Home | Literature | Ciceroni, viktima e pamëshirshme e pasioneve të shpenguara politike

Ciceroni, viktima e pamëshirshme e pasioneve të shpenguara politike

image
Cicero – konsull romak, filozof, politikan, jurist, orator, teoricien...

 

 

Nga Albert Vataj

 

Marcus Tullius Cicero – konsull romak, filozof, politikan, jurist, orator, teoricien, konstitucionalist – ekzekutohet si armik i Romës, kur kishte filluar të besonte se karriera politike ishte arritja e tij më e rëndësishme; sepse veç orator i përkryer, ai ishte edhe një prej politikanëve më të mirë të Romës. Ciceroni fitoi famë me kundërshtimin e tij ndaj Jul Qezarit i cili kërkonte të bëhej i plotfuqishëm; më vonë ai denoncoi Mark Antonin që nuk riktheu republikën (pas vdekjes së Qezarit); dhe kritikoi Oktavianin që synonte të bëhej perandor. Ciceroni u fal nga Qezari kur ky u kthye në Romë pas fitores ndaj Pompeit, por nuk mundi t’i shpëtonte zemërimit të Mark Antonit dhe Oktavianit që e ndoqën dhe e vranë si armik te shtetit; koka iu pre, duart iu gjymtuan, trupi iu nda copa – copa, shkruajnë kronikanët. Ciceroni ra viktimë e pasioneve politike të kohës; tregojnë, se një herë, disa vite më vonë, Oktaviani (Perandor) e gjeti nipin e tij duke lexuar një libër të Ciceronit, dhe u përpoq për t’a fshehur për shkak të frikës se gjyshi i tij do të zemërohej. Por Oktaviani e mori librin, lexoi disa rreshta dhe ia ktheu duke thënë: “Lexoje pa frikë, Ciceroni ishte njeri i mësuar që e donte vendin e tij.” Me kalimin e shekujve, Roma përjetoi trazira, përmbysje; shkrimet e Ciceronit u zhdukën; më pas u ruajtën nga murgjit në manastire. Zbulimi nga Petrarka i letrave të Ciceronit, në shekullin XIV, dhe publikimi i tyre, është cilësuar si shkëndija e Rilindjes evropiane. Por kjo Rilindja solli gjithashtu ringjalljen e Ciceronit, dhe, vetëm pas tij e nëpërmjet tij, edhe ringalljen e pjesës tjetër të lashtësisë klasike. Kulmi i prestigjit të Ciceronit erdhi gjatë periudhës së iluminizmit (shekulli XVIII); ndikimi i tij është vënë re tek mendimtarët si John Locke, David Hume dhe Montesquieu; veprat e Ciceronit renditen mes atyre më me ndikim në kulturën evropiane, dhe ende përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të materialit parësor për shkrimin dhe rishikimin e historisë romake, sidomos në ditët e fundit të Republikës, kur ndodhi edhe vdekja e tij.

 

Gjithashtu Ciceroni na lë disa të dhëna mbi mardhëniet dhe pasuritë e Dyrrahut (Durrësit t sotëm) dhe të Apollonisë (Fierit të sotëm) të cilat janë të shkruara në akuzat drejtuar kundërshtarit të tij Pizonit. Nga këto shënime kuptojmë se Ciceroni kishte jetuar edhe në tokat Ilire për të cilat thoshte se disa prej tyre shfrytëzoheshin nga sundimtarët e provincës maqedonase.

 

Miti i Ciceronit

 

Ciceroni u ngrit në rolin e mbrojtësit të kulturës romake, duke hyrë në histori si protagonist. Në një epokë ndryshimesh të mëdha, njohu triumfe dhe humbje, por oratoria e tij e bëri të fitojë përjetësinë Mendja e tij, ndonëse e mprehtë, nuk arriti të kuptojë se Jul Cezari i kishte dhënë historisë së Romës një zhvillim të pakthyeshëm, që res publica, kufijtë e të cilës shtriheshin tashmë nga Reni dhe nga Deti i Veriut, deri në rërat e Sirisë dhe të Egjiptit, nuk mund të qeverisej më nga një grusht familjesh aristokratike, dhe që shoqëria e madhe që ishte formuar në ato dekada plot trazira kërkonte një aset politik krejt të ri. Duke luftuar kundër Cezarit dhe ndjekësve të tij,fillimisht  në krah të Pompeit dhe më pas vrasësve të Cezarit – gjithnjë në anën e humbësve – Ciceroni po luftonte kundër historisë për shekuj të tërë, Ciceroni ka përfaqësuar ekselencën e latinizmit: orator dhe avokat i pakrahasueshëm, divulgues i filozofisë, e në të njëjtën i përkushtuar për kultivimin e frymës dhe pasurimit të kulturës së Romës. Lindi në vitin 106 para Krishtit në Arpino, një vend ende i lidhur me vlerat e atij qytetërimi fshatar, që kish përbërë themelet e forcës romake.

 

Marko Tulio Ciceroni e kish origjinën nga një familje e sërës së mesme, e pranuar prej pak kohësh në cursus honorum, domethënë me detyra publike. Ishte pra, një homo novus, domethënë anëtari i parë i familjes së tij që mbulonte një pozicion në hierarkinë politike, dhe si i tillë shihej me një farë vlerësimi nga aristokracia. Por Ciceroni kishte në anën e tij, përvec aftësive intelektuale të lindura, edhe një arsimim shumë të mirë.

 

Në Romë kishte ndjekur leksionet e të drejtës që mbaheshin nga juristë të famshëm, duke marrë një arsim të shkëlqyer në gjuhën dhe poezinë greke, ashtu sikurse në filozofi. Pa diskutim, kultura e tij ishte e jashtëzakonshme, ashtu si ai vetë thoshte kur vetëshpallej një “njeri i plotësuar”, duke dhënë kështu prova për vetëvlerësimin shumë të lartë që kishte, gjë që e kishte treguar që në fillimet e karrierës. Sic rrëfen Plutarku, miqve që e këshillonin të ndërronte mbiemrin, për shkak se ai buronte nga një paraardhës i tij të cilin e vinin në lojë, Ciceroni u përgjigjej se do të luftonte “për ta bërë mbiemrin Ciceron më të famshëm se sa Scaurit dhe Catulit” (familje të fisnikërisë së lashtë romake).

 

Afirmimi i tij si avokat ndodhi në vitin 80 para Krishtit, me mbrojtjen e Sesto Roscio Amerino, një qytetar i akuzuar për vrasje dhe i mbrojtur nga Quinto Ortensio Ortalo, oratori më i famshëm i kohës: fitorja e jashtëzakonshme e bëri të fitojë një farë popullariteti, i destinuar që të rritej kur në vitin 75 para Krishtit, pas dy viteve të kaluar në Greqi për të thelluar Licinio Verres, guvernator i ishullit, i akuzuar dhe fajtor për shumë të këqia.

 

Marcus Tullius Cicero - konsull romak, filozof, politikan, jurist, orator, teoricien, konstitucionalistMbrojtësi i të drejtës

 

Pasojat politike të cështjes ishin të qarta: akuzimi i Verres nënkuptonte kundërvënie ndaj superpushtetit të aristokracisë, e cila u bë gardh përreth të akuzuarit. Për ta mbrojtur u thirr sërish Ortensio, por sasia e provave të mbledhura nga Ciceroni ishte e tillë që Verre, duke kuptuar se nuk kishte rrugëdalje, shmangu dënimin duke zgjedhur mërgimin. Por Ciceroni nuk u dorëzua dhe shkruajti edhe pesë oracione të tjera, në të cilët përshkruante bëmat e këqia të tij, duke zbuluar kështu një kuadër të tmerrshëm korrupsioni dhe mizorie, si dhe duke kujtuar, mes të tjerash, se si Verre, duke injoruar ligjin që ndalonte dënimin e një qytetari romak pa i dhënë të drejtën e apelimit, kishte kryqëzuar pa një proces një qytetar romak, Gavio di Consa, “krimi” i vetëm i të cilit kish qenë se e kishte kritikuar. Një gjest, shkruan Ciceroni, me të cilin “ti Verre, ke torturuar dhe kryqëzuar jo një njeri, por kauzën e përbashkët të lirisë dhe atdheut”.

 

Ndonëse tashmë ishin të panevojshme për procesin (Verre kishte zgjedhur mërgimin), këto oracione të shpallura publikisht dhe të publikuara, e shumëfishuan famën e Ciceronit, i cili, i futur tashmë në skenën politike dhe në të njëjtën kohë avokat i zgjedhur nga klientët më të mirë, vazhdoi cursus honorum, fillimisht si pretor dhe më pas, në vitin 64 para Krishtit, si konsull në vitin pasardhës, gjatë të cilit ndodhi episodi më i rëndësishëm i karrierës së tij politike: shtypja e komplotit të Catilinës.

 

Shpëtimtari i shtetit

 

Një fisnik me ide progresiste, pranë populares (domethënë fraksioni antisenatorial), Lucio Sergio Catilina kish tentuar të zgjidhej konsull, por ishte bllokuar me mjete të ndryshëm, në të vërtetë jo gjithmonë të ligjshëm. Dhe duke qenë se kish kuptuar se nuk mund t’i kapërcente ndryshe pengesat që ngriheshin ndaj qëllimeve të tij, kishte organizuar një grusht shteti, në të cilin ishin përfshirë disa aristokratë të varfëruar (mes simpantizantëve të tyre, në një fazë fillesatre, mendohet se ka qenë edhe Jul Cezari). Ciceroni u vu rastësisht në dijeni të planit dhe, në mënyrë të befasishme, në Senat, e denoncoi me një ashpërsi kaq të madhe, saqë e nxiti Catilinan që të largohej nga Roma dhe të shkonte tek bashkëkomplotistët e mbledhur në Etruria.

 

Tek Catilinariet, kishte thënë:

 

Di që kam bërë një resht me armiq, një resht të madh sa numri i komplotuesve – që e keni parë se është shumë i madh – por e konsideroj të poshtër, të ndyrë. Edhe nëse një ditë, i shtyrë nga urrejtja dhe marrëzia e ndokujt, ky grup do të jetë më i fortë se sa ndjenja e dinjitetit tuaj dhe të Shtetit, unë nuk do të pendohem kurrë, senatorë, për veprimet e mia dhe për vendimet që kam marrë. Vdekja, me të cilën ndoshta ata do të më kërcënojnë, një ditë do të na vijë të gjithëve. Ndërkohë, një kënaqësi të madhe, si ajo me të cilën më kanë nderuar dekretet tuaja, nuk i është dhënë kurrë, askujt. Të tjerëve ndoshta ia keni dhënë për sipërmarrje ushtarake të lavdishme, por vetëm mua ma keni dhënë për shkak se kam shpëtuar Shtetin”.

 

Akuzuesi joelastik

 

Gjithmonë e më i vendosur, Ciceroni vazhdoi fushatën e tij duke arritur lartësimin në senatusconsultum ultimum, një dekret që jepte pushtet të përjetshëm në jetë dhe në vdekje, për konsujt në detyrë (mes të cilëve ishte Ciceroni), si dhe duke arritur njëkohësisht arrestimin dhe dënimin me vdekje të komplotuesve që kishin mbetur në Romë, të cilëve – përkundër një prej rregullave themelore të kushtetutës republikane (gjë për të cilën kish akuzuar Verren se nuk e kishte respektuar) – nuk iu dha e drejta e apelimit para popullit të mbledhur në shesh.

 

Vetëm Jul Cesari i kërkoi Senatit që të mos lejonte këtë shkelje shumë të rëndë, por nuk u dëgjua: të dërguar në burgun Marmetino, komplotuesit u mbytën. Dhe në janar 62 para Krishtit, Catilina, që ish bashkuar me komplotuesit e tjerë në Etruria, u mposht në Pistoia, ku vdiq si hero, bashkë me shumë prej të tijëve, teksa i rezistuan legjioneve deri në frymën e fundit.

 

Pak vite më vonë, u formua (në 60 para Krishtit) triumvirati i parë, një marrëveshje private që bashkonte gjeneralin më të famshëm të kohës, Pompein, kapitalistin më të madh të Romës, Kraksin dhe – i mbështetur nga populares – ambiciozin Jul Cezar, personaliteti i jashtëzakonshëm i të cilit shfaqet pikërisht nga ky moment në skenën botërore. I thirrur edhe ai të bëhet pjesë e grupit, Ciceroni refuzoi, nga frika mos armiqësohej me aristokratët konservatorë, me të cilët ishte shumë i lidhur. Dhe kjo i krijoi jo pak probleme: një armik i tij personal, Publico Codio, i zgjedhur tribun i plebejve (thuhet se i nxitur nga Jul Cezari) kërkoi miratimin e një ligji, i cili ndëshkonte me vdekje magjistratin që – ashtu si Ciceroni me komplotuesit e Catilinës – kishte dënuar me vdekje një person, pa i dhënë të drejtën e apelimit para popullit. Për të shmangur dënimin, Ciceroni u detyrua të mërgojë, dhe shtëpia e tij u bastis nga bandat e Clodios, si dhe u sekuestrua në vitin 58 para Krishtit.

 

Në anën e gabuar

 

Më pak se një vit më vonë – i thirrur me konsensusin e senatit dhe mbështetjen e Pompeit – siguroi rikthimin e banesës së tij, me anë të një oracioni në të cilin mbronte politikisht veprimet e tij, dhe kështu rinisi veprimtarinë si politikan dhe avokat, duke favorizuar afrimin e Pompeit me grupin e senatorëve. Por loja e madhe e politikës ishte tashmë shumë e rrezikshme: pas vdekjes në luftë të Kraksit, lufta për pushtet vinte kundër tashmë Pompein (i mbështetur nga Senati dhe nga Ciceroni) dhe Cezarin, i cili pas rikthimit fitimtar nga Galia, doli fitimtar edhe në këtë përplasje. Ciceronit, i reshtuar në anën e gabuar, jeta iu kursye falë bujarisë së Cezarit, i cili i lejoi që të qëndrojë në Romë (viti 47 para Krishtit), duke gjetur ngushëllim tek  filozofia për dhimbjet, edhe ato personale, si për shembull vdekja e të bijës, Tulliola, e cila vdiq duke sjellë në jetë fëmijën e dytë. Megjithatë, loja e madhe nuk kish mbaruar. Komploti kundër Jul Cezarit (44 para Krishtit) rivuri në lëvizje mekanizmin e përgjakshëm të luftërave civile, këtë herë mes Mark Antonit (në krye të cezarianëve) dhe Brutit dhe Kraksit, më pranë Senatit, me të cilët natyrisht u bashkua edhe Ciceroni, duke shprehur kundër Antonit një seri oracionesh publike shumë të forta. Megjithatë, brenda pak muajsh, Antoni ra në ujdi me të riun Oktavian (Augusti i ardhshëm), i përzgjedhur nga Cezari si trashëgimtari i tij. Brutit dhe komplotuesve të tjerë iu desh të largohen në Greqi, për të riorganizuar forcat, ndërkohë që Antoni dhe Oktaviani formuan me Lepidin triumviratin e dytë, duke hartuar listat kundër armiqve kryesorë: mes të cilëve, në vendet e parë, ishte Ciceroni. Ky u detyrua që strehohet në vilën e tij në Formia. Ndërkohë që përpiqej të hipte në një varkë, u arrit nga një grup ushtarësh që udhëhiqej nga një farë Erennio, i cili nuk e pati aspak problem që ta vriste me shpatën e tij.

 

Me urdhër të Antonit, kufomës iu shkëputën koka dhe duart, që më pas u ekspozuan, pikërisht në Foro, vendin kur për shumë vite Ciceroni i ishte drejtuar popullit. Ishte 7 dhjetori i vitit 43 para Krishtit. Ciceroni kishte jetuar për 63 vite. Përveç se dëshmitar, ai ishte edhe një prej protagonistëve të kohës së tij, një periudhë vendimtare e historisë së Romës, gjatë të cilës përballoi me energji dhe kurajë rreziqet e situatës politike, në të cilën po futej Republika në fundin e historisë së saj. I mundur, pagoi me jetë mbrojtjen e Republikës, fillimisht kundër Cezarit dhe më pas Oktavianit dhe Mark Antonit. Ai vetë, me atë vetëkënaqësi dhe vetëvlerësim të lartë, që ishin edhe defekti i tij më i madh, ndihej i thirrur për një detyrë të lartë, pothuajse heroike, dhe konsiderohej mbrojtësi suprem i Republikës, ligjeve të të cilës i qëndroi fort besnik. Ndihej i lindur, sic u thoshte familjarëve tek Letrat, “për të bërë gjithmonë dicka që ishte e denjë për një burrë të madh (natusad agendum semper aliquid dignum viro).

 

Megjithatë, talenti i tij politik nuk ishte në një hap me ambiciet e tij: ai nuk diti të kuptojë, ose të pranojë, ndryshimin e kohërave. Mendja e tij, ndonëse e mprehtë, nuk arriti të kuptojë se Jul Cezari i kishte dhënë historisë së Romës një zhvillim të pakthyeshëm, që res publica, kufijtë e të cilës shtriheshin tashmë nga Reni dhe nga Deti i Veriut, deri në rërat e Sirisë dhe të Egjiptit, nuk mund të qeverisej më nga një grusht familjesh aristokratike, dhe që shoqëria e madhe që ishte formuar në ato dekada plot trazira kërkonte një aset politik krejt të ri. Duke luftuar kundër Cezarit dhe ndjekësve të tij, fillimisht në krah të Pompeit dhe më pas vrasësve të Cezarit – gjithnjë në anën e humbësve – Ciceroni po luftonte kundër historisë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0