Home | Literature | Intervistë me Darien Levanin

Intervistë me Darien Levanin

image
Dialekti është në radhë të parë pasuri, e si çdo pasuri duhet ruajtur. Gjuha kombëtare ama është një gjë tjetër e këto të dyja duhet të rrinë të ndara. Por kjo mesele duhet zgjidhur nga gjuhëtarë në vende të posaçme, e jo nga opinionistë a politikanë nëpër emisione televizive.
 
 
 
 
Dea J Klosi, Klosi News
 
 
 
 
 
 
Klosi News: Z. Levani, a mund të na flisni për kontaktet tuaja të para me Letërsinë, për ndikimet dhe "zakonet" tuaja të të shkruarit ?
 
 
DARIEN LEVANI: Nuk mund të quhet tamam Letërsi, por kontakti i parë kanë qënë parrullat që “zbukuronin” qytetet tona. Ndoshta janë gjëja e parë që kam lexuar e që më ka ngelur e fiksuar përgjithmonë. Imperalizmi amerikan është tigër prej letre, kalitemi me punë, parime, gjak, ideale, armiq etj., etj. 
 
 
Klosi News : Sot, flitet shumë për kritikën letrare shqiptare që, sipas mendimit të përgjithshëm, nuk ekziston. A pajtoheni dhe Ju me këtë mendim ? Si e mendoni rolin e kritikës letrare ?
 
 
DARIEN LEVANI: Kritika është një filtër midis shumë plehrash që botohen ditë për ditë për lexuesit. Jam dakord që nuk ekziston, të paktën në formën e saj më të pastër. Deri diku sepse në Atdhe të gjithë duan të luajnë në sulm e askush nuk do të rrijë në portë. Kështu që detyrohen vetë shkrimtarët të shkruajnë për veprat e miqve, e ky është problem, sepse mund të kenë interesa personale për të folur mirë apo keq për ta. Unë flas mirë për ty nëse ti flet mirë për mua. E bukura pastaj është që nuk lexojnë as librat e nuk dinë se çfarë të thonë përveçse “ Doni më për Belulin?”
Çfarë është një kritik? Është dikush që është entuziast për një vepër arti e dëshiron t’ua tregojë edhe të tjerëve. Duhet të dijë të shkruajë, të jetë i ndershëm, i thjeshtë e nuk duhet të shkruajë për të treguar se sa i zgjuar është. Shpesh herë më ka qëlluar të shkruaj për albume muzikore e ky është rregulli i vetëm që kam ndjekur. 
 
 
Klosi News :Cilat janë mënyrat tuaja të ndjekjes së Letërsisë Europiane apo dhe asaj botërore: nëpërmjet përkthimeve apo leximit në gjuhën origjinale ? Ku e vendosni Ju, në krahasim me këtë letërsi,Letërsinë Shqiptare në përgjithësi dhe atë tuajën në veçanti ?
 
 
DARIEN LEVANI: Nisem gjithmonë me idenë për t’i lexuar në gjuhë origjinale, të paktën kur janë në frëngjisht e anglisht, që deri diku ia thek. Por shpesh herë pengohem, lodhem edhe e ndërpres. Autori i fundit që kam lexuar në gjuhën frënge ka qënë Maurice Leblanc, por përdorte një fjalor shumë të thjeshtë. Pasi e kam lexuar në italisht e kam taksur të ri-lexoj Consider the lobster në gjuhë origjinale, shpresoj t’ia dal mbarë. 
Letërsia shqiptare në këtë moment, ashtu si këto pesë shekujt e fundit, është bllokuar në baltë e nuk po del dot. Nuk shkruhen gjëra të reja, ri-shkruhet me formula të stërpërdorura. Mungojnë forma, teknika, mungon guximi, çmenduria, dëshira. Problemi tjetër, shumë i madh, është që kur flasim për shqipen po flasim për një gjuhë të vdekur. Kjo është e rëndë, por duhet thënë. Nuk përkthehet më asgjë, a gati asgjë nga kjo gjuhë, por me sa duket ky nuk është lajm serioz përderisa nuk shqetësohet askush. Por nuk përkthehet edhe sepse nuk shkruhet mirë. Ka shumë arsye e s’kam ndër mend të flas për të gjitha, por ajo që më turpëron më shume është kjo : që të shkruash duhet të jesh një lexues i mirë, e shumë “shkrimtarë” nuk lexojnë fare. Sa për letërsinë time...s’jam personi i përshtatshem për të folur për të kështu që nuk po flas. 
 
 
Klosi News : Dihet se një tekst letrar, në fakt, është një ndërtekst. Veprat të dërgojnë tek njëra-tjetra, shkeljet e syrit ndërmjet shkrimtarëve janë të shpeshta. Po Ju, me cilët autorë ndiheni më afër dhe mundoheni të komunikoni nëpërmjet teksteve tuaja të mirëfillta ?
 
 
DARIEN LEVANI: Shiko, ndikimet janë të panumërta e nuk janë vetëm shkrimtarë, ka edhe shumë këngëtarë, regjizorë etj., Jack London,Paco Ignacio Taibo II, Francesco Guccini, Migjeni, Joe Strummer, Bertolt Brecht, Kurt Vonnegut, Sepulveda për sa i përket indinjimit social dhe konceptimit të shkrimit si një mision. Nick Cave, Hornby, L.Cohen, Bob Dylan, Piero Ciampi, Mike Patton për sa i përket legancës së mendimit dhe lehtësisë së popit. Wallace, de Gregori, Jacques Brel, Dave Edggars, Diaframma e Franzen për thellësinë e mendimit. Librat e parë të Palahniuk, Ellis e Welsh për shpjegimin momentit në të cilin jetojmë. Ellroy, R. Lansdale, Chandler, Carlotto për sa i përket frymës “noir e hard boiled”. Grisham, Ludlum, Deaver, Jack White, Elmore Leonard për sa i përket ndërtimit të një trame dhe frymës “thriller”. Por këta janë vetëm një pjesë e vogël... 
 
 
Klosi News : Një temë që rikthehet shpesh në mjedisin letrar shqiptar,është dhe ajo e « Çmimeve Letrare ». Ç’mund të na thoni këtu ? A mendoni Ju se përzierja e politikës së ngushtë partiake në Letërsi është një fatalitet nga i cili s’po dimë si të dalim ?
 
 
DARIEN LEVANI:Sinqerisht nuk di çfarë të them për këtë sepse nuk e njoh situatën konkretisht. 
 
 
Klosi News : Tani, edhe një pyetje mbi Gjuhën Shqipe. Zhurmat e sotme mbi standartin, dialektet, klanet apo komisionet, kanë krijuar një rrëmujë të vërtetë në mjedisin tonë letrar. Mendimi apo rrugëzgjidhja juaj ?
 
 
DARIEN LEVANI: Dialekti është në radhë të parë pasuri, e si çdo pasuri duhet ruajtur. Gjuha kombëtare ama është një gjë tjetër e këto të dyja duhet të rrinë të ndara. Por kjo mesele duhet zgjidhur nga gjuhëtarë në vende të posaçme, e jo nga opinionistë a politikanë nëpër emisione televizive. Pastaj, këta njerëz që janë kaq të indinjuar për këtë problem, le të indinjohen pak edhe për fjalët e huaja që na kanë pushtuar.
Tani, sa për veten time, nuk më intereson nëse një fjalë që përdor është letrare, dialekt a ku e di unë. Pyetja e vetme që i bëj vetes është nëse është fjala e duhur për të thënë atë që dua të them apo jo. Nëse personazhi thotë “Pastaj na qiti në resme...” unë nuk mund të shkruaj “ Pastaj na nxori në fotografi...”
 
 
Klosi News: Dhe së fundi, çfarë do të dëshironit t'ju përcillnit lexuesve dhe dashamirësve tuaj?
 
 
DARIEN LEVANI: Fat të mbarë!
 
 
Klosi News: Ju falemnderit !
 
 
DARIEN LEVANI: Faleminderit juve.
 
 
 
 
* * *
 
 
Darien Levani është një shkrimtar i ri shqiptar, i lindur në Fratar në vitin 1982. 
 
 
Vepra:
 
2009 - Vrasësi i qymyrit ( Ebook ) 
 
http://tiranacalling.wordpress.com/2009/04/01/vrasesi-i-qymyrit/
 
2009/04/01/vrasesi-i-qymyrit/ )
 
2010 – Vetëm vajtje ( Alba Media ) 
 
(LINK http://www.ibs.it/code/9788890628009/levani-darien/solo-andata-grazie-i.html ) 
2011 – Qukapiku magjik i famshëm ( I Libri Di Emil )
 
( LINK http://www.amazon.it/famoso-magico-qukapik-Composizioni/dp/8896026881/ref=sr_1_1?ie=UTF8&qid=1324632451&sr=8-1 )
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00