Home | Literature | Baronesha

Baronesha

image
Kriza tregtare, shqetësimet politike , zhurmat e luftës, atmosfera e përgjithshme e kishin bërë nguruese paranë...

 

 

 

 

 

Atje do të mund të shohësh cikërrima shumë tërheqëse, më tha miku im Boisrené, ndaj eja me mua.

Ai më shpuri kështu, në katin e parë të një shtëpie të bukur, në një rrugë të madhe të Parisit. Ne u pritëm nga një njeri shumë  i mirë, i cili,  na shëtiti nga dhoma në dhomë, duke na treguar sendet e rralla, të cilave ua thoshte çmimin me shpërfillje. Shumat e mëdha, dhjetë, njëzet, tridhjetë, pesëdhjetë mijë franga, dilnin nga buzët e tij me aq hir dhe lehtësi , saqë nuk mund të dyshohej që, në kasafortën e këtij tregtari të botës, gjendeshin miliona franga.

E njihja  këtë njeri, nga emri, që prej shumë kohësh. Fort i saktë, shumë i shkathët, tepër i zgjuar, ai shërbente si ndërmjetës për gjithfarëlloj pagesash. Në marrëdhënie me të gjithë amatorët më të pasur të Parisit dhe madje të Europës dhe Amerikës, duke ua njohur shijet dhe pëlqesat e çastit, ai i njoftonte me një fjalë apo, nëse banonin në një qytet të largët, me një telegram, sapo ta njihte mallin për t’u shitur, e që mund t’iu shkonte atyre përshtat.

Njerëzit e shoqërisë së lartë drejtoheshin tek ai kur gjendeshin ngushtë, qoftë për të gjetur para për lojë, qoftë për të paguar një borxh, qoftë për të shitur një tablo, një stoli familjare, një qilim, madje dhe një kalë  apo një pronë në ditë krizash të mprehta.

Thuhej se ai nuk kthente mbrapsht askënd kur parashikonte një shpresë fitimi.

Boisrené dukej i afërt me këtë tregtar të çuditshëm. Ata duhet të kishin pasur ndonjë çështje së bashku. Kësisoj edhe unë po e vështroja burrin me mjaft vëmendje.

Ishte i madh, i hollë, tullac, tepër elegant. Zëri i tij i butë, nënkuptues, kishte një joshje të veçantë, një joshte tunduese, që iu jepte gjërave një vlerë të çmuar. Kur mbante ndonjë send në dorë, ai e kthente, e rrotullonte, e vështronte me aq lirshmëri, lehtësi, elegancë dhe simpati, saqë sendi dukej i zbukuruar përnjëherë, i shndërruar nga prekja dhe vështrimi i tij. Dhe aty për aty, ai vlerësohej shumë më shtrenjtë se para se të kishte kaluar nga vitrina në duart e tij.

- Po Krishti juaj, - tha Boisrené, - ai Krishti i bukur i Rilindjes, që ma keni treguar vitin e kaluar ?

Burri buzëqeshi dhe u përgjigj :

- Ehë, ai është shitur dhe në një mënyrë shumë të çuditshme. Ja një histori pariziane, për shembull. A dëshironi t’jua them ?

- Po, po, patjetër.

- E njihni Baroneshën Samoris ?

- Po dhe jo. E kam parë vetëm një herë, por e di ç’është !

- E dini… mirë ?

- Po.

- A mund të më thoni pra çfarë dini, që të shoh se nuk gaboheni aspak ?

- Me shumë dëshirë. Zonja  Samoris është një grua e lartë që ka një vajzë, por që nuk ia kemi njohur kurrë bashkëshortin. Sidoqoftë, nëse nuk ka pasur ndonjëherë bashkëshort, ajo ka dashnorë që i mban në një mënyrë të fshehtë, sepse atë e ftojnë në një shoqëri tolerante ose të verbër.

Ajo shkon në Kishë, i merr kungimet në meditim të plotë, në mënyrë që të shihet nga të tjerët dhe nuk përlyhet kurrë. Shpreson që e bija të ketë një martesë të mirë. Apo  s’është kështu ?

- Po, por, po i plotësoj njohuritë tuaja : ajo është një femër e mirëmbajtur, e cila respektohet nga dashnorët e saj më tepër, sesa të mos shkonte me ta. Dhe kjo është një meritë e rrallë ; sepse, në këtë mënyrë, marrim çfarë të dëshirojmë nga një burrë. Ai që ajo ka zgjedhur, pa e kuptuar fare këtë, i vjen asaj vërdallë, e dëshiron me frikë, e kërkon me ndrojtje, e arrin me habi dhe e zotëron me respekt. Ai nuk e kupton fare që po e paguan, aq bukur di të sillet ajo  dhe ajo i mban marrëdhëniet e tyre me një të tillë tërheqje, dinjitet, me një të tillë çfarë duhet, saqë duke dalë nga shtrati i saj, ai do të qëllonte cilindo njeri të aftë që dyshon në virtytin e dashnores së tij. Dhe kjo në mirëbesimin më të plotë.

Kësaj gruaje ia kam kryer vetë disa shërbime, dhe disa herë me rradhë. Kështu që e njoh mirë.

Mirëpo, në ditët e para të Janarit, ajo ka ardhur të më gjejë, për të marrë hua tridhjetë mijë franga. Kuptohet që nuk ia kam dhënë ; por meqë dëshiroja ta ndihmoja, e kam lutur të më shpjegojë saktësisht gjendjen e saj, me qëllim që të shihja se ç’mund të bëja për të.

Ajo m’i tha gjërat me të tilla përkujdesje gjuhe sa as pagëzimin e parë të bijës së saj nuk do të ma kishte treguar kaq me delikatesë. Në fund kuptova se kohët ishin të vështira dhe se ajo gjendej pa një dyshkë.

Kriza tregtare, shqetësimet politike që qeveria e tanishme duket t’i mirëmbajë me kënaqësi, zhurmat e luftës, atmosfera e përgjithshme e kishin bërë nguruese paranë, qoftë dhe në duart e të dashuruarve. Dhe pastaj kjo grua e ndershme nuk mund t’i jepej kujtdo që t’i dilte përpara.

Asaj i duhej një burrë i fismë, i edukuar dhe i pasur që t’ia rriste emrin, por që njëherësh t’ia plotësonte të gjitha nevojat e përditshme. Një burrë qejfli edhe pse tejet i pasur, do ta kishte përlyer përgjithmonë dhe do të kishte krijuar probleme për martesën e së bijës. Ajo nuk mund të mendonte as për agjencitë martesore, për ndërmjetësit çnderues, të cilët do të kishin mundur, për ca kohë, ta nxirrnin nga halli.

Mirëpo ajo duhet të mbante këtë nivel jetese, të vazhdonte të priste me dyer të hapura për të mos humbur shpresën e gjetjes, në mesin e vizitorëve, mikun e fshehtë dhe të shquar që ajo priste, që ajo do ta zgjidhte.

Unë i vura në dukje se tridhjetë mijë frangat e mia kishin pak gjasë të më riktheheshin ; sepse, kur ajo t’i kishte mbaruar, asaj do t’i duhej që të rimerrte, në një dorë, të paktën gjashtëdhjetë mijë për të më kthyer gjysmën.

Ajo dukej e pikëlluar tek më dëgjonte. Dhe nuk dija ç’të sajoja kur një ide, një ide vërtetë gjeniale, më shkrepëtiu në kokë.

Sapo kisha blerë atë, Krishtin e Rilindjes, që ju kam treguar, një copë e admirueshme, më e bukura, në këtë stil, që të kem parë ndonjëherë.

- Mikesha ime e dashur, - i thashë unë, do të sjell në shtëpinë tuaj këtë fildishin që po shihni këtu. Ju do të sajoni një histori të zgjuar, prekëse, poetike, trilloni ç’të doni, për të shpjeguar dëshirën tuaj që të ndaheni nga ai. Sigurisht, ky fildidh është një kujtim familjar i trashëguar nga babai juaj.

Kurse unë do t’ju dërgoj amatorë dhe do t’jua sjell  vetë ata. Pjesa tjetër pastaj, është për ju. Do t’ju njoftoj për gjendjen e tyre duke ju dërguar një fjalë një natë më parë. Ky Krisht vlen pesëdhjetë mijë franga ; por do ta lë për tridhjetë mijë. Kusuri është për ju.

Ajo u mendua për ca çaste me një pamje të thellë dhe u përgjigj : “Po, ndoshta është një ide e mirë. Ju falemnderit shumë.”

Të nesërmen, e kam çuar Krishtin tim tek ajo, dhe në mbrëmje i dërgova Baronin e Shën-Hospitalit.

Për tre muaj me rradhë, i çova klientë, më të mirët që mundja, më të shtruarit që njihja në marrëdhëniet e mia të punës. Por nuk dëgjoja më të flitej për të.

Mirëpo një ditë, ngaqë më kishte ardhur një i huaj, i cili mezi e fliste frëngjishten, vendosa të shkoj vetë ta paraqes tek Samoris, thjesht për të parë.

Një shërbëtor, i tëri në të zeza na priti dhe na bëri të hyjmë në një sallon të bukur, të errët, të veshur me shije, ku pritëm për ca minuta. Ajo u shfaq, joshëse, më zgjati dorën, na tha të uleshim ; dhe kur ia shpjegova arsyen e vizitës sime, ajo i ra ziles.

Shërbëtori u rishfaq.

- Shikoni pak, tha ajo, nëse Zonjushë Isabelle mund të na lejojë të hyjmë në dhomën e saj.

Vajza e re e solli vetë përgjigjen. Ajo ishte pesëmbëdhjetë vjeçe, një pamje të thjeshtë dhe të mirë, e tërë freskia e rinisë së saj.

Ajo donte të na printe vetë për në dhomën e saj.

Ishte një si lloj kthine e përshpirtshme, ku digjej një llampë e argjendtë përpara Krishtit, Krishtit tim, të shtrirë mbi një shtrat kadifeje të zezë. Vënia në skenë ishte joshëse dhe tepër  e zgjuar.

Fëmija bëri kryqin, pastaj na tha : « Vështroni, Zotërinj, a nuk është i bukur ? »

E mora statujën, e vështrova dhe thashë se është i mrekullueshëm. I huaji e pa, gjithashtu, por ai dukej më tepër i ngacmuar nga dy femrat sesa nga statuja e Krishtit.

Në strehën e tyre binte erë e mirë, erë temjani, lulesh dhe parfumesh. Ndiheshim shumë mirë. Kishim aty një shtëpi të qetë, e cila të ftonte të rrije.

Kur ishim futur në sallon, qasa me ndrojtje dhe delikatesë çështjen e çmimit. Zonja  Samoris kërkoi, duke ulur sytë, pesëdhjetë mijë franga.

Pastaj shtoi : « Nëse dëshironi ta rishihni, Zotëri, nuk dal nga shtëpia para orës tre  dhe më gjeni këtu për çdo ditë. »

Në rrugë, i huaji më kërkoi hollësira mbi Baroneshën, e cila i ishte dukur tejet e shkëlqyer. Por më vonë nuk dëgjova më të flitej as për Të, as për Baroneshën.

Kaluan tre muaj.

Një mëngjes, as pesëmbëdhjetë ditë më parë, ajo erdhi tek unë në orën e drekës dhe duke më lëshuar në duar një kuletë, më tha: « I dashur mik, ju jeni një engjëll. Ja pesëdhjetë mijë franga ; unë do ta blej Krishtin tuaj dhe unë do t’i paguaj njëzet mijë frangat më shumë se çmimi i kërkuar, me kushtin që ju të më dërgoni përsëri… përsëri klientë… sepse Krishti juaj… është ende për t’u shitur… » .

 

 

© Dea J Klosi, në Shqip

Guy de Maupassant

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00