vjet më parë forcat e NATO-s çlirojnë Kosovën nga dhuna, terrori dhe pushtimi serb , ndërkohë që në Prishtinë dhe kudo festohet, një ëndërrimtar dhe sakrifikues i lirisë gjendej ende në birucat torturuese të pushtuesve. Ai quhej thjesht Albin Kurti dhe kishte vetëm një mision të sinqertë brenda vetes : Lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U lirua pas protestave të shumta, pas këmbënguljes së faktorit ndërkombëtar, pas presionit të gjithanshëm që iu bë autoriteteve serbe. Por u arrestua përsëri disa herë si një kundërshtar i paepur i nëpërkëmbjes së lirisë dhe pavarësisë, si njeri që nuk mund të bënte kompromis me të pavërtetën dhe si një antikonformist i lindur. Por duket etja për të burgosur një shpirt të lirë dhe një “rebel” të pavarësisë nuk eksitonte vetëm në mendjen dhe strategjinë militare serbe, por edhe tek ata shqiptarë që ekzigjenca dhe personaliteti i Albinit dhe shokëve të tij u prishte rehatinë e qeverisjes dhe të pasurimit të paskrupullt, u trondiste pushtetin dhe përfitimet e shumta e të paligjshme të cilat janë aq shumë dhe dihen gjithandej, sa kjo nuk mund të zgjidhet duke burgosur denoncuesin kurajoz .
Në se 12 qershorin ish drejtuesit e djeshëm të UÇK-së dhe drejtuesit e sotëm të pushtetit kërkojnë ta festojnë realisht dhe sinqerisht, nuk mundet kurrsesi të burgosin bash në këtë ditë një simbol të paqes e të rezistencës, një simbol të ndershmërisë e të përkushtimit qytetar, një shpirt të lirë e të pastër. Absurd më të madh se ky nuk mund të ketë.
Por duket se ata janë në krizë. Janë në krizën e korrupsionit, janë në krizën e mungesës së identitetit të tyre, janë në krizën e mosbesimit që ka populli për to, janë në krizën e mungesë së personalitetit të tyre. Janë në vargojt e shumë krizave dhe arrestimi i Albimit tregon në fakt reagim krize. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë, pasi shumë prej atyre që mbaheshin si idhuj janë përmbysur kokëposhtë dhe populli i tregon me gisht. I tregon jo vetëm si shkaktarët e shitjes së interesave të Kosovës , por edhe si hajdutë ordinerë që sillen si rrugaçë zyrave të pushtetit.
Megjithatë arrestimi i Albin Kurtit është sfida që nuk mund të fitohet. Llogaria është bërë më e gabuar se asnjëherë tjetër, pasi ai është një shpirt i lirë dhe i pathyeshëm, një shpirt që ka dhënë prova rezistence dhe ndershmërie . Ai i ka trembur aq shumë urdhërdhënësit e arrestimit të tij, sa ata kanë humbur orientimin e qetësinë dhe kanë menduar se duke e burgosur çlirohen prej tij. Por kurrsesi nuk mund të jenë të çliruar mëkatarët. Ndërgjegjja e vrarë dhe e tradhtuar e një populli të varfër nuk do t’ua falë asnjëherë shëmtinë e një akti të paprecedent ndaj një personazhi që vetëm lartësohet dhe kthehet në një frymëzim të vërtetë dhe të sinqertë, frymëzim që Kosovës i ka munguar prej vitesh !




del.icio.us
Digg

Post your comment