Home | Literature | Cikël Poetik nga Romeo Çollaku

Cikël Poetik nga Romeo Çollaku

image
Terr, terr i thellë ndër qiparisë...

 

 

 

Nga Romeo Çollaku

 

 

 Ndër Qiparisë

 

 

Në dimër murlani këndon ndër qiparisë, qyqja në pranverë. Ndër qiparisë rrallë bie heshtja që thonë këngët.

 

Por nuk është dimër as pranverë dhe stepet udhëtari i vonuar kur i shpon flegrat era e sherbelës; nuk shkohet më udhës për andej, se këngët kallëzojnë dhe plot të tjera.

 

Terr, terr i thellë ndër qiparisë, derisa të përmendet kandillonaft’ i ngadogjindur e dy-tre yj të ndezë.

 

 

 

 

 

 Porsi një fëmijë

 

 

 

Shkallareve dy karriget e vjetra kishin mbetur përfund, ashtu siç i patën nxjerrë atë paradite për të fotografuar gjyshërit.

 

Pastaj ra shi, pastaj u ngrit një erë e i flaku, njërën andej – tjetrën këndej, mbi rrasat e oborrit.

 

Nga shtëpia kundruall, i përhënuri ka mënjanuar paksa perden e dritares dhe dredh cigar e sodit këtë skenë.

 

Dhe kujton atë ditë me diell, ditën kur dhe zogjtë buzëqeshnin në parvaz, ylberin, kërriçin që vraponte i lumtur në sokak, lulet e kumbullave, gjelbërimin e hardhive e, sidomos, fotografen flokëverdhë, me këmishë fanellatë me kuadrata, pantallona kadife dhe sandale të lehta.

 

Mbyll perden e dritares dhe zë, rishtas, e qan, porsi një fëmijë që i kanë vjedhur kaleidoskopin.

 

 

Kanale të Mbyllura

 

 

Kanate të mbyllura, të mbufatura, të kalbura, të gjyshërve sot qepallat më ndërmendni dhe motet -ah, motet!- kur bota qe e dëlirë.

 

Më ndërmendni pikëllimin e mërgatave pa kthim dhe veten pyes sa herë ju shoh në zi: Ç’ të jetë vallë ajo -brengë a parandjenjë- që e bën një shtëpi jetët t’i dëbojë dhe të kyçet në vete shembjen duke pritur?

 

Ç’ zë i fton njerëzit të braktisin pragjet, ç’ dorë i çel kapanxhat e qiellit dhe tokës?

 

Kanate të mbyllura, zemrën time ç’e sëmboni pa mëshirë, ju dhe bravat e ndryshkura, dhe tjegullat e thyera,

 

dhe gjethet e verdha të hardhisë mbledhur nën qemerë.

 

 

 

© Romeo Çollaku

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00