Kush e pengon bashkimin kombëtar?
Çështja kombëtare është çështja jonë themelore, është guri i provës për çdo shqiptar, që e ka këtë emër të vërtetë.
Nga Gjon BRUÇI
Shkrime, si ai i botuar në gazetën “SOT” të datës 11 Mars 2010 me autor Xhevat Bislimi, e që bën fjalë për çështjen kombëtare, janë kaq të rrallë në median tonë, sa ekziston mundësia të kalojnë pa u vënë re nga lexuesi i thjeshtë dhe për më keq, pa u përfillur nga ata që duhet të ishin promotorë të çështjes në fjalë. Kjo ndodh për faktin e hidhur se çështja jonë kombëtare aktualisht gjendet në “reanimacion”. Në rend të ditës, në axhendën e politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë këtej e matanë kufirit të imponuar “shqiptar-shqiptar” është marrja dhe mbajtja me çdo kusht e pushtetit, këtij “burimi fantastik” për sigurimin e të mirave monetare e materiale për fituesin, ose uzurpuesin e radhës të pushtetit.
Aspirata shekullore e bashkimit kombëtar është sanksionuar bash në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (besoj dhe në atë të shtetit të Kosovës). Edhe partitë politike të shqiptarëve, të parën pikë të programit të tyre kanë çështjen kombëtare, d.m.th. aspiratën e bashkimit të shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Por preambula e Kushtetutës sonë dhe programet e partive për këtë pikë kanë zënë myk nëpër dosje, sepse fletët e shkruara për këtë çështje, qysh se janë nxirë me ato fjalë magjike, kanë mbetur të mbyllura.
Është interesante të kujtojmë vitet e para të demokracisë në vendin tonë. Në ato vite të stuhishme, ligjëratat panagjerike të liderëve partiakë, sidomos të të djathtëve me kreun karizmatik të PD-së, shprehnin hapur jo vetëm dëshirën dhe programin për bashkimin kombëtar, por ndërkohë që mallkonin regjimin komunist “që pati shitur Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare”, tundnin jataganët dhe kërlesheshin, a thua se sapo të mbaronte fjalimi, do të suleshin për t’i marrë ato troje “të tradhtuara nga regjimi i kaluar”. Ky “heroizëm” i atyre që po vinin dhe erdhën në pushtet me flamurin e demokracisë, pritej të shpërthente sapo “Shqipëria Demokratike” të merrte paksa vehten nga zallamahia e ndërrimit të sistemit.
Në vitin 1996, katër vite pas fitores së “demokracisë”, erdhi dhe rasti i parë i volitshëm. Por në këtë vit, ndryshe nga ç’mendohej e pritej, elita demokratike shqiptare në pushtet, në vend që të realizonte heroizmin e deklaruar në dobi të Kosovës, realizoi një altruizëm në shërbim të makinës ushtarake të Millosheviçit, kur duke thyer embargon e ndërkombëtarëve ndaj Jugosllavisë, e furnizoi atë me karburant për të vijuar luftën në Bosnjë, e pas pak kohe dhe në Kosovën tonë. Në vitin 1999 erdhi rasti i dytë, rasti më ideal për të manifestuar “heroizmin” dhe “atdhetarinë” e reklamuar tribunave. Në këtë vit fatlum, interesat demokratike e strategjike të SHBA-së dhe perëndimorëve u puqën me aspiratën e kosovarëve dhe gjithë popullit shqiptar, gjë që çoi në çlirimin e Kosovës nga pushtimi shekullor serb. Në këtë aksion të jashtëzakonshëm kombëtar, elita politike dhe shtetërore shqiptare pati rastin të materializonte atdhetarinë e saj të shpallur në fillimet e demokracisë, por nuk mundi. Nuk mundi se “heroizmi dhe atdhetaria” e saj kishte qenë vetëm demagogji për të përlarë kush e kush më parë patkonjtë e kalit, që tashmë kishte dhënë shpirt.
Ishin vetë kosovarët, që të ndihmuar nga ndërkombëtarët ia dolën mbanë. Shtetarët e politikanët tanë, edhe në dhanë ndonjë ndihmë të vockël, këtë e bënë fshehurazi, sepse hapur e faqe botës nuk ua mbajti. Vetëm populli me pritjen e pashembullt që u bëri vëllezërve kosovarë të dëbuar e të gjakosur nga pushtuesi, si dhe disa djem si zana nga Shqipëria, të cilët vrapuan e u rreshtuan në radhët e UÇK-së, nuk patën as komplekse, as droje e as hezitim për t’i dalë zot trojeve tona dhe vëllezërve tanë matanë kufirit të imponuar “shqiptar- shqiptar”.
Po mbushen 11 vjet që Kosova është e lirë. Ajo ka shpallur pavarësinë dhe është njohur si shtet prej shumë vendeve të rëndësishme të Europës dhe botës. Vëllezërit tanë kosovarë, në ditën e pavarësisë, me germa të mëdha shkruajtën dhe afishuan dy fjalë: “BAC U KRY”. Ishte fjala për amanetin e legjendarit Adem Jashari. Po, a vërtetë u krye amaneti i Bac Ademit? A thua vetëm për kaq ai e shkriu jetën së bashku me pesëdhjetë e gjashtë pjesëtarët e tij të familjes? Nuk e besoj.
Siç e dimë nga historia e kombit tonë, aspirata e moçme e Rilindasve tanë për bashkimin kombëtar u artikulua dhe u realizua për herë të parë më 28 Nëntor 1912 me shpalljen e Pavarësisë në Vlorë nga patriotët tanë me Ismail Qemalin në krye. Por shumë shpejt nga ajo ditë, shovinizmi serbomadh, i ndihmuar nga kancelaritë europiane të kohës, e goditi pavarësinë e shqiptarëve duke pushtuar e shkëputur gjysmën e trungut amtar. Pas kësaj, për gati njëqind vjet rresht, shqiptarët e Kosovës së pushtuar, së bashku me shqiptarët e Shqipërisë së mëvehtësuar, nuk e fashitën për asnjë çast as dëshirën e as veprimin për t’u ribashkuar në një shtet të përbashkët, ashtu siç kanë të përbashkët truallin, kombësinë dhe gjuhën. Dhe pas gati njëqind vitesh luftë e përpjekje të pareshtura, ia ku erdhi, siç thamë dhe 1999-ta, kur shqiptari hyri në rrugën e zgjidhjes së problemit të tij madhor, atë të ekzistencës dhe prosperitetit si komb. Themi “hyri në rrugën e zgjidhjes”, sepse realisht amaneti i Rilindasve nuk është çuar plotësisht gjer në fund. As amaneti i Bac Ademit “nuk asht kry”.
Bëra këtë retrospektivë të shkurtër të historisë sonë, jo për të thënë ndonjë të re, por për të evidentuar faktin se ndërsa për një shekull rresht shqiptarët e të dy anëve të kufirit të imponuar nuk e pushuan për asnjë çast luftën për bashkim, tani që mundësia e këtij bashkimi na ka ardhur në “derë të odës”, jemi shkrehur dhe kemi rënë në një gjumë të pashembullt letargjik. Në të 11 vitet e pasçlirimit të Kosovës, me përjashtim të festimeve për ditët historike, asnjë nga politikanët e shtetarët e dy shteteve tona (shqiptare), nuk është preokupuar më për çështjen tonë kombëtare. Punë të tjera “më të mëdha” ka preokupuar elitën tonë dështake, si zgjedhjet, kutitë, postet, fitimet etj. “nozullime” të kohës së sotme. Të vetmit zëra që kanë guxuar e guxojnë të thonë me plot gojën se: “e drejta e shqiptarëve për t’u bashkuar në një shtet të vetëm, për t’u bashkuar në trojet e tij etnike, për t’u bashkuar në “Shqipërinë natyrale” është një e drejtë plotësisht legjitime, kanë qenë e vijojnë të jenë: Nga partitë politike shqiptare vetëm Partia Komuniste; ndërsa nga individët, Koço Danaj e Idajet Beqiri nga Shqipëria, si dhe Gafur Adili me dy tre shokë nga Kosova dhe në krye të aksionit konkret për këtë qëllim Albin Kurti me “Vetëvendosjen” që ai drejton e me të cilën është bërë simbol i vërtetë i shqiptarisë.
Po politikanët e shtetarët tanë këtej e matanë kufirit artificial çfarë thonë për këtë çështje?
Heshtin. Dhe jo vetëm kaq, por me veprimet e mosveprimet e tyre bëhen edhe pengesë, duke vënë gurë në rrotat e bashkimit. Mbani mend si u sabotua nisma e intelektualëve tanë për pajtim kombëtar në fillimet e demokracisë?!
Për t’u justifikuar para opinionit kombëtar, politikanët e pushtetarët tanë na nxjerrin përpara “konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, që na ndalokan të ndryshojmë kufijtë e arave tona. Sa çudi! Dhe për të na qetësuar shpirtrat, na ofrojnë për ngushëllim “Integrimin europian”, integrim që sipas tyre (kështu u kanë thënë diplomatët e Europës), do të zgjidhë përfundimisht çështjen shqiptare. Shkurt fjala: Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, na thonë liderët tanë liliputë, është i pamundur, sepse nuk na e aprovojnë ndërkombëtarët.
Mirëpo Xhevat Bislimi, në shkrimin e tij na “gërmon” paksa terrin e këtij arsyetimi dhe na tregon se kur Bushi erdhi në Tiranë, i paska thënë Kryeministrit tonë se “Kosova tashmë është e jotja, ndaj ftoi politikanët e Prishtinës dhe merru vesh me ta”. Dhe po në atë takim numri një i SHBA-së, u qenka drejtuar kosovarëve duke u thënë të kthejnë sytë nga Tirana, se aty e kanë qeverinë.
Nëse këto që thuhen për atë takim historik janë të vërteta, dhe unë nuk kam pse të dyshoj, atëherë më lind e drejta të pyes me të madhe politikano-shtetarët tanë: Çfarë prisni të thonë tjetër ndërkombëtarët, pas asaj që ka thënë Kryendërkombëtari? Mos vallë ne duhet të shullëhemi në hije duke luajtur domino, gjer sa ndërkombëtarët të vijnë të na heqin traun absurd të doganës në Morinë?
Me një sarkazëm të lehtë, autori i shkrimit që përmendëm në krye, na thotë se EULEKS-i dhe NATO-ja nuk e lejojnë FSK të bëhet ushtri e rregullt, sepse një të tillë e ka Shqipëria dhe aty duhet të vijnë e të rreshtohen djemtë kosovarë, kur t’u vijë radha për të kryer shërbimin ushtarak. Edhe njohja e Republikës së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në OKB është një mundim i kotë, përderisa kemi shtetin shqiptar, që e gëzon këtë status përmbi gjysmë shekulli. Dhe në vijim, me të drejtë na kujton se ne shqiptarët duhet të ndihmojmë vetveten, çështjen tonë. Kjo arrihet duke punuar për këtë çështje pa pritur ndihmën e ndërkombëtarëve, ndihmë e cila siç e dimë, kondicionohet nga rrethanat, situatat dhe politikat konjukturale. Ndërsa çështja jonë kombëtare është çështje e përhershme, ajo nuk njeh konjuktura, por vetëm zgjidhje të plotë. As nga politikano-shtetarët tanë të sotëm të mos presim ndonjë veprim për të qenë. Madje, siç po duket në këta vite, është pikërisht kjo klasë politike, kjo elitë shtetërore, që drejton në të dy anët e kufirit të imponuar e tashmë artificial, e cila, jo vetëm nuk po jep ndonjë vizion apo kontribut konkret për çështjen kombëtare, por siç cekëm edhe më sipër, po i bëhet pengesë asaj. Pse ndodh kjo? Për një arsye shumë banale: Për interesa meskine të “qoshes së oxhakut”. Për të mos thënë ndonjë frazë tjetër më të rëndë, të cilën nuk mund t’a argumentojmë për momentin.
Çështja kombëtare është çështja jonë themelore, është guri i provës për çdo shqiptar, që e ka këtë emër të vërtetë. Dhe kjo nuk është “nacionalizëm i sëmurë”, por një aspiratë e ligjshme e një populli i cili kërkon të rrojë e të prosperojë në pjesën e diellit që i takon. Elita jonë drejtuese nuk mund ta marri mbi shpatulla këtë aksion të madh, sepse siç po duket ka rënë viktimë e korrupsionit të saj moral, politik e ekonomik. Ndaj duhet që ne qytetarët e lirë, të dalim nga letargjia ku kemi rënë, apo na kanë futur dhe duke u rreshtuar në krah të atyre që kanë jo vetëm në program, por edhe në zemër çështjen kombëtare, të mos pushojmë asnjë çast gjer në realizimin e amanetit të të parëve tanë. Për punët tona nuk kemi pse pyesim e as marrim leje nga komshinjtë e aq më tepër nga të huajt. Dhe punët tona kurrë ndonjëherë nuk kanë qenë më afër zgjidhjes se sa sot. Nëse vonohemi, çështja jonë, e drejta jonë, prosperiteti ynë si komb do të vihet në rrezik.




del.icio.us
Digg

Post your comment