Home | Opinion | Demokracia jonë, peshqesh i oligarkisë politike

Demokracia jonë, peshqesh i oligarkisë politike

image
30 vitet e kësaj demokracie sollën  më shumë varfëri dhe krime...

 

Nga Riza Hoxha

 

Për shumicën e shqiptarëve, 30 vitet e kësaj demokracie sollën si peshqesh vetëm më shumë varfëri dhe krime, pa sjellë ndonjë gjë të mirë. Po edhe i detyruan shqiptarët t’ia mbathin me të katra ku të mundin me të vetmin synim: të shpëtojnë pasardhësit.

 

Tashmë, se Shqipëria po drejtohet nga një grup oligarkësh politikë të askrupullt, këtë askush nuk e mohon. Është ky grup që ndryshon edhe Kushtetutën në mesnatë, kur gjithë shqiptarët e lodhur nga varfëria janë në gjumë. Siç ndodhi në prillin e 2008, kur Kushtetuta u ndryshua në mesnatë, sapo shqiptarët kishim përcjellë Gërdecin që mori jetën e 26 personave dhe dhimbjen e 300 të plagosurve të tjerë.

 

Kjo klasë politike tashmë ka vetëm një kërkesë: të vazhdojë ta mbajë këtë gjysmë shtetin që ka mundur të ndërtojë gjatë këtyre 30 viteve, këtë gjysmë shtetin e ngritur prej saj krejtësisht familjar edhe pse shumicën e shqiptarëve ky gjysmë shtet e ka zhytur në mjerim e varfëri. Pa asnjë ndjenjë morali, kjo oligarki politike na broçkullës në vazhdimësi se, “kemi rritje ekonomike mbi 4 për qind”, kur këtë e ndjejnë vetëm grupi i oligarkëve që vazhdon paturpësisht të broçkullisë vetëm për rritje, ndërsa hesht dhe nuk di të flasë për minimumin jetik, një tregues që vetëm shqiptarët nuk e dinë. Arsyet? E di vetë ky llum politik që na detyron ta mbajmë mbi supe prej afro 30 vitesh. Bile tashmë kësaj oligarkie i është mbushur mendja se i takon vetëm asaj t’i sundojë përjetësisht shqiptarët.

 

Prej 30 vitesh janë të njëjtët monstra që ndërrojnë një herë në 8 vjet karrigen e pushtetit, duke qarkulluar një pushtet krejtësisht familjar, pa sjellë as ndryshimin më të vogël për shumicën e shqiptarëve. Është kjo arsyeja që ata pas një gjysmë shekulli diktatorial, hodhën hapat e parë me thirrjet “E duam Shqipërinë si Evropa” dhe “Liri-Demokraci”. Po shpejt u pa e qartë se, një grup oligarkësh të pashpirt instaluan mafien e tyre duke e bërë atë të plotfuqishme e të gjithëpushtetshme në këtë Shqipëri që vuan dhe hedh çdo ditë më shumë hapa prapa.

 

Është kjo juntë, apo oligarki politike që duket qartë se po na largon gjithnjë e më shumë nga Evropa, ëndrra e përbashkët e të gjithë shqiptarëve. Është ajo fajtorja e vetme që i detyroi 3 parti në Holandë të kërkojnë rikthimin e vizave për shqiptarët. Paturpësisht kjo juntë, apo oligarki politike hesht për çfarë po ndodh. Sepse e di mirë. Është ajo fajtorja kryesore pse po mbetemi gjithnjë e më larg Evropës.

 

As që pritet të ndryshojë diçka së shpejti. Sepse paradoksalisht ne vazhdojmë të sundohemi në mënyrën më të paskrupullt nga 2 a 3 oligarkë, të cilëve as u shkon mendja të lëshojnë karrigen. Edhe pse e dinë mirë, se janë fajtorët e vetëm që Shqipëria vazhdon të mbetet e zhytur në një llum nga i cili nuk po arrin të dalë.

 

Edhe pse kanë kaluar 30 vjet, ne shqiptarët vazhdojmë të brohorasim: “E duam Shqipërinë si Evropa”, Liri – Demokraci”. Po kujt ia kërkojmë? Sali Berishës? Lulzim Bashës? Ilir Metës? Edi Ramës? Po a nuk është kjo treshe, a katërshe (Fatos Nano) që prej vitesh vetëm na gënjejnë me rritje ekonomike, që asnjë herë se pamë, me luftë të vendosur kundër korrupsionit, ndërsa vetë instaluan një pushtet idiot familjar që e çoi në infinit korrupsionin. Bash këta janë gënjeshtarët më të mëdhenj që po na zhysin në një varfëri të tmerrshme. Ndërsa nuk dinë të ndalen me broçkullisjet e pafre, sa sot edhe po të na thonë ndonjë gjë të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk do t’i besojë. Kështu si e kanë katandisur këtë Shqipëri, edhe votimet janë kthyer në një mani groteske. Sepse shqiptarët janë të detyruar të votojnë çfarë u nxjerrin përpara në tepsi 3 a 4 oligarkët e mëdhenj të politikës. Dhe mes tyre, ne shqiptarët jemi të detyruar të votojmë të keqen më të vogël. Sot açik, asnjeri prej nesh nuk arrin ta kuptojë se në ç’tepsi ndodhet e keqja më e vogël. Pasi e keqja është bërë e njëllojtë, pavarësisht se cili na e servir në pjatë.

 

Oligarkët dinë të kryejnë mirë vetëm një punë të mbrojnë njëri tjetrin. Grinden e hanë dreka e darka të Krokodili, a gjetkë nëpër Evropë, po asnjëherë nuk harrojnë të mbrojnë njëri tjetrin. Pasi janë njëlloj, ndryshojnë vetëm ngjyrën. Është kjo arsyeja që tashmë na e kanë bërë të qartë: kodin zgjedhor nuk e ndryshojnë. Kësisoj 3, a 4 oligarkët e politikës do t’i përzgjedhin vetë kandidatët të cilët ne do të jemi të detyruar t’i votojmë. Kësisoj kjo juntë politike na paralajmëron haptazi: do të keni në udhëheqje të pushtetit vendor kë dua unë. Pra, do të kemi nesër në pushtetin lokal klanin nepotiko – familjar që thjesht përfaqëson juntën oligarkike politike. Edhe pse është kjo juntë oligarkike që pas reformës administrative edhe pse shkurtoi ndjeshëm njësitë administrative, ose nga 384 në 61 bashki gjithsej, numri i punonjësve në këto bashki u rrit me shifra të çuditshme, u dyfishua, apo u trefishua.

 

Rritet numri i punonjësve që veç firmosjes në bordero nuk dinë se ç’punë bëjnë, pasi një pjesë e tyre as duken ndonjëherë në punë. Kjo gjendje tragji – komike që ka mbuluar Shqipërinë duket deri edhe në parlamentin albanez. Në mënyrën më qesharake, deputetë që gjatë 6 muajve nuk shkelin një ditë në punë, kërkojnë të firmosin borderonë për të marrë milionat vetëm pse kalojnë kohën gjithë ditën nëpër mejhanet e Tiranës nën avujt e uiskit. Ndërsa shumica e shqiptarëve, paguajnë të gjitha tatimet e taksat që të mos hyjnë brenda hekurave. Sepse burgjet janë taksur e ndërtuar vetëm për ata. Ndërsa oligarkia dhe junta politike vetëm qëndron mejhaneve të Tiranës duke rrufitur gota pa mbarim uiski.

 

Po kalojmë 30 vjet nga ajo ditë e parë kur lindi e bekuara demokraci. Vetëm ne shqiptarët në këtë Evropë ia kemi parë deri tani vetëm sherrin. Thjesht sepse e kemi peshqesh nga një oligarki e juntë politike pa asnjë nder dhe pa asnjë moral. Kësisoj do të llokoçitemi rrugëve të Evropës, derisa t’ia arrijmë një ditë të lumturuar, kur do ta flakim tej në humnerë këtë juntë e oligarki politike. Pasi me të e kemi të pamundur të shohim një ditë të bardhë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0