Home | Opinion | Faji politikës, turpi shoqërisë përballë botës demokratike!

Faji politikës, turpi shoqërisë përballë botës demokratike!

image
Media shqiptare në shumicën e rasteve është prodhim politik...

   

Nga Besi Bekteshi

 

 

Ka pothuaj tre dekada që shoqëria shqiptare demostrohet përballë botës së qytetëruar dhe sidomos asaj demokratike, si një "akademizëm primitiv" si një ruralizëm akut i pashterueshëm dhe për më tepër, si një shoqëri që nuk ndërton shtet, nuk kupton demokracinë dhe shpërdoron lirinë! Mirë pamjet me anijet mbushur plot me shqiptarë të lënduar dhe shkatërruar nga diktatura, mirë pamjet e degradit urban dhe shoqëror në vitet e fillimit të demokracisë, mirë firmat rentiere dhe fillimi luftës civile të një pushteti primitiv, gangster dhe imoral si i Berishës që çoi në rrënim shtetin në vitin ’97-të, mirë shkatërrimi i ushtrisë, mirë puçi shtetit dhe tym e flaka në ’98-tën, mirë Gërdeci dhe 21 janari, por dhe çadra e tym e flaka e ditëve të sotme, që janë të gjitha faje të klasës politike me të cilën barazohet dhe merr sinjifikat dhe shoqëria shqiptare! Bota kështu na njeh të gjithëve! Na barazon me Berishën, me Monikën, me Lulin, Ilirin, me Mediun, me Fatos Nanon, me Ramën biles dhe me Shehun dhe Ndokën na barazon, por dhe me një shpurë politikanësh dhe politikucësh që në tre dekada kanë bërë një plehrë shtet dhe plehrë demokraci në Shqipëri! Gjithë kancelaritë e huaja, duke filluar nga Brukseli, Berlini, Parisi, Londra, Roma, Viena etj., etj., na barazojnë me klasën politike, të cilën sigurisht e votojmë ne dhe sidomos na barazojnë ne, me vesin e tyre të pushtetit dhe grabitjes e shfrytëzimit të tij, por dhe me arkaizmin, poshtërsinë dhe marrëzinë e ngjitjes mbas karriges së pushteti për arsyen e vetme të pasurimit dhe sundimit kriminal mbi një shoqëri që turpërohet vazhdimisht! Bota demokratike na barazon me urinë dhe pangopshmërinë e klasës politike për pushtet dhe para! E kuptojnë qartë dhe ne të gjithë (sipas tyre) jemi primitivë dhe folklorikë të pa shërueshëm për pushtet. Se për pushtetin (kështu mendojnë jashtë) ne vritemi dhe gjakosemi me njëri tjetrin! Ky ves dhe faj i klasës politike më ngjishet dhe mua që nuk dua aspak pushtet dhe nuk dua të gjakosem me asnjë militant dhe anëtar partie të monstrave politike me sigla të regjistruara në KQZ! Bota e qytetëruar i di të gjitha institucionet e shtetit shqiptar si politikanët sipër tyre! E nuk e ka shumë gabim! Me vese dhe sundimtarë të pa skrupuj institucionesh. Po ashtu di dhe median shqiptare dhe nuk kanë faj!

 

Media shqiptare në shumicën e rasteve është prodhim politik dhe interes politik i anueshëm dhe po ashtu pa skrupuj, përveç shumë pak testatave që kanë vuajtur nga "simotrat e tyre" në krah dhe shërbim apo krijim absurd politike! Ndërkombëtarët na dinë të egër me njëri tjetrin dhe padyshim brigantë në çdo veprim. Na bëjnë hajdutë dhe grabitës, sepse na bashkojnë me klasën politike padrejtësisht! Ose na thonë copë dhe qartë, se ajo (klasa politike pra) është prodhim demokratik i juaji! Sa herë klasa politike e ndan shoqërinë në dy grupime për të bërë luftën e saj për pushtet, kjo shoqëri vuan, rropatet dhe nganjëherë vritet! Ndërkombëtarët e dinë këtë gjë! Po pra dhe kanë që nga viti 1997 që pastaj përgatiten për të bërë mediatorët dhe bashkuar maskarenjtë që nxisin luftën - për të bërë paqe! Mbasi kanë bërë të gjitha zullumet politikanët në Shqipëri dhe kanë çuar shoqërinë në gati vëllavrasje, thonë se tani duhet dialog i sinqertë! E me kë këtë dialog, me cilët fillon dialogu!? Pikërisht me ato të degraduarit politikanë të korruptuarit dhe inkriminuarit në afera nga më të mëdhatë për të ndarë pushtete sigurisht dhe për asgjë tjetër! Bëhet kjo thirrje që të rinisë dhe njëherë punën, makineria e vjedhjeve, grabitjeve politikisht dhe me po të njëjtat fytyra të shëmtuara dhe kriminale, të cilat pastaj mbas disa viteve e rifusin edhe njëherë vendin në këtë qerthull kriminal politik, ekonomik dhe moral!

 

Kurse një pjesë e madhe e shoqërisë nuk është e tillë dhe është e detyruar e shkreta të turpërohet ose të ikë nga ky vend një orë e më përpara! Kur shikon të huajt që vijnë dhe japin leksione se si hidhet firma, kur ne e dimë mirë se si hidhet, se çfarë do të thotë pluralizëm kur ne e dimë tashmë mirë, se si shtrohen trotuaret kur e dimë këtë gjë, se si kompozohet një këngë kur kemi kompozuar dikur më mirë se sa bota, se si luhet dhe bëhet sport, kur e dimë shumë mirë, se si mund të jetë universiteti, kur e kemi ndërtuar dhe funksiononte shumë mirë nën diktaturë! Se si ndërtohet H/C kur i kemi ndërtuar mirë dhe si duhet hekurudha kur ne e kishim dhe e prishi politika! Se si prodhohen zarzavatet, kur i kishim më të mirat dikur dhe i prishi politika me imoralitetin kapitalist të saj në Shqipëri! Se si duhet prona kur politika e ka shkatërruar atë! Se si mbahet pastër vendi, kur ne e mbanin pastër shumë dhe tani e kemi pis në saj të një degradi politik të kësaj pikërisht klase politike! Se si mbrohet pylli dhe bregdeti kur e kishim të tillë dhe tani klasa politike dhe politikanët e degraduan! Na mësojnë se si shkruhet, kur ne shkruanim më mirë dhe qartë gjuhën tonë nën diktaturë! Na mësojnë medemek si ruhet trashëgimia kulturore kur e ruanim dhe nën diktaturë shumë më mirë! Vijnë dhe na mësojnë të flasin, kur dje flisnim shumë me kulturë dhe edukatë! Na vijnë të na mësojnë të punojmë kur ne punojmë shumë mirë në vendet e tyre (gjysma e popullsinë aty është) dhe kemi punuar shumë mirë në vendin tonë në regjimin diktatorial në bujqësi, blegtori, mal fushë dhe industri! Na bëjmë për asgjë dhe ne turpërohemi përpara tyre për fajin e politikanëve që kemi votuar dhe vazhdojmë në mënyrë idiote ti votojmë! Më barazojnë mua, ty lexues, ne të gjithëve që nuk jemi si klasa politike me këtë monstër (klasa politike) e dalë nga zgafellat e orientalizmit, primitivizmit, feudalizmit dhe në fund komunizmit enverist! Barazohemi në sy të botës së qytetëruar ne me hajdutëritë e klasës politike dhe fajeve të mëdha të saj! Kjo është e jashtëzakonshme, e tmerrshme dhe shumë e pa drejtë!

 

Ne e pësojmë këtë gjë dhe na duhet të durojmë natë për natë, ditë për ditë, monstrat e politikës të na bëjnë moral! Të na tregojnë se si të vritemi dhe hyjmë në luftë me njëri tjetrin për karriget dhe pushtetin e tyre! Ne duhet të durojmë që ata të na klasifikojnë në shqiptarë të ndershëm dhe të pa ndershëm! Po pra, kjo klasë politike kriminale na kategorizon si të ndershëm dhe pa ndershëm, në se jemi në barrikadë me to apo jashtë barrikadës së tyre! Kjo klasë politike që e ka vendin në burg, na bën të turpërohemi dhe pastaj vjen dhe na ndan në të mirë dhe të këqinj! Biles kërkon që dhe të vritemi mes njëri tjetrit!

 

E padyshim ndërkombëtarët kanë disi të drejtë! Ne jemi ato që me qëndrimin tonë dhe veprimin tonë demokratik ju japim fuqi dhe jetë këtyre feudalëve dhe akoma më shumë skllavopronarëve të jetës sonë! Sigurisht ne jemi viktimat, por dhe fajtorët e mëdhenj shoqërorë! E bota demokratike e di këtë gjë mjaft mirë! Prandaj na fajëson dhe pse zyrtarisht nuk e shpreh!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0