Home | Literature | Intervistë me Poeten Lediana Stillo

Intervistë me Poeten Lediana Stillo

image
Poezia nuk ka nevojë për çmim. Poezia ka nevoje për hapësirën e vet, për lexues të mirëfilltë, që ta kuptojnë e ta zhvillojnë, për ata njerëz që dinë  t’ia transformojnë kufijtë e ta bejnë të jetojë njësh në shpirtin dhe zemrën e tyre.

 

 

 

 

Nga   Dea  J Klosi

 

 

 

Klosi News : Znj. Stillo, a mund të na flisni pak për krijimtarinë  tuaj letrare, me se përfaqësohet ajo dhe ku mund të gjendet ?

 

L. STILLO: Deri tani kam botuar dy libra poetike, “Lotët e Nimfës” (Rozafa, 2008) dhe Pax Deorum (Princi, 2011); si dhe një libër me drama “Mëkati i Heshtjes” (Princi, 2011). Të gjitha librat e mia nuk janë nxjerrë për shitje; ose më saktë gjithmonë jane gjetur pretekse per te mos i kaluar tregut. Kam preferuar ta shperndaj tek njerezit e letrave dhe miqte e mi qe e di se e lexojne poezine/dramen/prozen. “Lotët e Nimfës”, libri im i parë poetik më është thënë se nuk ka asnjë kopje në qarkullim dhe se në fakt kishte “humbur” apo ishte “djegur” rastësisht. Kështu më është thënë mua, por normalisht unë e kam gjetur librin të tregtohet në disa rrugë apo kioska të ngelura në Tiranë dhe normalisht jo me çmimin e tij të shitjes por vetëm për 50 lekë. Kjo nuk besoj se privon lirinë e një lexuesi që kerkon të më gjeje pasi të treja librat ekzistojnë në internet. Ato janë hedhur në website nga Botimet Shqiptare.

 

Klosi News : Njëri prej poetëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Rilke, thotë kështu : « Për të shkruar qoftë dhe një varg të vetëm, duhet të kesh parë shumë qytete, shumë njerëz e plot gjëra. Duhet ta ndjesh si fluturojnë zogjtë. » Cili do të ishte përkufizimi juaj i poezisë ?

 

L. STILLO: Kjo lidhet me atë që Russoi e quan “the feeling of existence” (ndiesia e ekzistencës). Është e vërtetë që duhet të kesh parë shumë qytete, vende të ndryshme, duhet të njohësh kultura të ndryshme që të mund të shkruash diçka të pangjashme, apo të pakapshme; por kjo ndiesi, së pari nis nga vetja, kontakti që ti ke me natyrën, jetën, njerëzit, shoqërinë, statusin tënd politik e shoqëror apo distancimin që ti i ke bërë vetes prej gjithë sa përmenda më lart dhe më pas nga infiltrimi që dhimbja jote pëson në kontakt me atë ndjesi qetësie të brendshme, apo paqeje që të shpall natyra në bukurinë e saj. Për mua kjo ndjesi arrihet edhe në një shtegtim imagjinar. Brenda çdo poeti apo shkrimtari ekziston një bote e pakapshme nga askush tjetër. Aty, brenda vetes së tij, ekzistojnë peisazhe që vetëm mendja e tij arrin t’i përceptojë. Është një kolose më vehte. Është një botë që ka një qytetërim krejt të ndryshëm nga kjo që është para syve tanë. Një gërshetim i një bote krejt abstrakte, imagjinare, natyrale dhe hyjnore. Proçesi krijues arrin të shfaqë vetëm një përqindje të vogël të kësaj botë, kurse veprimtaria e plotë e një artisti arrin të shfaqë krejt botën e tij të brendshme, ose të paktën pjesën më të madhe të përjetimeve të tij.

 

Klosi News : Sot, ne jetojmë në epokën e Internetit, që i ka tronditur shumë zakonet tona të të lexuarit dhe shkruarit. Si e shihni Ju poezinë në lidhje me këtë mundësi të re shprehjeje ? A është bërë ajo më demokratike ? A ka fituar apo humbur në këtë histori ?

 

L. STILLO: Ne, njerëzit, gjithmonë dimë të shpikim armët që na vrasin më shpejt se sa  na kurojnë. E gjetur përpara një korpusi kaq të turbullt, unë shoh se poezia ende po mbijeton. Nuk mund dhe nuk duhet që ajo të japë grahmat e fundit, si një njeri para ekzekutimit të tij në litar. Poezia është e vetmja rrugë që e ndryshon jetën e shoqërisë. I vetmi embrion që di të godasë më fort me bukurinë dhe lehtësinë e saj. Është e vetmja qelizë që shndërron përceptimet e shqisave të çdo individi dhe të vetë shoqerisë apo botës. Ajo është një puhizë aq e lehtë, aq e bukur dhe e hijshme, që duke shfrytëzuar hapësirën dhe ndjesinë e të pakapshmes jep në dorën tënde një heshte, mprehtësia e së cilës shkakton çarje të thella. Ai që di ta kuptojë poezin, dhe që e kërkon atë vazhdimisht; ai  që ndjen se nuk jeton dot pa të, ai njeri jeton dyfish. Bota internetike e ka shthurrur shumë imazhin e poezisë, e ka bërë të bjerë në ato gjethet e moçaleve, ku bretkosat do të vazhdojnë t’i guatin dhe pak, derisa të vijë momenti i duhur që dikush ta marrë dhe ta vendosë në koloseun e saj të vërtetë, e ta trajtojë ashtu siç duhet. Kjo ndodh me librin. Me atë libër, fletët e të cilit janë të rrudhura, të zverdhura, të mykura, por aroma poetike e të cilit i mbijeton çdo ere e çdo tufani kohe. Personalisht nuk bie dakord se shfletimi i librave shijon njëlloj në internet ashtu si në libër. Për mua mungesa që i jep “myku” i kopertinave dhe fletëve të zverdhura, nuk e hijeshon poezinë apo e bën më të pastër, por e rrudh, e ndrydh dhe e bën të ndihet e braktisur.

 

Klosi News : Dihet se gjatë gjithë jetës, ne zgjedhim gjithmonë, në heshtje apo me zë të lartë, një mësues, një rrymë ku e gjejmë veten më mirë. Nga vijnë ndikimet tuaja letrare dhe poetike ?

 

L. STILLO : Mësuesit e parë të mi kanë qënë mjeshtrit antikë. Vetëm kur kam arritur të shfletoj ata, kam arritur të kuptoj se çfarë do të thotë në të vërtetë art dhe poezi. Kam pas lexuar gjithmonë letërsi artistike por kontakti me njeriun antik më ka bërë të shoh më thellë në botën e artit dhe ta shoh këtë “mallkim” si një bekim. Pastaj Beckett ka qënë një prej mjeshtrave që më ka falur në mënyrë krejt natyrale elementet absurde, pa të cilët tashmë e shoh se bota nuk do të kishte mundësi të ekzistonte ashtu si do të duhej. Borges më ka mësuar mënyren e të shprehurit në poezi, mënyrën e të përceptuarit të botës time të brendshme; Niçe më ka mësuar të shndërroj vlerat dhe t’i kthej ato në të kundërtat përceptuese të botës, që do të thotë jo antivlera, por diçka më lart se vlerat aktuale; Strindberg, më ka mësuar se si të luaj me personazhet e dramave të mia, se si të absorboj elementet dramatike dhe t’i shkrij tek ta, apo se si të përkujdesem se mos po i lëndoj me mendimet e mia. Pastaj janë dhe miqtë e mi, poete e artistë, pa të cilët unë nuk do të kisha mundur dot të ecja në këtë botë kaq të bukur por shumë të vështirë.

 

Klosi News : Sot shihet njëfarë gjallërimi i veprimtarive poetike në Shqipëri. A mendoni Ju se poezia ka nevojë të kalojë përmes këtyre takimeve ? Po vlerësimi me çmime, në rang lokal, kombëtar apo ballkanik, a ju duket diçka pozitive për poezinë ? Shkurt, a ka poezia një mision të përcaktuar ?

 

L. STILLO : Unë nuk shoh gjallërim të poezisë. Perveç atyre veprimtarive që bëhen tek e Përshtatshme apo në Institutin e promovimit të vlerave në Tiranë, shoh se poezia më së shumti ka rënë në dorën e hipokritëve, që duke menduar apo duke u shprehur se po sjellin art, po sjellin në të vërtetë një antiart, një meduzë të frikshme që vlerat e vërteta po i kthen në shkëmbinj të ngrirë e të lënë në hije, e antivlerat në valë që rrahin këta shkëmbinj. Unë shoh se ekzuberantët (një term ky i mësuar prej mjeshtrit tim) janë përhapur kaq shumë sa zor se do të mund t’i shkulim prej vetes tonë. Është e tmerrshme të mendosh në dorën e kujt ka rënë poezia sot. E tmerrshme sepse këta tipa po arrijnë t’i mbushin mendjen botës se poezi të mirë shqipe sot nuk ka. Pra me pak fjalë, këto aktivitete nuk është se po e afirmojnë poezinë e vërtetë, por atë poezi, vdekja e së cilave është e dukshme. Poezia nuk ka nevojë për çmim. Poezia ka nevoje për hapësirën e vet, për lexues të mirëfilltë, që ta kuptojnë e ta zhvillojnë, për ata njerëz që dinë  t’ia transformojnë kufijtë e ta bejnë të jetojë njësh në shpirtin dhe zemrën e tyre.

 

Klosi News : Dhe së fundi, cila është poezia juaj më e dashur, nga një autor shqiptar dhe nga një autor i huaj ?

 

L. STILLO : Do të ndihesha një abuzuese e vërtetë e vlerave shqiptare dhe botërore nëse do të përmendja nga një prej tyre. Unë mbushem më këdo poet që i ka arritur vlerat universale; qoftë shqiptar apo botëror. Kam shumë poetë të preferuar, kam dhe nga ata poetë që dikur i kam preferuar dhe tashmë ndiej se i kam tradhëtuar, sepse shijet e mia artistike kanë ndryshuar me kohën. Do të doja të përmendja me zë të dridhur, pa shkaktuar një traumë ne emrat e tjera të papërmendura, poezitë e Migjenit, F. Arapit, L. Lleshanakut, P. Shllakut, R. Musliut etj; nga botërorët, sërisht me zë të dridhur, Borges, Poe, Bodler, Prevert, Shekspir e Molier, Beckett, Strindberg, Ibsen, Antikët ne pergjithesi etj etj etj...

 

Klosi News. Ju falemnderit!

 

L. STILLO : Falenderimi më takon mua, pasi është kënaqësi të shohësh njerëz që interesohen për të analizuar poezinë dhe poetët dhe pse personalisht mendoj se kam ende shumë udhë për të bërë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00