Home | Opinion | Vonesat ballkanike dhe Europa e largët

Vonesat ballkanike dhe Europa e largët

image
Për një Ballkan të vonuar urgjencat dhe padurimet mund të jenë të papërballueshme.

 

Nga Bardhyl Zaimi

 

Entuziazmi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është zmbrapsur në Samitin e Berlinit. Përkundër një atmosfere paraprake optimiste që ishte “injektuar” me kohë, duket se dy liderët projektues të këtij samiti, Makron dhe Merkel, janë treguar të kujdesshëm në koordinatat e vendosura për secilin shtet. Zakonisht, kur pritjet janë të mëdha edhe zhgënjimet kanë po të njëjtat përmasa. Nuk mund të ishte ndryshe edhe me Samitin e Berlinit, i cili mori një jehonë të pazakontë për vendimet e mëdha, të cilat do të silleshin në formën e një deux machine për problemet specifike të secilit vend të Ballkanit.

 

Bashkimi Europian që nga themelimi ka performuar politikën e saj përmes samiteve si një formë e kristalizimit dhe dimensionimit të politikave të saja, të cilat më pas janë etabluar si traktate në gjithë ngritjen e bazamentit institucional të asaj që në sot e njohim si vlerë europiane. Në politikën moderne, samitet marrin kuptimin e mundësisë për dialog, për shkëmbim pikëpamjesh, për reflektim ndaj një situatë të caktuar, por edhe për ndonjë marrëveshje që mund të dalë në horizont. Zakonisht, samitet nuk sjellin vendime të prera, por kahëzojnë një qasje, një politikë, një vizion.

 

Teoritikisht, elementë parësorë të një samiti janë pjesëmarrja ekzekutive, e njerëzve me pushtet dhe pjesëmarrja e diplomacisë në nivele sa më të larta. Vetë fakti që ky samit ishte organizuar nga dy liderë, që në njëfarë mënyrë përfaqësojnë shtetet më impenjuese në BE, tregon për peshën dhe pritjet që u shfaqen te secili shtetet pjesëmarrës. Secili shtet mori pjesë me pritjet dhe specifikat e veta. Brenda kohës, nuk kanë munguar edhe reflektime edhe nga analistë mediumesh prestigjioze europiane dhe botërore, të cilët me shumë kujdes kanë shtjelluar horizontin e pritjeve nga ky samit.

 

Ky samit kaloi mes një entuziazmi dhe zhgënjimi tipik ballkanik, ndërkohë që dy liderët europianë duket se dhanë mesazhin e mbarështrimit të një momenti dhe konteksti të gjerë rajonal. Brenda kohës është publikuar edhe një strategji e Francës për Ballkanin Perëndimor nëpërmjet së cilës synohet të inkurajohen vendet e rajonit që të përfërcojnë angazhimet në rrugën e reformave. Nuk kanë munguar me këtë rast edhe komentet nga media prestigjioze, të cilat e kanë parë këtë samit si një “ dush të fohtë për pranim të shpejtë të vendeve të Ballkanit në BE”.

Duket se në sfond të samitit nëpërduket edhe një qëndrim i patheksuar deri në fund, por që mbetet i nënkuptuar si paradigmë e qasjes europiane mbi rajonin dhe që ndërlidhet me idenë e mosndryshimit të kufijve. Pikërisht, në këtë drejtim është theksuar nevoja për stabilitet dhe gatishmëria për një qasje sistematike ndaj gjithë përplasjeve përmes rrugës së dialogut.

 

Entuziazmi i këtij samiti ndërlidhej edhe me lajmin për hapjen e ngociatave me BE-në. Dy kryeminstrat e dy shteteve pretendente për hapjen e nogiciatave, Maqedonisë dhe Shqipërisë kanë realizuar takime kokë më kokë me presidentin Makron dhe me kancelaren Merkel, por qartësisht asgjë nuk është kumtuar. Pas kthimit nga ky samit, të dy kryeministrat kanë shfaqur optimizëm e tyre se do të ketë hapje të negociatave me BE-në. Nuk dihet nëse ata kanë marrë ndonjë garancë nga dy liderët europianë apo interpetojnë sinjalet dhe mesazhet nga këto takime.

 

Maqedonia dhe Shqipëria presin që në qershor të hapin negociatat me BE-në. Një paralajmërim për hapjen e negociatave e ka bërë edhe eurokomisari për zgjerim, Johanes Han. Ai ka theksuar se Komisioni Europian ka fundi i muajit maj do të rekomandojë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. “Marrëveshja historike për t’i dhënë fund kontestit me emrin me Greqinë dhe marrëveshja për fqinjësi me Bullgarinë janë sinjal inkurajues për mbarë rajonin se janë të mundura zgjidhje për kontestet afatgjate. Maqedonia e Veriut gjithashtu ka arritur progres të mirë kur bëhet fjalë për reformat e brendshme. Vendi meriton dritë të gjelbër për fillimin e negociatave inkuadruese sa është e mundur më herët, para pushimit veror”, ka deklaruar Han. Sa i përket Shqipërisë, komisari Han ka shfaqur besimin se vendi, gjithashtu, meriton fillimin e negociatave për shkak reformave të brendshme, përveç reformës në gjyqësor, por se duhet të ballafaqohet me problemet me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

 

Në këtë drejtim edhe dy lidërët, Makron dhe Merkel, kanë theksuar se Marrëveshja e Prespës mbetet shembull për rajonin se si mund të zgjidhen kontestet. Brenda kohës ka pasur edhe paralajmërime se hapja e negociatave mund të shtyhet për në shtator. Sidoqoftë, vetë liderët europianë kanë theksuar se ky samit nuk fokusohet te zgjerimi por te politikat e stabilitetit në rajon.

 

Një gjë mbetet e sigurtë, që ky samit nuk ishte organizuar për përgjigje konkrete ndaj pritjeve të secilit vend. Ky samit për më tepër duket se ka vendosur suazën e gjerë të angazhimeve europiane që pritet të ndodhin në të ardhmen. Një qasje gjithpërfshirëse që siguron përkujdesje të shtuar të Francës dhe Gjermanië për Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt implemetimit të vlerave europiane. Me gjasë horizonti i dy liderëve europian është shumë më i gjerë se urgjencat që determinohen në vendet e rajonit. Ky vizion nënkupton një pretendim për stabilitet afatgjatë, duke inkorporuar politika që janë në përputhje me modelin europian. Gjithashtu nënkupton një qasje të matur dhe serioze që është në përputhje me politikat europiane.

 

Sëkëndejmi, duket e qartë që ky vizion dhe angazhim nënkupton një rrugë të gjatë për vendet e Ballkanit për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane. Larg entuziazmit, zhgenjimeve dhe intepretimeve për përdorime të brendshme duket se ky samit ka vendosur një synim të epërm për të kristalizuar rrugën europiane të vendeve të Ballkanit nëpërmjet sfidave që shfaqen si barriera fatale gjatë tërë kohës. Nëse iu kushtojmë pak vëmenedje konkluzioneve të publikuara mund të vërejmë se sfidë më vete do të mbeten “ qëndrimi i padundur pro demokracisë, shteti ligjor, luftimi i korrupsionit si dhe forcimi i shoqërisë civile dhe mediave të pavarura”.

 

Për një Ballkan të vonuar urgjencat dhe padurimet mund të jenë të papërballueshme. Sigurisht, këto konkluzione që vijnë si “ detyra shtëpie” dhe që nënkuptojnë një rrugë shumë më të gjatë se vetëm hapja e negociatave mund të krijojnë një lloj zhgënjimi dhe Europa të duket kaq e largët. S’do mend duhet durim dhe angazhim korrekt për të inkorporuar gjithë sistemin e vlerave që nëkupton Bashkimi Europian. Sidoqoftë, Europa nuk është vetëm retorikë!

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00