Home | Opinion | Ne dhe Europa e ndryshmërive

Ne dhe Europa e ndryshmërive

image
 Ideja europiane është sistem vlerash, kultivim i pandërprerë kulturor dhe demokratik.

 

 

Nga  Bardhyl Zaimi

 

 

Mbase si asnjëherë më parë zgjedhjet për Parlementin Europian kanë zgjuar një interes kaq të gjerë. Këto zgjedhje në njëfarë mënyrë ishin një sprovë më vete mbi idenë europiane, e cila paraprakisht ishte sfiduar nga diskurse të forta të forcave nacionaliste dhe populiste. Jehona e këtyre polarizimeve politike në hapësirën europiane ishte lëshuar edhe mbi hapësirat e brishta politike të vendeve të Ballkanit. Të ndodhura në një situatë pritjeje në procesin e integrimit në BE, vendet e Ballkanit Perëndimor, jo njëherë kanë “interferuar” politikisht me ndodhitë brenda BE-së. Partitë politike në këto vende, varësisht nga pozicioni i tyre i artikulimit, i kanë problematizuar zgjedhjet europiane, duke shpresuar në fuqizimin e peshës së tyre politike në raport me elektoratet që pretendojnë.

 

Përgjithësisht betejat poltike në vendet e Bllkanit Perëndimor diktohen edhe nga raporti që ata kanë ndaj integrimeve europiane. Vetë fakti që pjesa dërrmuese e qytetarëve të këtyre vendeve aspirojnë Bashkimin Europian, dikton edhe ndërtimin e diskursve në raport me procesin e integrimeve. Në vazhdimësi ky raport është konstituar në dy hapësira diskurzive, në atë të reformave të duhuara që bën një qeveri e caktuar dhe sulmet për vonesat që gjithnjë mbetet parashenjë e partive opozitare.

 

Zgjedhjet për në Parlementin Europian të përcjella me diskurse të forta euroskeptike gjatë fushatës elektorale dhe me ide tjera populiste që mbanin pezull në ajër idenë e zgjerimit janë shikuar edhe si momentume për transformime elektorale dhe përfitime politike në vendet e Ballkanit. Nuk kanë munguar edhe opinionet se me një realitet të ri përfaqësimi të krijuar në Parlamenti Europian gjithçka mund të ndryshonte në qasjen për vazhduar me ritme të njëjta procesi i integrimit i vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos Maqedonisë dhe Shqipërisë që tashmë presin datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kjo duket si një mjegull hipotetike që është shpërndarë me kohë në hapësirën politike të vendeve të Ballkanit, të cilat më tepër dëshirojnë të mbeten në “opreacione diskursive” përfitimesh të momentit se sa të konsolidojnë skenën politike në bazë të vizioneve konkrete për qytetarët.

 

Zgjedhjet për Parlamentin Europian edhe njëherë e konfirmuan faktin që ideja europiane, pavarësisht nga polarizimet politike të manifestuara, mbetet e gjallë dhe e rrënjosur ndër qytetarët europianë. Pas njëzet vitesh Europa shënon daljen më të madhe prej më shumë se 50 përqind në votime edhe pse nga analistë europianë edhe kjo përqindje është vlerësuar si jo e kënaqeshme.

 

Pikërisht, kjo dalje më madhe në këto zgjedhje nga analistë mediash të ndryshme eurpiane është para në sensin e një polarizimi jo të zakonshëm gjatë fushatës elektorale, të diktuar sidomos nga partitë më populiste, të cilat mendohej se mund të kishin një rezultat të mirë për të ndryshuar ekuilibrat e politikave europiane. Forcimi i këtyre diskurseve në hapësirën politike europiane para disa muajsh kishte ngjallur edhe reagimin e 30 shkrimtarëve ndërkombëtarë mes të cilëve ishte edhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare. Nëpërmjet një manifesti të publikuar në media prestigjioze ndërkombëtare, ata kishin reaguar ndaj “dallgëve të populizmit”, të cilat i kanë parë si rrezik për vetë idenë europiane.

 

Na vazhdën e këtij reagimi intelektual, shkrimtari turk Orhan Pamuk, një ndër nënshkruesit e këtij manifesti kishte deklaruar për “The Guardian” se ideja e Europës ishte e rëndësishme dhe për jo-perëndimorët. “Pa idenë e Europës, të lirisë, të të drejtave të grave, demokracisë dhe barazisë, është e vështirë që unë të mbroj pjesën time të botës”, kishte theksuar Pamuk.

 

Në fakt ideja e Europës së Bashkuar para se të konkretizohet në realitet institucional, siç e njohim ne sot, është promovuar nga shkrimtarë të shumtë, por edhe nga vetë esenca e këmbimeve kulturore të vendeve të Europës që asnjëherë nuk ka njohur kufij. Gjithnjë kur janë shfaqur rreziqe të mundshme shkrimtarët nuk kanë qëndruar indiferentë. Rrezikimi i idesë europiane gjithnjë është përballur me vizionin kulturor dhe letrar të komunikimeve europiane, por edhe të trashëgimisë së përbashkët të kontinentit.

 

Në këtë sens ka qenë edhe apeli i vitit 2004, i Këshillit të Shrkimtarëve Europian, i cili vë në spikamë pikërisht këtë trashëgimi të përbashkët europiane që ka dimensionet e letërsisë që nga antikiteti e këndej.  Ky apel hapet me një thënie brilante të dramaturgut italian, Giorgio Strehler, sipas të cilit “Europa është një ide e njeriut, shumë kohë përpara krijimit të një forme qeverisjeje”.

 

Sidoqoftë, zgjedhjet e fundit për në PE, dëshmuan se ideja europiane tashmë është shumë më e prekshme dhe shumë më pak e lëndueshme nga diskurset populsite që mund t’i kanosen. Sipas shumë analistëve europianë, në këto zgjedhje megjithatë kanë ngadhënjyer partitë pro-perëndimore, të cilat kanë marrë votat e më shumë se dy të tretat e elektoratit. Pavarësisht se partitë me parashenjën populiste kanë fituar në disa shtete koherenca e idesë së Bashkimit Europian mbetet e pacënueshme.

 

Në fakt gjithë esenca e idesë europiane mbetet në pluralitetin e gjerë që ajo ka brenda vetes. Një ndryshmëri që i jep kuptim edhe gjithë funksionimit institucional të BE-së. Vetë institucionet europiane janë ndërtuar pikërisht mbi këto ndryshmëri, mbi këtë pluralitet të gjerë dhe të thellë politik dhe kulturor. Këto ndryshmëri janë vlera e idesë europiane, por edhe substanca e gjithë vizionit konstuticional të Evropës si një entitet politik, kulturor dhe ekonomik.

 

Jo rastësisht në një koment të tij në DW mbi zgjedhjet në PE, Bernd Riegert, shkruan se “Bashkimi Europian mbetet ai çka ka qenë: një vend me një përzierje shumë heterogjene, që vazhdimisht duhet të gjejë kompromise. Ky është fati dhe barra e tij”. Dhe Europa di t’i menaxhojë këto ndryshmëri për shkak se me kohë ka krijuar një sistem funksional që i përthith si vlera. Është thënë edhe më herët nga mendje europiane se sa më tepër që sulmohet ideja europiane ajo paradoksalisht bëhet më e fortë.

 

Ndërkohë fat dhe barrë për gjithë ne që jetojmë në vendet e Ballkanit duket se mbetet që, pavarësisht polarizimeve që ndodhin në Europë, të përbrendësojmë sa më shumë vlera që në përafrojnë me këtë sistem që i njeh deri në fund ndryshmëritë, dinjitetin e gjithsecilit dhe vizionin për të qenë pjesë e një ideje të përbashkët. Ideja europiane është sistem vlerash, kultivim i pandërprerë kulturor dhe demokratik.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0