Home | Literature | * * *

* * *

image © Photo: Irene2005
Sjellja e të gjithëve të kujtonte sjelljen e një fluturimi zogjsh që komunikojnë ndërmjet tyre, të paktën kështu e përfytyrojmë, nëpërmjet një lloj telepatie.

 

 

 

 


Përkthyer nga Dea J Klosi

 

 

 

 

Slatteri kishte qenë i punësuar dikur në një ushqimore të vogël në Londër. Atij i pëlqente t’iu përsëriste fëmijëve të vet se pa energjinë dhe guximin e tij për nisma të reja, ata do të ishin ende duke u dergjur në rrugicat e qelbura të një qyteti të madh. Por edhe pas njëzet vjet qëndrimi në Afrikë, ai mbetej një cockney i kulluar ; duke u ngulitur, ai nuk kishte pasur në kokë veçse një ide : të fitonte para, dhe ai fitoi, madje shumë. Ishte i vrazhdë, i pistë nga goja, i pamëshirshëm dhe megjithatë, në mënyrën e tij, nuk është se i mungonte zemra, dhe ndonëse nuk pushoi kurrë së binduri ndaj atij instinktit të pathyeshëm që e shtynte të pasurohej gjithnjë e më tepër, ai e shfrytëzonte fermën e tij njëlloj sikur të kishte rrotulluar manivelën e një makinerie parash. Ishte i ashpër me të shoqen, dhe në fillim, i kishte vënë asaj ca detyrime të rënda, me fëmijët ishte treguar gjithashtu i rreptë, deri ditën kur kishte bërë pasuri. E prej atëherë, nuk e ndalte asgjë ; por mbi të gjitha, ishte i egër me bujqërit, me shërbëtorët, “pula” këto që i pillnin vezë të arta. Asokohe, këta njerëz të gjorë nuk e mendonin qoftë dhe një çast që të mund të jetohej ndryshe sesa duke pjellur ar për tjetrin ; tani e kanë kuptuar, ose po fillojnë ta kuptojnë… Por Slatteri besonte në nevojshmërinë e drejtimit me shkop të fermës së tij ; ky shkop ishte një kamzhik me ç’rast, atë e shihnim të varur përsipër derës së hyrjes si një emblemë : mos kini frikë të vrisni nëse duhet. Vetë ai, një ditë, tejet i nxehur, kishte vrarë një vendas dhe ishte dënuar me një gjobë prej tridhjetë livrash ; që prej atëherë, ai kishte mësuar të vetëpërmbahet, por nëse kamzhikët janë tejet të dobishëm për Slatterët dhe sojin e tij, nuk është kështu për ata që nuk e kanë forcën dhe sigurinë e tyre. Ishte Charlie ai, i cili, dikur, kur Dick Turner kishte blerë fermën e vet, i kishte thënë se duhet të pajisej me një kamzhik përpara se me një qerre dhe një lesë, por kamzhiku kishte qenë pa asnjë dobi për Turnerët, përkundrazi, siç dhe do ta shohim më pas.
Slatteri ishte një burrë i shkurtër, rondokop dhe i fuqishëm, me shpatulla të gjera, muskuj të fuqishëm. Syri i tij i vogël shpues xixëllonte në fytyrën e gjerë dhe leshatake, floknaja e shprishur bjonde ishte qethur zero dhe i jepte pamjen e një të burgosuri, por ai nuk merakosej aspak për dukjet. Sytë e tij të vegjël blu ishin pothuaj të padukshëm me atë mënyrën e picërrimit të qepallave pas aq e aq vitesh dielli të fortë jugafrikan.
I mbërthyer pas timonit në ngutjen e tij për tek Turnerët, sytë e tij nuk ishin tjetër veçse dy të çara blu në fytyrën e gurtë. Ai pyeste veten që përse Marstoni, mbikqyrësi i punëve, që tekefundit ishte i punësuari i tij, nuk kishte ardhur ta takojë në lidhje me krimin apo nuk i kishte dërguar një lajm. Ku mund të ishte vallë ?
Kasollja ku banonte ai gjendej nja ca qindra metra nga shtëpia e krimit. A mos i kishte hyrë frika dhe marrë arratinë ? Mund të presësh gjithçka, thoshte me vete Charlie, me këtë tip Anglezi të ri. Ai ndjente përçmimin më të thellë për këta të rinj Britanikë me fytyrë të brishtë, me zë të butë ; por nga ana tjetër, ai ndihej krejt i magjepsur nga sjelljet dhe mënyrat e tyre të jetesës. Vetë djemtë e tij, tani burra të vërtetë, ishin Zotërinj. Charlie kishte shpenzuar pa numërim që t’ia arrinte kësaj dite, por nuk mund ta pengonte veten për t’i përbuzur edhe pse ishte krenat për ta ; ngatërresa e ndjenjave të tij shfaqej në sjelljen kundrejt Marstonit, një përzierje ashpërsie, shpërfilljeje dhe vlerësimi të fshehtë. Por, tani për tani, ai ndjente kundrejt tij thjesht një ngacmim të theksuar.
Ai ishte në mesin e udhës kur e ndjeu makinën të marrë anash, e futi përsëri në rrugë duke lëshuar një sharje : « Ta marrë djalli, një gomë e çarë, jo dy… » Mbi llucën e kuqërremtë të rrugës silleshin andej-këndej ca copëza qelqi, dhe ai mendoi i nxehur : « Po, po, s’ka tjetër veç Turnerit që i mbjell udhët e veta me qelqe… » Por, Dick Turner nuk ishte më veçse një objekt mëshire, mëshire të pasionuar dhe mbrojtëse, dhe Charlie i ktheu rrufetë e tij kundër Marstonit, mbikqyrësit, që ishte dashur ta pengonte krimin. Po fundja, e përse e paguanin ? Përse e kishin marrë në punë ? Por, megjithatë, ai e përmbajti veten sepse dinte të ishte i njerëzishëm me ata të racës së vet dhe zbriti për të bërë gomën e rënë, pastaj ndërroi dhe tjetrën, duke u zhgërryer në llucën e dendur të kuqërremtë të udhës. Kjo punë i mori treçerek ore dhe kur pati mbaruar, mbledhur copëzat e qelqit dhe hedhur në shkorret, fytyra dhe flokët e tij ishin mbuluar në djersë.
Kur më në fund mbërriti në shtëpinë e krimit, duke u afruar përmes shkurrajave, ai pa gjashtë biçikleta të mbështetura për muri. Nën pemë, përpara shtëpisë, mbaheshin gjashtë policë vendas, me në mes Moise i cili i kishte duart të prangosura përpara vetes. Dielli rrëzëllinte mbi prangat, biçikletat dhe masën e dendur të gjethnajës. Mëngjesi ishte i lagësht dhe rëndues. Qielli nuk ishte tjetër, veçse një grumbull i çrregullt resh.
Charlie iu bashkua policëve që e përshëndeten. Ata mbanin në kokë kapuçin e tyre vendas dhe kishin veshur uniformat plot lajle-lule, por Charlie nuk e kishte mendjen aty. Ai pëlqente t’i shihte këta vendas të veshur siç duhet, sipas gradës, ose përndryshe lakuriq, më thjesht një brez për mesi. Ai nuk e duronte vendasin gjysmë të qytetëruar. Policët e zgjedhur për paraqitjen e tyre ishin burra të hijshëm, por Moise, një djalë i gjatë i shkëlqyer, po aq i zi dhe rrezatues sa një pëlhurë e lyer me dyllë, i linte në hije të tërë. Kishte veshur thjesht një palë qillota të shkurtra dhe një jelek të lagur, të mbuluar me baltë.
Charlie u ndal përballë vrasësit, dhe e vështroi në sy, ngultazi. Burri ia mbajti vështrimin me një pamje të trishtë, shpërfillëse. Vetë fytyra e Charlie kishte një shprehje të çuditshme : aty mund të lexohej njëfarë ngadhnjimi, një mëri e fshehtë ndërkohë që edhe frikë, por nga vinte kjo frikë ? Kujt i trembej ai ? Jo Moise, që mund ta shihnim tashmë si virtualisht të varur. Megjithatë, ai dukej i turbulluar, i zënë ngushtë… Bëri një përpjekje, e përmbajti veten, dhe duke u kthyer, pa Dick Turnerin që po rrinte ca hapa larg tij. Ai ishte i mbuluar në llucë nga koka tek këmbët. « Turner ! » foli Charlie me një ton urdhërues, pastaj heshti dhe vështroi burrin përballë. Dick nuk dukej se e njihte. Charlie e kapi fermerin nga krahu dhe e tërhoqi drejt makinës. Në atë çast, ai nuk dyshonte ende se tjetri ishte krejt i çmendur dhe po ta kishte ditur, me siguri që zemërimi i tij do të kishte qenë më i madh.

 

(Doris Lessing)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00