Home | Opinion | Një Diell shprese për Botën e trishtë

Një Diell shprese për Botën e trishtë

image
Bota është tronditur...

 

 

 

Nga Bardhyl Zaimi

 

 

 

Dhe, sa herë njerëzimi kanoset nga një armik i padukshëm që shfaqet frikshëm si kërcënim, ne rrekemi të gjejmë shpjegime në urtësinë njerëzore, në atë përvojë madhështore të mbledhur në përkulje studimesh dhe analizash të pafundme . Është frika nga e panjohura që krijon llahtari. Në një ese të tij, filozofi Nikollai Bergjaev, thotë se llahtaria është e ndryshme nga frika. Frika, thotë ai, ka të bëjë me një kanosje konkrete, ndërsa tmerri-llahtaria vjen nga e panjohura. Korona virusi mbetet një “armik i panjohur”.

 

 

Bota është tronditur. Asgjë nuk mund të jetë më si më parë. Virusi korona, pavarësisht nga zhvillimi i teknologjisë, pavarësisht nga gjitha zhvillimet tjera njerëzore, na bërë të ditur se sa e brishtë është jeta njerëzore. Na bëri të kuptojmë se një jetë njerëzore është përbashkësia e jetës përgjithësisht në gjithë globin. Na bëri të kuptojmë se askush nuk mund të jetojë i veçuar jashtë idesë gjithënjerëzore që mbetet esencë supreme e ekzistencës sonë.

 

Kur troket frika qenia njerëzore zbythet. Zbythet në vogëlsinë e vetë, në atë pasiguri fillimtare që e ka përcjellë gjithnjë jetën nga shfaqjet e parme dhe deri në ditët tona, në ditët të mbushura me përkryerje virtualiteti, të mbushura me rehati kërcëllitëse, të mbushura me idenë e paprekshmërisë nga hijet kanosëse të probabiliteteve nga miniuniverset, habituset tjera që vijnë si armik i padukshëm, por që gjithnjë ka qenë në mesin tonë.

 

Dhe, sa herë njerëzimi kanoset nga një armik i padukshëm që shfaqet frikshëm si kërcënim, ne rrekemi të gjejmë shpjegime në urtësinë njerëzore, në atë përvojë madhështore të mbledhur në përkulje studimesh dhe analizash të pafundme . Është frika nga e panjohura që krijon llahtari.Në një ese të tij, filozofi Nikollai Bergjaev, thotë se llahtaria është e ndryshme nga frika. Frika, thotë ai, ka të bëjë me një kanosje konkrete, ndërsa tmerri-llahtaria vjen nga e panjohura. Dhe, teksa i shihnim pamjet e shpërthimit të parë në Vuhan të Kinës, aq domethënëse dhe tmerrësisht paralajmëruese dukeshin vargjet e Brehtit “Ata qeshnin përderisa lajmi i keq akoma nuk kishte mbërritur”.

 

Në të njëjtat frekuenca të përpunimit të këtij realiteti njerëzor, të kanosjes dhe të shpërfaqjes së vetmisë supreme vjen edhe “Murtaja” e Albert Kamysë, që këtyre ditëve të kanosjes nga virusi korona u bë ë ditur se ishte libri më i lexuar. Shkrimtarët në partiturat e krijimtarisë së tyre kapin tonet më të thella të ekzistencës njerëzore, gjithë brishtësinë e jetës përballë të panjohurës, prandaj edhe fuqia e fjalës së tyre mbetet e përhershme dhe universale. Të tillë janë romanet që përbrendësojnë pikërisht këtë fat njerëzor të atakuar nga mbrapshtitë e panumërta të jetës “ Dashuri në kohërat e kolerës” dhe “ Njëqind vjet vetmi”, që vijnë në fokusin e leximeve të këtyre ditëve.

 

Po, padyshim, në këtë zymtësi globale, në këtë tashme të kërcënuar që shtron shumë pyetje dhe merr kaq pak përgjigje, diku mbi instrumentet e tyre anembanë globit, qëndrojnë të kërrusur shkencëtarët, që përpiqen t’i japin shpjegim “armikut të padukshëm”, këtij “armiku” të identifikuar, por mjaft inteligjentë që po korr jetëra njerëzish. Një betejë madhështore për t’i dhënë njerëzimit shpresën e shpëtimit, shpresën për ta mundur edhe këtë hije të padukshme që atakon jetën njerëzore.

 

Në këtë situatë vetëngujimi, të rekomanduar nga shkencëtarët më në zë, e afishuar vazhdimisht edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, njerëzve iu mbetet që të tregohen të kujdesshëm, të jenë të përgjegjshëm për ta izoluar sa më shumë këtë “armik të padukshëm” që nuk dëshiron të dorëzohet. Në vijën e parë të këtij fronti janë mjekët, gazetarët dhe të gjithë ata që përpiqen ta ruajnë normalitetin e funksionimit në një situatë të rënduar nga virusi korona. Dhe gjithë mirënjohja jonë shkon për ta, për punën e tyre, për angazhimin e tyre në këto ditë të vështira për gjithë njerëzit e globit.

 

Sigurisht, qeveritë e të gjitha vendeve tashmë kanë ndërmarrë masat e duhura të rekomanduara nga OBSH, ndërkohë që sprova e përgjegjësisë qytetare mbetet tash për tash ilaçi më i mirë. Sigurisht në vendet më pak të zhvilluara vetëizolimi paraqitet si një problem më vete. Shtetet më të forta dhe më të organizuara krahas izolimit kanë ndërmarrë edhe masa intervenimesh financiare për të mbrojtur kolapsin ekonomik.

 

Në rrethanat tona, qëndrimi në shtëpi, po patjetër, një domosdoshmëri për ta parandaluar përhapjen. Kjo nënkupton edhe një izolim tjetër. Izolimin e ekonomive familjare. Një numër i madh i familjeve jetojnë me të ardhura minimale dhe në saje të punës dhe mbijetesës ditë për dite, pa ndonjë kondicion financiar vetëprivimi dyjavor ose më tepër. Mund të tingëllojë absurde, por do të shfaqet edhe ky problem. Qeveria duhet ta mendojë edhe këtë. Pa diskutim kontrollin e çmimeve dhe jetën sociale në një rrethanë krejt specifike kufizimi social të domosdoshëm!

 

Ne nuk e dimë tashmë se sa familje përballen me ekzistencën e përditshme, ndërkohë që qeveria përveç apeleve për vetëngujim nuk ka dhënë shenja se si do ta menaxhojë këtë dimension të jetës sociale. Në Gjermani, përveç që janë dhënë miliarda euro si injeksion financiar për këtë situatë, gjithashti ka një aksion qytetar për t’i ndihmuar më të meshuarit me gjerat e domosdoshme dhe me shërbime që janë në përputhje me masat e proklamuara nga qveritë.

 

Një dimension human i jashtëzakonshëm. Nuk ekziston ndonjë situatë aq e pashpresë që njeriu të mund ta përjashtojë përmasën humane brenda vetes. Asnjë kërcënim nuk mund të jetë më i fuqishëm se dashuria për qenien njerëzore. Mbetet kaq e rëndësishme që në këtë situatë të mendohet dhe veprohet me racionalitet dhe me humanitet të plotë. Grykësia e aty-këtushme, e blerjeve enorme të ushqimeve është një egoizëm i llojit të vetë. Jo gjithsecili ka mundësi për këtë “siguri” të përkohshme që më tepër është psikologjikë. Kjo situatë mbi të gjitha kërkon racionalitet, kërkon përbashkësi frymë njerëzore dhe jo egocentrizëm mbijetese cinike. Ne nuk jemi vetëm ne, por edhe tjetri që është i ngjashëm me ne. Tjetri jemi ne, qenia njerëzore, që kërkon frymë solidariteti, që kërkon humanitet në këtë eklips frike dhe tmerri që ka kapluar botën.

 

Virusi korona ka tronditur ontologjinë njerëzore dhe mbetet sfidë e përbashkësisë njerëzore për ta tejkaluar. Të vetëngujuar me idenë e përbashkësisë gjithënjerëzore. Dielli përsëri do lindë…!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00