Home | Literature | Intervistë me Afroviti Gushon

Intervistë me Afroviti Gushon

image
A. Gusho: Shkurt? Po shkurt mund t’i japim poezisë përkufizimin që i takon, ajo të frymëzon ndjenjat më të bukura për të jetuar, të bën të kesh ndjenjën e vendlindjes, ndjenjën e Atdheut, ndjenjën e dashurisë për të gjitha bukuritë që s’njohin asnjë kufi në botë!

 

 

 

Nga  Dea  J Klosi

 

 

 

 

 

 

Klosi News : Znj. Gusho, a mund të na flisni pak për krijimtarinë tuaj letrare, me se përfaqësohet ajo dhe ku mund të gjendet ?

 

 

A. Gusho: Librin e parë e kam botuar në vitin 1994, në një shtypshkronjë me plumb në qytetin e Korçës, një botim që ende me ngjall nostalgji. Atëhere ishin të rralla shtëpitë botuese, eksperienca e botimit ishte ende e pakët, unë gjeta një redaktor që më “sakatoi” ca nga poezitë që doja më shumë. Pastaj botimet e tjera ishin përpjekje dashamirëse të miqve të mi.

Një përmbledhje poetike në vitin 2000 e botoi ShB “Onufri”. Libri u promovua në Panairin e Prishtinës, ku u shit pothuaj i gjithë tirazhi, ngase unë kisha  shumë miq e mikesha atje, që i kisha njohur në Pogradec në vitin 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë. Libri pati sukses ndoshta se qenien time nga Pogradeci dhe mbiemrin Gusho, atje e lidhnin me poetit e madh të qytetit tim Lasgush Poradeci.

Në vitin 2004, me rastin e pjesëmarrjes në një festival poetik në Rumani, u botua dygjuhësh shqip e rumanisht, me një titull intrigues “Rrënojat e dashurisë”, nisur nga disa vargje të mia (Sa keq që në ditë do të plakemi/Dhe do të hiqemi zvarrë/ Nëpër rrënojat e dashurisë...) Përkthyesi ishte një akademik pogradecar shumë i talentuar. Pastaj një studente e gjuhës angleze përktheu poezitë e mia në anglisht dhe një botues me emër, “Buzuku”, në Prishtinë, e botoi në vitin 2008. Kam ende disa kopje të tij dhe mburrem me këtë libër, i cili ndodhet në libraritë e Prishtinës dhe në librarinë on–line në Shqipëri që quhet “Shtëpia e librit”. Eshtë një amazon.com e vogël, por përbën sfidë në realitetin shqiptar.

Kam në raftet e librave të mi një libërth të vogël me poezitë e mia shqip e frëngjisht, të përkthyera me një mjeshtëri të veçantë nga përkthyesi Shpëtim Doda dhe ende s’kam vendosur në duhet ta botoj...

 

 

Klosi News: Njëri prej poetëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Rilke, thotë kështu: «Për të shkruar qoftë dhe një varg të vetëm, duhet të kesh parë shumë qytete, shumë njerëz e plot gjëra. Duhet ta ndjesh si fluturojnë zogjtë. » Cili do të ishte përkufizimi juaj i poezisë?

 

 

A. Gusho: -Aha, të konkurroj Rilken?! Si vështirë më duket! Unë vetëm mund ta perifrazoj: Për të shkruar një varg duhet të përjetosh një botë të tërë! Pastaj do të shtoja të përtypësh një mal me letërsi, të kesh edhe atë shkëndijën magjike të talentit!

 

 

Klosi News : Sot, ne jetojmë në epokën e Internetit, që i ka tronditur shumë zakonet tona të të lexuarit dhe shkruarit. Si e shihni ju poezinë në lidhje me këtë mundësi të re shprehjeje? A është bërë ajo më demokratike? A ka fituar apo humbur në këtë histori?

 

 

A. Gusho: Interneti është informacion i pafund dhe unë e çmoj informacionin. Dua që gjërat e bukura t’i lexoj në letër, por nuk e mohoj faktin që Perla ndodhen ngado. Ka njerëz të papërtuar që shpenzojnë shumë kohë dhe hedhin “çudira” në internet. Gjejnë poezi të bukura, thënie të poetëve e shkrimtarëve, i vendosin në FB e ti s’ke si të mos e çmosh këtë përpjekje të tyre e mos ta shijosh. Ka të tjerë që hedhin krijimet e tyre dhe promovojnë  veten e tyre me miqtë në FB. Këta të fundit bëjnë like, like, like dhe ndonjë koment. Mendoj që kur ka më shumë hapësirë (qoftë kjo edhe virtuale) ka më shumë mundësi dhe si rrjedhim më shumë liri. Koha është e kufizuar dhe përzgjedhja më e vështirë. Në këtë këndvështrim të  gjithë jemi humbësit  dhe fituesit e kësaj demokracie!

 

 

Klosi News : Dihet se gjatë gjithë jetës, ne zgjedhim gjithmonë, në heshtje apo me zë të lartë, një mësues, një rrymë ku e gjejmë veten më mirë. Nga vijnë ndikimet tuaja letrare dhe poetike?

 

 

A. Gusho: Për mua është pak ndryshe nga ky përkufizim, jam shumë e paqëndrueshme në atë që adhuroj. Para viteve ‘90 zgjedhja ishte e kufizuar, çfarë letërsi na servirej në shkollë dhe çfarë lexonim ndonjë libër të ndaluar fshehurazi. Ishte koha e mahnitjes me klasikët kryesisht. 

Nuk kisha vetëm një poet të adhuruar, por poezi që më trondisnin thellë, që s’më hiqeshin nga mendja për një kohë të gjatë. Mbaj mend që më kanë bërë përshtypje p.sh. një poezi nga Walt Whitman, një nga Zhak Prever, një nga Lermontov, një nga Kadare, një nga Dritëroi etj. Eshtë bërë zakon të bëhen CD me këngët e shekullit, mund të përdoret ky model edhe për poezitë e shekullit. 

Me poezinë moderne që lexoj tani më ndodh ndryshe. Ka vargje që me pëlqejnë pa masë, më trondisin, më habisin, më trishtojnë nga moskuptimi, më dëshpërojnë si krijuese nga përsosuria e tyre. Pyes veten a  duhet të vazhdosh të shkruash në këtë mjedis të mbushur me këtë lloj krijimtarie, ku mendimi është poezi dhe poezia është një mendim hyjnor?!

Po t’i përgjigjesha drejtpërdrejt pyetjes suaj do të thoja: Ndikimi im vjen sa nga letërsia e mirë (si duhet shkruar) dhe po aq nga letërsia e keqe (si nuk duhet shkruar).

 

 

Klosi News : Sot shihet njëfarë gjallërimi i veprimtarive poetike në Shqipëri. A mendoni Ju se poezia ka nevojë të kalojë përmes këtyre takimeve? Po vlerësimi me çmime, në rang lokal, kombëtar apo ballkanik, a ju duket diçka pozitive për poezinë? Shkurt, a ka poezia një mision të përcaktuar?

 

 

A. Gusho: -Poeteka në Shqipëri është një festival dinjitoz. Ka edhe shumë takime poetike. Mendoj që ndihmojnë poezinë dhe lexuesit e saj, ndihmojnë që poezia të mos jetë një produkt elitar, por t’u përkasë sa më shumë njerëzve të thjeshtë. E sidomos nëse do të tërhiqte sa më shumë të rinj, lexues e krijues. Çmimet janë diçka e mirë, nxitëse, por edhe nëse të gjithë krijuesit i ëndërrojnë, ato s’janë asgjë në krahasim me ato poezi që mbeten gjatë në mendjen e lexuesit. Lasgushi është i pavdekshëm sepse shkroi poezinë “Poradeci”, “Gjeniu i anijes”, etj. Askush s’i dha ndonjë një çmim. Mitrush Kutelin pak e njohin si poet, por disa javë më parë në një aktivitet përkujtimor, aktori Mirush Kabashi recitoi “Poemi Kosovar” dhe ngriti në këmbë një sallë me dhjetëra vetë të përlotur...

Shkurt? Po shkurt mund t’i japim poezisë përkufizimin që i takon, ajo të frymëzon ndjenjat më të bukura për të jetuar, të bën të kesh ndjenjën e vendlindjes, ndjenjën e Atdheut, ndjenjën e dashurisë për të gjitha bukuritë që s’njohin asnjë kufi në botë!

 

 

Klosi News : Dhe së fundi, cila është poezia juaj më e dashur, nga një autor shqiptar dhe nga një autor i huaj?

 

 

A. Gusho: Dashuria këtu është jetëshkurtër, adhurimi për një poezi vjen, ndriçon e pastaj shuhet, lind një dashuri e re. Kam në memorje një shtresëzim poezish që ashtu të mbivendosura më frymëzojnë të zbuloj përjetime të reja. Nëse nuk do të kishte fituar çmimin Nobël, s’do ta kisha njohur kurrë poetin suedez Tomas Transtromer. Autor shqiptar? Do mbetem në Pogradec. Dhimitër Pojanaku është padyshim një poet i rrallë dhe bujar, ndaj do më lejojë ta citoj si fundin e kësaj interviste:

(Nga baxha ime shoh tërë qiellin,/qielli sheh një copë të baxhës sime.)

 (P.S. Më detyruat më në fund të them dy emra, të huajt s’e kuptojnë intervistën në shqip, ndërkohë sapo bëra armiq qindra poetë të shkëlqyer në Shqipëri!!!)

 

 

Klosi News. Ju faleminderit!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00