image

Me BE ulur në tryezë, jo në këmbë tek dera!

Vendimmarrjet në Europë ...

   

 

Nga Artan Xh. Duka

 

Topi është i imi, penalltinë do e gjuaj unë!

 

Puna e negociatave u bë kush t’ja lërë në derë tjetrit. Ne me njëri-tjetrin, Europa tymin e saj! E nëse fati i ca zgjedhjeve dhe karrierave në Europë varet nga shpërfillja, me çdo sebep, e aspiratës së kombit më pro-BE në rajon, medet!

 

Ca në BE as nuk kanë galje se si e përjeton këtë qytetari shqiptar. Të tjerë na marrin të mirëqenë; kanë dekada që na testojnë. E dinë “genin” tonë perëndimor dhe merakun e kanë ndaj faktorit sllav që i mbeti koka nga lindja. Ca historikisht mbeten cinik ndaj nesh, gjeopolitikë kjo reminishencë e 1913 për të cilën, me përjashtim të anglo-saksonëve, ende në perëndim nuk shohim ndonjë keqardhje, pale vullnet për denoncim.

 

 Edhe kufirin mbi Ibër me kaosin në rajon na e poftisi trashëgimia e asaj politike që i dha shtat të tjerëve më 1913 e që krijon sot jo tryeza kapitullimi për agresorin (Koalicioni Antifashist nuk negocioi me Boshtin në 1945) por tryeza “negocimi” ku ai bën të dëmtuarin(!), që nuk i thotë boll broçkullave për “hyjnoren” e vendeve e kulteve sllave për gjëra që ishin aty nga antikiteti, shumë më përpara se të dyndeshin nga lindja ata.

 

Një politikë që ngre zërin për taksën ndaj Sërbisë (!) e meket për drejtësi deri në fund për genocidin e tragjedinë kosovare, që i bën jehonë “tolerimit” në ri-pagëzimin e Maqedonisë së Veriut (që në antikitet fliste gjuhën e të parëve tanë) e shpërfill faktin se kombi që po toleron padrejtësi historike e garanton paqen reale në rajon është ai shqiptar.

 

Një politikë që shpërfill kontributin historik të të parëve tanë nga Konstantini i Madh që i dha “vulën” krishtërimit të sotëm europian, epizmi i Skënderbeut që mbrojti paqen e identitetin perëndimor, Lufta Na-Çl si partnere e koalicionit antifashist, vet-izolimi monist që mbajti lindjen larg brigjeve të Adriatikut etj.

 

Megjithatë, fati i negociatave është e “drejta” e tyre; po u trokasim ne tek dera! Pavarësisht “inateve” të BE, realiteti është se stonojmë e jemi defiçitar në shtet ligjor e demokraci. Nuk vlen të jemi shtet me “letra” në Europë e si shoqëri të dergjemi në “gropë”.

 

 Agai dhe hyzmeqarët

 

Vendimmarrjet në Europë nuk varen nga ç’ka llomotit në gjuhë të huaj opozita e rrugës ndaj lë thjesht shije të keqe zelli i saj për të “harxhuar” llafin e keq e ngazëlluar me JO-në në delir. Përjashto PS gjatë krizës së Gërdecit në prag të anëtarësimit në NATO apo sot në qeveri, opozitat e qeveritë e kohës kanë folur shpesh, me apo pa vend, në gjuhë të huaj jashtë. Por sot, për fatin e mirë të qytetarit, BE nuk hiqet hundësh nga politikanët tanë problematik në vendimmarrjet e saj. Sa bëjnë lolon, turpërojnë veten dhe ne bashkë.

 

Integrimi nuk është për Ramën, por për të gjithë dhe vonesa çon ujë në mullirin e tjetërkujt. Integrimi është lajm i keq vetëm për korrupsionin dhe antishqiptarizmin historik e kushdo që pandeh se me një gur (destabilitet), vret dy zogj (reformën në drejtësi dhe integrimin), e ka kot se qytetari nuk është i vetëm në këtë sfidë.

 

Opozitë e qeveri e kanë detyrim para qytetarit pro-BE të jenë me një zë në Europë. Shqipërinë e duam njësoj. Ndryshe, të kujton atë historinë e agait dhe dy vëllezërve hyzmeqarë që kur u kandis agai t’u plotësonte ndonjë dëshirë dhe i pari i tha “më jep një ka të lëroj arën”, i dyti, sapo mori vesh se çfarë donte tjetri, i tha “mos ia jep!”

 

Ndaj para se t’i turremi BE, ta fillojmë nga shtëpia. Ligji zgjedhor, sado problematik, nuk të detyron të votosh parti e politikanë që e kanë bërë mullar dhe protestat në rrugë nuk e largojnë por e afrojnë integrimin në BE sa kohë apelojnë vlera që respektohen në BE – prona historike, korrupsioni, ligji zgjedhor etj.

 

Vetë reforma në drejtësi është aset për integrimin në BE dhe e para opozita që akuzon për abuzim e bërtet “O Rama, o qameti”, duhet ta mbështesë atë teksa rrit premisat për drejtësi. Pastaj, koha do tregojë, nëse qeveria është e papërlyer apo me naivitet po ia bën vetes apo është opozita në makth për të kaluarën e saj dhe sheh mbijetesën tek shtyrja e negociatave sipas motos “pas meje qameti”.

 

BE nuk është llamba e Aladinit

 

Ndonëse negociatat nuk janë anëtarësim, nuk kemi pse presim bamirësi. Edhe kur tolerohen sllavët që luajnë me dy “porta” në rajon. Por po të vijojë diferencimi, ka jetë dhe jashtë BE dhe nëse ka diçka pozitive “fiksimi” me BE, janë reformat e ndërmarra me përfitues qytetarin pa dallim. Po pate shtet, BE është “bonus”.

 

Ballafaqimi me BE kërkon dinjitet e kjo nënkupton reciprocitet. Jo presione butaforike, sikundër njoftimi “do jap dorëheqjen”, nga një kryeministër në rajon! Qeverisja e mirë nuk është për sytë e bukur të Merkel e Makron por për qytetarët mbarë.

 

Dialogu ka vlerë kur palët ofrojnë reciprokisht. Ne fitojmë në BE por dhe BE fiton me ne dhe nëse BE ndjehet e paplotësuar pa rajonin, hapja e negociatave, sikurse me Serbinë, është minimumi i pritshëm. Anëtarësimi është sërish në dorën e BE dhe hapja e derës sot nuk është ulje në karrige mot.

 

Shqipëria nuk është pala e vetme që fiton. BE zgjerohet me një treg disa milion shqiptarësh me vokacion pro-perëndimor, miliona blerës më shumë të “Made in EU”, miliona burime njerëzore për një BE në plakje, miliona dashamirës, vizitorë atje por dhe mikpritës këtu që garantojnë stabilitet në rajon sepse kufijtë në të janë kufij mes shqiptarësh, një hapësirë e mjaftueshme të garantojë fluksin e duhur të shkëmbimeve e harmoninë integrale të Tregut Europian pa zona “gri” në hartën e tij. Kjo, kur Rusia e Kina nuk bëjnë sehir!

 

Për palën shqiptare, pas zotimit të vjetshëm të BE, çelja e bisedimeve duhet të jetë starti i bisedimeve. Shqipëria e meriton “provimin” dhe nuk ka pse të jetë kokë turku nga paniku prej ekstremizmit të djathtë në BE.

 

E nëse BE dëshmon refraktaritet e vijon me “mure”, “mur” të jetë për të dyja palët. Nëse lëvizja e lirë e punësimi i shqiptarëve paragjykohet e komplikohet andej, në respekt të qytetarit shqiptar, e njëjta gjë duhet aplikuar dhe këtej. Ndryshe kot presim respekt nga të tretë.

 

BE i duhet kërkuar mosdiferencim në rajon si psh: favorizimi i atyre që destabilizuan me vite rajonin pa kërkuar ende ndjesë dhe “lupë” pafund për të tjerë. Për fat, Kosova, me kushtëzimet ndaj Serbisë, ka sot veton për proceset integruese në rajon dhe një lëshim jo parimor ia kalon këtë veto Serbisë, që nëse integrohet para nesh, do të komplikojë integrimin shqiptar në BE. 

 

Në bisedime gjithmonë shkohet me opsion të dytë. Qoftë edhe anëtar në BE, sërish fatin si Shqipëri e Kosovë e kemi si tek “dera” me botën pan-shqiptare në rajon (Greqi, Turqi e Maqedoni ku jetojnë me miliona shqiptarë) ashtu dhe SHBA, Itali e anglo-saksonët në BE.

 

Atë që do e bëjmë mot në BE, ta bëjmë sot në rajon. Duke hapur kufijtë, promovuar e konsoliduar institucione dhe tregun e përbashkët që integron rajonin dhe i bëjnë përplasjet të paimagjinueshme dhe pamundshme materialisht. E filluan dikur me tregun e përbashkët të qymyrit dhe çelikut dhe sot quhet BE!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0