image

Heterogjeniteti i "Kacagjelimeve" Politike

Pluralizmi politik ka kuptim në një hapësirë të konsoliduar dhe kreative demokratike. 

 

 

Nga Bardhyl Zaimi

 

 

Trajektorja politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut gjithmonë është përcjellë me premtime të mëdha, të cilat kanë përfunduar në qeverisje të mefshta dhe atrofuese. Përkundër proklamimeve të sforcuara politike, shpeshherë folklorike, pa vizion konkret për bartje të vullnetit politik të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maëedonisë së Veriut, partitë politike më tepër kanë ushtruar stilistikën e premtimeve boshe duke prodhuar gjatë tërë kohës zhgënjime të panumërta te qytetari shqiptar.

 

Sidoqoftë, përtej këtyre zhgënjimeve, përtej kontestimeve joreale dhe mburrjeve gjithashtu joreale, politika e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka firuar në përmbajtje, ka degjeneruar në reprezentim dhe ka pësuar zbythje të vazhdueshme në artikulimin substancial, kreativ dhe modern mbi gjithë preokupimet të elektoratit që i drejtohen partitë politike.

 

Pas opozicionit epik mes BDI-së dhe PDSH-së, të cilit i kishte paraprirë kundërvënia e dikurshme mes PPD-së dhe PDSH-së, brenda kohës në formë pakënaqësish ishin krijuar shizmat politike brenda partive që tashmë e kishin çqendërzuar këtë kundërvënie edhe subjekte tjera që dilnin po nga këto dy parti.

 

Realisht, kundërvëniet e forta mes dy subjekteve ideologjikikisht kundërshtare të përhershme, tashmë ishin dekompozuar edhe në subjekte tjera politike që po kërkonin identitetin e tyre politik si shizma pakënaqësie brenda subjekteve ku më parë aderonin.

 

Goditjen më të madhe nga këto shizma e mori PDSH, ndërkohë po aq, por jo me intensitet të njëjtë goditje kishte marrë edhe BDI.

 

Zgjedhjet e fundit parlamentare tashme kishin strukturuar politikisht edhe dy forca tjera politike që ishin etabluar si parti parlamentare, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët që brenda vetes përfshinte edhe dy parti tjera më të vogla. Fuqizimi i këtyre dy subjekteve tashmë kishte krijuar një realitet të ri politik te shëiptarët që determinohej nga kundërvënie dhe goditje të theksuara.

 

Kjo ishte faza kur homogjeniteti dypolesh politik tashmë ishte shndërruar në një hetorogenitet politik jostabil, në të cilin secili subjekt kërkonte të shfaq dhe të shtrijë praninë te elektorati shqiptar.

 

Edhe gjatë kësaj faze politike me shumë të panjohura, diskurset politike afishonin ide të mëdha, ndërkohë që Maqedonia e Veriut po kalonte një proces të vështirë gjeopolitik të diktuar nga rrethanat e reja gjeostrategjike.

 

Ky hetorogjenitet politik i shfaqur para zgjedhjeve të fundit parlamentare përshkohej edhe me një element krejt të ri për trajektoren politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, votimi i një partie maqedonase, LSDM-së. Pas zgjedhjeve, ky heterogjenitetit politik do të shënojë edhe një shizmë të re brenda Lëvizjes Besa, e cila kishte siguruar 5 mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare. Nga kjo shizmë do të fillojnë të funksionojnë dy subjekte, Lëvizja Besa si trashëgimtare me ligj dhe partia Alternativa. Të dy subjektet do të pretendojnë që janë trashëguese të lëvizjes fillestare.

 

Pluralizmi politik ka kuptim në një hapësirë të konsoliduar dhe kreative demokratike. Pluralizmi politik nuk është egocentrizëm partiak që vetëm e thekson praninë politike, por në të njëjtën kohë nënkupton aksionin politik për t’iu përgjigjur sfidave dhe pritjeve të elektoratit. Pluralizmi politik nuk është huti dhe atrofim politik, por përkundrazi është shfaqje dinamike e përmbajtjeve politike që artikulohen brenda aspiratës së demosit që shfaqet si vullnet demokratik.

 

Në planimetrinë e këtij heterogjeniteti të shfaqur edhe në prag të këtyre zgjedhjeve të parakohshme, së paku deri më tani, nuk kemi shpalime idesh politike, praktikash të reja demokratike, sensibilizimesh për një sërë problemesh me të cilat ballafaqohen qytetarët. Edhe artikulimet që prekin në temat identitare si përherë vazhdojnë të jenë vetëm tullumbace parazgjedhore pa ndonjë ekspertizë të caktuar, pa formulime moderne politike, pa debat dhe argumentim të mirëqenë.

 

Në gjithë trajektoren e politikës së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka munguar gjatë gjithë kohës vizioni ekonomik, kanë munguar projektet autentike ekonomike që do t’iu përgjigjeshin pritjeve të elektoratit shqiptar. Gjithmonë kanë dominuar temat boshe patriotike, të sforcuara në një garë pambarimisht të pakuptimtë se kush është më patrioti. Dhe e gjithë kjo gjithnjë ka qenë e vendosur në rrafshin e llafazanisë politike, duke mbuluar kështu artikulimin real dhe modern politik të ndjeshmërisë së shqiptarëve në planimetrinë institucionale të Maqedonisë së Veriut.

 

Në vend të projekteve është ofruar retorikë dhe në vend të një vizioni gjithëpërfshirës janë ofruar mburrje fragmentare. Në fakt, legjitimiteti i pluralizimit politik si konkurrencë idesh, qasjesh dhe praktikash është shndërruar në një heterogjenitet kacegjelimesh politike që nga një cikël zgjedhor në tjetrin ka prodhuar zhgënjim elektoral dhe atrofi politike.

 

Duket se brenda këtij rrethi vicioz fragmentimesh politike po “shtrohet” edhe “beteja” për këto zgjedhje parlamentare. Tash për tash ka mungesë të jashtëzakonshme të ideve politike, ndërkohë që vazhdohet me avazin e vjetër të ripërsëritjeve politike që po e krijojnë një ambient të lodhur elektoral me përjashtim të “ngrehalucëve” partiakë që iu bien “borive” të partisë pa idenë se çfarë kërkon hapësira politike dhe demokratike.

 

Legjitimiteti dhe kauzaliteti i funksionimit politik në asnjë rast nuk i nënkupton justifikimet ideologjike somnambule dhe as demonizimet që vijnë në formë mashtrimesh dhe mistifikimesh jashtë orbitës së politikës. Qenësia politike e nënkupton konkurrencën e ideve politike në hapësirën demokratike.

 

A do të mund partitë politike shqiptare ta tejkalojnë vetveten në këto zgjedhje, që në vend të grindjeve, sharjeve dhe fyerjeve t’i ofrojnë elektoratit shqiptar vizion politik dhe projekte konkrete që janë me interes për qytetarët?

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0