Home | Opinion | “Annus confusionis”

“Annus confusionis”

image
Tarifa, negociata dhe intriga: ky vit do të jetë i gjatë ...

 

 

Nga Veton Rusoi

 

 

 

Tarifa, negociata dhe intriga: ky vit do të jetë i gjatë – do t’i ketë më shumë se 445 ditë. Nga prizmi kosovar është me rëndësi që topi të hidhet te pala tjetër, kundërshtare. Kështu largohet pak presioni. Sepse presioni nuk largohet duke shpresuar se një dorë magjike europiane i zgjidh nyjat e Kosovës. Por iluzione nuk duhet pasur as mbi galopin me kalë të Richard Grenellit dhe Twitter-diplomacinë e tij.

 

 

 

1.

 

 

Njëherë në kohën e Jul Cezarit u ngatërruan punët me kalendar dhe viti i bëri 445 ditë. Përgjegjësit për kultivimin e kalendarit kishin harruar të kryejnë punën e tyre. Kështu hyri në histori “annus confusionis”, viti i hutimit. Përkthyer në kontekstin kosovar kjo domethënë: ky do të jetë një vit i gjatë. Ndoshta me më shumë se 445 ditë. Ngatërrime dhe hutime me gjasë do të ketë pafund. Edhe brohoritës që nga tribuna bërtasin: “godite, godite”, pa i menduar pasojat eventuale për vendin.

 

ADVERTISING

 

2.

 

Pasojat për vendin nuk i kanë menduar së pari ata që sunduan deri dje. Çfarë kam shkruar para një viti apo para gjashtë muajsh vlen edhe sot: është iluzion të besohet se mbajtja në fuqi e tarifës doganore ndaj dy shteteve të Ballkanit e detyron Serbinë ta pranojë Kosovën. Që ish-kryeministri i Kosovës ende vazhdon të tregojë këso kashelasha, flet shumë për mënyrën se si ai e kupton funksionimin e politikës ndërkombëtare. Domethënë: nuk e kupton sa duhet dhe mbi të gjitha nuk e vlerëson drejt kontekstin dhe ndryshimin e rrethanave. Që presidenti i vendit sipas motit herë thotë do të hiqet tarifa (si tani, për shembull), herë nuk e heqim (kur dëshiron të shpreh nervozizëm ndaj europianëve) – edhe kjo tregon një deformim të madh të jetës institucionale në Kosovë, ku politika është vetëm kalkulim i interesave të çastit.

 

3.

 

E qeveria aktuale? Nuk po shquhet për talent taktik. Nuk është strategji e duhur të përzihen tarifa dhe reciprociteti. Njëherë hiqet tarifa, i jepet shans atyre që po quhen e paralajmërohen si bisedime a negociata, bëhesh pjesë e këtij procesi, nëse nuk të pëlqen marrëveshja, e kundërshton dhe përgjigjesh edhe me masa reciprociteti ndaj fqinjit verior, kuptohet po pate fuqi në ekzekutiv dhe në parlament. Vendimet prej kamikazi, improvizimet për efekte mediale, mungesa e konsultimeve me partnerin e koalicionit, paradat me dokumente të NATO-s më së shumti i kushtojnë kryeministrit aktual. Mund t’i kushtojnë edhe Kosovës. Sidomos kur e ke në kabinet një partner që duke mos pasur politika të vetat, fshihet rehatshëm pas formulimit “ne jemi për partneritet me Perëndimin”. Thua ti që është duke e kontestuar ndokush këtë në Kosovë. Duke u fshehur pas këtij “partneriteti” është nënshkruar edhe marrëveshja për versionin e lehtë të Republika Sërpskës në Kosovë. Ky version i lehtë mund të bëhet i rëndë në të ardhmen. Kush pyet për vendime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sidomos jo këta që po i mbajnë frerët në Shtëpinë e Bardhë. Po të pyetshin këta, drejtësia në Amerikë do të shndërrohej në zyrë për arsyetimin e telefonatave juridikisht të kontestueshme të Donald Trumpit. Alternativa tjetër po ashtu e keqe në Kosovë është prishja e kufijve, një ide që ka ende përkrahës, sepse për këtë ide janë harxhuar miliona euro e dollarë.

 

4.

 

 

Të vërtetën nuk e dinë vetëm ata që nuk duan ta dinë: procesi i bisedimeve ka kaluar në galop kaubojësh. Por nuk është befasues ky galop, sepse me vite është biseduar pas kulisave, shumica e politikanëve të Prishtinës madje e kanë ditur se çfarë po zihet. Këtë situatë e ka toleruar pothuaj tërë spektri politik, disa duke mos dashur të marrin përgjegjësi (sepse nuk fiton poenë në Kosovë me bisedimet me Serbinë), disa duke thënë “nuk kemi kohë të merremi me bisedimet me Serbinë, kemi punë këtu”, disa duke rrahur gjoks se gjithçka do të rrotullohet e ndryshohet për 180 shkallë sapo të kapet pushteti. Në këto rrethana procesi i është lënë në dorë një personi të vetëm, i cili po e shijon momentin e të “fortit” që së shpejti do ta nokautojë në ring krejt qeverinë dhe do t’ia tregojë vendin edhe europianëve – falë ndihmës nga njeriu me tri funksione i politikës amerikane. Por çdo lojë ka një fillim dhe një fund. Fati personal i politikanëve nuk është më i rëndësishëm se fati i vendit. Në Kosovë në 20 vitet e fundit më i rëndësishëm ka qenë fati personal i politikanëve se sa fati i vendit. Pasqyrë e kësaj janë kompromiset e njëpasnjëshme dhe të dëmshme në kurriz të Kosovës dhe të cilat shumica e parlamentarëve i kanë miratuar me dëgjueshmëri ushtarësh.

 

5.

 

Secila nga palët vendore dhe ndërkombëtare që po ngulë këmbë për bisedime të shpejta dhe për një karate-proces, i ka motivet e veta, të cilat mund të mos jenë në interesin e përgjithshëm të Kosovës. Por – dhe këtu duhet përsëritur atë që kam shkruar disa herë – pritja se hallin e Kosovës e zgjidh Angela Merkeli, e cila ka heshtur qe gati një dekadë dhe e ka toleruar sundimtarin serb, është iluzore. Po aq iluzore sa pritja se një spanjoll e një sllovak në emër të BE-së do të gjejnë një zgjidhje. A u paralajmërua dje heqja e pjesshme e tarifës doganore? Po. Cili qe reagimi nga Brukseli? Përshëndetje dhe urime. Mund të thoshin: tash do e rrisim presionin ndaj vendeve të BE-së që të hiqen vizat. Apo së paku të përmendej kjo padrejtësi.

 

6.

 

Nga ana tjetër: kacavarja e entuziastëve të shfrenuar pas idesë se tash Richard Grenelli me shkop magjik e rregullon këtë punë dhe i qetëson fakirët ballkanikë, është muhabet kafehanesh ballkanike. Procesi përmbyllet me njohjen e Kosovës nga Serbia DHE me hyrjen e Kosovës në OKB. A arrin Grenelli me Twitter-diplomacinë e tij t’i bind katër fuqi me veto në Këshillin e Sigurimit për të kaluar pranimin e Kosovës në OKB? “Excuse me, I am not convinced”. Kjo ka qenë përgjigjja e një politikani gjerman ndaj një politikani amerikan. Por kjo punë është ngaherë dhe ata kanë folur për një çështje tjetër. Tani – kohëra të reja, eksperimente të reja. Nga prizmi kosovar është, megjithatë, me rëndësi që topi të hidhet te pala tjetër, kundërshtare. Kështu largohet pak presioni. Sepse ky vit do të jetë i gjatë – do t’i ketë më shumë se 445 ditë. Ndërsa Kosova nuk ka Jul Cezar, por vetëm një grusht politikanësh që mendojnë se ende jemi më 1999 dhe bota e madhe ka vetëm një hall: Kosovën. Sa për dijeni: sot do të mblidhet NATO në një takim urgjent - jo për të bombarduar Serbinë, por për të diskutuar situatën e krijuar pas vrasjes nga regjimi sirian të mbi 30 ushtarëve turq.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0