Home | Education | " Dashuria " e madhe e opozitës për studentët

" Dashuria " e madhe e opozitës për studentët

image
Studentët nuk janë prona e opozitës as e mazhorancës.

  

 

Nga Bardhyl Bejko

 

Sapo nisi protesta e studentëve të inxhinierisë dhe universiteteve të tjera, të parët që vrapuan për ta grabitur e përvetësuar këtë kundërshti studentore, revoltën që ata shfaqën dje nëpër rrugët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës ndaj tarifave shtesë për provimet e mbartura e të tjera kërkesa që kanë drejtuar në organet kompetente, duke filluar nga Ministria e Arsimit e qeveria, ishin drejtuesit dhe ish drejtuesit e opozitës. Sali Berisha, si gjithnjë vrapoi për të korrur frytet e opozitarizmit studentor. Si kurdoherë në kopjim të vitit 1990 në revolucionin e përmbysjes së sistemit komunist e bënë të rinjtë dhe frytet i rrëmbeu ai dhe të tjerët rreth tij, ndërsa asnjëri prej të ngujuarve nuk fitoi asgjë kërkon të bëjë të njejtën gjë. Po 2018-ta nuk është 1990-ta. Sot nuk vihet në diskutim sistemi demokratik, po thellimi dhe përmirësimi i tij. Se mazhoranca që drejton vendin ka ardhur përmes luftës dhe përpjekjeve për të revolucionarizuar vetveten dhe për të zhvilluar demokracinë. Dhe përpjekjet për të treguar se opozita është më demokratike dhe e interesuar për masat e gjera të popullit dhe veçanërisht rinisë është jashtë kohe. Dy herë i njëjti ujë nuk mund të rrjedhë në të njejtin vend. Historia nuk mund të përsëritet njëlloj. Dhe po kështu nuk mund të ndodhi që historia të jetë në simetri si tre dekada më parë në vitin 2018 që jetojmë. 

 

Berishës nuk i interesojnë nevojat jetike të studentëve, pasi në vitet e sundimit të tij nuk u zgjidhi asgjë, veç shtimit të kioskave universitare, të cilat u bënë më të shpeshta se lokalet e kafeve që mbinë në tërë Shqipërinë. Ai, si 28 vite më parë kërkon të shfrytëzojë këtë pakënaqësi studentore për ta kanalizuar në interes të PD-së dhe kurrsesi të plotësimit të kërkesave të studentëve që duan një jetë më të mirë. Për të dhe tërë ata që kanë drejtuar në këtë vend në këto tri dekada, shkollat shqiptare nuk egzistojnë. Ato janë vetëm për fëmijët tanë. Për masat e zakonshme të këtij populli. Se të gjithë jemi koshientë, ku shkollohen nipat e mbesat tyre. Studentët duan të ndryshojnë kushtet e jetesës dhe mësimdhënies, janë kundër korrupsionit dhe presionit të notës për kurse e blerje librash me rekomandim me autorë profesorët, të cilët nuk duan të mbeten vetëm tek paga e tyre, po ta shumëfishojnë atë në kurriz të familjeve shqiptare që dërgojnë në universitet fëmijët e tyre për t’u arsimuar e përgatitur për të ardhmen. Në këtë kuptim për kërkesat e drejta të studentëve jemi me ata, pasi janë fëmijët tanë janë e ardhmja e Shqipërisë, pjesa më vitale e jonë e cila kërkon një jetë më të mirë dhe një shkollim me dinjitet. Protesta e studentëve të universiteteve shqiptare nuk ka fare rëndësi nga ka nisur. Kush e ka nxitur. Kush janë iniciatorët dhe tutorët. As kush është nxitës i kësaj lëvizjeje. Shteti duhet të shikojë me kujdes ku e gjen vetveten në këtë revoltë, shkaqet përse janë revoltuar studentët dhe cilat janë kërkesat e tyre. Të sqarojë cilat janë të zgjidhshme dhe cilat jo. Të dialogohet dhe t`iu thuhet po studentëve për ato që kanë të drejtë dhe të sqarohen për ato që kapërcejnë kërkesat e tyre dhe nuk janë në kuadrin ligjor.

 

Për të mbërritur deri në këtë protestë studentore, kuptohet që ka kohë që punohet dhe përgatitet terreni. Dhe nga një kërkesë, ato do të vijnë duke u shtuar siç ndodh në të gjitha rastet me të tilla lëvizje. Dhe studentët kërkesa pas kërkesash mund të kërkojnë edhe të parealizueshmet. Kjo është një çështje tjetër, e cila nuk mund të pranohet apriori. Studentët, deri sa lëvizja mbetet brenda kuadrit të të drejtave studentore për të cilat kanë tërë opinionin shqiptar me vete është një protestë e shëndetshme. Deri sa kjo energji të mos përdoret me hile e për interesa meskine të ca opozitarëve që ngazëllejnë me lëvizjet e studentëve dhe mbajnë shpresa se ata do jenë ura përmes të cilës do kalojnë nga opozitë në pozitë, pra do fitojnë privilegjet e humbura, kjo është e papranueshme dhe një energji që do shkojë dëm si kurdoherë kur protestat i akaparon politika. Derisa rinia studentore do kërkojë dialog dhe të drejta që u takojnë, pavarësisht nga kosto që mund të ketë shteti në aspektin ekonomik, duhet arsye për t’i dëgjuar dhe mbështetur. Që nga momenti kur disa të papërmbajtur nga radhët e opozitës dhe kapardisja se janë ata që i drejtojnë, është merita e tyre kjo lëvizje, se ata i kanë organizuar masat studentore dhe i orientojnë nëpër rrugë apo i nxisin të kryejnë veprime të papërshtatshme dhe jo brenda moralit tonë, atëherë energjia studentore do derdhet në puse të errëta opozitare. Dhe ustallarët e përfitimit dhe vjeljes së çdo lëvizjeje dhe revolte popullore aq më tepër kur këtë revoltë e bëjnë studentët që janë thelbi i shoqërisë progresistët e së ardhmes. Po siç vihet re, lëvizjen studentore padrejtësisht duan ta përvetësojnë emisarët opozitarë. Si në delir nga maja e kënaqësisë së Olimpit ku ndodhet si përherë, çakërrqejf sikur studentët tanë të jenë djemtë e vajzat e rreshtuar rreth kryetarit të grupit kuvendor të LSI-së, Petrit Vasli i cili ka shfrenuar gojën dhe ka nxjerrë pushkën e fyerjeve se mendon që i erdhi dita, se ata që janë në bulevard janë ushtarë të tij, nuk i bëjnë mirë vetë studentëve. Nuk e dinë Vasli dhe tërë Vasilët opozitarë e të tjerë se rinia nuk e ka në llogari atë e askënd tjetër që kërkon të nxjerrë përfitime nga protesta e studentëve.

 

Për vetë studentët tanë do të ishte një turp i madh nëse do pranonin të udhëhiqen nga tutorë që duan të vjelin frytet e çdo lëvizjeje siç i kemi parë tërë këto vite në opozitë. Studentët nuk janë prona e opozitës as e mazhorancës. Ata janë të barazlarguar nga pozita dhe opozita dhe kërkojnë të drejtat e tyre. Dhe mazhoranca e sotme, ministria përkatëse, kryeministri, duhet patjetër të dëgjojnë zërin e rinisë se është po kjo rini që nesër do marrë stafetën dhe do ta drejtojë vendin drejt së ardhmes. Po nëse të rinjtë shqiptarë, studentët tanë nuk kanë marrë në këto vite leksionin e duhur, mesazhet nga demokracia nëse gënjehen e miklohen nga lajkat e liderëve të opozitës përrallat e Lulzim Bashës dhe të tjerëve rreth tij atëherë këtë vend e ka marrë lumi. Nuk mund të ketë dy dhjetorë simetrikë. Nuk mund të ketë një përputhje mes skajeve të tridhjetë vjetëve dhe opozita e sotme e sprovuar dhe e njohur nga mbar populli shqiptarë të përfitoi nga kjo lëvizje e cila nuk është për të dërguar në fron ca të përmbysur dhe të përmbysi ca të tjerë siç është sot mazhoranca e majtë. Të mësuar për të përfituar në çdo rast, siç treguan me Kalimashin, protesta kundër armëve kimike, “Astiri”, opozitarët vrapojnë nëpër auditore dhe bëjnë të dhimbsuri, dhe u qajnë hallin studentëve që kërkojnë sot tarifa më të favorshme dhe kushte më të mira jetese, atyre që kërkojnë pedagogë korrektë, mësimdhënie kualitative, të kenë të ardhme më të sigurtë, të veprojë meritokracia në emërime dhe të punësohen ata që e meritojnë, jo partiakët e të stimuluarit, duke larguar nga vendi ekselentët, të shkolluarit, djemtë e vajzat e këtij vendi.

 

Studentët nuk i përkasin partive. Ata janë bijë të popullit nga Vermoshi në Konispol. Dhe si të tillë, nëse duan të arrijnë ato që kërkojnë dhe që i meritojnë, duhet të zbojnë emisarët politikë, duke i larguar si e keqja më e madhe, të cilët kanë treguar tërë jetën se dinë vetëm të marrin atë që nuk u takon. Të fitojnë nga protestat e studentëve e tërë atyre që luftojnë për një jetë më të mirë. Në opinionin e gjerë shoqëror është i fortë mendimi: Po studentëve! Jo manipulimit të manipulatorëve! Gjithçka studentëve! Dhe jashtë politikanët që kërkojnë të përvetësojnë frytet e revoltës së tyre. Dhe studentët vetë nuk duhet të bien pre e mashtrimit dhe joshjes së politikanëve karrige humbur. Njëherë në dhjetorin e parë 28 viteve në 1990-të e provuan të rinjtë tanë. Herë të dytë nuk duhet të ketë! Ata vetë nuk duhet ta lejojnë!

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0