Home | Literature | Qerpikë ujëvarash

Qerpikë ujëvarash

image
Zvogëluar si dallëndyshe e artë për folezat e shpirtit të tyre, depërtova lehtësisht në mjediset e thjeshta ngrohur me mirënjohje. 

 

 

 

Nga Istref Haxhillari

 

- Merre, ishte në moshën tënde, - iu drejtua gruaja veshur me të zeza Nerianës, zonjës elegante që bariste ngadalë e trishtuar.
Neriana mori mollën e ngrohur nga dora e së panjohurës, u shkëput e puthi ngrohtësisht në faqet e rreshkura. Me vështrim të plagosur, gruaja fatnxirë e ndoqi një copë herë, teksa largohej prej varrezave. Ngriti kokën drejt qiellit, rrëmbushur me pikëza shiu, bëri kryqin. Në fytyrën e zbehtë dhimbja i rëndoi me gravitet marramendës.
- Kushedi edhe Maja do të ishte martuar, po Zoti nuk deshi, e mori para kohe, - psherëtiu e topitur, mjegulluar nga lotët.
Varrezat e Shën Triadhës në Korçë janë botë e pafund, ku njerëzit e ikur përgjithnjë në gjumin e pacak zaptojnë jo vetëm dheun, po gjithë hapësirën. Dhimbja buron pareshtur nga çdo cep i vendit, teksa klithmat e njerëzve nuk shterin kurrë. Toka e zezë mbllaçit eshtrat dhe selvitë e dendura të varrezës tejçojnë në lartësi kumte të pafund skeletesh kokallanxirë, përzier me vegimet e vizitorëve të pashterur, çdo ditë e çdo stinë. Të vdekurit sundojnë të gjallët, zbutin zemrat e serta, lëmojnë këndet e ashpra të karakterit, i arnojnë me mirësi. Këta u binden verbërisht kur janë në varr, hepohen mundimshëm t’u plotësojnë çdo dëshirë, qëmtuar me vështirësi përmes ëndrrave, vegimeve apo shenjave të tjera.
Lypsit, me pamje të përçudnuar renditur përgjatë hyrjes, s’mbeten kurrë duarbosh.
Mes qytezës gjigande të shpirtrave ndodhet banesa e amëshuar, ku prehen eshtrat e nënë Ollgës, larguar nga jeta në moshë të shtyrë. Si gjithnjë, pa harruar kurrë vit pas viti, erdhi atë ditë vjeshte me shi Neriana e zbehtë, përherë e tronditur kur avitej në varreza. Qau me gulçima, kujtoi copëza nga jeta e gruas, që prehej qetësisht në paqen e tejjetshme, derisa mbeti e shtangur mbi mermer. Kuja rraskapitëse, si të ishte vdekje pikëlluese vajze të re, trazoi dhunshëm vetëdijen e gruas, kryqëzoi shpirtin e dalldisur.
Neriana jeton me kujtimin e gjyshes, e vetmja krijesë e gjakut të saj që e deshi më shumë se cilado nënë fëmijën e vet. Vdekja këputi lidhjen me njerëzit e afërt, hapi plagën gërryese që e bren vazhdimisht. Lotët mbi shtëpizën e mermertë janë i vetmi mjekim, sidoqë i përkohshëm.
Redi, me shtat mesatar dhe tipare inteligjente, qëndronte palëvizur, i trishtë dhe i vrenjtur. Në fytyrë përzihej keqardhja me habinë nga vaji i panatyrshëm, përtej të zakonshmes. Pikat e argjendta të shiut lodronin nëpër leshrat e krehur me kujdes.
E zuri për krahu gruan fytyrëshprishur prej helmit dhe i pëshpëriti më zë të ëmbël, ledhatar:
- Mjaft, ngrehu tani. - E puthi me ëmbëlsi, i fshiu lotët që vizatonin gjurmë të spërdredhura nëpër mollëzat e faqeve.
- Lermë, Redi.
Lektisur në këndellje prekëse u larguan ngadalë prej Shën Triadhës, botës stërmadhe të shpirtrave që enden në hapësirën e saj.
Ajo fshiu me shami sytë e njomur, shtrëngoi mollën në dorën e majtë dhe ndenji e kapitur në çip të stolit, lagur nga shiu. Kështu shternin dikur lotët në jetimore, sa herë vinte nënë Ollga. Varreza ngacmonte trazimet e dallgëzuara në shpirtin e vajzës së hershme, stërpikte vitet e qelqta të fëmijërisë, shurdhuar në monotoni varfëruese të pikëlluar. Braktisjen e prindërve e sendërtoi sa mundi gjyshja e kujdesur si shenjtore, që përpiqej të shkrifëronte ditët e ngurtësuara larg njerëzve të afërt.
Fëmijëria rrodhi e trishtë për vajzën e harruar në botën e ashpër të shtëpisë së huaj. Ditët e zymta çeleshin një herë në muaj kur shfaqej Ollga e mirë me një mal dashurie. Ulur në qosh të oborrit gri, si tani në stolin e lagur të varrezave, e vetmuar larg shoqërisë dhe ngazëllimeve të moshës, priste me ankth atë çast, i vetmi gëzim në përditësinë e mjegullt.
- Bijë e nënës, pa shiko ç’të kam sjellë?
Nxirrte nga trasta e thjeshtë biskota, veshje basme, këpucë për të zëvendësuar nallanet e drunjta shëmtaraqe. Neriana i hidhej në qafë, puthte e malluar fytyrën e zhubravitur dhe duart e regjura që endnin çdo ditë ëndrrat e mbesës vetmitare. Më shumë se dhuratat e gazmonte ardhja e saj, përkëdhelitë, sytë që e vështronin ëmbëlsisht. Gishtërinjtë e dobët shëtisnin të drithëruar nëpër trupin e përkulur të plakës dhe lumturohej. Duart kanë pushtet misterioz për të lehtësuar brengat e njerëzve. Gjaku i saj ishte brenda vajzës, që e përndiente me tërë qenien e brishtë.
Kënaqësi fluide e braktisjes së madhe.
- Mos ik, nuk pres dot një muaj të tërë, - lutej nga thelbi i shpirtit çupa, me syçkat e rrëmbushur që nuk thaheshin kurrë.
Ollga largohej zemërthyer. Një pjesë e saj ngecej te krijesa e pafajshme, e thyeshme, strukur në vetminë e gjatë. Neriana mbetej përsëri fillikat e lotuar. Ekzistenca e saj qe mbështjellë nga një rrjetë e hirtë merimange, kurse gazi i çastit, pluhur i ngritur që derdhej shumë shpejt. Qe insekt i vockël strehuar te orkida e plakur, shndërruar tashmë në hijen e padukshme të Shën Triadhës.
Gruaja, ulur përanë stolit të varrezave, ngriti kokën, hodhi leshrat prapa, sikur donte të shkundte kujtimet cingëritëse, që e prangosnin në ngastrën ku çlodheshin eshtrat e nënës. Hera - herës i dukej se nuk kishte patur kurrë prindër të vërtetë. Ata që e sollën në jetë nuk qenë banorë të kësaj toke po krijesa misterioze të ftohta, ardhur nga zona të panjohura. Rrallë, kur i takonte, vlonte nga dëshira të largohej sa më shpejt, t’u fshihej ashtu si ata, munguesë mjeranë, u shmangën dikur.
Opeli ngjyrë vishnje u nis sapo hipën në sediljen e pasme. E qetë, me shpirt të lehtësuar, ajo u struk e paturp në krahët e Redit. Lodhur nga vizita rraskapitëse, e zuri gjumi. E zbehtë, me damarët ngjyrë vjollcë, që përshkonin si rrjetë e ngatërruar anët e ballit të hijshëm, ngjante me fëmijë tulatur në prehër. Ai nuk lëvizi, vetëm e vështroi me dhembshuri. Shpesh mbi fytyrën e Nerianës rrëshqiste një hije e padukshme, dridhej një copë herë, pastaj sërish qetësohej. Në fund të udhëtimit, teksa makina kapërcente kthesat e ngatërruara të rrugës, thirri nëpër gjumë. U zgjua e lemerisur nga ëndrra e hidhur dredharake. Sytë iu turbulluan, si një ditë e azdisur vjeshte me shira të rrëmbyeshëm.
Redi i përkëdheli leshrat gështenjë dhe e shtrëngoi pas vetes. Dridhej e tëra si ta kishin kapluar ethet e asaj dite të lagur vjeshte. Prej dy muajsh ishin bërë të afërt, i hapnin zemrën njëri - tjetrit, ndiheshin të lumturuar, por ajo druhej t’i shfaqte të fshehtat, që i përjetonte si t’i kishin ndodhur atë çast, ligej dhe bëhej keq. Ai e dinte dhe nuk ngulte këmbë. Pranë saj ndihej mirë, mbushte zbrazëtinë e shpirtit të ronitur nëpër vitet e shkuar.
Pa folur zbritën nga makina dhe hynë në motel, ku vinin shpesh, fshehur syve të njerëzve. Neriana porositi kafe të fortë. U desh kohë të mblidhte veten.
- Asnjëherë s’më ke rënë në sy për gjendjen time. Më duron kur e teproj me sjelljen pa vend, kur s’di çfarë them e çfarë bëj. Nuk do të dish përse u tremba nëpër gjumë?
- Jo, mjafton që je këtu dhe vështron e lumturuar. Ke vuajtur dhe kujtimet ndezin pezmet e vjetra. Jetimorja duhet të ketë qenë shumë e ashpër, mungesa e prindërve gjithashtu, po nëna të ka qëndruar pranë. Ti e kujton denjësisht me mallëngjim prekës. Unë të kuptoj shumë mirë, nuk ka asgjë të pazakontë në pikëllimin për të vetmin njeri të dashur të gjakut tënd.
- Redi, duhet të dish gjithçka, kështu do të jetë më mirë. Shtëpia e huaj është vetëm një copëz e fatkeqësive të mia. Sigurisht ti mendon se ata, që më sollën në jetë vdiqën dhe mua më shpunë nga halli në atë vend, siç ndodh në çdo rast tjetër. Nuk është kështu. Përfundova në shtëpinë e të braktisurve me prindër gjallë.
Pastaj vazhdoi të tregojë me zë të vrazhdë, pa ngjyrë, gati indiferente, sikur koha të kishte mbuluar me cipë të trashë opake brengat e vjetra.
Kapërcim tronditës, i frikshëm.
U linda një fundmarsi kur dita e arriti për ta lënë pas natën e gjatë dimërore. Gori i gëzuar priti pak, hyri ngadalë në dhomën e lehonës, më vështroi i përqëndruar, pastaj foli si me vete, po dëgjuar prej të gjithëve përqark.
- U bëra gjysh me mbesë të bukur si dritë, do ta quajmë Neriana.
Nuk e di pse zgjodhi këtë emër të panjohur në mjedisin e Kalasë. Ndoshta kujtime fshehtarake, të gëzuara apo të trishta e lidhnin me dikë, humbur nëpër rrjedhat e moteve.
Kur u linda unë, Isuf Myzyri, rrëgjuar nga koha, i afrohej fundit të jetës, po fama prekte qiejt. Këngët që thurte bëheshin më të dhimbshme, më prekëse e tunduese. Muzika e tij kishte cekur përmasa hyjnore.
Pas një jave u mblodhën burra e gra në dhomën e madhe për të festuar ardhjen time në jetë. Isha banorja më e re. Myzyri thuri vargje dhe këndoi për harenë e mikut të tij të ngushtë.
- Të lumtë goja Usta, ma shtove gëzimin e kësaj dite, - uroi Gjyshi mjeshtrin e këngës elbasanase.
- U plakëm Gori, do ta lëmë shpejt këtë botë, do të harrohemi. Këngët nuk humbasin kurrë, do të udhëtojnë nëpër brezat që vijnë mot pas moti e shekull pas shekulli, - u përgjigj me zërin melodioz.
Isha e mbarë, e dashur, foshnjë e ëmbël. Më përkëdhelnin të gjithë me ngrohtësi, po nuk qe thënë të rritesha normalisht, njëlloj si moshataret e mia. Prej kohësh qe ndezur grindja mes prindërve. Fillimisht zvargur si pa rëndësi, më pas sherri u mahis, mori përmasa serioze. Thoshin se mamaja qe grua e sertë, me shumë huqe. Kur erdhi nuse bëri përshtypje ndër banorët e Kalasë.
- Me shije Rolandi, nuk thonë kot, ja korçare ja hiç fare.
Kaloi vetëm pak kohë për të shfaqur anën tjetër, karakterin e brishtë, sjelljen prej kokete, që ndryshonte shumë nga ajo e vendësve të urtë.
- Të kam kërkuar që në fillim, të shkojmë në Korçë, nuk mund ta le vetëm nënën.
Im atë kundërshtonte butësisht, nuk donte grindje. Përpiqej të merrej vesh me të mirë, por ajo kishte arsye të thella për kërkesën ngulmuese.
Në shtëpinë e nënë Ollgës jeta qe përmbysur ligsht me shpejtësi marramendëse. Mynxyrat ndiqnin njëra - tjetrën në një rit memec të shurdhët. Vetëm gjashtë muaj pas vdekjes së plakut, dy vëllezërit e mamasë, në moshë fare të re, i vunë krahët dheut. I helmoi vetë e ëma. Në qilarin e shtëpisë ku mbante qumështin e deleve ra një akrep. Djemtë, sapo ngjëruan racionin e përditshëm, zunë të dridheshin ndër ethe ngërçi. Dhanë shpirt pa mundur të merrnin ndihmën e parë. Dy varre në një ditë, dy vdekje që nuk i mbante as dheu i ftohtë i Shën Triadhës, njëjtësuar përjetësisht me hidhërimin, simbiozë e vazhduar e jetës dhe vdekjes. Ollga gati u çmend. Lotët nuk shterën në sytë e saj dhe të mamasë, motra e vetme e dy vëllezërve, arratisur llahtarshëm në botën tjetër. Humbuar në përfytyrimet e pasvdekjes, nervat iu dobësuan skajërisht dhe gërvishtnin skutat e sjelljes zemërake.
- Landi, si nuk mund të më kuptosh?
- Asnjë djalë i Kalasë nuk ka shkuar në shtëpinë e nuses. Do të më tallin tërë jetën, - përgjigjej im atë ngadalë, i vendosur.
Grindja kapërceu kufijtë e çiftit. Vjehrra nuk e honepste korçaren nazelije, me shumë teka.
- Djali ka shtëpi e katandi këtu mes njerëzvë të tij, nuk do të vejë asgjëkund, - i drejtohej mamasë, pa marrë parasysh dertet e rënda që acaronin dhe prishnin drejtpeshimin e sjelljes.
Gjyshi vuante i trishtuar grindjen, hyrë tinëz në vatër si nepërkë helmuese. Përimtonte i shqetësuar se duhej të vendosnin burrë e grua. Besonte tek i biri. Do të gjente gjuhën me nusen dhe gradualisht gjithçka do të rregullohej, po ngjarjet rrodhën me shpejtësi të rrufeshme kundër dëshirës dhe shpresës së plakut. I kërkonte së shoqes të mos ndërhynte në pleksjen e ngatërruar të çiftit. Ajo këndellej më tepër dhe i kthehej me lumë fjalësh që i brenin shpirtin dhe ligështonin burrin e urtë sedërli.
Kur mbusha një vit, mamaja shtatzënë na braktisi. Divorci u bë fakt i kryer. Për gjyshin turpi kaloi kufijtë e durimit, i përngjiste dhunës. Shtëpia e nderuar u damkos me njollën e rëndë të papërballueshme. Gojët e liga e zmadhonin ngjarjen në përmasa të pabesueshme, përgojonin tërë njerëzit e shtëpisë. Ditët kalonin dhe ai zymtohej gjithnjë e më shumë. Në shpirtin e tij e keqja shformohej tej të zakonshmes.
Vuante nga tepria e mirësisë, që ishte njëherësh virtyti dhe vesi i tij.
- Sot Dulla bëri sikur nuk më pa, s’ma ktheu as përshëndetjen, - i tha plakës.
- Mos u sëkëlldis kaq shumë, nuk jemi as të parët as të fundit, - ia ktheu ajo.
Gori i pezmatuar me shpirtin e vrarë përjetonte kohë të vështirë.
Isha vetëm një vit e gjysmë, kur ngjau hataja e rëndë që tronditi banorët e Kalasë dhe krejt qytetin e moçëm. Natën e Vitit të Ri, kur elbasanasit festonin zhurmshëm të gëzuar, gjyshi vari veten në punishten e tekstilit. Udhëtimi i plakut të mirë në botën e zbrazët, të heshtur e të gjumtë mbeti mister i pakuptuar dhe la shije të hidhur.
Neriana ndërpreu rrëfimin. Një valë e re ngashërimi e drodhi të gjithën. Iu shtrembërua fytyra, u mbështet pas murit. E mbajti veten me zor
- Më ler vetëm, të thërres më vonë, - mundi të thoshte, dhëmbështrënguar me tufën e nervave si grumbuj pjavicash të padukshme nën lëkurën e zbardhëllyer.
Redi, i habitur, deshi të kundërshtojë, por ajo, e paduruar shpërtheu si asnjëherë më parë.
- Të thashë të dalësh jashtë!
I nervozuar ai doli në koridor, ndezi një cigare dhe priti. Në dhomë dëgjoheshin ulërima të çjerra, përplasje sendesh, zhurmë e rrëmujë e pabesueshme, ngjashmërisht me vajtimin në varreza. Hapi derën, por u detyrua ta mbyllë me shpejtësi se një këpucë me takë të mprehtë si majë gozhde e flakur rrëmbyeshëm i kaloi përmbi kokë.
Për herë të parë përndjeu i pezmatuar lidhjen zhgënjyese me një të sëmurë dhe u çmerit. Kaloi nëpër mend njohjen, rekëtimat e shpirtit pushtuar nga gazi, lumturinë e dy muajve, pastaj ardhjen në varreza. Mbaroi cigaren i turbulluar. Mendohej të ikte, kur u hap vrullshëm dera. Në hapësirën drejtkëndëshe u shfaq Neriana e zbehtë, e qeshur, shndërruar tërësisht brenda një çasti të shkurtër.
Metamorfozë mjerane e një krijese të shpërbërë.
- Eja, - i tha, - kaloi.
Redi hyri i ngrysur, çehrevrarë. Nuk pati provuar kurrë raporte të tilla kaq të errëta, ndaj nuk dinte si të sillej. Dita e gjatë po e mundonte si kurrë më parë, mëtonte të mos shterte asnjëherë. Ajo iu hodh në qafë, si të mos kishte ndodhur asgjë. Vazhdoi rrëfimin me të njëjtin zë monoton, të shpëlarë si trokitje shiu në llamarinë.
Kur im atë u martua sërish, filloi kalvari i mundimeve të paimagjinueshme, që brengosën fëmijërinë, lanë gjurmë të thella në vetëdijen time. Njerka nuk më përkëdheli kurrë, as e pranoi ekzistencën time. Përpjekjet servile, gati lutëse të babit, nuk dhanë asnjë rezultat. Divorci i përsëritur ishte i plumbtë, ringjallte mëkatet e vjetra, prishte ekulibrin e brishtë me lagjen sqimatare. Natë për natë gjyshi i vdekur e vështronte vëngër. Ai nuk mundej të zbërthente asnjëherë kumtet e përtejvarrit. Sot e kuptoj fare mirë gjendjen e tij në ato çaste të liga, për të cilën nuk i ve faj, po braktisjen dhe ftohtësirën tmerruese nuk ia fala kurrë.
Kështu përfundova në shtëpinë e fëmijës pa qenë jetime. Ishte një paradoks i hidhur midis duknajës të ashpër dhe ëndrrave të mia, dukje që në çdo rast nuk përputhej kurrë me hijen e saj, vetëm ngjasonte. Në moshën e lodrave mbi vetëdijen time të brishtë kohërat gërshetuan frikshëm shtizat e vuajtjeve.
Neriana tregonte bukur, rrjedhshëm, sikur lexonte një libër. Binte në sy kultura e rafinuar letrare, kundërshti e tejskajshme me sjelljen vulgare në çastet e krizës. Redi dëgjonte me vëmendje, pa përjetimet e mëparshme. Diçka qe thyer në shpirtin e tij, zhgënjimi lexohej në tërë qenien.
- Njëherë tjetër, tani qetësohu, - i tha me njerëzi, pa e bërë veten.
Ajo heshti, e përkëdheli, u përdrodh si mace rreth trupit, vetëm e puthte pa pushuar. Bënë dashuri si rrallëherë, po Redit nuk i hiqej nga mendja sjellja e rrezikshme, sytë e skuqur, pamja e çoroditur.
- Vitet e gjata të vuajtjeve paskan lënë gjurmë të thella, kanë prekur sistemin nervor. Simptomat e neurozës qenkan të lemerishme, - bluante me vete i mërzitur në mëdyshje sfilitëse, të paprovuar kurrë ndonjëherë më parë.
Neriana kishte gjetur një shkëndijëz lumturie, munguar për vite tmerrësisht të gjatë, ndaj përpiqej të rifitonte kohën e humbur. Përkushtohej me të gjitha mundësitë, ndonjëherë fëmijërore në kufijtë e absurdit. Kujdesjet prekëse ndërpriteshin vetëm prej krizave të serta, trazuar nga kujtimet. Ngacmuesit e përçudnuar, kafshëza grabitqare fshehtarake me thonj e dhëmbë zbuluar, rrinin në pritje të përhershme, gati të suleshin kërcënues mbi gruan e drobitur.
Në shpirtin e Redit plekseshin tashmë dashuria, mëshira dhe brenga në një spërdredhje pa krye. Në ndeshjen e trishtë nuk kishte fitues as të humbur, ndaj zgjidhja nuk kulmonte asnjëherë. Ndoshta lidhja do të ndreqte pasojat fatale të peripecive të saj, mendoi trishtueshëm, i dyzuar.
Në ditët që rrodhën, takimet u bënë më të nxehta. Ajo e ledhatonte me zjarr sikur donte të fshinte gjurmët e sjelljes në motel. Dalëngadalë ai e harroi ngjarjen, ajo ditë e ashpër po zbehej ngadalë. Ndoshta do të shpëlahej krejtësisht, po të mos kishte ndodhur një shpërthim tjetër shpërfytyrues tre muaj më pas.
Redi kërkoi të largoheshin më herët se radhët e tjera. Kishte lënë një vizitë familjare me të shoqen. Ajo u zbeh përnjëherë sikur ta kishin prekur atje ku nuk mbante. Kafshëza fshehtarake brenda saj u zgjua me fuqi të shumëfishuar.
- Për tët shoqe mos më fol, nuk dua ta përmendësh kurrë!
Ngjarja e varrezës u kthye e freskët, përvijuar me tërë kthjellësinë e çastit. U përmbajt, i foli natyrshëm me butësi.
- Është vizitë familjare, duhet të shkoj patjetër.
- Je bukëshkelur, mosmirënjohës. Me sa gra ke shkuar deri tani? - iu shkreh e ndërkryer, pa asnjë logjikë në fjalët e përçartura si copa gurësh rrëkëllyer në greminë.
Ai e gëlltiti sërish sjelljen agresive të paarsyeshme, nuk e bëri veten dhe foli ngadalë.
- Neriana, qetësohu. Unë të dua, s’ka pse të kujtosh gra të tjera.
Ajo u hodh përpjetë në gjendje ekstaze të turbulluar. Shkumëzuar, e pështirë me pamje shkretane të padurueshme, nuk la sharje me fjalor të ndyrë pa thënë. Si të mos mjaftonin këto, u lëshua ta godiste. Pa folur asnjë fjalë, Redi e zuri me forcë për krahësh, e mbajti një copë herë, gjersa u qetësua dhe u lëshua e këputur mbi kolltuk.
U ngrit të ikte i dërrmuar, ta linte pas gruan mjerane në vetminë e shformimit të përçudnuar, por ajo u lut, me sytë e lotuar. Edhe kur nuk qante, sytë e ujshëm me qepallat e lagura kishin pamje vajtuese.
- Atë ditë nuk e përfundova historinë. Sot dua ta dëgjosh deri në fund.
Tashmë ai përjetonte mospërfillës pasojat e pandreqshme, ndaj rrëfimi i saj u bë i rëndë dhe i lodhshëm, gati i mynxyrshëm. Dëgjoi i zymtë pjesën tjetër të tregimit.
Ditët e mugëta në shtëpinë e të braktisurve mund t’i përfytyrojë vetëm ai që ka jetuar qoftë edhe fare pak atje. Nuk vishesha dot si të tjerat, nuk ngopesha me bukën e racionuar. Përmbi të gjitha më dërrmonte përbuzja, shfaqje e shëmtuar kolektive, që arrinte hera - herës kufijtë e linçimit fizik. Vetëm librat u bënë miqtë e mi të mirë, më falnin pakëz ngrohtësi, pa të cilën më dukej se do të vrisja veten një ditë.
Largohesha diku në cep të shkollës dhe vështroja pa ndërprerje hyrjen. Nuk do të vinte një herë të vetme? Më rrihte zemra, kur shoqet thërrisnin “ mami ” dhe hidheshin në krahët e atyre që i ledhatonin me ëmbëlsi. Lotët nuk m’u ndanë përgjatë kohës së trishtë të shkollimit. Ato vite lanë gjurmë të pashlyeshme. Lëndë e brumësuar nga duart e ftohta pa nerv prindëror, u gatova e gjymtuar keqas. Mbyllja në vetvete, vetmia e përherëshme, inferioriteti qenë shoqërues barbarë. Ekzistenca ime ngriu në pikë të vdekur. I ngjaja krijesës mitologjike që nuk mund të shtohet as pakësohet, s’mund të zmadhohet apo zvogëlohet.
Më degdisën mësuese në një fshat të vogël, fshehur mes maleve. Nuk u mërzita si të tjerat. Për mua kudo ishte njëlloj, nuk kishte kuptim fjala “ larg ” që i tmerronte aq shumë ato. Çuditërisht në atë trevë të mënjanuar gjeta njerëz të vërtetë me të cilët u miqësova si e barabartë. Natyra e ashpër e gurëzuar e vendit binte në kundërshti të pakuptuar me banorët e druajtur mbushur me dashuri. Jeta po më falte iskra mirësie dhe përfillje njerëzore, që më patën munguar tmerrësisht prej një kohe tejet të gjatë. Zvogëluar si dallëndyshe e artë për folezat e shpirtit të tyre, depërtova lehtësisht në mjediset e thjeshta ngrohur me mirënjohje. Kisha përshtypjen se kapërceva jetën e ëndrrës së gjatë, shndërruar tashmë në realitet.
Dehur nga aroma e kësaj jete tjetërsoj, pranova të parën kërkesë mashkulli.
- Neriana, dua të martohem me ty, - më tha me sytë përdhe Stefani, i druajtur me pamje të përhershme fajtori, siç e ironizonim shpesh mes nesh.
Shtanga. U mendova ditë të tëra. Nuk e njihja mirë, kisha vënë re shikimet e tij tjetërsoj, drojen, po nuk mendoja se marrëdhëniet do të rrëshqisnin në këtë hulli delikate. E panjohura më frikësonte, prishte ekuilibrin e thyeshëm të jetës në atë strehë të mrekullueshme, pas arratisjes nga mjedisi nopran i konviktit.
- Merre, - më tha Lumja, që i besoja intimitetet e pakta. - Shakatë tona nuk përcaktojnë tipin e tij. Fundja burri më mirë të jetë fajtor i përjetshëm se grindavec i përhershëm.
I shoqi pijanec ia kishte sjellë në majë të hundës.
Ngurrova. Nuk kisha asnjë siguri, se si më dukej vetja në atë gjendje dyzimi. A do të më hynte në zemër, do të më falte ngrohtësinë e munguar?
- Dashuria vjen më pas, kështu na ka ngjarë të gjithave, - më këshilloi Lumja, - pastaj si e ke punën ti, s’ke pse kundërshton.
Hija e zezë e jetimores më ndoqi pas si çark i ngrehur edhe aty në fshatin e vogël, fshehur mes shpateve të thepisur. Pranova me zemër të thyer. Shpresëprerë rashë në grackën e kënaqësisë së nëmur për të ekzistuar.
Ditën e martesës përmbi qytetin e vogël frynte erë e lehtë sikur donte të më përkëdhelte me dorën e nënës së munguar mua, nusen veshur me fustanin e bardhë, që më shkonte shumë. Ajri nakatosur me pluhurin dhe pëshpërimat e njerëzve harkohej përreth dhe trazonte mjegullën e hirtë të së ardhmes enigmatike. Banorët e paktë që përcollën ceremoninë e thjeshtë më shikonin tërë pezëm, të menduar.
- Po të afërmit e saj ku janë? - dëgjova të pyesë dikush.
- Është jetime, - iu përgjigj një tjetër me shprehje të papërcaktuar sikur donte të shtonte edhe diçka të nënkuptuar.
Grupi i vogël i dasmorëve indiferentë më ndoqi me sy gjersa hipa në taksinë e pazbukuruar për një rast të tillë. Si ogur i keq nuk më qeshi buza as atë ditë të shënuar. Frikë nga e panjohura e errët apo kujtimi i nënës atij çasti të rëndësishëm të jetës? Kushedi, ndoshta të dyja, ndoshta asnjëra.
Shoferi babaxhan e shpirtmirë, nisi taksinë e vjetër, që i kërcisnin kockat si ndonjë plaku të rrëgjuar.
- Moj bijë, mos rri e mërzitur, qeshu se po martohesh. Stefani është djalë i qenë, kështu thonë të gjithë, mirë do të bëhet.
Në hyrje të fshatit, pyeti për shtëpinë. Qetësia që mbulonte vendin si në përshpirtjet kishtare më habiti dhe frikësoi. Përfytyroja zhurmë dasme, gjëmime orkestre, njerëz që prisnin çakërqejf, por asgjë e tillë nuk ndihej. Makina e vjetër ndaloi te dera e shtëpisë. Porta e madhe prej llamarine ishte mbyllur. Kyçi shtrembanik i zi katran na vështroi mospërfillës përmes rrethores metalike. Po të kishte gojë do të shkrehej:
- Siç e shihni, këtu nuk ka asnjeri, kthehuni nga keni ardhur.
Kalimtar i rastit, që pyetëm na shikoi i habitur.
- Nuk dimë se ka dasmë, as që martohet Stefani.
Muzgëtuar në fytyrën e këndshme, taksisti bujar vështroi me dhimbje. S’gjeti asnjë fjalë të më jepte kurajë. Nuk qaja. Lotët kishin shteruar, nuk më çudiste asgjë. Dështimet më patën ndjekur që fëmijë, isha mësuar me të keqen dhe nuk prisja ndonjë të mirë as tani. Ëndrra u shua në fillesë, shpresa u këput mizorisht. Menduam të ktheheshim, kur u hap dera ngjitur dhe doli një burrë fytyrëqeshur.
- Mirëseardhe, me këmbë të mbarë! - m’u drejtua, - jam Vangjeli, xhaxhai i dhëndërit.
Shoqëruesit tim i erdhi ngjyra e fytyrës.
- Kujtuam se s’na priste asnjeri, - tha.
Vangjeli kockëmadh, me flokë gjysmë të rëna, vështronte i mallëngjyer, fliste shpejt, kokulur si i zënë në faj. Nuk kishte të pushuar.
- Stefani paska shije. Ne thoshim nuk do të martohej kurrë me atë natyrë të druajtur. Ata janë mërzitur se nuk të njihnin, po çdo gjë do të rregullohet.
Fjalët e tij më ngrohën disi. E shikova me shpresë. Paska edhe njerëz të mirë që dinë të thonë fjalë të tilla, që të vështrojnë në sy.
- Nuk e kuptoj përse të më ndodhte, s’kam ndonjë faj, - fola pa lidhje, nga që nuk gjeta të thosha asgjë tjetër.
E kisha lëshuar veten në dorë të fatit. E zbehtë, pa asnjë shprehje, vështroja e hutuar përreth. Shoqëruesi im, dasmori vetmitar, më përqafoi me ngrohtësinë e atit për bijën e vet. Trupi iu drodh së brendshmi, dy pika lot të trembur morën rrugë përgjatë faqeve të rrudhura. Iku pa kthyer kokën pas. Jam e sigurt se u ndje fajtor.
E tmerruar mësova atij çasti të trishtë se po martohesha me burrin, fajtor të përhershëm, të pazotin t’u mbushte mendjen njerëzve të tij. Ata nuk e donin nusen pa njeri të afërm, rritur nëpër dyert e shtetit, e paedukuar nga prindër. Jeta ime hyri në një hulli të errët njëlloj apo ndoshta më zi se në shtëpinë e fëmijëve të braktisur. E urreva Stefanin që ditën e parë, kurrë nuk e desha, po nuk mund të ikja, nuk mund t’i shpëtoja kurthit të asaj martese mjerane.
Ku të shkoja? Kush do të më priste?
Iu nënshtrova së panjohurës njëlloj si dikur jetimores ku më shpuri im atë, braktisur krejt e vetme në një humbëtirë ankthi. Mishrat e ditëve ndryshuan, por lënda e tyre e përcëlluar mbeti e njëjtë si viteve të shkuar.
Kur ngriti kokën, lotët rridhnin përmes vragëve të njohura, në formë vijëzash të imta përmbi faqet ngjyrë jargavani. Piavicat e padukshme zunë të lëvrijnë, rrjeta e nervave ngjyrë vjollcë po gufmohej.
Sytë e errësuar ndillnin furtunë.
Redi e vështroi një copë herë i menduar, ngarkuar me barrën e rëndë të pezmit. Ndjenja të trazuara iu pështjelluan në një lëmsh të ngatërruar. Shpirtin e ftohtë ia gërvishtnin me thonj të çartur rrëketë shkretane të lotëve nëpër bebëzat e turbulluara si të qenë burime ujore apo sytë e lumit me qerpikë ujëvarash.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00