Home | Culture | UNESCO dhe fundi i epokës së Bacit

UNESCO dhe fundi i epokës së Bacit

image
Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO vë në pah edhe autoritetin dhe përgjegjësinë e disa ambasadorëve kosovarë...

 

Nga  Bajram Mjeku

 

Dështimi këtë të hënë në Paris, që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, nuk mund të kalohet lehtë. Përgjegjësinë për dështimin duhet ta marrë Qeveria e Republikës së Kosovës. Duhet të merr përgjegjësinë edhe për qasjen primitive të lobimit në ambientet e UNESCO-s në Paris dhe jashtë saj.

 

Është vetëngushëllim të thuhet se Kosovës i munguan vetëm tre vota që të bëhej anëtare e kësaj organizate prestigjioze. Ka mundur t’i mungojë edhe një votë dhe prapë të mos anëtarësohet. Është e papranueshme të thuhet se Serbia bëri fushatë raciste kundër Kosovës. Diplomacia serbe ka kryer punën e saj. Njësoj është dashur të vepronte diplomacia kosovare, madje me të njëjtin kut.

 

Është joserioze që në fushatën për lobim t’i anashkalosh disa segmente kryesore, të cilat do të duhej të ishin shtyllat kryesore për lobim. Pjesë e delegacionit kosovar për lobim do të duhej të ishin edhe dy ministritë; Ministria për Kulturë dhe ajo për Arsim e Shkencë e Republikës së Kosovës. Ishte shans i madh për anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që të dëshmonin të paktën një herë që nga paslufta se janë të denjë për të ndihmuar shtetin e tyre për t’u anëtarësuar në një organizatë prestigjioze në Kontinentin e Vjetër siç është UNESCO.

 

Anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës edhe pas dështimit bëjnë veshin e shurdhër. Veprojnë sikur institucioni që përfaqësojnë ata nuk është pjesë e Kosovës. Akademikët kosovarë justifikuan zërat më të paarsyeshëm tash disa vjet se kjo Akademi dhe anëtarët e saj nuk qëndrojnë në krye të përgjegjësisë së saj. Në kuadër të fushatës për lobim është dashur të ekzistojë një koordinim i fuqishëm midis dy ministrive të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe midis dy akademive të shkencave dhe arteve. Por, lobimin më të fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO do të mund ta bënin shumë personalitete të shquara shqiptare të shkencës dhe kulturës. Janë të shumtë dhe të kudondodhur jo vetëm në Kontinentin e Vjetër. Janë të autoritetshëm dhe gëzojnë respekt të madh në shtetet ku tash disa vjet jetojnë ata.

 

Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO vë në pah edhe autoritetin dhe përgjegjësinë e disa ambasadorëve kosovarë, të cilët me dhe pa merita përfaqësojnë shtetin më të ri në Ballkan.

 

Kosova ka humbur një shans të madh. Zërat ngushëllues të qeveritarëve tanë se dy vjet më vonë Kosova do të anëtarësohet në UNESCO janë edhe më dyshues. Dy vjet më vonë anëtarësimi do të jetë edhe më i vështirë. Kur një vend a institucion bie nga provimi, riprovimi gjithmonë ka rezultuar të jetë më sfidues.

 

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës të përfshirë në lobim, të cilët për natyrën e sjelljes shqiptare refuzojnë të marrin përgjegjësinë për dështim, megjithatë duhet ta pranojnë dështimin. Më keq se kjo bënë hesape pa hanxhiun. Në rast se Kosova do të anëtarësohej në UNESCO, këtë sukses do t’ia dedikonin vetes, më saktë një grupi të ngushtë prej më së shumti pesë vetash, në mesin e të cilëve ishte edhe Behgjet Pacolli, partia e të cilit në zgjedhjet e fundit nacionale nuk mundi të kalonte as pragun. Pacolli më shumë se kryetar i një partie politike, njihet me nofkën Baci dhe Baci nuk mundi të sigurojë as votën e Kazakistanit ku ka investuar jo pak në këtë shtet.

 

Epoka e Bacit ka përfunduar. Delegacioni kosovar, i cili loboi për anëtarësim të Kosovës në UNESCO, të kujton fillimin e pelegrinazhit politik të shefit të parë të shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlorës në prill të vitit 1913, që shteti më i ri në Gadishull të njihej nga shtetet evropiane. Në vend se me vete për lobim të merrte Hasan Prishtinën, këtë të fundit e zëvendësoi me Isa Boletinin. Kështu veproi edhe në Konferencën e Londrës, kur Fuqitë e Mëdha e shkëputën dhunshëm Kosovën nga nëna e saj.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00