Home | Culture | Dinastia Epirote

Dinastia Epirote

image
Teopompi i Kios, pasues i Tuqididit, kishte hartuar historinë e Epirit...

 

 

Nga Jean-Claude Faveyrial

 

 

Historinë e Epirit ne e njohim veç prej autorëve grekë, domethënë, nga të huajt. Pra, ata nuk do të flisnin me krenari përderisa tregojnë për një vend që e vlerësonin si barbar, dhe që nuk njihnin as gjuhën e as zakonet e tij. Megjithatë, duket se, qysh në kohët e herëshme, popullsia shqiptare krijon dy grupe kryesore: -ai i veriut kishte për qendër Shkodrën, dhe ai i jugut Pasaronin. Kjo jo për shkak se ishin dy raca të ndryshme, por, siç shihet ende edhe sot, dy grupe të së njëjtës popullsi, të drejtuara nga dy dinasti të ndryshme, dhe që mund të kenë patur secila interesat e saj të veçanta. Plutarku pohon se pas Delugut, Mollosët dhe Thesprotët patën për mbret njëfarë Faetoni (1525 para Kr.), shumë kohë më vonë (shek. 13 para Kr.), njëfarë Neoptolemi, pasardhësit e të cilit do të mbanin emrin e përbashkët të Pirridëve apo Eakidëve, pothuaj ashtu si në Egjypt, ata quhen Faraonë, dhe Brenë tek Keltët. Teopompi i Kios, pasues i Tuqididit, kishte hartuar historinë e Epirit, por vepra e tij humbi. Ky autor numëronte në Epir katërmbëdhjetë popullsi apo fise të ndryshme. Ja, emri i më kryesorëve, dhe ai i vendeve që ata duket se kanë zënë:

-Helopët në perëndim të liqenit të Janinës, -Perrebët në lindje deri në Meçovë e ndoshta matanë saj, -në jug Mollosët, -Kaonët midis Vjosës dhe detit Adriatik, -Thesprotët përgjatë bregdetit prej maleve Keraune deri në Prevezë, -Atamantët mbi bregun e majtë të Inakus ose Artës, -Dolopët mbi Aspropotam në Anovllahi, -Amfilokët nën Atamantët, mbi gjirin e Artës. Në veri, shiheshin Labeatët përreth Shkodrës, Himanët drejt Tivarit e Ulqinit, Taulantët në Muzaki dhe në lindje të Durrësit, Partinët drejt Elbasanit dhe Tiranës, Dasaretët më lart në male, kanë për qytete kryesore Ohrin (Lyhnis) dhe Pelionin (Bilisht), Penestët në Dibrën e Poshtme, që kanë pasur Uskanën si qytet kryesor, dhe Pirustët prej Prizrenit deri në Prishtinë. Secili nga fiset shqiptare kishte padyshim mbretërit e tij, ose prijësit apo qeverisësit e vet të veçantë.

Por, dy më të shquarat e dinastive të tyre -dhe, mesa duket, të tjerët duhet të kenë qënë pak a shumë nën ndikimin e tyre, -janë ato të Mollosëve në Epir, dhe të Labeatëve në Iliri. Vargu më pak legjendar i mbretërve Mollosë përmbledh veçse dymbëdhjetë të tillë: Admeti, Terruta, Alkesti, Neoptolemi, Arriba, Aleksandri I, Eakidi, Alkesti II, Pirro II, Neoptolemi II, Aleksandri II, Ptolemeu, Pirro III, Leodamia. Admeti (480-429) nuk donte ti shkonte në ndihmë Greqisë së pushtuar nga Persët, por më vonë, ai i ofroi strehë Themistoklit të dëbuar dhe të përndjekur nga Athinasit. Historia nuk thotë asgjë për Terrutën (429-395), as për Alkestin (395-361). Neoptolemi kishte dy fëmijët e tij të mirënjohur: -Olimpian, bashkëshortja e Filipit II, dhe nëna e Aleksandrit të Madh, -pastaj Aleksandër Mollosin, që shumë shpejt e shohim të qeverisë popullin. Arrimba (Arruba) i Justinit (libri 7, k. 3), e pajisi Epirin me një legjislacion të ri dhe, i pari ndër të gjithë, u betua se do ti përmbahet atij (v. 361-342).

Vëllai i Olimpias dhe daja i Aleksandrit të Madh, Aleksandër Mollosi, luftoi në Itali kundër Abrucëve, në të njëjtën kohë kur nipi i tij luftonte me Persët. Por, ai ishte më pak fatmbarë se homonimi i tij, pasi kishte më pak dhunti në artin ushtarak. Fitimtar ndaj Abrucëve (Italia Jugore), ai u mund nga aleatët e tij dhe u mbyt në Akeront (v. 324). Romakët kishin kërkuar përsëri të vlerësoheshin prej tij, dhe ai kish lidhur një traktat aleance me ta. Në kohën e Eakidit dhe Alkestit, Kasandri pushtoi Epirin me shkasin se Epirotët e kishin pajisur me trupa Olimpian, nënën e Aleksandrit të Madh. Por Alkesti, i ndihmuar nga Akarnanët, i dëboi Maqedonasit dhe e çliroi Epirin nga sundimi i huaj. Pirroja është rritur nga kushëriri i tij Glauku, mbret i Taulantias, dhe ai hypi në fronin e Epirit veç me trupat që morri prej vjehrrit të tij, mbretit të Egjiptit. Padyshim që ai kishte shumë guxim dhe trimëri. Por, për të qënë një gjeneral i përplotë, atij do ti ish dashur më tepër qëndrueshmëri, më pak ambicje, dhe më shumë respekt ndaj këshillave të urta të mësuesit të tij Kinea Thesalianit.

Tarentinët, që më parë e kishin lidhur Aleksandrin në një luftë kundërAbrucëve, e angazhuan atë vetë në një tjetër luftë kundër Romës. Për të thënë të vërtetën, ai korri mbi Romakët fitoren e parë, por beteja kishte qënë e përgjakshme, dhe ai humbi 13 mijë burra. Nëse një betejë e dytë do të kushtonte po kaq, -shprehet ai -unë do të kthehesha në Epir pa ushtarë. Nga Italia ai kapërcen në Siçili, thyen Kartagjenasit, dhe çliron Sirakuzën. Por, duke u kthyer, humbet arkën e tij ushtarake dhe një pjesë të flotës në ngushticën e Mesinës. “Çfarë ju duket senati?” -i thotë Pirroja atij. “Eshtë një kuvend mbretërish” -i përgjigjet këshilltari. Kinea kishte shkuar në emër të tij për ti propozuar paqen senatit romak. Ekspeditat ushtarake të Pirros në Itali, duket se i kanë nxitur idenë atij për të lidhur një urë midis Apolonisë dhe Brindizit. Gjithsesi, ai rikthehet në Epir, rend për në Maqedoni, dhe aty vetëshpallet mbret. Pastaj vritet gjatë betejës për marrjen e qytetit të Argosit (v. 272). Koka e tij iu soll Antigonit, dhe Antigoni ia ktheu Helenit, i cili e dërgoi në Epir. Epirotët e kishin quajtur dikur shqiponjë. Po, sigurisht, unë jam një prej tyre, -përgjigjet Pirroja -por jeni ju që më keni bërë të tillë. Duhej dëbuar dikush që kish folur keq për të. Kush do të mbetej atëhere këtu, -thotë Pirroja, -nga frika se nuk ka folur keq për mua diku tjetër.

Sipas Justinit (Lib. 25, k. 5), të gjithë historianët bien në një mendje, se asnjë mbret nuk mund të krahasohej me Pirron, dhe se shumë pak princër apo edhe njerëz të shquar kanë arritur të bëjnë një jetë më të pastër se ai, dhe se, edhe më pak gjithashtu nga madhështia e emrit të tyre, kanë arritur ta bëjnë kaq të shquar një mbretëri të vogël. Aleksandri II desh për një çast të imitojë të atin e tij, dhe ai vetë shkroi libra mbi taktikën ushtarake, të cilat Arriani i përmend me mburrje, por, i mundur në Maqedoni, arriti ta rifitojë Epirin vetëm me ndihmën e Akarnanëve. Pirroja II vdiq më pas pa lënë fëmijë, dhe kurora e Epirit ra në duart e motrës së tij Leodamia. Duke mos dashur të qeveriseshin nga një femër, Epirotët ngritën krye, dhe një maskara vrau Leodaminë në një tempull ku ajo kish kërkuar strehë. Sipas shembullit, dhe me nxitjen e Etolianëve, Epirotët ranë në një mendje për republikën dhe emëruan një pretor apo një magjistrat të përvitshëm. Vetëm se paqëndrueshmëria e një qeverisjeje të tillë u kushtoi shtrenjtë.

“Aty për aty -thotë Justini -perënditë u hakmorrën për këtë krim, me fatkeqësi të shumta dhe me një vdekshmëri në masë. Shterpësia, zia e bukës, luftërat civile, luftërat me të huajt, të gjitha këto, i ndoqën pas deri në rrënimin pothuaj të një kombi të tërë. Miloni, vrasësi i Leodamisë, duke rënë në shfrenimet e çmendurisë, shqeu trupin me hekur, me gurë, me dhëmbë, dhe, në krye të dymbëdhjetë ditëve, vdiq” (Justini, libri 28, k. 3).

 

 

 

Shënime:

 

-Pasaron -kryeqyteti i Mollosisë.

-Brenë -prijës keltë (galo-keltët që u dyndën në Itali, Ballkan e deri në Azi të Vogël).

-Inakus -lumë në Amfiloki.

-Anovllahi dhe Aspropotam - malet e Pindit në mes Epirit dhe Thesalisë, dhe lumi që buron prej tyre dhe kalon në

jug nëpër Etoli (Ahelou).

-Himanë (hemionë) -nënfis i liburnëve.

-Perrebë -banorët e Thesalisë.

-Muzaki -Myzeqeja.

-Themistokli -gjeneral dhe shtetas athinas (525-460 p.e.s.).

-Abrucët (Brutët) -fis italik dhe krahinë, Abruzia me Peskarën).

-Arriani -historian nga Nikomedia (Bitini), autor i historisë për Aleksandrin e Madh.

 

 

 

Fragment nga "Historia e Shqipërisë " nga Jean-Claude Faveyrial

 

 

© Robert Elsie, në Shqip

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00