Home | Literature | Universi Poetik si shije estetike

Universi Poetik si shije estetike

image
Manifestimi Letrar Ndërkombëtar «Ditët e Naimit», me të drejtë mund të konsiderohet si simbol i rezistencës ... dhe si simbol i fjalës së bukur për përparimin ...

 

 

 

Nga Bujar Plloshtani

 

 

 

Letërsia si art i fjalës është tërësia e domosdoshme ideo-estetike e prirur të shërbejë në çdo kohë, dhe si e tillë mundëson ta njohësh ekzistencën e njeriut, konceptin e botës dhe veten. Letërsia është shkencë që përpiqet të hapërojë në udhë të cilësuara, duke vënë në dukje realitetin shoqëror përmes figurave letrare, dhe vetëm kështu, si e tillë ajo mundëson në njohjen e jetës së njeriut dhe të botës. Ndërkohë, po të kemi në kujtesë atë që thoshte filozofi Martin Heidegger se «Arti është rruga kryesore përmes së cilës ndodh e vërteta», na kthjellon mendimin se artet në përgjithësi na shpiejnë drejt të bukurës, pra shijes estetike dhe të vërtetës së duhur.

Manifestimi Letrar Ndërkombëtar «Ditët e Naimit», me të drejtë mund të konsiderohet si simbol i rezistencës dhe dominimit të kulturave të ndryshme, dhe si simbol i fjalës së bukur për përparimin e njeriut për të sjellur ndryshimin e domosdoshëm te raca njerëzore, dhe kulti për të cilën njeriu duhet të kalojë veten mbi fatin ekzistencial. Poetët e botës, përmes fjalës si shije estetike, janë prezent për të shprehur emocionin nga poezitë, që realisht burojnë si një e drejtë e pamohueshme për realitetin njerëzor. Poetët e botës, përmes fjalës do të jenë një zë metaforik, me synimin për të ngritur zërin ndaj fenomeneve të imponueshme, dhe porositë se si duhet të duket një model i përsosur i artit, individit dhe shoqërisë së qytetëruar. Pra, «Ditët e Naimit» me poetët e kulturave të ndryshme të botës, që aq bukur e identifikojnë poezinë përmes fjalës estetike mbeten si «krijues të vërtetë të fjalës së bukur dhe të diversitetit kulturor».

Poetët sjellin copëza shpirtrash, ku me stilet e tyre, që mund të kuptohen si veçantia e çdo poeti, kujdesen të shmangin gjuhën e zakonshme para publikut. Edhe «Ditët e Naimit», si arenë që tubon poetë nga vende të ndryshme, pothuaj janë të ngjashëm me pikëpamjet e mirëfillta individuale, duke u përpjekur të ruajnë shprehësinë emocionale dhe gjuhën e zakonshme para publikut entuziast. Kur jemi te pikëpamjet e poetëve që vijnë të entuziazmuar për të sjellur pak poezi në mesin tonë, them mbase kanë arritur ta bëjnë mjeshtërisht të kuptueshme për masën, se arti është shija e vetme estetike që ka mundësinë për ta bërë një shoqëri dhe një masë të tërë për vete.

Porosia e fjalës poetike midis poetëve të huaj dhe atyre vendas mund të thuhet se reflekton si një lundrim ajrorë të shpirtrave të lirë. Si rrjedhojë «Ditët e Naimit» simbolizojnë kultin poetik që sjell diversitetin kulturor përmes fjalës së bukur për të imponuar pak shije estetike, ndërsa poetët, simbolizojnë fjalën që është e gatshme të thyejë gjuhën e forcës, të keqen, duke dashur të reflektojë mirësinë, barabarësinë dhe lirinë. Poetët përmes fjalës premtojnë absolutisht të mirën, edhe pse e keqja është më e imponueshme si koncept individual e shoqëror. Por kjo nuk është e gjitha, edhe «Ditët e Naimit» si institucion kulturor tashmë posedon në praktikë atë sensin për t’i kthyer poetët brenda një zëri që sundojnë të bukurën dhe reflektojnë të mirën e duhur gati për çdo shoqëri. Që me fjalë tjera janë poetët, ata që e kuptojnë më së miri se funksionimi dhe zgjidhja më e mirë e fenomeneve të ndryshme shoqërore bëhet përmes tolerancës, dhe jo dominimit ndaj tjetrit. Kështu që, «Ditët e Naimit» mund të konsiderohet si një zgjidhje përafërsisht e ngjashme, ku përmes organizimit brilant sjell poetët e të dy poleve të reflektojnë mirësinë, shijen estetike dhe të bukurën ndër racat njerëzore.

Letërsia dhe kultura shqiptare në përgjithësi dhe vetë kujtimi i poetit Naim Frashëri, në njëfarë mënyre ndërlidhet ndjeshëm me kulturën dhe qytetërimin evropian. Shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare në një prej edicioneve të festivalit është shprehur se «Kultura shqiptare dhe vetë kujtimi i Naimit të Madh, të gjitha këto bëjnë pjesë në qytetërimin evropian». Prandaj, edhe poetët e botës të entuziazmuar zbresin në tokën pranë shtatores së Naim Frashërit, në Tetovë, për të nderuar kujtimin e tij me kulturën dhe qytetërimin evropian. Ky është nder dhe kujtim i pazëvendësueshëm ndaj vlerave kombëtare, dhe ndaj poetëve që tubohen për të reflektuar sadopak shije estetike në mesin e publikut.  

Leximet e poezive nga poetët, si të thuash me ëndje i përjetojmë, ku së pari pa asnjë dyshim përpiqemi të pluskojmë brenda shijes duke u munduar ta njohim poezinë. Poezia është krijim që brenda duhet të përmbajë filozofinë e mendimit mbi çështje të ndryshme shoqërore dhe ekzistenciale. Lexuesi ndeshet me poezinë, pra me vargjet që i referohen ndjesive, dashurisë, botës, njeriut, dhe kështu, ai mund ta përjetojë porosinë që paraqitet nga poetët. Gjithkush prej poetëve të talentuar kërkojnë me ngulm ta shprehin të bukurën dhe rëndësinë e saj për shoqërinë dhe kohën. Poetët shohin përtej realitetit njerëzor dhe përmes fjalës së bukur e kthen këtë realitet si çështje thelbësore. Manifestimi Letrar Ndërkombëtar «Ditët e Naimit», këtë realitet njerëzor e arrin ta bëjë realitet thelbësor përmes poezive të poetëve të botës, ku në esencë reflektojnë shijen estetike nga anët e ndryshme të poleve, të cilët  i sjellin me emocione përpara publikut artdashës.

Manifestimi me përmasa ndërkombëtare «Ditët e Naimit» përgjatë rrugëtimit të vet ka mundur të përcjellë emocione nga më të ndryshmet, dhe ndërkohë poezinë dhe kulturën shqiptare e ka vënë në vëmendjen e poetëve të botës. Mes tjerash e ka kthyer universin poetik, si një shije estetike ku rrezaton gjurmë përtej anëve të rruzullit. Poetët e botës me poezitë e tyre shquajnë refleksione mbi të vërtetën dhe të bukurën, si simbol që lëvizin përjetësisht, ku në thelb e pasurojnë dhe e zhvillojnë ndërgjegjen e individit dhe të shoqërisë.

Poezia si formë e artit të shkruar, në të cilën gjuha njerëzore përdoret për ato cilësi estetike, ku të ndërlikuarën e bën vërtet të thjeshtë, duke e ruajtur në përmbajtje gjithnjë shijen estetike. Poezia është zbritur përmes muzës te mendjendriturit, me synimin për ta shquar të vërtetën dhe për ta ravijëzuar të bukurën sublime brenda njeriut. Të jesh poet duhet të jetë mbase nevojë e patjetërsueshme që lind nga qiejt. Duket të jetë një nevojë e domosdoshme shpirtërore të pajisesh me muzën për të shkruar poezi, pasi përmes poezisë në njërën anë mund të luftohen bindjet hermetike të pushtetmbajtësve, dhe për të vënë një shpresë në anën tjetër, që mbase mund të ngre një popull të zhytur me forcë në zhgënjimin ekzistencial. Kështu, edhe Festivali Ndërkombëtar i Poezisë «Ditët e Naimit» e ka pasur për qëllim, që të tubojë zëra poetësh nga vende të ndryshme të botës, me shpresën për të sjellur sa më shumë besueshmëri, shpresë dhe përndritje për një fat të ri ekzistencial në mesin e publikut artdashës.  

Të tillë janë poetët, të rrëmbejnë me fjalën e tyre, që e kanë si nevojë të kohës dhe si domosdoshmëri për ta reflektuar të mirën si mjet ekzistencial. Poetët e talentuar, ndoshta në këtë mes janë të paktë, por fjala e tyre si shtizë depërton anekënd rruzullit. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00