image

Kur ftohet Shkupi e Janina, kollitet Tirana e Prishtina

Zgjohuni shqiptarë kudo që jeni, për një gjuhë e një flamur...

 

 

Nga Abdulla Mehmeti

 

 

 

Është për t’u habitur me nivelin e lartë të indoktrinimi të shqiptarëve mbi bazë të çfarëdo ideologjie të huaj, përveç ideologjisë kombëtare, që ka krijuar shtrat të sigurt për depërtimin dhe përhapjen me kaq lehtësi të propagandave të huaja ndër shqiptarët, e që nuk u lejon shqiptarëve të kthjellen dhe esëllohen për fatin e tyre, të ardhmen e kombit dhe të shteteve të krijuara me shumë mund, gjak e sakrifica!

 

Për çështje tepër madhore në interes të kombit, jo vetëm që është për t’u habitur, por edhe për t’u tmerruar, nga mënyra e sjelljes së elitave politike dhe intelektuale, me sa papërgjegjësi i marrin punët për konsolidimin e demokracisë, shtetformimit, shtetndërtimit dhe fatit të shteteve shqiptare, edhe ashtu të brishtë dhe të kërcënuar nga të katër anët; për prepotencën dhe injorancën e politikanëve dhe pushtetarëve, për plogështinë e qytetarëve dhe shërbimin e keq të medieve ndaj këtyre çështjeve, pse nuk po e kuptojnë se edhe kështu kombi shqiptar është katandisur keq nga udhëheqësit e tij, pa e kuptuar që edhe sot Republika e Shqipërisë bashkë me Republikën e Kosovës, kështu siç janë dhe sa janë, nuk përbëjnë as gjysmën e territoreve etnike shqiptare, të humbura, okupuara apo shitura nga udhëheqësit e papërgjegjshëm, nga padija, shërbimi ndaj interesave të huaja, dembelia, krenaria e rrejshme dhe vesi i hajdutërisë ndër ne, në çfarëdo rrethanash!

 

Shqipëria, Kosova, Maqedonia, viset tjera shqiptare dhe Mërgata atdhetare në Evropë, SHBA dhe gjetiu, sot më shumë se kurrë duhet të kujdesen për ngritjen e një klase politike ndryshe, atdhetare dhe të përgjegjshme, të përgatitur profesionalisht, të edukuar moralisht dhe brumosur në frymën kombëtare, e cila me asgjë nuk do të ketë lidhje të gjakut apo familjare me klasat politike dhe rrymat ideologjike të huaja, politike e fetare, sidomos me ideologjinë komuniste sllave, armikun që më së shumti i ka sjellë dëme kombit shqiptar gjatë shekullit të fundit.

 

Përderisa shqiptarët nuk do të dinë dhe mundin të pastrojnë me të kaluarën komuniste, e të gjitha ngjyrave dhe orientimeve, moslejimin e ndikimeve të huaja fetare, për çfarëdo qëllimi dhe interesi që bie ndesh me interesat kombëtare të shqiptarëve, deri atëherë rreziku mbi shqiptarët nga pushtuesit dhe sunduesit e huaj do të jetë fat dhe fatkeqësi e përhershme mbi kokat dhe fatet tona!

 

Zgjohuni shqiptarë kudo që jeni, për një gjuhë e një flamur, një ideologji kombëtare, pa ndasi partiake, ideologjike, krahinore e fetare, rreth një interesi kombëtar dhe shtetëror të përbashkët!

 

Së paku dy shekujt e fundit, mendjet e ndritura të kombit shqiptar bëjnë po këtë thirrje, por gjithmonë njerëzve më të ditur dhe atdhetarë të dëshmuar u janë tretur eshtrat në vende të huaja, ndërsa fatet e Atdheut janë lënë në duart e sundueseve të egër, vendës dhe të huaj, në duart e klasave politike dhe oligarkëve të pangopshëm, të politikanëve përçarës e tradhtarë.

 

Të punojmë dhe shpresojmë në bashkimin e mendjeve të ndritura, jo të bandave kriminale! Të mendojmë dhe përpiqemi për të ardhme më të mirë të kombit!

 

Nuk ka Shqipëri pa Kosovë, as Kosovë pa Shqipëri; nuk ka komb pa liri, shtet ligjor pa demokraci dhe sundim të së drejtës!

 

Të mendojmë dhe përpiqemi pa ndalur për të ardhmen më të mirë të kombit tonë!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00