image

Mbretëria shqiptaro–bullgare e Preslavës

Shën Naumi, u veçua në një kodrinë në jug të liqenit të Ohrit dhe aty ndërton një Manastir...

 

 

Nga Jean -Claude Faveyrial

 

Mbretëria shqiptaro–bullgare e Preslavës – Dërgatat e Borisit në Romë dhe në Gjermani – Cilët janë patriarkët e vërtetë – Kleri morav zëvendëson klerin grek- Shën Klementi dhe Shën Naumi në Ohër – liturgjia bullgaro-sllave i zë vendin liturgjisë greke – mbretërimi i carëve Simeon dhe Pjetër – mbretëria bullgare e Preslavës e shkatërruar nga Greko-Rusët

 

 

Në periudhën ku gjendemi (v. 865), kombi bullgar i drejtohet me anë të një dërgate të dyfishtë Papa Nikolës dhe Luigjit të Riut, perandorit gjerman. Ai kërkon jo vetëm pagëzimin, por edhe institucionet politike. Kush i kishte frymëzuar këto përçapje? Kush i drejtonte këto përfaqësi? Të krishterët e vendit. Pra, Pjetri dhe Romanët e tjerë të vendit, a do iu kishin dhënë të tilla këshilla Bullgarëve nëse ata vetë nuk do të kishin qënë katolikë, dhe nëse nuk do të kishin njohur për prijës shpirtëror, udhëheqësin e madh të katolicizmit? Vëmë në dukje, gjithashtu, se e gjithë Shqipëria, prej veriut në jug, me përjashtimtë Durrësit dhe disa krahinave epirote, duhet të ketë qenë atëkohë politikisht e varur prej princërve bullgarë, jo se Bullgarët e kishin nënshtruar vendin, por pasi vendi kishte parapëlqyer mbrojtjen pagane të mbretërve bullgarë kundrejt mbrojtjes ikonoklaste të perandorëve bizantinë. Sidoqë të jetë, të kthyer të krishterë, mbretërit bullgarë i kërkojnë papës, jo vetëm institucionet politike, por edhe se cilët janë patriarkët e vërtetë, dhe përse ata vetë të mos mund të kishin një të tillë? Përgjigjia e papës ishte se patriarkët e vërtetë janë ata të Aleksandrisë, Antiokisë, dhe Jeruzalemit, por, në mungesë të titullit kanonik, ai i Kostandinopojës ishte vetëm një patriark oborri, dhe, më në fund, se ai do tu japë një patriark vetë bullgarëve, sapo kristianizmi të jetë përhapur dhe forcuar në vendin e tyre. I informuar për atë çka ndodhi midis oborrit të Romës dhe oborrit të Preslavës, oborri i Bizantit nxitoi të ndërhynte. Ai derdhi para me shumicë, -thotë Konstantin Porfirogjeneti -bleu moralin e një përfaqësie që ajo kishte kërkuar, dhe bëri ç’është e mundur që institucionet e krishtera të dërguara prej papës, të mbeteshin në letër, dhe që kleri i kërkuar Papa Nikolës prej Borisit të rikthehej mbrapsht në Itali.

Në këtë mënyrë mbetën punët deri me ardhjen e Car Simeonit, nipit të Borisit, në fronin e Bullgarisë, në vitin 888, dhe me ardhjen e Formozës në krye të selisë së Shën Pjetrit (v. 891). Tashmë, Simeoni dhe Formoza ishin njohur në Bullgari, në kohën e Borisit. Duke u bërë ai vetë mbret i Bullgarëve dhe mundës i Grekëve, Simeoni i kërkon mikut të tij të vjetër një kurorë mbretërore (perandorake thonë Bullgarët), kurorë që Formoza ia dha me dëshirë. Nga ana tjetër, kleri i ngritur në Moravi nga bullgarët Cirili dhe Metodi, i shpëtoi në arrati rrënimeve të kryera nga Gjermanët dhe Hungarezët. Simeoni, mblodhi atë çka mbeti, dhe i kërkoi papës të zëvendësonte Gorazdin, Klementin dhe shokët e tij në klerin bizantin që ai kërkon ta dëbojë nga shtetet e tij. Formoza jep përsëri miratimin. Për më tepër, ne shohim shumë shpejt, si njërin dhe tjetrin, të nxisin klerin e ri që të përkthejë liturgjinë greke për Bullgarët, ashtu si Cirili dhe Metodi kishin përkthyer atë romane për Moravët. Duke qëndruar në pritje, dhe për të mbuluar më mirë kthesën rrënjësore që përgatisnin punimet e tyre liturgjike, Klementi dhe shumë të tjerë do të jenë të angazhuar për kristianizimin e popullsisë iliro-romake, që shtrihej dhe mbulonte rrethinat e Ohrit dhe, e cila nuk e njihte ende, ose e njihte shumë pak, Ungjillin. Më i tërhequr pas vetmisë se sa të tjerët, një prej tyre, Shën Naumi, u veçua në një kodrinë në jug të liqenit të Ohrit dhe aty ndërton një manastir, rrënojat e çmuara të të cilit mbetën gjithherët të shquara. Meqë Simeoni vdes (v. 941), Pjetër Surzubuli, jo vetëm që pajtohet me Grekët që i kishin sjellë kaq të këqija Bullgarëve, por ai, gjithashtu, martohet me një greke. Sjellja e tij nuk i pëlqeu kombit të vet. Shpërthyen kryengritje, dhe të mundurit gjetën strehë në Epir, ku ata kolonizuan Nikopojën (v. 945). Pra, Nikopoja nuk kishte qënë e shkatërruar, por ajo kishte humbur rëndësinë e saj qysh në kohën kur, për tu hakmarrë ndaj Nikopojasve, Leon Izauriani e kishte zhvendosur në Naupakt të drejtën e metropolit.

Kur Pjetri vdiq, Grekët pretenduan se Bullgarët duhet të pengojnë Hungarezët që të arrijnë në tokat e tyre dhe, meqënëse Bullgarët nuk pranuan të ishin xhandarët e tyre, ata ftuan Rusët që të shkatërronin Bullgarinë. Sviatoslavi arriti, dhe vrau e preu gjithë çka gjeti në të. Grekët u turrën aty nga ana e tyre, dhe nuk e dorëzojnë mbretin bullgar pa i xhvatur diademën, e dërgojnë atë në Bizant, dhe vëllanë e tij e kthejnë në eunuk (v. 971). Janë Grekët, të bashkuar me Rusët, ata që shkatërruan mbretërinë e Preslavës. Janë, po ashtu, Grekët e bashkuar me Rusët, ata që rrënuan mbretërinë e Prespës. Por lufta këtu do të jetë krejt ndryshe, e gjatë, e ashpër, dhe e përgjakëshme. Këtu Greko-Rusët do të gjenden më pak përballë Bullgarëve sesa Vllehëve dhe Shqiptarëve.

 

 

 

Shënime:

 

-Antioki -Antakia e sotme në jug të Turqisë në kufi me Sirinë, kryeqendër e selxhukidëve.

-Pjetër Surzubuli -i biri i car Simeonit (897-927), që zuri vendin e Simeonit, birit të Borisit. U martua me një bizantine dhe u kthye nga Kostandinopoja.





Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial

 

© Robert Elsie, në Shqip   

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00