Home | Literature | Endërr e Humbur

Endërr e Humbur

image
Rebelohej stuhia e çmendur përjashtë. Fishkëllente era, që të priste, duke ngritur fritë e dëborës në gjithë bunacën e shkretisë së bardhë, kallkan...

 

 

 

Nga Naim Berisha

 

 

Kishte rënë me nge e ngut të madh dëbora e parë e atij dimri të mbrapsht. Në këtë katund të vjetër sa s’mbahej mend, ngritur mbi një rrafshinë të vogël rrethuar me male të thepisur, dimri gjithmonë, përpara se të sillte postieret, pothuajse, të pakohë të tij, si ngricën dhe borën, trokiste prej së largu me shira dhe erëra të ftohta.

Rebelohej stuhia e çmendur përjashtë. Fishkëllente era, që të priste, duke ngritur fritë e dëborës në gjithë bunacën e shkretisë së bardhë, kallkan. Atë natë, praninë e ftohtë të dëborës së hershme, ai e ndjeu duke e parë, duke qënë i shtrirë shalakam në kashtën e plevicës së një bashkëfshatari të tij të kamur, në hyrje të katundit, aty ku e kishte zënë dhe nata, pas ëndjeve derë më derë, për një copë bukë, në katundin fqinj që shtrihej jo shumë larg përtej Perroit të Keq.

Terri i njohur i asaj nate të gjatë, të ftohtë e të turbullt të vjeshtës së vonë, që zbardhur dhe në plevicë ndehej një dritë e qetë sikur të kishte hyrë një mjegull e çuditshme, e bardhë. Sidomos tani, pas thyerjes së natës, i bëhej se në atë qetësi të beftë të gjumit plot drithërima, seç kishte diçka të trishtuar. Nuk ishte nata e pare që gjumi i dilte kaq vrik. Edhe kur dikush e qaste brenda i nxitur prej keqardhjes, paçka se kushtet e fjetjes ishin ideale në krahasim me të zakonshmen e tij, atij prapë gjumi shpejt i dilte. 

Javët e shkuara i kishte gdhirë netët ndën një pullaz prej llamarine, gjithë duke dëgjuar muzikën monotone që prodhonin goditjet e pikave të një shiu të përgjumshëm mbi llamarinë. Sa herë që s’e merrte gjumi, ai, sipas rastit, ose fajësonte, përshembull, urinë, ose ndonjë therje të ftohtë si thikë pas shpine, për të cilën thoshte me vete se është një suvenir i vjetër reumatik.

Ai u kthye avash në krahun tjetër. Ajri i ftohtë i shkaktoi një drithërimë tjetër ngashëruese. U shtrung sërisht pas gojëve të ftohta që hapën dengjet e kashtës dhe barit dhe mblodhi kruspull me dhimbje gjunjët si të goditej befas nga një shkelm kali. Pastaj ai buzëqeshi papritur në një ëndërr të lehtë e të bardhë si fluturat e borës që binin përjashtë. Në krah, si një mirazh, çuditërisht, i qe shfaqur, papritur, një zonjëz e perëndishme, e veshur me vellon e dëbortë të nusërisë. Ai, më pas, buzëqeshi rishtaz dhe i shpupurisi ngadalë flokët e kërleshur mbi nënkrejsë. Ngriti, lehtas, jorganin e bardhë dhe i mbuloi supet e njomë. U rrek të ndreqte dihatjen e tij të dendur me atë të qetë të së dashurës. Pas disa çastesh, gjithë përkrah saj, ai e pa veten në një banket të shtruar enkas për ta. Bënte të hante, po nuk hante dot. Vetëm kënaqej duke shikuar gjithë ç’i fanitej para syve. Ai i buzëqeshi përsëri fytyrës engjëllore që ishte mbështetur mbi gjoksin e tij. Më vonë, duke tërhequr krahun e mpirë, ai shtypi, butësisht, kashtën me bërryl. Zhurma fëshfëritëse e kashtës e zgjoi. Plevica u krodh në një dritë të hirtë. Hijet e kashtës dhe të barit iu dukën se u zgjatën. Iu bë se nata kishte lëvizur shumë ngadalë dhe se vetëm trokitjet e shpeshta të zemrës së tij e kishin copëtuar me zhurmë heshtjen e saj. Megjithatë, atij s’i bënte zemra t’i shqitej kashtës. Gjithë pendim e përtesë si një kalë i mardhur që përplas potkonjtë në gur e s’bën çap, ia kishte ënda t’i rikthehej sërish ëndrra e humbur.

Si të mos e donte veten gjallë, doli prej plevicës së huaj dhe nisi të hapë udhën i pari, përmes dëbores së madhe, aty ku niste dhe pjerrësia e kodrës. Ndezi një cigare të fundit që i kishte mbetur qysh prej ditës së djeshme nga ato te falurat rruges, ndonëse edhe pa të, gojën e ndiente të thatë dhe të hidhur. 

Dritaret e shtëpive përdhese të katundit ndën pullazet e ulta të rënduara prej trashësisë së dëborës së rënë gjithë asaj nate të gjatë, sapo ishin çelur dhe dukeshin sikur picërronin sytë e vegjël prej përndritjes së ftohtë që shkaktonte drita natyrore e mëngjesit mbi bunacën e bardhësisë së shkretë.

 

Fragment nga libri "Kaleidoskop" i Naim Berishës

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00