Home | Literature | Katedralja e Parisit

Katedralja e Parisit

image
Kisha ishte e zbrazët. Vetëm në fronet e largët të korit dukeshin aty-këtu kokat e disa priftërinjve...

 

Nga Victor Hugo

 

Atëherë përpara syve të turmës u duk, nga brenda, në tërë gjatësinë e saj, ajo kishë e zymtë, e mbuluar me cohëra të përzishme, e ndriçuar fare pak nga disa qirinj prej dylli, që rekëtinin mbi altarin kryesor. Dukej si gryka e madhe e një shpelle që hapet papritmas në mes të një sheshi që shndrit nga dielli. M’u në fund të kishës, në errësirën e altarëve, ngrihej një kryq i madh argjendi, që spikaste në sfondin e cohës së zezë, e cila binte nga tavani deri poshtë në dysheme. Kisha ishte e zbrazët. Vetëm në fronet e largët të korit dukeshin aty-këtu kokat e disa priftërinjve. Në çastin kur u hap porta, nga katedralja buçiti një këngë solemne, e fuqishme dhe monotone, që dukej sikur hidhte mbi fytyrën e së dënuarës, si me shkulma ere, copa psalmesh ogurzeza.

 

E mjera vajzë, e frikësuar, dukej sikur e kish të hedhur vështrimin dhe mendjen në skutat e errëta të kishës.

 

Buzët e saja të bardha lëvrinin sikur ajo po falej, dhe, kur ndihmësxhelati iu afrua që ta ndihmonte për të zbritur nga qerrja dëgjoi se ajo po thoshte me vete: “Febys”.

 

Ajo ngriti sytë e saj të skuqur drejt qiellit, drejt diellit, drejt reve ngjyrë argjendi që priteshin aty-këtu prej trekëndësh dhe trapezash të çrregullt të qiellit të kaltër, pastaj i uli përqark vetes dhe vështroi tokën, turmën, shtëpitë... Paprit­mas, ndërsa burri me rroba të verdha po i lidhte asaj bërrylat prapa shpinës, ajo lëshoi një klithmë të tmerrshme, një klithmë gëzimi. Te ai ballkon, te ajo qoshe e sheshit, vajza kishte parë atë, mikun e saj, zotin e saj, Febysin, vegimin e jetës së saj !

 

Pra, gjykatësi kishte gënjyer! Edhe prifti kishte gënjyer. Ishte ai vetë, për këtë ajo s'mund të dyshonte. Ai ishte atje, i gjallë, i bukur, i veshur me uniformën e tij të shkëlqyer, me puplën mbi kapele, me shpatën e tij!

 

- Febys! - klithi ajo. - Febysi im!

 

Dhe deshi të zgjaste drejt tij duart e saja, që po i dridheshin nga gëzimi dhe përmallimi, por këto i kishte të lidhura. E atëherë ajo e pa se kapiteni ngrysi vetullat, ndërsa një vajzë e bukur, që ishte mbështetur te krahu i tij, e vështroi Febysin me përbuzje dhe zemërim, pastaj ai shqiptoi disa fjalë që Esmeralda nuk mundi t’i dhe që të dy ata u zhdukën me të shpejtë prapa derës me xham të ballkonit, e cila u mbyll përsëri.

 

Febys! - klithi ajo si e shkalluar. Mos ndoshta e beson ti këtë?

 

I kishte shkrepur në kokë një mendim i përbindshëm. I kujtohej se e kishin dënuar me vdekje për vrasjen e Febys dë Shatoperit. Deri atëherë ajo i kishte duruar të gjitha. Por kjo goditje e fundit qe tepër e rëndë. Ajo u rrëzua pa ndjenja mbi kalldrëm. Askush nµk kishte vënë re ende në galerinë e statujave të mbretërve, të skalitura bash nën harkun me qemer të portalit, një spektator të çuditshëm, i cili deri në atë çast kishte vëzhguar me kujdes gjithçka. Ai qëndronte aq i palëvizur, e kishte zgjatur qafën aq shumë dhe e kishte fytyrën aq të shëmtuar, saqë, po të mos ishte i veshur me rroba gjysmë të kuqe, gjysmë vjollcë, të mundë ta merrje për një nga ata përbindësha të gurtë prej grykës së të cilëve derdhin ujë ç’prej gjashtëqind vjetësh ullukët e gjatë të shiut të katedrales. Syrit të atij spektatori nuk i kishte shpëtuar asgjë nga ato që patën ngjarë përpara portalit të katedrales së Shën Mërisë. Dhe qysh në minutën e parë, pa i rënë në sy askujt, ai kishte lidhur fort te njëra nga shtyllat e galerisë një tërkuzë të trashë e plot me nyje, maja tjetër e së cilës ishte hedhur te shkallët.

 

Pastaj ai kishte filluar të shikonte i qetë sheshin, duke fishkëllyer kohë me kohë kur i kalonte përpara ndonjë mëllenjë. Papritmas në çastin kur ndihmësit e xhelatit do të zbatonin urdhrin e dhënë me gjakftohtësi nga motra Sharmoloy, ai njeri kapërceu parmakun e galerisë dhe e kapi tërkuzën me këmbë, me gjunjë dhe me duar pastaj rrëshqiti tatëpjetë fasadës së katedrales, si ajo pika e shiut që shket tatëpjetë një xhami, rendi te të dy ndihmësit e xhelatit me shkathtësinë e një maceje që bie nga çatia, i rrëzoi ata për dhe me dy grushtet e fuqishëm, rrëmbeu me njërën dorë cigaren, siç rrëmben një fëmijë kukullën, dhe pasi e ngriti vajzën përmbi kokën e tij, u sul në kishë duke sokëllitur me një zë buçitës.

 

Strehim!

 

Kjo u bë me aq shpejtësi saqë po të kishte dashur natën të pranishmit mund ta kishin parë këtë skenë në dritën e një vetëtime të vetme.

 

Strehim! Strehim! përsëriti turma dhe duartrokitjet e dhjetëmijë duarve e bënë syrin e vetëm të Kuazimodos të shndriste nga gëzimi dhe nga krenaria. Kjo ngjarje e papritur e bëri të dënuarën të vinte në vete. Ajo hapi qepallat, vështroi Kuazimodon dhe e mbylli shpejt përsëri si e trembur nga shpëtimtari i saj. Sharmoloy, xhelatët dhe gjithë rojtarët shtangën në vend. Brenda mureve të katedrales së Shën Mërisë, e dënuara ishte me të vërtetë e paprekshme. Katedralja ishte një strehë e sigurt dhe te pragu i saj i pritej hovi drejtësisë njerëzore…

 

 

 

 

Fragment nga romani “Katedralja e Parisit” i Victor Hugos

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0