Home | Literature | Vajza e Drejtorit

Vajza e Drejtorit

image
Kokë e bukur flokëhënë. Shfaqet në muzg. Baladë e ekranizuar. Prolog nokturni.

 

Nga Agim Deliu

 

(Tregim)

Varrezat shtriheshin në një kodrinë të pjerrët,me pamje nga përëndimi. Kodrina ishte e gjitha e rrethuar me një kurorë pishash, të cilat zbrisnin rreth pesëqind metra poshtë, aty ku gjarpëronte lumi. Të dy brigjet e lumit ishin të veshura me rrape të dendur, dhe nga lart uji dallohej vetëm në kthesat e forta, që merrte midis bregoreve me shkurre. Në pellgjet e kaltra degët e rrapeve zhyteshin si gjymtyrë të zhveshura në thellësinë e kristaltë. 

Kishim më se një muaj, që punonim këtu. Ngrinim murin rrethues të varrezës, që zinte mbi dy hektarë. Bënim mur guri të lartë.Gurin e merrnim në guroren afër, me një makinë të vjetër vetëshkarkuese, ashtu siç i ka zakonisht ndërmarrja komunale mjetet e punës. Gjithë rrafshnalta përballë ishte një gurore e zhveshur. Vetëm pas nesh, tek kthesa e fundit, para se të futeshe në qytetin malor, shtrihej një fushë e madhe. Gjysma e saj ishte fushë futbolli, ndërsa pjesa tjetër ishte fidanishte e Ndërmarrjes Pyjore. Kur mbaronim herët zbrisnim poshtë në lumë për tu larë. Ishte ujë kristal, ujë bore e burimesh malorë, por qe i ftohtë shumë, megjithëse vjeshta sapo kishte hyrë. Dhe atë pasdite zbritëm në lumë. Zbritëm midis rrapeve, aty ku lumi formonte një gadishull të vogël rëre me guriçka. Një rrap madhështor i shtrembëruar nga vitet me trungun i tij lëkurëashpër qëndronte si një trampolinë mbi pellgun e lumit në krah të gadishullit. Tomit, teknikut të ndërtimit, i pëlqente të ngjitej mbi trungun e rrapit e të hidhej në pellg, i cili ishte më i thellë se një bojë njeriu. Madje Tomi kur zhytej deri në fund ngrinte duart lart për të provuar thellësinë, e cila në disa vende e mbulonte dhe duarngritur.

Atë pasdite qëndruam gjatë deri në mbrëmje..Të nesërmen kishim pushim, se kishim përfunduar muraturën tej e tej, dhe do prisnim të thahej mirë llaçi, e pastaj do të vendosnim portën e madhe nga lindja dhe një portë tjetër me dalje nga lumi, nga ana jugpërëndimore. Mur të lartë që kishim bërë!.Mur kështjelle. Gjysëm metri të trashë e mbi dy metra të lartë.Një mur i vogël kinez,ndërtuar me kinezëri të madhe...

-“Të vdekurve nuk ua siguruam jetën të gjatë, por varret do të ua ruajmë “ na kishte thënë drejtori, kur filluam punimet.

-Nuk i prek njeri varret, ishte hedhur usta Llazi.

Drejtori ishte një burrë i rëndë, i vrazhdë, gjaknxehtë.

-Nuk po ju marr leje juve se ç’do bëj. Për fondin luftova vetë. Dua punë me cilësi. Nuk dua më, që gomerët të kullosin në varreza, nuk dua të shkelin mbi dheun e varreve të të të vdekurve. Vetëm familjarët dhe të afërmit duhet të hyjnë këtu. Dhe lulet ka ndodhur që ua kanë marrë. Turp!. Vjedhin lule në varreza!. Njerëz janë?

-Ashtu shoku drejtor. E vërtet është.Ju po bëni sevap për të vdekurit, tha murator Shaba, më i vjetri ndër ne.

Tomi rrinte në krah të inxhinierit, i cili mbante në duar projektin e murit. I vizatuar bukur e pastër dukej si një projekt kështjelle. Kështjellë guri me banorë të vdekur. Pajetësi e mbrojtur. Ky drejtori i çuditshëm qe…!

Kur u ngjitëm nga lumi lart, Tomi u kujtua se kishte harruar orën mbi një varr të mermertë. Ishte varri i ish fqinjit të tij,Jetmirit. Mbi të pothuaj çdo mëngjes gjenim lule të freskëta. Doktor Jetmiri kishte vdekur aksidentalisht me ambulancë. Shkonte të shpëtonte jetë. Shkonte me urgjencë. Humbi të tijën. I ri, i mirë. Mjek i mirë qe. Jetëshkurtër.

E hiqte orën Tomi dhe ia linte Jetmirit në ruajtje. Tik-tak ora mbi mermer. Transplant pulsi mbi mermer!. Jo, nuk qe transplant.I djersitej dora.E kishte bezdi erën e djersës e cila bashkohej me erën e rripit të lëkurtë, kur lagej. Erë e rëndë. Dekompozim mbi dorë. Ferment djerse. Në mbretërinë e vdekjes, më e rëndë dukej era.

Kishte rënë muzgu. Vjeshtë në varreza. Nuk është muzg i bukur midis varresh. Dhe më optimisti bëhet apatik, pesimist. U futëm nga porta e vogël dhe Tomi u orientua shpejt të gjente varrin, ku kishte lënë orën. Kaluam nën akaciet, ku ishte varri i mermertë. Me kurriz nga ne, mbi mermer pamë të përkulur një kokë vajze. Nën ritmin e tik-takut të orës dëneste koka e bukur e vajzës në muzg. Kokë e bukur flokëhënë. Shfaqet në muzg. Baladë e ekranizuar. Prolog nokturni. Mbajtëm hapat. Ishim dhjetë metra larg. Dëgjonim dënesin me fjalë pëshpërime. Nga lumi poshtë vinte shushurime e lehtë si një ninullë e përzier me nota vaji. Lirikë e çuditshme muzgu. Elegji e improvizuar skenilisht.

-Natën nuk shkohet në varreza... Natën nuk qahen të vdekurit...Kështu thonë të moshuarit.

Dita është e shkurtër. Nuk del dita për të nxjerrë gjithë dhimbjen jashtë zemrës. Nata është më e qetë. Pa sy. Ka veshë nata.? Syri i verbër i natës reflekton dritën e hënës. Nuk reflekton. Absorbon. Mbi varr hëna. Hëna kokëvajzë. Vajza flokëhëne. Mbanim frymëmarrjen. U ulëm nën akacje. Koka u ngrit lehtë si një hënë e plotë e pastaj u ul përsëri. Duart prekën fotografinë e mermertë. Pastaj, pas ledhatimit e puthi. Puthja pas vjen gjithmonë. Vajza u rrotullua rreth varrit. E përkëdhelte në çdo cep atë mermer të ftohtë. I ftohtë mermeri që mban të vdekurit brenda. Dashuria e ngrohtë mbetet jashtë. Prek mermerin. Dashuri prekjemermertë. E tillë qe dashuria e saj. Lindur në brymë thashethemesh e akuj mosbesimi.

Befas mori çantën dhe iku drejtë portës kryesore si një sorkadhe e plagosur me plagë, që kullojnë lotë.. Iku. Ritmi i hapave me ritmin dënesor, me tik- takun e orës mbi mermer.

-Blerta, vajza e drejtorit, tha i tronditur befas Tomi.

Dhëmbi i florinjtë i vetëtiu në muzg.Kërkoi cigaret dhe pasi pa që vajza doli nga porta e madhe foli...

-U deshën shumë. Jetmiri ishte djalë i rritur në jetimore. Fati i tij. U bë mjek Jetmiri. Qe i zgjuar shumë. E dashuroi Blertën. Drejtori kundër. -Nuk dua dhëndër anonim. Dua dhe krushq unë. Dhëndërr pa krushqi. Nuk ka kuptim.

-Nuk do ta marrësh infermierin, i thoshte të bijës.

-Nuk është infermier. Mjek dhe shumë i mirë i kthehej ajo me një butësi bindëse.

-Mjek ,që po na sëmur të gjithëve. Virus, thuaj. Epidemi familjare.

-Jo, baba. Njeri imirë është. Ti nuk e njeh

-As që dua ta njoh. I di të gjitha. Nuk më pëlqen anonimati. Nuk dua. Nuk të lejoj.

Po dashuria nuk ndalet me urdhëra drejtorësh. Ajo rrjedh në heshtje nëpër kapilarë, aty ku drejtorët nuk arrijnë të shohin. Por ai vdiq tragjikisht. Aksident. Vdiq!. Por Blerta nuk është ndarë me të as pas vdekjes. Vjen në muzg, vjen në çdo buzëmuzg e i vë lule mbi mermer . Lule mbi dashurinë e pamundur.

Tani drejtori ngre mur guri të trashë e të lartë.Ka frikë nga invazioni i dashurisë.Metoda të lashta antiinvazion. Kështjella të gurta për të zmbrapsur dashurinë.Murtajë dashuria për mesjetarët, shpirtra nën kostum drejtori shpirtngushtuar me kravatë burokrati arkaik.Ngre mur, që ta ndajë të vdekurin nga dashuria.E frikshme dashuria për ata që s’janë.Porta e madhe e hekurt do t’ia bëjë më të qetë gjumin drejtorit.

Ora e Tomit mbi mermerin e varrit bënte tik-tak, sikur thoshte, nëc, nëc.Nuk mund. Nuk mund të ndalet dashuria.Dashuria bëhet hënë në muzg, shi i ngrohtë prilli nën vetëtima lotësh. Beton e gur të hedhur kot nga paniku i njerëzve të pazemërt.

Merre orën Tomi, i thashë tek rrinte në mëdyshje mbi varr.

-Nesër, tha ai. Më ngjan si një rrahje zemre. Le të rrijë atysonte, ku e kishte vënë Blerta.

 

 

Shtator 1982-2008

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00