image

Pauza e Gushtit

Dhe tingujt e kambanave të ëmbla metodike...

 

 

 Nga Mario Benedetti

 

 

Madridi është zbrazur krejt

Veç neve të paktët kemi mbetur

E për këtë pikërisht

Prandaj arrijmë ta ndiejmë sërish

Praninë e lulishteve dhe shatërvanëve

Të parqeve dhe rrethrrotullimeve

 

Në stinën e verës, si përherë

Madridi befas shndërrohet

Në diç të paqtë, të njëzëshme

Mirënjohës sakaq për praninë tonë

Si kundërpeshë ndaj shumicës

 

Është një gusht harlisje vetjake

Pa tregtarë apo ombrella

Pa shpura njerëzish, as mitingje

Në asnjë muaj tjetër të vitit

Të gjatë pafund

Nuk krijohet dot kjo lidhje

Kaq ndijore

Mes këtij metropoli madhështor

Dhe neve mëktaravë fatmirësisht

Pemët gjithaq janë bërë sërish

Protagoniste të ajrit të çlirët

Si dikur

Atëherë kur ekologjistët

Akoma nuk ishin të pazëvendësueshëm

 

Edhe zogjtë po harbojnë

Rrahin flatrat mbi një qytet

Që befasisht është shndërruar

Në diç të jetueshme, të fluturueshme

 

Madrilenët ia kanë mbathur tutje

Nëpër male dhe në Marbella

Në Ciudadela dhe Benidorm

Në Formentor dhe Tenerife

 

Duke na lënë në dorëzim pavetëdijshëm

Neve të tjerëve që tashmë

Më në fund ndihemi vetvetja

Një Madrid kaq marramendës

Thuajse të lirë, pastërtisht

Të çliruar nga tymnajat, fort mikpritës

Ku bredhim pareshtur si zotërit e tij

Të ngazëlluarit e Botës së Tretë

Shkelim shëtitoret e dëlira

Plot solidaritet

Të djersitur  në afsh

Shtatë palë këmishë

 

Vera nuk është kohë zhurmimesh

Veç paqe gjelbërimesh

 

Të nginjur nga mëritë e pagjuma

Ndihemi si asnjëherë

Të gatshëm për pajtim

 

Ndër çastet verore

Vetë historia ndalet

E të gjithë zbulojmë një jetë të mpirë

Por kur mbarojnë pushimet

Përsëri do të kumbojnë

Bori makinash, klithma, sirena

Vdeksh në vend, rrofsh e qofsh

Bombat e shpërthimet

Dhe tingujt e kambanave të ëmbla metodike

Përgjatë tre stinëve pjellore

E askujt nuk do t’i bjerë mendja më

Për zogjtë apo pemët.

 

Poezi e shkruar në Madrid, në vitin 1986.

 

Përktheu nga spanjishtja:

 

© ELVI SIDHERI

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00