image Ernest Hemingway

Hemingway i njohur dhe i panjohur

Ernest Hemingway është një nga shkrimtarët më të mëdhenj...

 

Nga Elvi Sidheri

 

Të flasësh për Ernest Hemingway dhe gjurmën e tij të pashlyeshme në letërsinë botërore të shekullit XX (e jo vetëm) përbën një sipërmarrje thuajse të papërballueshme, një lloj të veçantë “Non Plus Ultra” siç dikur shkruhej krenarisht e paralajmërueshëm përtej Kolonave të Herkulit të lashta, në Gjibraltarin e sotëm, ku ndahet Europa me Afrikën, por edhe pikëtakohen qytetërime, kultura e fe të ndryshme të rajonit mesdhetar e botës në tërësi.

“Non Plus Ultra” faktikisht i shkon fort përshtat veprës së Hemingway, të ndërthurur mrekullisht edhe me jetën e tij prej bohemi të regjur, njeriut të botës, të përvojave vetjake pafund, shenjuesit të historisë letrare të shekullit të tij dhe ndikuesit krejt të natyrshëm të mendësisë dhe botëkuptimit të brezave të mëtejshëm në vijimësi.

Por sakaq, veprat letrare të Hemingway rrallëherë ofrohen si lëndë përkatëse studimore nëpër universitete, sepse, siç pohojnë në mënyrë krejtësisht dritëshkurtër ndoca profesorë të fushës, “nuk paskësh asgjë për të thënë lidhur me veprat e Hemingway”.

Hamendësohet se shkaku i këtij qëndrimi përgjithësisht përçmues ndër qarqet akademike për veprën letrare të Ernest Hemingway, ka të bëjë me stilin e tij të veçantë, të ngjizur në orvatjet për ta përshkruar vetë jetën dhe ngjarjet përkatëse varësisht nga përvojat vetjake të shkrimtarit, përkundër prirjes së përgjithshme letrare për t’i përçuar gjërat në këndvështrimin aspak burimor të filtrimit letrar, që largohet pakthyeshëm nga e vërteta, dhe i mvesh veprës konotacione thjesht artificiale.

Gjithaq edhe përqendrimi i vazhdueshëm i Hemingway kundrejt qëndrimit të njeriut dhe krenarisë e nderit të tij edhe në kushte trysnie të skajshme, diçka që përplaset pashmangshëm me hollësirat e panevojshme, stërhollimet intelektuale, bën që pak të mbetet në dispozicion të akademikëve për të tjerrur tezat e tyre të fandaksura.

E sidoqoftë, pavarësisht nënçmimit të përhapur akademik, Hemingway me gjasë vijon të jetë shkrimtari më i njohur i shekullit XX. Ndonëse librat e tij rrallë qëndrojnë në majë të vlerësimit të kritikëve sqimatarë apo studiuesve hijerëndë, duke vazhduar të shiten vit pas vite qindra-mijëra kopje të librave të tij, përkundër gjithçkaje.

Por ndërkaq jeta dhe personaliteti i Hemingway ka bërë historikisht edhe më tepër bujë se vepra e tij letrare.

Kushdo e di mirë faktin se Hemingway ishte tejet i dhënë (“aficionado” në spanjisht) pas Arenave të Demave në Spanjë, gjithaq edhe i gjuetisë dhe peshkimit. 

Po ashtu është fakt i njohur botërisht se ai mendohej thellësisht për luftën dhe vdekjen, se kish shërbyer në Ushtrinë Italiane gjatë Luftës së Parë Botërore, se pati qenë reporter gjatë Luftës Civile në Spanjë, dhe se gjithashtu kish gjëmuar nëndetëset naziste në zonën e Karaibeve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Hemingway pati qenë pjesë e pandashme e frymës dhe atmosferës së papërsëritshme artistike, turmës së artistëve të frymëzuar e krijues të Parisit të viteve 1920, krahas të tjerëve mendjendritur letrarë të mërguar në kryeqytetin frëng si F. Scott Fitzgerald, James Joyce, Gertrude Stein, Ezra Pound dhe Morley Callaghan që dikur e pati plandosur përtokë Hemingway pas një grushti të fuqishëm në një ndjeshje boksi. 

Ai do të martohej katër herë, e kur shëndeti do t’i përkeqësohej, shkrimtari do të largohej nga kjo botë me dorën e vet.

Hemingway dhe vepra e tij letrare përshkohej nga një frymë tejet burrërore, stili i tij i shkrimit gëlon nga përshkrimet lakonike me dialogje të përmbledhura e të ngërthyer, si dhe personazhe ku shpërfaqet ana mashkullore fuqimisht. Stili i tij cilësohet si i thjeshtë dhe i qëllimshëm, ndërsa çdo fjalë e përdorur nga shkrimtari duket sikur të jetë skalitur në granit.

Por prapëseprapë proza e Hemingway mund të cilësohet si një letërsi e lëvruar në mënyrën më të ndjeshme e të mahnitshme, shpesh duke ngërthyer fuqinë shajnitëse të përçimit tërësor të lexuesit pikërisht në vendin, situatën, kohën dhe hapësirën që jetojnë edhe personazhet e letërsisë së Hemingway.

Kjo është një formë arti që arrin shkëlqyeshëm ta ndryjë vetë artin.

 Të shumtë kanë qenë shkrimtarët e mëpasëm që janë rrekur ta kopjojnë stilin e tij, në pamje të parë, të pandërlikuar, por të gjithë këta orvatës kanë mësuar në kurrizin e tyre, përmes dështimeve të rregullta në këto përpjekje, sa gjë e vështirë është të sendërtohet vegimi i thjeshtësisë në stilin e të shkruarit.

Hemingway mbetet një fenomenolog (mjeshtër i dukurive), cilësim ky që padyshim vetë shkrimtari i jashtëzakonshëm do ta kish urryer. 

Ai arrin ta jetojë botën përreth tij pikërisht siç ajo duket dhe ndihet, duke shkruar paskëtaj për këto përvoja burimore në mënyrë të atillë që edhe lexuesi t’i jetojë ngjarjet e përshkruara në libër në të njëjtën mënyrë siç e ndien vetë autori.

Ndjesia sipërfaqësore, shija njësore, këndvështrimi i drejtpërdrejtë, ndjesia e rrëqethjes, nevoja për të ndier më tepër, paqja e brendshme, mendimet e vrullshme. Gjithçka e ofruar krejt natyrshëm për syrin dhe ëndjen, kuptueshmërinë e lexuesit, pa asnjë mëdyshje se kjo gjë ofrohet artificialisht, me dozën e shpeshtë të patetizmit letrar apo filtrimet e pamungueshme që dëmtojnë origjinalitetin e veprës letrare.

Gjithçka gëlltitet si një gotë ujë kroi, duke e bërë sakaq lëçitësin të ndihet sikur ka gjerbur plot ëndje një pije të fortë alkoolike.

Hemingway është mjeshtri absolut i nxitjes të lexuesit që të arrijë të lexojë ndërmjet rreshtave, me hir apo pahir.

Ja çfarë shkruan ai në këtë këndvështrim:

“Nëse një shkrimtar proze di mjaftueshëm për tematikën për të cilën po shkruan, ai mundet të mos bëjë të ditur ndonjë gjë për të cilën ka dijeni, dhe ndërkaq sërish lexuesi, nëse shkrimtari shkruan vërtet në mënyrë burimore, sidoqoftë do t’i ndiejë faktet e pathëna, sikur shkrimtari t’i kish shkruar ato realisht”.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00