image

Virusi si një e vërtetë e re

Është një luftë globale...

 

 

Nga  Veton Surroi

 

Washingtoni e Londra kësaj here nuk na shpëtojnë.

 

Mund ta shikojmë zanafillën e ditës së sotme të ngujimit kështu. Është një qytet Wuhan. Deri tash për shumicën prej nesh në këtë kënd të vogël të Ballkanit ky qytet shumëmilionësh ka qenë në anën tjetër të së vërtetës. Nuk kemi ditur për të, prandaj nuk ka ekzistuar. Qyteti është bërë i vërtetë, ka filluar të ekzistojë, një ditë kur në tregun e peshqve dhe të shtazëve e shpezëve të egra virusi ka kaluar prej lakuriqit te një kafshë e butë, te njeriu.

 

Ndoshta ka kaluar si supë delikatese ekzotike, aso që hahen në pazar, supë lakuriqi. Ndoshta jo. Rrugë të njëjtë ka pasur edhe virusi. Nuk ka ekzistuar, sepse nuk kemi ditur për të. Prej asaj dite kur është paraqitur, ekziston, është i vërtetë. Mund ta shikojmë edhe kështu. Nuk ekzistojnë të vërtetat absolute. Pra, nuk ekziston as virusi i përkryer dhe i fundmë. Nuk ka virus absolut, çdoherë do të ketë virus të ri. Koronavirusi, virusi me kurorë, është një version i ri, mutacion, i viruseve të mëparshme. Pra, është një e vërtetë e re ndaj së cilës nuk jemi mësuar. Trupi ynë nuk është i përgatitur për këtë të vërtetë. Trupi ynë duhet të njihet e të bashkëjetojë me këtë të vërtetë të re. Këtu jemi sot.

 

Dy turistë kinezë e sollën të vërtetën e re virale në Itali. E vërteta u identifikua më 30 janar të këtij viti. Italia është fuqi industriale dhe ka institucione të avancuara mjekësore e shkencore. Është edhe demokraci. Është edhe një prej shteteve të mëdha të Bashkimit Evropian.

 

Dilema më e madhe për këtë fuqi të veçantë evropiane është si të merret me të vërtetën e re. A do t’i lejonte morali dhe etika ta imitojë një model aziatik jodemokratik qeverisjeje, si ai i Kinës, dhe të vendoste atë që bëjnë diktaturat më së miri: kufizimin e lirive – të qarkullimit, të asociimit, të ndërveprimit të lirë? A do të ishte etike që në një vend me rregulla e procedura kushtetuese të gdhijë një ditë ushtria dhe t’i marrë në dorë shërbimet publike, përfshirë edhe spitalet që i ndërton për 48 orë? Për tre javë rresht u analizua e vërteta e re. Kishte rritje rastesh, ndonjë qind sish të infektuar me të. Të trajtuar me sistemin e avancuar mjekësor italian, të menaxhuar me një lloj izolimi në nivel lagjeje e qyteti.

 

Dhe atëherë shpërtheu njohuria se e vërteta e re ka kapacitet progresioni gjeometrik dhe se do të dyfishohet çdo tre ditë. Pesë javë pasi u shfaqën dy turistët kinezë me të vërtetën e re, Qeveria italiane ndërmori masat e karantinës kombëtare. Sot, kur shkruaj këta rreshta, pra gati shtatë javë pas shfaqjes së dy turistëve kinezë, në Itali ka 28 mijë të infektuar dhe 2.158 të vdekur nga COVID-2019, e vërteta e re.

 

3.

 

Në shkencat juridike Britania e Madhe e SHBA-ja kanë formë të veçantë të arritjes tek e vërteta. E quajnë “common law” dhe ne të tjerët e njohim si e drejta angloamerikane. Parimi themelor (i thjeshtësuar) i kësaj forme të arritjes tek e vërteta, krahasuar me të drejtën napoleonike me parimet e së cilës jetojmë ne evropianët kontinentalë, është mbështetja te precedenti. Pra, një aktgjykim mund të mbështetet jo domosdo në përpikërinë e ligjeve të kodifikuara, por në aktgjykimet paraprake dhe mbështetjen e tyre ligjore. Thelbi, pra, i dallimit është përvoja, e cila duke u ndërtuar shkallë-shkallë, bëhet udhëzuesi më i mirë për arritjen e së vërtetës. Tingëllon ndërlikuar, por kështu disi e kuptova veçimin e Britanisë së Madhe dhe SHBA-së në ballafaqimin me të vërtetën e re. Britania e Madhe doli me një koncept që e quajti “imuniteti i kopesë”.

 

Sipas mjekëve të respektuar britanikë që e propozuan, qytetarët britanikë do të infektohen dy herë gjatë këtij viti me virusin e ri, një herë në pranverë e herën tjetër në dimër. Meqë ky virus është një e vërtetë e re, do të ishte mirë që 60 për qind e popullatës të infektohet me të në mënyrë që trupat e 60 për qind të popullatës të aktivizojnë mbrojtjen e tyre imunitare dhe, eventualisht, të mësohen me të. Kështu, kur kjo “kope” të hynte në dimër, do të ishte e gatshme për rishfaqjen e virusit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën me një koncept që mund të quhet, nëse do formuluar si diçka koherente, me “jemi të fortë, s’ka ç’na bën kush”. Presidenti Trump nuk e konsideroi si një të vërtetë të re. Tha se nuk është gjë, “është një person që ka ardhur nga Kina”, “një ditë, është si mrekulli, do të zhduket”, “kemi vetëm 15 njerëz të infektuar dhe janë duke u përmirësuar”, “e kemi nën kontroll”, “kah gushti do ta marrë uji”. Të hënën u botua një studim i Imperial College me parashikimet për Britaninë e Madhe dhe SHBA-në. Studimi thotë se vaksina kundër COVID-2019 është së paku 18 muaj larg dhe se në kushtet e tanishme të shërbimeve mjekësore dhe me politikat e “imunitetit të kopesë” Britania e Madhe ka gjasa që sivjet të ketë 250 mijë të vdekur dhe një shërbim të shkatërruar shëndetësor.

 

Me “hajt se s’ka ç’na bën” , në SHBA do të vdesin 2.2 milionë njerëz. Dje, pothuajse njëkohësisht, kryeministri britanik dhe presidenti amerikan dolën në konferenca shtypi për të shpallur masa që lënë pas qasjen e deritanishme dhe afrohen kah ato të “distancimit social” dhe formave të ndryshme të karantinës. Studimi që solli këtë ndryshim ishte në thelbin e së drejtës angloamerikane. Mori statistikat italiane të të infektuarve, të kapaciteteve spitalore dhe të masave të ndërmarra. Dhe konstatoi se italianët kishin gabuar kur e kishin injoruar këtë të vërtetë të re.

 

4.

 

Personi i shtatëmbëdhjetë në Kosovë i identifikuar me koronavirus arriti nga Londra. U infektua përderisa ishte në fuqi ideja e “imunitetit të kopesë”. Dhe, u bë pjesë e mënyrës se si trajtimi i së vërtetës në një shtet godet tjetrin. U bë pjesë e një konstatimi se nuk ekziston imuniteti prej vendimeve të të tjerëve; që të gjithë do të kemi pasoja të njëfarë lloji nga vendimet e njërës apo tjetrës Qeveri. Është përjetim paradoksal. Më 1999 ekzistenca ime dhe e bashkëqytetarëve të mi në Kosovë varej nga vendimet në Washington, si dhe Londër – dhe Paris e Berlin. Në këto kryeqytete udhëhiqej me aksion politik, në fund dhe ushtarak, për të na shpëtuar. Tash në Washington e Londër nuk ka dëshmi për udhëheqje, jo më për ta shpëtuar Kosovën, por as veten. Është një luftë globale, por pa udhëheqje kundër së keqes./Koha

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0