Home | Literature | - S’është shtruar ende kalldrëmi im -

- S’është shtruar ende kalldrëmi im -

image
Në rrjetin e merimangës udhëse jam kapur insekt, 

Pragjet e latuara kumtojnë lumturi...

 

 

 

 

Nga Shkëlqim Çela

 

 

Mbeta në rrugë të huaja me pragje njënatëshe,

Mullaga pa kujtesë.

Aroma e radhës fluturon si shpend shpërfillës,

Mbetem një kaçube shqope në nëntor.

Ku (të) shkoj?

S’është shtruar ende kalldrëmi im, 

As gurët s’i janë prerë.

 

Në rrjetin e merimangës udhëse jam kapur insekt, 

Pragjet e latuara kumtojnë lumturi, 

Dy-tri shkallë guri premtojnë ngrohtësi,

Unaza mbi një derë, trokitje dhe sikur;

Por dera u shpik për ta ndalur hyrjen

E shpellës së parë mikpritëse,

U bë për t’u mbyllur, 

Se hapur është kundër vetes,

Një kundërthënie me gërvimë menteshe…

Pastaj dhe çelës në qofsha, nuk është brava ime

Ajo plasë grishëse në dru.

 

Ende s’është formuar vargmali martir 

Gati të marrë guroren si plagë 

Për kalldrëmin tim,

Rrafshnaltat zhubrosen pa dobi,

Shtrate rrëmuje të të tjerëve,

Himalajat kurrnace

As të shtërzojnë nuk duan, o s’dinë.

 

 

 

* * *

 

 

Qielli - një mërzi e gjatë për vetëtimën,

Saksia mbi parvaz një limonti për portretin tënd,

Durim kanavace në sepet dugaje dhe uri penelësh me baluket brofur,

S’jam tokësor, thjesht një toks,

Boshtpjerrur e botëbjerrur jam, ndërsa ti

Vije nga Venusi,

Ku dita zgjat më shumë se viti,

Ku lipsen vite të mbarojë një ditë

Dhe mëngjesi është stinë kur heshtin gjinkallat.

Ti vije me çastin venusian 

Të bëje ditën time,

Ditëshkurtrit toks,

Ku viti ha ditët me murrm jupiteri

Dhe qielli vazhdon si mërzi e gjatë.

 

 

 

* Shkëlqim Çela është fituesi i edicionit të dytë të Çmimit “Kadare 2016”.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00