image

Intervistë me studiuesin e Artit, Agim Janina

Befasia dhe laryshia e ngjyrave të natyrës është enigmë e pashpjegueshme në raportet...

 

 

Nga Dea J Klosi

 

Klosi News: Z. Janina, nëse do të mund ta përfytyronim jetën si një tablo, ç’ngjyra do të përdornit në të?

 

A. Janina: - Jeta dhe natyra në thelb janë telajo e parë nga u frymëzuan artistët e lashtë nga prehistoria. Natyra vetë është e kompozuar me një spektër koloristik, ku nuk mungojnë ballafaqimet koloristike, në nuanca nga më të larmishme. Ngjyrat e para erdhën nga frutet e pemëve apo nga mineralet e ndryshme. Deri vonë nënat tona kanë përdorur lëngun e arrës, qepës apo gështenjës për të ngjyrosur trikot që thurnin.

   Vetë ndrimi i stinëve është një shkrirje spektrale ngjyrash, ku çdo stinë shpërfaq me bukuri një larmi të caktuar ngjyrash. Njeriu në rrjedhë të historisë gjithë këtë laryshi koloristike e ka përvetësuar dhe më pas e ka përditësuar së pari në sipërfaqet e ngurta të shpellave, më pas në afteske për të dalë në telajo.

   Ngjyrat e natyrës Tiranën e veshin shtatë herë në ditë, nën një diell, i cili e vesh me dritë thuajse mbi 300 ditë në vit.

   E ka jeta një ngjyrë? Varet nga gjendja emocionale dhe nga konstitucioni shpirtëror i formimit të çdo njeriu. Në jetë dy janë ballafaqimet koloristike: - e bardha dhe e zeza, që në Letërsi kthehet si e mira dhe e keqja, që krijojnë konfliktin për t'u zgjidhur. 

   Nisur nga kjo gjendje shpirtërore, njeriu e shikon tablonë e jetës me optimizëm apo me pesimizëm, ç'ka u jep edhe ngjyrat përkatëse. I përkas grupit të parë. Jeta është tabloja më e bukur për t'u jetuar.

   Në se më lejoni po e shpreh me një syth artistik:

                     Nëna Natyrë

                                   

   - Sa e bukur kjo flutra. Çfarë ngjyrash... Sikur piktorët të merrnin ngjyrat e saj.

   - I kanë marrë.

   - Si ?

   - Natyra është Nëna e Madhe. Prej saj i kemi të gjitha...

   - Këtë e dinë të gjithë. Po flas për ngjyrat.

   - Edhe ato nga natyra janë marrë...

   - Po flas për pikturën dhe piktorët.

   - Për ta po flas.

   - Ç'lidhje ka me fluturën?

   - Me natyrën.

   - E mirë, natyrën.

   - Ngjyrat e para njeriu i mori nga leshi i bagëtisë...

   - Ha... ha... ha...

   - Lesh i bardhë, lesh i zi...

   - Ha... ha... ha...

   - Pastaj me to thuri trikon. I ndërthuri leshrat dhe krijoi figura vija, rrathë, rombe. Nga frutat, shega, arra, qepa etj., etj mori ngjyra të tjera dhe krijoi botën e ngjyrave nga Nëna Natyrë. Ajo i dha edhe shijen për të bukurën, ballafaqimet koloristike. Sa bukur rri një e verdhë në të zezë, sa mirë vendosen e ndërthuren ngjyrat tek lulet, pemët, zogjtë, kafshët, si sfumohen konturet e zbehen ngjyrat në thellësi, si vishet peizazhi nga bryma, shkëlqen pas shiut, përkulet nga era...

   - E vërtetë.

   - Njeriu i shpellës shkoi në gjueti dhe vrau bishën për t'i ngrënë mishin...

   - Ç'na e përzjen tani me kafshë e vrasje !

   - Aty mori ngjyra të tjera. Gjaku i kuq ishte Ngjyra e Jetës...

   - Pse e jetës ?

   - Sepse kuptoi, se kur kafsha vritej, gjaku ishte ai, që e shkaktonte vdekjen. Këtë e kishte provuar edhe kur ishte plagosur dikush dhe gjaku apo rrjedha e gjakut, nga trupi shkaktonte vdekjen.

   - Ç'lidhje ka gjaku me pikturën, artin ?

   - Me gjakun e kafshës së vrarë, njeriu ngjyrosi trupin, fytyrën...

   - E pse ?

   - Sepse kuptoi se gjaku ishte Lumi i Jetës dhe duke u lyer me të, mendonte se do merrte forcë.

   - Zakone prehistorike.

   - Por që vazhdojnë dhe sot.

   - Ç'na thua?! E kush lyhet në fytyrë me gjak sot !

   - Të gjitha gratë.

   - Gratë ?!

   - Buzëkuqi i tyre, që nga ajo kohë e ka zanafillën. Po deshe rri pa buzëkuq.

   - Jo më. Atë nuk e do as ti. 

   - Në Kampet e Perqëndrimit, gratë e vajzat për t'u dukur të shëndetshme dhe për punë, për të mos përfunduar në dhomat e gazit, e lyenin fytyrën me gjakun e tyre, që e nxirrnin, duke shpuar me gjilpërë gishtrinjtë.

   - Ç'më the ! E tmerrshme !

   - Natyra e ka gjuhën e saj të plotë. Flet me erën, shiun, rrezet e diellit, ujin, zjarrin, duke lenë gjurmën e saj në gdhendjen e profileve të maleve, fushave, luginave, ultësirave, liqeneve si sy i kaltërt, majë maleve etj., etj. 

   Është kjo lëvizje e madhe, e pandashme, e përditshme, që shpreh gjithë peisazhin, ku njeriu merr frymë dhe zhvillon veprimtarinë e tij.

   Morën brirët e kafshëve dhe i vunë në kokë, zbukuruar edhe me puplat e shpendëve, lëkurën e kafshëve...

   -  Mbuloi lakuriqësinë e trupit.

   - Jo se atë botë nuk kishte kuptim lakuriqësia. Çdo gjë ishte sheshit. U mbulua dhe u ndje më i mbrojtur nga të ftohtit, shiut dhe kafshëve. Të vendosura në kokë e në trup ato u bënë me kohë, element jo thjesht zbukurimi, por pasurie, pushteti, mirëqenie, krenarie. Në një farë mënyre ishin një lloj ditari pamor, ku të tjerët shikonin bëmat, forcën, pushtetin  e tij.

   Me gurët shumëngjyrësh krijoi mozaikë të mrekullueshëm. Me gurin dhe mermerin skulptura e ndërtesa dhe të gjitha ia dha Nëna Natyrë.

    - Por, çfarë i kemi bërë, ne njerëzit, Nënës Natyrë !

   - Po ta shihte Migjeni do të shkruante, po po Njeriu do ta hajë Botën...

Befasia dhe laryshia e ngjyrave të natyrës është enigmë e pashpjegueshme në raportet, ballafaqimet dhe kalimet e bukura që krijon. Jo më kot i thonë Nëna Natyrë. Është Nëna e Nënave.

 

Klosi News:  A ka ndonjë lidhje qyteti ku ju banoni, me simbolikën tuaj artistike, dhe si do ta përshkruanit këtë lidhje, nëse ka? A mund të na përshkruani një ditë në punishten tuaj ?

 

A. Janina:  Tirana ku jetoj është sinonim i lirisë në kuptimin më të gjërë të fjalës. Është një frymë lirie, që nuk e gjen në këtë përmasë në qytete të tjera. Shprehja artistike në kryeqytet është në një gamë të gjërë. Çdokush kur vjen e ndjen thellë këtë liri. Duke qenë kryeqytet, ku janë jo thjesht institucionet më të rëndësishme politike, kulturore, artistike, por edhe një përzjerrje tejet e madhe e të gjitha krahinave të vendit, ndihet një përthithje e çdo gjëje të mirë, që sjell çdo rishtar dhe një kulturë, që shkon drejt një njesimi të barabartë. Të ndihesh i barabartë është shtysë kryeqytetase dhe kjo shtysë të bën të dalësh shumë shpejt nga krahina, vendi nga vjen dhe më shumë nga vetvetja.

   Punishtja apo më mirë studio ku punoj janë disa lokale, ku ulem dhe duke gjerbur ndonjë kafe apo pije shkruaj si në sythin e mëposhtëm:

 

                    Kur të vjen ora...

                             

     Ai vinte çdo ditë, në të njëjtën orë, në të njëtin lokal. Ishte i thyer në moshë dhe kishte vite që ulej në të njejtën tavolinë dhe porosiste të njëtën pije, një dopio ponç me akull.

   Qëndronte i vetëm. Lexonte ndonjë libër apo u hidhte ndonjë sy gazetave, që blinte çdo ditë pronari i lokalit.

   Edhe atë mbremje u ul në tavolinën e tij dhe porositi të zakonshmen, një dopio ponç. Nga xhepi i palltos së zezë, nxorri një libër me poezi dhe si ndrroi gjyslykët,  zuri të lexojë.

  Në tavolinën pranë, dikush ndërsa gjerbte ngadalë lëngun e kafesë zuri ta vështronte me vëmendje, sikur kërkonte diçka prej tij. Kishte disa javë që ishte bërë klient i lokalit. Sapo kishte blerë një apartament në pallatin e ndërtuar pranë lokalit dhe vinte aty, të pinte kafen. 

   I kishte bërë përshtypje burri i moshuar. Jo vetëm veshja, leximi i librave, por më shumë kërkesa e çuditshme e gotës dopio, që porosiste. Iu bë mankth. Përditë e njëjta gjë.

    Dy - tre herë ishte orvatur ta pyeste, por në çastin e fundit, ndrronte mendje. Bëri edhe një përpjekje, duke pyetur Lencin, kamarierin, por ai i dha një përgjigje, e cila më shumë ia ngatërroi të vërtetën dhe e nxiti më shumë për ta pyetur. 

   E kishte ndarë mendjen. Do ta pyeste sot. Ndaj kishte ardhur shpejt dhe si u ul dhe bëri porosinë e kafes, priti ardhjen e tij.

   Tashmë tjetri kishte ardhur, kishte porositur dopion e ponçit dhe po shijonte poezitë. 

   Lexoi "Les Fleurs du mal". Charles Baudelaire. Autor francez. Sa lexues e kërkonin ta lexonin në kohën e diktaturës. Ishte i ndaluar. Kërkon librin e munguar.

   "Qenka i kënduar plaku ! Lexoka në frengjisht poezitë e munguara", mendoi. Pastaj u zgjat drejt tij dhe foli:

   - Më falni, a mund t'ju pyes ?

   Tjetri la librin, u kthye dhe duke ngritur vetullat përtej qelqeve të gjyslykëve ia bëri:

   - Urdhëroni !

   - Nuk e di...., ndoshta do ju duket pyetje idiote, e pavend, por nuk mund të rri pa ua bërë... ju mund të mendoni se...

   Tjetri buzëqeshi.

   - Ju lutem bëjeni pyetjen !

   - Hëm... më ka bërë përshtypje se gjithmonë porosisni një dopio ponç. A nuk është e rrezikshme... më fal për moshën që jeni ?

   Ai hoqi gjyslyket nga sytë dhe i la në tavolinë. Librin e shtrëngonte ende në dorë. Në ballë iu ravijëzua një rrudhë e thellë.

   - E marr dopio se më dridhen duart dhe deri sa ta ve në buzë, shpresoj të më mbetet sa për një teke...

   - Më falni, - u ndje i turpëruar. - Unë duhet...

   - Mos u shqetësoni. E gjithë jeta është si një gotë me pije. Dikujt i bie e ëmbël. Dikujt e hidhur dhe tjetrit e athët. Por ajo duhet pirë deri në fund. Dhe si ta kesh pirë, shkunde edhe një herë gotën, se mos ka mbetur ndonjë pikë.... Si ta pish edhe atë, hidhe gotën tej, se të ka ardhur koha të ikësh nga kjo jetë !

   Po ty, miku im deri ku të ka shkuar gota e pijes ? Mbahu, gota është ende e mbushur. Shijohe deri në pikën e fundit!

 

Klosi News: Cili apo cilët piktorë shqiptarë ju kanë lënë mbresa të veçanta?

 

A. Janina: - Janë të shumtë dhe të disa brezave, që fatmirësisht munda t'i takoj, të futem në studiot e tyre dhe t'i shikoj teksa punonin. Takimi dhe bisedat me ta kanë qenë më shumë se sa një shkollë. Ndjeje artistin e formuar, talentin dhe një ndjenjë të fortë adhurimi ishte kur nën sytë e tu shihje tek hidhnin kompozimin në telajo apo monumentin e ardhshëm në skupturë, kur artisti i dhënë pas krijimit të harronte se ishe dhe ti në studio. Ishin çaste magjie...

   Mbresa të veçanta janë shumë... shumë aq sa nuk i mban dot një intervistë. Në një punë grumbulluese me takime e biseda me artistë të shumtë kam të shkkuara mbi 3500 faqe kompiuterike. Kam intervistuar që nga poeti Lasgush Poradeci, skulptorët Odise Paskali, Janaq Paço, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Petikli Çuli, Muntaz Dhrami, Maksim Bushi, Agim Rada, Ilmi Kasemi e Arben Bajo etj., etj. Nga Piktorët e parë Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Foto Stamo,

 

Nexhmedin Zajmi, Ibrahim Kodra, Guri Madhi, Sali Shijaku, Alush Shima, Aleksandër Filipi, Gazmend Leka etj., etj.

   Nga moria e takimeve mbresa të veçanta kam marrë edhe nga artistë, që edhe pse nuk gëzuan famën e madhe ishin një burim i jashtëzakonshëm me kujtime e mbresa të tillë si...

 

Klosi News: Si mund të na e përshkruani ju vendlindjen tuaj, dashurinë dhe shpresën për të ardhmen, në fare pak penelata ?

 

A. Janina: - Vendlindja së pari më vjen si aromë, frymë, zhurmë dhe ndjesi të mpleksura bashkë, thuajse të papërcaktuara gati sureale. I lindur në Paris dhe i ardhur fare i vogël, qyteti i lindjes edhe pse tejet i famshëm, i adhuruar dhe joshës, në fëmijërinë time nuk ishte aspak i tillë. Krejt e kundërta kur më duhej të përballesha me pyetje, por më shumë më bënte të dukesha ndryshe në veshje së pari. Kjo më krijonte më shumë se bezdi...

   Jo, doja të kisha lindur në Tiranë. Deri në mbarim të tetëvjeçares në dëftesën e shkollës si vendlindje shënoja Tiranë.

   Kuptohet se Franca, Parisi kultura franceze do të ishin të pranishme në biseda, kujtime familjare, disqe gramafoni, por në Shqipëri ka shumë frankofonë edhe pse nuk kanë lindur në Francë, por ja një syth shpjegues:

 

                             Rekuem

 

   I kujtohej fillimi i klasës së parë. Nëna e veshi me rrobat më të bukura, i krehu flokët me kujdes, duke ia ndarë vizën në krahun e majtë. Baluket ia ngriti lart, duke i zbuluar ballin e lartë. Këmisha, pantalonat, këpucët të reja shkëlqenin në rrezet e diellit. Të gjitha të blera jashtë shtetit.

   Sa nuk e donte një veshje të tillë, për më shumë krehjen e flokëve. 

   Vërsnikët e tij ishin të thjeshtë, visheshin me pantallona të shkurtra. Ndonjë i kishte të arnuara në të ndenjurat.

   Prindërit i dhanë një çantë fare të re, prej lëkure të butë, që mbyllej nga një kapak i madh,  me një çelës të vogël në ngjyrë të artë. Ajo ishte mundimi më i madh. 

   Fëmijë e tjerë kishin nga një çantë të thjeshtë e disa kishin disa strajsa, prej cohe të trashë, me nga një rrip të hollë, që e hidhnin krahëve. 

   Sa e dëshironte një strajse të tillë. Me shumë dëshirë do ta ndrronte me çantën e tij të shtrenjtë.

    Nxënësit si u mblodhën dhe u rreshtuan në oborrin e madh të shkollës, hynë nëpër klasa dhe zunë vend në banga. Ai u ul nga fundi.

   - Ku ke lindur ti ? - iu drejtua mësuese Elsa nxënëses, të ulur në bangën e parë.

   - Në Tiranë mësuese !

   - Po ti Gjergji ?

    - Në Tiranë !

    - Po ti ?

    - Në Tiranë !

    - Ti ?

    - Tiranë

   Tiranë... Tiranë... Ah... foli Rafka. Kishte lindur në Fier. Ja një. Pak. Të tjerët të gjithë në Tiranë.

    - Po ti ? - iu drejtua atij mësuesja. I erdhi rradha. Sa shumë donte të mos ia bënte atë pyetje. Çfarë t'i thoshte. Të gjithë të lindur në Tiranë. Ai jo. Ishte edhe Ravka e lindur në Fier  por kjo nuk ndryshonte asgjë. Vendlindja e tij ishte larg, shumë larg, tmerrësisht larg...

   - Hë... ku ke lindur ? - ngulmoi mësuesja, duke e parë me dashuri.

   Të gjithë prisnin të përgjigjej. Ai heshti. Uli kokën i pikëlluar, u skuq i tëri nga turpi dhe një pikë loti iu rrokullis faqeve.

   - Pse qan ? Të vjen turp nga vendi, ku ke lindur ? Nuk ka pse të të vijë turp... Thuaja mësueses, ku ke lindur ?

   - Në Pa... Pa...

   - Ku ?! Si quhet fshati ?

   - Pa... ris...

   - Paris ?!

   - Po...

   Në klasë u ndje një mërmërimë, përzjerë me habi.

   Një lot i dytë u lëshua. Mësuesja i mori kokën dhe si ia shtrëngoi midis pëllëmbëve, duke e afruar pranë vetes. I foli:

   -Ti duhet të jesh krenar, që ke lindur në Paris. Është kryeqyteti, jo vetëm i Francës, por i gjithë botës...

   Jo, ai donte të kishte lindur në Tiranë si gjithë të tjerët...

   Ishte aq i vogël për të kuptuar. Vite e vite me rradhë, sa herë do ta pyesnin se ku kishte lindur, prerë do të përgjigjej, në Tiranë ! 

   Gjithmonë do t'i kujtohej mërmëritja në klasë, shoqëruar me habi, sa herë më vonë, do të detyrohej të paraqiste dokumentat për t'u rregjistruar në hotelet e ndryshme gjatë shërbimeve të shumta nëpër Shqipëri...

   Në vesh i kumbonin fjalët e mësuese Elsës, "ti duhet të jesh krenar që ke lindur në Paris..."! Jo nuk ndihej aspak krenar. Nuk është vendi ku ke lindur, që të bën krenar. Ajo çfarë bëhesh në jetë, të bën të tillë !

 

Klosi News: A shihni ju ndonjë gjë që s’shkon tek Arti i sotëm? Ndonjë fjalë për politikën shtetërore në lidhje me artet figurative?

 

A. Janina: - Jam kundër tutelës dhe ndikimit të politikës mbi artet. Arti është liri. Jemi një popull me një frymëzim artistik të thekshëm, ç'ka duket së pari në trashëgiminë kulturore. Larmia e kostumeve popullore është në atë shkallë, që shkon përtej mahnitjes. Nëse psh në një vend të madh si Rusia kostumet popullore numërohen me gishtat e dorës, në Shqipëri një krahinë tejkalon edhe vëndin më të madh për nga larmia e pafundme e paraqitjes së kostumeve popullore. Një pasuri e jashtëzakonshme.

 

Politika është menuja e gjellës sê shtypit të shkruar dhe vizual. Ze vend në fund të faqeve të gazetave dhe edicioneve televizive. Politika i hap rrugën artit. Nuk e shikoj këtë gjë në çdo politikë të djeshme dhe të sotme. Arti është barometër i nivelit të çdo kombi. Sa lexon, sa shkon në teatër, kinema apo ekspozita arti atë shtat ke.

 

Klosi News: Edhe diçka për lexuesit, cila është violina juaj e Ingrès?

 

A. Janina: - Trupi i femrës... ç'të thuash për të? Është përshkruar artistikisht me mijra herë dhe gjithmonë kërkohet e gjendet diçka e re për të thënë. Është vetë jeta, joshja, dëshira, gjakimi i jetës, burimi i saj, ripërtëritja... por ja një syth për të: do ju postoj sythin mbi te pas pak.

 

Të kthehemi tek Ingre. Piktor i madh që la gjurmë në historinë e artit. Neoklasik, vizatues lindur, tejet i ndjeshëm, gur kometrik dëshmonjës.

 

Klosi News: Dhe së fundi, cilat janë planet tuaja për të ardhmen, dhe mesazhi juaj për  dashamirësit?    

 

A. Janina: - Të vazhdoj të mbledh si ajo bleta nektarin që artistë tanë krijojnë. Më pëlqen një thënie, e nesërmja është e sotmja për të cilën mendova dje. Dhe si qëllim jete, bëj atë që më pëlqen për të arritur në të pëlqyerin e asaj që bëj.

                                               Syth 

- Në Pallatin Mbretëror të Spanjës, rri e ekspozuar një nga violinat e pakta të Stradivarit. Çmimi i saj gjithnjë në ngrirje, ka shkuar sot në njëzetepesë milion euro ! - Shumë marramendëse ! Do thoja e merituar, kur mendon, se ende sot, debatohet për prodhimin e tyre dhe enigmën ende të pazbërthyer në mënyrë shteruese. Ëndërr e çdo violinisti për ta mbajtur një herë në dorë dhe t'i jepet fati të luaj me të ! - Forma e violinës thonë vjen nga trupi i femrës... - Si... si... ? - Trupi i femrës ka qenë burim frymëzimi në çdo kohë. Edhe vazoja e parë trupin e femrës imiton. - Po e sajon ! - Aspak. Shiko ndonjë vazo apo qyp dhe do ta kuptosh ! - Edhe pse nuk bindem më pëlqen gjetja. - Se je femër. - Jo vetëm për këtë... Tani po më kujtohet një foto e Man Rey-t, titulluar "Le violon d'Ingres". - Atë kisha në mendje. - Mbahet si kryevepër e Artit dadaist. - Modelja është e famshmja Koko e Montparnasit apo Mbretëresha e Montparnasit. - Dhe ? - Ka shërbyer si modele për shumë piktorë të kohës, ndërmjet të tjerëve Modiliani, Soutine etj. kur ata ishin artistë bohemë, jetonin në papafingot e Parisit, mblidheshin në kafene, debatonin me zjarr për lindjen e rrymave të reja artistike, kishin nga një të dashur, pinin verë dhe pikturonin shumë. - Ishte një kohë e artë. - Heminguej në parathënien e një libri të Kokos, ndaluar në SHBA deri më 1996, për gjuhën "e pisët" të përdorur, ka shkruajtur, "Për gati dhjetë vjet ishte larg një hap së bëri, ajo që sot do të quhej Mbretëreshë, gjë e cila natyrisht është krejt ndryshe nga të qenit një zonjë". - Fjalë të bukura nga një shkrimtar i madh. - Koko shprehej se në jetë i duheshin pak gjëra "një qepë një fetë bukë dhe një shishe verë të kuqe dhe do të gjej gjithmonë dikë të t'mi ofrojë". Ingresi ka një tablo... - Mos vazhdo më tej. Pse përmende Ingre, ç'hyn ai këtu ? - Sepse nga tabloja e tij u frymëzua fotografi Man Ray të krijonte një nga fotogtafitë më mbresëlenëse, titulluar "Violina e Ingresit". Fotografoi Kokon dhe.... shijoje ! - Sa e bukur ! Pse nuk poston ndonjë foto lakuriq të Kokos ? - Nuk lejon facebook- u. - Tallesh ?! Ajo ishtë modele dhe ato janë foto artistike, nuk janë... - Face book-u i quan pornografi dhe si masë ndëshkimore të ndalon për tre ditë facebook-n dhe po e përsërite edhe ta mbyll faqen përgjithmonë. - Jooo... ! Pse kështu ? - Epo duhet të jesh artist, që të ndash Artin nga pornografia. - Sa keq... për facebook-un !

 

Klosi News: Ju falemnderit!

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00