Home | Literature | * * *

* * *

image
Skamje madhështore, të cilën e detyron në tokë etja, përtacia elegante e mësuar nga një popull i përkorë, o të mirat e mia të vona…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

« ... Një flatër e lehtë drite përpëlitet ndërmjet dy kanateve dhe prek, me pulsime të pabarabarta, murin ose tavolinën e gjatë dhe të rëndë të shkrimit, të leximit, të lojës, tavolinën e pafund që vjen nga Bretanja, siç vij dhe unë. Flatra e dritës është herë e trëndafiltë mbi murin prej gëlqereje të trëndafiltë, dhe herë blu mbi qilimin blu prej pambuku Maroken. Bufetë e mbushura me libra, kolltuqet dhe komodinat kanë bërë me mua, nëpër dy a tre provinca franceze, një udhë të gjatë prej pesëmbëdhjetë vjetësh. Kolltuqet e holla me krahë të fryrë në mes si llërë delikate fshataresh, pjatat e verdha që këndojnë si këmbana nën gishtin e përthyer, pjatat e bardha të veshura me një zmalt bezhë, të gjithë ne rigjejmë së bashku, të habitur, një vend që është i yni. Kush do të ma dëftonte, në Mourillon, gjashtëdhjetë kilometra që këtu, shtëpinë e tim eti dhe të gjyshërve të mi ? Të tjera vende më kanë përkundur, është e vërtetë kjo, – disa me një dorë të fortë. Një grua thotë se ka po aq vendlindje, sa ç’ka pasur dashuri të lumtura. Ajo lind gjithashtu nën çdo qiell, në të cilin shëron dhimbjen e dashurisë. Kështu, ky breg blu, i mbjellë me domate dhe speca, është dy herë i imi.

Çfarë pasurie, dhe sa e shpërfillur gjatë tërë kësaj kohe ! Ajri është i lehtë, dielli pjek dhe plasarit në vreshtë bistakun e rrushit të pjekur shpejt, hudhra ka erë të fortë. Skamje madhështore, të cilën e detyron në tokë etja, përtacia elegante e mësuar nga një popull i përkorë, o të mirat e mia të vona… Të mos qahemi. Është pjekuria ime që ishte për ju. Rinia ime ende e pagdhendur do të ishte bërë gjak nga të afruarit me shkëmbin e shtresëzuar dhe të vezullimtë, me halën e bigëzuar të pishave, kaktusin, gjembat e iriqëve të detit, mënishten e hidhur dhe të helmtë, me fikun që çdo gjethe e tij është nga prapa si një gjuhë bishe.

Çfarë vendi ! Pushtuesi e mbush me vila dhe garazhe, automobila, me shtëpiza të improvizuara fshati, ku vallëzohet ; i egri i veriut copëton, spekulon, çpyllëzon, dhe s’ke ç’bën, sigurisht. Por, sa e sa plaçkitës nuk kanë rënë në dashuri, përgjatë shekujsh, me një robëreshë të tillë ? Të ardhur për të vendosur shkatërrimin e saj, ata ndalen befas, dhe e dëgjojnë duke marrë frymë në gjumë. Pastaj, dalëngadalë, e mbyllin derën e gardhit, bëhen të heshtur, të respektuar ; dhe të nënshtruar, Provence, ndaj lutjeve të tua, ata lidhin kurorën tënde prej vreshte, ringulin pishën, fikun, mbjellin pjeprin e qëndisur, dhe nuk duan tjetër, bukuroshe, vetëm të të shërbejnë dhe të kënaqen aty... »

 

 

 

 

© Dea J Klosi, në Shqip

 

(Colette)

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00